Sikurse më 1921 ndihej mungesa e Kuranit në gjuhën shqipe si vepër burimore e shumicës myslimane, në Kosovë e në Maqedoni ndihej nevoja për këtë burim në procesin e ri kulturor antikomunist, si pjesë përbërëse e kulturës shqiptare. Në këto rrethana historike botimi i Kuranit nuk do të dilte me kohë (1985) pa përkrahjen e liderit të ri shqiptar Ibrahim Rugova. Kjo ka kuptimin e vet për atë kohë e për këtë kohë, sepse I. Rugova ishte intelektual laik por e kuptoi rëndësinë kulturore të kësaj iniciative për integrimin e ri kulturor kombëtar të shqiptarëve. Në saje të kësaj nuk na habit tirazhi rekord i atij botimi (10 mijë kopje) për atë kohë. Tani, në rrethana të reja ku kemi nja 13 përkthime të Kuranit në gjuhën shqipe, është momenti që të merren parasysh këto rrethana historike dhe të rikonsiderohet përkthimi i parë i Kuranit në gjuhën shqipe si kryevepër e akad. Feti Mehdiut

Sivjet kemi dy ngjarje të lidhura: 40-vjetorin e botimit të përkthimit të parë të Kuranit dhe 80-vjetorin e lindjes së akademikut dhe përkthyesit të Kuranit, Feti Mehdiu.

Me këtë rast dëshiroj ta zhvilloj një paralele midis përkthimit të parë të Kuranit që nuk u kompletua në Tiranë (1921-1927) dhe përkthimit të parë komplet të Kuranit që u botua në Prishtinë më 1985.

Me konsolidimin e shtetit kombëtar shqiptar më 1920 dhe me hovin e zhvillimit të kulturës kombëtare, plejada e asaj kohe ndjente përgjegjësi për misionin e vet në integrimin e shqiptarëve në një kulturë kombëtare. Një prej pjesëtarëve të kësaj plejade ishte Ilo M. Qafëzezi (1889-1964), që e përfaqësonte gjeneratën e dytë të rilindësve, i cili bëri emër me aktivitete e vepra të ndryshme në mesin e kolonive shqiptare në Rumani e Amerikë deri më 1924, kur u kthye në Korçë dhe u bë biografi më i njohur shqiptar në periudhën midis dy luftërave. Përkundër kontributit të tij në kulturën kombëtare shqiptare, Ilo Qafëzezi pësoi shumë nën regjimin komunist deri në vdekjen e tij më 1964

Me frymën e rilindësve, I. Qafëzezi punoi shumë për integrimin e shqiptarëve me anë të kulturës kombëtare. Në këtë kontekst mund të kuptohet rëndësia e ndërmarrjes së tij për përkthimin e Kuranit në gjuhën shqipe, pjesa (fashikulla) e parë e të cilit u botua në Rumuni më 1921 kurse pjesa e dytë në Korçë më 1927, si një ngjarje historike për kulturën shqiptare, e cila kishte jehonë të madhe jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Turqinë e re.

Ilo M. Qafëzezi (1889-1964) në parathënien e tij, për përkthimin e Kuranit në shqip niset nga motivi fisnik për integrimin kulturor të shqiptarëve myslimanë dhe të krishterë, i cili mund të arrihet kur shqiptarët e krishterë mund të mësojnë për fenë islame nga burimi (Kurani) në gjuhën shqipe

 

Në parathënien e tij, Qafëzezi niset nga motivi fisnik për integrimin kulturor të shqiptarëve myslimanë dhe të krishterë, i cili mund të arrihet kur shqiptarët e krishterë mund të mësojnë për fenë islame nga burimi (Kurani) në gjuhën shqipe. Në mungesë të kësaj njohjeje, pra të Kuranit në gjuhën shqipe, ai e konsideron atë si “cipë qepe misterioze që i ndan fetarisht shqiptarët muhamedanë nga vëllezërit e tyre të krishterë”. Ndaj, ai e merr si obligim ta përkthejë Kuranin në gjuhën shqipe.

Qafëzezi pranon me keqardhje se ai nuk e ka përkthyer Kuranin nga arabishtja, por nga anglishtja (përkthimi i orientalistit të njohur anglez George Sale, i botuar në Londër më 1734), por ai shpreson se do të pasohet me përkthim më të mirë nga ndonjë ulema shqiptar nga arabishtja. Me fjalë të tjera, Qafëzezi nuk kishte pretendime të tjera, por vetëm motive kombëtare, duke ofruar një përkthim pa gabime e interpretime që prekin “vëllezërit muhamedanë”, që ishte ngjarje e madhe për atë kohë jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Republikën e re turke ku u botuan më 1924 dy përkthime të Kuranit në turqisht, mu atëherë kur Hafiz Ali Korça kreu edhe përkthimin tjetër që nuk na arriti.

Këto përkthime, dhe të tjera në anglishte, aktualizuan në botën islame debatin mbi përkthimin e Kuranit në gjuhë të tjera, derisa Az-hari e lejoi atë më 1936, gjë që hapi rrugën për botimin e disa përkthimeve të Kuranit nga ulema të Bosnjës.

Ajo porosi historike e I. Qafëzezit për një përkthim më të mirë nga një ulema shqiptar nga arabishtja u realizua më në fund me botimin e përkthimit të Kuranit në Prishtinë më 1985 nga akad. Feti Mehdiu, i cili është njëkohësisht ulema në kuptimin mysliman dhe orientalist në kuptimin shkencor.

Kuptohet, para këtij botimi kemi pasur disa përpjekje në Shqipëri dhe në mërgatë. Në mesin e tyre ajo që meriton të përmendet këtu është kontributi i imamit Vehbi Ismaili (1919-2008), i cili filloi të botonte fragmentet e para të përkthyera të Kuranit qysh nga viti 1950 në revistën “Jeta myslimane shqiptare”. Më 1977 ai e kishte kryer punën dhe kishte përgatitur një version të daktilografuar për të udhëtuar në vendet arabe për ta realizuar botimin e përkthimit të tij atje. Por atë kopje të vetme e humbi gjatë rrugës. Kështu, imam V. Ismaili gjatë një vizitë në Prishtinë më 1979 u takua me akad. Feti Mhdiun (kur ishte atëherë ligjërues në Degën e Orientalistikës), me të cilin ka pasur korrespondencë në lidhje me përkthimin e Kuranit, dhe ia tregoi ç’ndodhi, duke e përfunduar bisedën me këto fjalë: “Unë nuk mundem më, vazhdo ti e unë të ndihmoj”.

Ky takim midis dy ulemave dhe dy përkthyesve të njohur nga arabishtja sikurse i dha porosi tjetër (pas asaj të I. Qafëzezit) akad. Feti Mehdiut, që e nxiti të punojë në mënyrë intensive për ta mbaruar dhe botuar përkthimin e tij më 1985. Imam V. Ismaili, i cili ishte në kontakt të vazhdueshëm me akad. Feti Mehdiun gjatë punës së tij, e priti mirë këtë përkthim dhe e promovoi në SHBA e Kanada në mesin e shqiptarëve, si dhe në Konferencën e parë për përkthimet e Kuranit në botë që u mbajt në Stamboll më 1986 nga institucioni i njohur IRCICA.

Ky përkthim kishte jehonën e vet në mesin e myslimanëve në ish-Jugosllavi, që ishin atëherë gati 20 për qind e popullsisë, dhe u promovua si “ngjarje e kulturës shqiptare” në revistën “Glasnik” (nr.5, Sarajevë 1985), e cila ishte organi i Pleqërisë së Bashkësisë Islame në Jugosllavi.

Vërtet, botimi i Kuranit më 1985, sikurse ai më 1921, ishte një ngjarje e madhe kulturore në rrethana të reja historike. Sikurse më 1921, kur Shqipëria integrohej në një kulturë kombëtare, në Kosovë e Maqedoni filloi procesi i një integrimi të ri kulturor pas vitit 1981.

Sikurse më 1921 ndihej mungesa e Kuranit në gjuhën shqipe si vepër burimore e shumicës myslimane, në Kosovë e në Maqedoni ndihej nevoja për këtë burim në procesin e ri kulturor antikomunist, si pjesë përbërëse e kulturës shqiptare. Në këto rrethana historike botimi i Kuranit nuk do të dilte me kohë (1985) pa përkrahjen e liderit të ri shqiptar Ibrahim Rugova. Kjo ka kuptimin e vet për atë kohë e për këtë kohë, sepse I. Rugova ishte intelektual laik, por e kuptoi rëndësinë kulturore të kësaj iniciative për integrimin e ri kulturor kombëtar të shqiptarëve. Në saje të kësaj nuk na habit tirazhi rekord i atij botimi (10 mijë kopje) për atë kohë.

Sikurse në Bosnjë më 1977, kur doli përkthimi i parë i Kuranit nga arabishtja, po ashtu nga një ulema e një orientalist i njohur boshnjak, ashtu edhe botimi i parë i Kuranit në Kosovë hapi rrugën për shumë përkthime që arritën në 13 deri më tani. Në mesin e tyre përkthimi i akad. Feti Mehdiut tani po del në botimin e katërt, gjë që ka domethënien e vet.

Botimi i parë doli me titull të thjeshtë (Kur`an-i), sikurse ai në Sarajevë më 1977, kurse i dyti më 1999 doli me titull Kurani dhe hija e tij shqip. Në mesin e dy botimeve u shprehen mendime të ndryshme qoftë për përkthimin ose për titullin. Në mesin e ulemave të asaj kohe ende kishte rezerva në parim ngase Kurani nuk mund të përkthehet, por mund të përkthehen e të shpjegohen ajetet e tij. Në saje të kësaj erdhi botimi i dytë me titullin “Kur`ani dhe hija e tij shqip”, për të treguar se Kurani i përkthyer nuk është ai Kuran origjinal i zbritur nga Allahu, por është thjesht hija e tij në gjuhën shqipe, edhe pse unë personalisht mendoj se ky është thjesht versioni shqip i Kuranit në arabisht.

Nga ana tjetër, disa linguistë kishin ca vërejtje për përkthimin e parë. Duke marrë parasysh se unifikimi i gjuhës shqipe u bë më 1972 me peshë dominante nga Shqipëria komuniste, përdorimi i gjuhës së re letrare u stabilizua gradualisht në Kosovë e në Maqedoni gjatë viteve ‘70. Kuptohet në leksikonin e gjuhës së njësuar mungonin shumë fjalë dhe shprehje adekuate të kulturës islame, ndaj nuk ishte e lehtë të arrihej një përkthim i Kuranit në gjuhën e njësuar më 1985. Botimi i këtij Kurani e nxiti në një mënyrë Bashkësinë Islame të Kosovës të nxjerrë më 1986 revistën mujore “Dituria Islame”, që lexohej shumë atëherë pasi që përfshinte shumë tema të kulturës kombëtare shqiptare, e cila hapi rrugën edhe për diskutime në lidhje me ligjërimin shqip të kulturës islame. Në saje të kësaj, ishte e natyrshme që akad. F. Mehdiu, një prej bashkëpunëtorëve të “Diturisë Islame”, të përmirësojë përkthimin që t’i përgjigjet këtij trendi të ri në Kosovë e në Shqipëri pas rënies së regjimit monist më 1990.

Tani, në rrethana të reja ku kemi nja 13 përkthime të Kuranit në gjuhën shqipe, është momenti që të merren parasysh këto rrethana historike dhe të rikonsiderohet përkthimi i parë i Kuranit në gjuhën shqipe si kryevepër e akad. Feti Mehdiut, përkundër kontributit të tij të madh në filologjinë orientale, me rastin e 80-vjetorit të lindjes.

Fragmente nga një kumtesë e lexuar në tubimin në Bazel të Zvicrës më 22 qershor 2024 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here