Ngjarjet dramatike të cilat i ka përjetuar populli shqiptar në Kosovë gjatë luftës së fundit (1998-1999), kanë qenë motiv i mjaftueshëm për botime nga autor të ndryshëm duke ofruar të dhëna për krimet e pushtetit serb dhe gjenocidin kundër shqiptarëve, ku libri i gazetarit Fahri Musliu – “Ditari i gazetarit shqiptar në Beograd”, Prizren 2023 – paraqet një botim të veçantë, i cili mund të trajtohet si dokumentar për Kosovën e kësaj periudhe kohore
Nuk ka dilemë se një botim i tillë është në favor të prezantimit real të ngjarjeve në këtë periudhë kohore, ku Kosova ishte në qendër të opinionit evropian e atij botëror. Dhe nuk ka si të jetë ndryshe, sepse ishte hera e parë që forcat ndërkombëtare të NATO-s kanë intervenuar për 78 ditë për të shpëtuar shqiptarët nga politika serbe gjenocidale.
Botimi ndahet në tri pjesë: 1. Baticat dhe zbaticat e jetës, 2. Raportet ditore në “Zërin e Amerikës” janar-mars 1999 dhe 3. Disa dokumente të rëndësishme politike ndërkombëtare për çështjen e Kosovës (1.Dokumenti i Grupit të Kontaktit për Kosovën e vitit 1998, 2. Marrëveshja e Rambujesë, 3. Marrëveshja e Kumanovës dhe 4. Rezoluta 1244).
Fillimisht ky libër është botuar si fejton në gazetë për 23 ditë rresht, e më pas i janë shtuar raportet për “Zërin e Amerikës”, që është botuar nga “Dukagjini” në Pejë. Ndërsa botimi i dytë është i zgjeruar me disa dokumente diplomatike ndërkombëtare, që ndikuan në fillimin e fushatës së bombardimeve të NATO-s më 24 mars 1999, kundër ish-Jugosllavisë.
Guximi profesional
Autori i librit, gjatë qëndrimit në këtë kohë në Beograd ishte aty fizikisht ndërsa mendërisht ishte në Prizren te familja e tij. Kemi të bëjmë me një kohë dramatike se askush nuk ka mundur të parashikojë se si do të jetë dita e nesërme. Në këtë botim janë të prezantuara tri letra nga familja, që janë dëshmi autentike e kësaj kohe.
Se qëndrimi në Beograd ishte rrezik permanent, është dëshmi edhe vrasja e gazetarit të njohur S. Quruvija në Beograd nga vetë pushteti serb. Por, Musliu arriti të përballojë sfidat e kohës duke mbetur shembull për të tjerët me guximin profesional e atë intelektual.
Duke lexuar këtë libër mësohet e dhëna se në Qendrën Mediale në Beograd e cila ishte vendtakimi i gazetarëve, intelektualeve, aktivistëve të shoqërisë civile dhe individëve të ndryshëm ka qenë një mbështetje dhe kurajo për punën e Musliut si gazetar, por edhe qëndrimin të tij në këtë mjedis.
Dokumentar për krimet serbe
Duke lexuar këtë libër që lirisht mund të quhet edhe si “Ditari i luftës”, del qartë se kemi të bëjmë me ngjarjet dramatike, politike e luftarake të kohës, duke përfshirë dhunën, dëbimet, vrasjet, masakrat, varrezat masive në Kosovë, nga ushtria e policia serbe.
Ditarin duhet lexuar për të kujtuar krimet e pushtetit të politikës serbe e cila dëshmoi në praktikë gjenocidin kundër shqiptarëve. Masakrat anekënd Kosovës kundër popullsisë së pafajshme sipas planit “Patkoi” janë dëshmi transparente e një konstatimi të tillë. Ndërsa intervenimi i NATO-s më 24 mars 1999 ishte për çështje humanitare, është dëshmi e ndalimit të spastrimit etnik të një populli i cili ishte i okupuar nga viti 1912, që u verifikua në sajë të vendimit të padrejtë të Konferencës së Londrës në vitin 1913.
Lëndë burimore për studiues
Ky botim ofron faktografi historike dhe pa dilemë se mund të shërbejë si material burimor për studiues të ndryshëm për këtë periudhë kohore, e cila ishte vendimtare në çlirimin e Kosovës.
Nuk ka dilemë se libri nxit kureshtjen e lexuesve duke u rikujtuar ngjarjet dramatike për të gjithë ata që i kanë përjetuar. Ndërsa pamjet e mediave të ndryshme të asaj kohe janë dëshmi autentike për golgotën e përjetuar nga shqiptarët e Kosovës, nga vrasjet, masakrat, dëbimin e rreth 1 milion shqiptarëve si dhe rikthimin e tyre pas datës 12 qershor 1999, që me të drejtë cilësohet Dita e Çlirimit të Kosovës!
Maj 2024