Iniciativa sporadike e të pamjaftueshme për dokumentimin e luftës, shenja e dëshmi lufte që zhduken përditë, kanë qenë disa prej konstatimeve në panelin në temën “Dokumentimi i çerekshekullit”, të mërkurën në kuadër të “Speciales” së Kohavisionit për Ditën e Çlirimit. “Jemi preokupuar shumë me rindërtimin”, ka thënë arkitektja Florina Jerliu, dhe sipas saj ka arsye për këtë. “Është problem i shoqërisë, shumica e vendosin fajin nga institucionet, por është çështje e cila kërkon trajtim nga shoqëria”, ka thënë Skënder Boshtrakaj, ish-drejtor i Muzeut Kombëtar të Kosovës, kur ka folur për trashëgiminë e luftës

Edhe 25 vjet pas çlirimit, institucionet e Kosovës ende nuk kanë arritur të konsolidojnë politika konkrete të cilat e bëjnë dokumentimin e historisë së luftës, të trashëgimisë a të shenjave të saj. Deri tash është vetëm një muze në kuptimin e plotë të fjalës –  Muzeu i Masakrës në Krushë të Madhe i hapur tek në marsin e sivjetmë – përderisa gjurmë të luftës zhduken përditë e më shumë. Shtatoret ngrihen përditë e më shumë, pa ndonjë rend e rregull dhe janë ana tjetër e këtij rrëfimi.

“Dokumentimi i çerekshekullit” ka qenë temë diskutimi në njërin nga panelet e “Speciales”, programit maratonik të Kohavisionit, të mërkurën në Ditën e Çlirimit.

E ftuar në panelin e udhëhequr nga Edona Binaku, arkitektja Florina Jerliu, profesoreshë në Universitetin e Prishtinës, ka thënë se iniciativat institucionale për dokumentimin e luftës kanë qenë sporadike dhe të pamjaftueshme. Një “pikëtakim” për iniciativat rreth dokumentimit të kësaj trashëgimie, sipas saj, është më se i nevojshëm.

“Ne nuk kemi ende një sistem të integruar, të vendosur, i cili na rrëfen fazat apo sasitë e informatave lidhur me dokumentimin, apo që japin informacion rreth asaj se si e përballuam luftën në kuptimin e dëmeve materiale, shpirtërore dhe dëmeve të tjera”, ka thënë Jerliu.

Gjatë këtyre viteve kjo pjesë me rëndësi qenësore për historiografinë dhe kujtesën kolektive është “mbuluar” me hulumtime shkencore, intervenime artistike e me mbledhje të materialeve nëpër koleksione të ndryshme private.

Njëri prej shembujve konkretë është mbledhja e rrëfimeve e historive të trishta të fëmijëve të vrarë gjatë luftës, të zhdukur a të mbetur jetimë. Rezultat konkret qe edhe ekspozita në ambientet e Ministrisë së Drejtësisë, “Bebëzat e mallit” ishte bërë zë i fëmijëve që presin ende drejtësinë, i thërrasin kujtesës kolektive dhe dokumentojnë. Kishte qenë si një iniciativë e cila shfaq një kapitull që e ka lënë të hapur dhimbjen e popullit të Kosovës, ndërkaq ishte jetësuar nga puna e hulumtuesit Korab Krasniqi nga “ForumZFD”.

I pranishëm në panel, Krasniqi ka thënë se, sipas tij, ekzistojnë dy këndvështrime mbi mënyrën se si duhet trajtuar kjo trashëgimi e luftës: krimet te civilët dhe dhuna urbicitare në hapësirat publike, të cilat, sipas tij, kanë prodhuar një diskurs me të cilin shoqëria kosovare është ende e angazhuar edhe sot. Për të, fakti se procese të ndryshme politike e juridike janë ende të lidhura ngushtë me çështjen e dokumentimit të luftës përbëjnë pengesë. Ndërkaq me “Bebëzat e mallit” ai kishte qëllim të caktuar: t’i shërbente ndërtimit të narrativit të luftës së fundit.

“Dokumentimi i çerekshekullit” ka qenë temë diskutimi në njërin nga panelet e “Speciales”, programit maratonik të Kohavisionit, të mërkurën në Ditën e Çlirimit

“Qëllimi ka qenë që me tregu se strategjia ushtarake e dhunës së ushtrisë jugosllave dhe forcave paramilitare ka qenë të shkatërrojë strukturën familjare duke i bërë cak edhe fëmijët. Ndërkaq e dyta ka qenë ideja e kthimit të agjencisë ndaj rrëfimtarisë për përvojat e fëmijëve, sepse gjithmonë janë të rriturit ata që kanë rrëfyer atë dhe ne kemi tentuar të bëjmë pikërisht këtë zhvendosje”, është shprehur Krasniqi, duke shtuar se kujtesa e deritanishme për luftën në Kosovë e ndërton një diskurs të njëanshëm që tregon një anë ushtarake, glorifikuese, duke i shfaqur pak nuancimet nga përjetimet e qytetarëve civilë.

Gjithë këto iniciativa të konkretizuara gjatë viteve të pasluftës janë ende në pritje të një trajtimi i cili do t’i bashkonte ato të unifikuara. Por ka nga to të cilat rrezikohen të humbasin, dhe kjo si rezultat i mosveprimit të institucioneve.

Gazetari i kulturës në KOHA, Shaban Maxharraj, ka identifikuar disa nga hendeqet kryesore të cilat nuk lejojnë që dokumentimi i luftës të ketë një epilog të konsoliduar.

“Në bazë të asaj që shohim në përditshmëri ne i kemi disa telashe bazike në raport me dokumentimin e asaj se çfarë ka ngjarë në Kosovë, sidomos në luftën e fundit. Ne që punojmë në media jemi dëshmitarë të retorikës institucionale. Për shembull, tek elementi bazë, do të thotë sa herë që flitet për numrin e njerëzve të vrarë në luftë, institucionet tona flasin me shprehjet si ‘rreth’, ‘afër’, ‘mbi…’ Asnjëherë nuk e kemi një numër të saktë të viktimave të civile të vrarë gjatë periudhës së viteve 98-99”, ka thënë Maxharraj.

Ka shtuar se projekte të tilla të cilat janë angazhuar në dokumentimin e pjesëve të ndryshme të luftës së fundit në Kosovë rrezikojnë të humbin. E ka ilustruar me disa shembuj: me “Na ishte njëherë që kurrë mos qoftë”, ekspozita kushtuar 1133 fëmijëve të vrarë dhe të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë dhe krematoriumin në Krushë të Madhe i cili ende vazhdon të jetë si objekt i pambrojtur dhe i cenuar.

“Në maj të vitit 2019 Fondi për të Drejtën Humanitare në bodrumin e objektit të ri të bibliotekës ‘Hivzi Sulejmani’ e ka hapur ekspozitën ‘Na ishte njëherë që kurrë mos qoftë’, e cila është njëra ndër ekspozitat më të kuruara dhe më të detajuara për fëmijët e vrarë gjatë luftës. Aty rrëfimet janë rrëqethëse. Tash e katër vjet kjo ekspozitë troket nëpër dyert e institucioneve që atë ta marrë shteti dhe ta bëjë ndoshta dhe si tip pavijoni të veçantë, por rezultati i këtyre përpjekjeve është i barabartë me zero. Vullnet retorik sa të duash, ndërkaq punë në praktikë jashtëzakonisht pak”, ka shtuar ai.
Fajin në gjithë këtë çështjeje, Skënder Boshtrakaj, ish-drejtor i Muzeut Kombëtar të Kosovës, e ndan kolektivisht. Sipas tij, institucionet nuk janë të vetmet që duhet t’iu drejtohet gishti. Një pjesë të madhe të këtij faji e ka dhe vetë shoqëria.

“Është problem ta ndajmë trashëgiminë e luftës nga historia e vendit. Ajo nuk është veç një provë e një materieje jashtë kontekstit, ajo jeton me vendin si në të gjitha fushat e tjera, nuk është se ndonjë fushë tjetër kemi bërë më shumë. Është problem i shoqërisë, shumica e vendosin fajin nga institucionet, por është çështje e cila kërkon trajtim nga shoqëria, nga poshtë-lart, dhe nuk mund të vijë zgjidhja me një politikë të tillë”, ka komentuar Boshtrakaj.

Më e reja për nga iniciativat e këtij lloji kishte qenë pikërisht hapja e Muzeut të Masakrës së Krushës së Madhe, në mars të këtij viti. Ishte realizuar nga puna vullnetare e profesorëve të Universitetit të Prishtinës, ndër ta dhe Florina Jerliu. Ajo ka përmendur se si shumë pjesë nga dëshmitë materiale të dëmeve të luftës nuk janë trajtuar e disa nga to nuk janë trajtuar si duhet dhe sot vazhdojnë të rrezikohen nga shumë aspekte.

“Nuk kemi arritur të krijomë memorial në kuptimin e arkitekturës si dëshmi materiale. Kemi mundur sidomos në objektet publike, në disa shkolla ku janë shkatërruar, ka pasur përpjekje flagrante të dëmtimit të strukturës arkitekturale ku kanë mundur të ruhen disa ekzemplarë, që sot do të flisnin pa pasur nevojë të ndërtojmë narrativë. Madje kemi situata të memorialëve sikur kompleksi ‘Adem Jashari’, ka vite që diskutojmë se si për shkak të mosmirëmbajtjes është vështirë të kuptohet se cili dëm në ato hapësira është nga koha apo nga lufta”, ka thënë Jerliu. Por ka përmendur edhe një tjetër qasje.

“Jemi preokupuar shumë me rindërtimin. Rindërtimi i shtëpisë për ne pas luftës ka pasur një kuptim jashtëzakonisht të madh, të gjerë, ka nënkuptuar rigjenerimin e familjes, shtetit, të tokës, asaj se çka kemi trashëguar dhe prosperitetit”, ka thënë Jerliu.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here