Sot theksohet shpesh çfarë do të ndodhte me agresionin rus në Ukrainë nëse Perëndimi do ta kishte lejuar Ukrainën të armatosej dhe të zhvillonte aftësitë e saj ushtarake, deri në potencialin bërthamor.
Nuk dihet çfarë, ama dihet që nuk do ishte kjo nevojë emergjente e dëshpëruar dhe problematike për të armatosur Ukrainën nga jashtë.
Thuhet se Putin ka hedhur sytë për një front të dytë lufte në Ballkan.
Nëse do sulmohej Shqipëria, sa do ishte ajo në gjendje të mbrohej? Sigurisht që asnjë ditë pa ndihmën e NATO-s.
Por dikur nuk ka qenë kështu.
Më poshtë janë shifrat e plota të armatimit dhe teknikës luftarake që kishte Shqipëria përpara ’90-s botuar sot në DITA, pjesë e një analize mbi gjendjen e Mbrojtjes së vendit gjatë viteve të fundit.
Shifrat e mëposhtme janë sjellë në DITA nga Dilaver Goxhaj, kolonel dhe ish-zv.shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës:
“Shqipëria ishte përgatitur edhe për mbrojtje kundëratomike dhe për një luftë të gjatë mbi dhjetë vjet. Vetëm depot e rezervave ushqimore e siguronin këtë aftësi në kushte hermetike të një rrethimi të plotë” – shkruan ushtaraku me përvojë Goxhaj ndër të tjera,
Më poshtë shkrimi i tij:
Këmbësoria: Ishin 22 Divizione Këmbësorie, në përbërje të të cilëve ishin 110 brigada këmbësorie; 19 brigada sulmuese të organizuara e të përgatitura për të vepruar kryesisht në shpinë të armikut; 8 brigada të Rinisë Shkollore të Armatosur me nxënës të shkollave të mesme, (klasat 11-ta e të 12-ta); 5 brigada të rinisë universitare të armatosur; 11 brigada tankesh me 1300 taknke, 638 transportues të blinduar e 630 diagaçë; 1 brigadë të ndërlidhjes; 36 batalione zbulimi me trupa, dhe dhjetëra posta radiozbulimi për përgjimin e armiqve të mundshëm1);
Sipas procesverbalit të Mbledhjes së Këshillit të Mbrojtjes, Shqipëria kishte gati 3 lloj armë këmbësorie (pushkë gjysëm automatike, automatikë e mitraloza) për çdo ushtar e vullnetar, nxënës e student: pushkë 436.800, automatikë 235.200, mitralozë të lehtë e të rëndë 28.000, mortaja (të gjithë kalibrave) 7.400, fishekë të kalibrave të ndryshëm 2.600.000.000 copë. Uzina e Poliçanit prodhonte 300.000 granata dore ofensive e difensive në vit, si dhe prodhoheshin edhe predhat e mortajave 82, 107 e 120mm dhe po zgjerohej linja e prodhimit të municioneve për topat KT 75mm, obuzat 122mm, për topat KA 37mm e mitr.KA 12,7 e 14.5mm”.
Brenda 72 orëve Shqipëra mobilizonte 750.000 njerëz në uniformë për të përballuar agresionin.
Shqipëria ishte përgatitur edhe për mbrojtje kundëratomike dhe për një luftë të gjatë mbi dhjetë vjet. Vetëm depot e rezervave ushqimore e siguronin këtë aftësi në kushte hermetike të një rrethimi të plotë.
Mbrojtja Kundërajrore (MKA), arma më masive: Shteti shqiptar i kushtoi një vemendje të jashtëzakonshme MKA, duke marrë përvojën e luftës së Vietnamit, pasi në betejat e sotme aero-tokësore nuk mund të përballohet asnjë lloj agresioni pa MKA, ndryshe nuk mund të veprohet lirshëm në fushën e betejës.
Si e tillë ajo ishte kompletuar me 34 regjimente të artilerisë kundërajrore dhe 100 grupe AKA (në përbërje të brigadave të Këmbësorisë), të kalibrave 20, 25, 37, 57, 85 dhe 100 mm, me gjithsej 3800 gryka zjarri; 14.000 mitralozë 12,7mm pa llogaritur 22 batalione të mitralozave KA 14,5mm dy dhe katër tytësh (gjithësej 1.188 tyta zjarri)2); një regjiment i raketave të drejtuara kundërajrore tokë-ajër SAM-2, për mbrojtjen e kryeqytetit nga aviacioni armik, ku të gjitha repartet e tij ishin shdërruar në rajon tepër të fortifikuar, dhe çdo lëvizje ishte e nëndheshme; një regjiment të zbulimir radioteknik, në përbërje të të cilit kishte 17 posta radioteknike, (14 aktive e 3 rezervë), të tipave P-8, P-10, P-15 dhe P-30, të cilat mbulonin gjithë hapësirën ajrore përreth kufijve të vendit tonë deri edhe 150 km tej kufirijve shtetërorë; 5 baza të furnizimit material-teknik RKP dhe shumë reparte të tjera të shërbimeve të domosdoshme të ushtrisë. I gjithë sistemi i MKA, përfshi edhe pozicionet e zjarrit të mit.KA 12,7mm, ishte i vendosur në tokë dhe nën tokë, asnjë armë ose aparaturë mbi tokë.
Për kohën ky lloj armatimi dhe sasia e tij ishin tepër efikas.
Dhe këtë fuqi të MKA të vëndit, ku edhe në çdo fshat kishim një togë të mitralozave kundërajrorë 12,7mm, e dinin të gjithë fqinjët tanë. Dhe ja se çfarë më tregojnë, në biseda shoqërore dy ish-oficerë shqiptarë të ish-ushtrisë jugosllave, që një pjesë të kohës së shërbimit të tyre ushtarak kanë qenë edhe pjesëtarë të Shtabit të Përgjithshëm të asaj ushtrie. Gjeneral Ramadan Qehaja më tregonte në vitin 1999: “Sa herë që hartonim metodika të ndryshme për mbrotje nga Shqipëria apo për mësymje kundër saj, nuk planizonim kurrë përdorim të desantit ajror as me hedhje e as me ulje, pasi ishim të bindur se ai ishte i asgjësuar pa rënë në tokë.” Të njëjtën gjë ma pat treguar koloneli I aviacionit luftarak, piloti nga Shkupi Ali Aliu, në vitin 1996. MKA ishte përgatitur që t’i kundërpërgjigjej me zjarr çdo sulmi të befasishëm nga ajri për 2-3 minuta, nëse shkelej hapësira jonë ajrore në rast agresioni ushtarak.
Artileria Fushore: 33 brigada të Artilerisë tokësore në vartësi të divizioneve dhe RKP, krahas artilerisë organike në brigada e batalione këmbësorie, të përbëra prej topa dhe top-obuz prej kalibrit më të vogël 75, 76 mm deri në kalibrin me larghedhje të madhe 122, 152mm, si dhe reparte mortajash të kalibrave 60, 81, 107, 120 dhe deri 160mm, që ishin efektivë në mënyrë të veçantë për veprime luftarake në terren malor. Me përparësi ishte punuar për sistemin e artilerisë kundër-tanke si dhe artileri reaktive me prodhushmëri të lartë zjarri. Si rrjedhojë ekzistonte një iventar i përgjithshëm artilerie tokësore pej 21.500 gryka zjarri, ku 4300 gryka zjarri ishin të kalibrave 120mm e lart; 6 Regjimente të Artilerisë Kundërtanke; 4 regjimente të artilerisë bregdetare të kalibrit 100 e 130mm, që vepronin bazë grupi e baterie për asgjësimin e anijeve desanto-zbarkuese e anijeve luftarake të armikut4). Të gjithë PZ të artilerisë ishin QZP tepër të fortifikuar.
Arma e Xhenjos: Ekzistonte një Divizion Xhenjoje me tre brigada xhenjere; si dhe 4 regjimente fortifikimi; një detashment i teknikës së rendë; një batalion autonom të nxjerrjes së kromit dhe një kompani autonome në ishillin e Sazanit5). Ky Divizion ishte Rezervë e Komandës së Përgjithshme (RKP) dhe shtrihej në të gjithë vendin. Përveç këtij divizioni ishin edhe repartet xhenjere të trupës: 22 batalione xjenjere, (një për çdo DK); 110 kompani autonome xhenjere, (një për çdo BrK); 440 toga xhenjere, (një për çdo batalion këmbsorie)6).
Arma e Mbrojtjes Kundërkimike: Një regjiment autonom i Mbrojtjes Kundërkimike (flakëhedhës), RKP, krahas nënreparteve përkatëse të divizioneve, brigadave, regjimenteve e batalioneve (grupeve), njësoj sikundër folëm edhe për trupat xhenjere.
Forcat Ushtarako Detare: 5 Baza Ushtarako-Detare, (Sarandë, Vlorë, Ishulli i Sazanit, Durrës, Shëngjin), të cilat në përbërje kishin: Katër silurues – 80 copë, Dragamina rade – 6 copë, Dragamina bazë – 2 copë, Gjuajtësa detarë – 4 copë, Nëndetëse – 4 copë (në Portopalermo tip tunel ujor); 6 copë Motovedetë – tip Shangai II. Të gjitha këto ruheshin në sistem tunel. Në Bazat ushtarake Detare ishin gati për minimin e ujit në afërsi të bregdetit mbi 35 mijë mina detare, të cila ishin të mbrojtura nga artileria bregdetare e përbërë me mbi dy mijë gryka të ndryshme topash.
Forcat Ushtarako Ajrore: Dispononim 3 regjimente ajrore gjujtës-bombardues (Kuçovë, Rinas dhe Gjadër); një regjiment helikopterësh (Farkë); skuadrilja autonome e avjonave të transportit (Laprakë-Tiranë); detashmenti i avjonave të shërbimeve qeveritare (Rinas); detashmenti helikopterave në varësi të MPB dhe ai shëndetësor (Laprakë); Uzina e Riparimit të Avjonave (Kuçovë), ku realizohej remonti kapital i avjonave dhe helikopterëve dhe Vendkomanda Qëndrore (Tiranë). Parku i përgjithshëm i aviacionit kishte 217 avjonë dhe helikopterë që dislokohej në 3 aerodrom të klasit të parë, 2 aerodrome të klasit dytë, një heliodrom, ndërkohë që ekzistonte një bazë e fuqishme e furnizimit material-teknik, si dhe të gjitha llojet e municioneve luftarake si për goditje ajrore ashtu dhe tokësore7). Gjithçka ruhej në sistem tunel, përjashtuar helikopterët. Sot disponojmë dy skuadrile helikopterësh me 12 tipe të ndryshëm. Përfytyroni tashti këtë lloj force ajrore laramane gjatë veprimeve aktive. Si mund të arrihet që municionet dhe pjesët e këmbimit të bëjnë për secilin helikopter?!
Përgatitja e kuadrit ushtarak (oficerave aktivë) bëhej në Shkollën e Lartë të Bashkuar të Oficerave (Tiranë), për të gjithë llojet e armëve e shërbimeve të ushtrisë, deri në nivel batalioni; në Akademinë e Lartë Ushtarake të Shtabit të Përgjithshëm (Tiranë) për nivelin brigadë, di vizion e lartë; Kursi i Lartë pranë Akademisë së SHP; Shkolla e Lartë e Aviacionit (Vlorë); Shkolla e Lartë e Marinës (Vlorë); 3 shkolla dy-vjeçare për përgatitjen e kuadrit rezervist, si dhe kurset tre-mujore pranë çdo Korpusi (divizioni) për komandantë skuadre. Pjesa dërmuese e studentëve të shkollave që përgatisnin oficerat komandues vinin nga Shkolla e Mesme e Përgjithshme Ushtarake “Skëndërbej” në Tiranë, fidanishtja e ushtrisë.
Forcat njerëzore. Llogaritur në efektivë, deri në fund të Luftës së Ftohtë, Republika e Shqipërisë, në përbërje të Forcave të Armatosura kishte: 16.500 oficerë, 9.000 nënoficerë aktivë si dhe 80.000 ushtarë e 8.000 civilë8), të clët përbënin bërthamën organizative, drejtuese e komanduese të FA; 450.000 rezervistë të organizuar në 136 brigada të të gjitha llojeve; 265.000 vetë të Forcave Vullnetare të Vetëmbrojtjes Populore që përbëheshin kryesishtë nga gra e vajza të moshës 35-40 vjeç, si dhe meshkuj të moshës 50-60 vjeç, (prej tyre 3.672 burra, 16.600 gra e vajza dhe 2.171 paraushtarakë), por dhe nga të rinjë paraushtarakë 18 vjeçarë, të organizuara në 11 brigada (ose 608 batalione) dhe që ishin në vartësi të shtabeve të mbrojtjes së rretheve9).
Efektivi i përgjithshëm i armatosur i FA shkonte në 750.00 vetë, krahas strukturave të tjera ndihmëse, ku të gjitha së bashku arrinin afërsishtë 1.000.000 trupa aktive.10)
Gatishmëria luftarake: Përveç rezervave që kishte ushtria në Bazat e saj të Furnzimit, çdo Diivizion Këmbësorie kishte rezerva municioni e ushqimi për 25 ditë luftime intensive, përveç kompletimit luftarak në pajime; brigadat e skalionit të parë kishin rezerva për 15 ditë, kurse në rajonet e parashikuar për luftë në rrethim rezervat shkonin deri për 6 muaj.
Me marrjen e sinjalit të kushtrimit luftarak llogaritej që mitralozat e postave kufitare, bateritë e gatshme të artlerisë dhe gjithë artileria kundërajrore të hapnin zjarr brenda 2-3 minutave; ndërsa batalionet mitraliere të vijës së parë ishin të gatshëm për të kapur rajonin e mbrojtjes për 25-27 minuta, duke pasur një efektivë prej 800 vetë, (nga të cilët 150-250 aktivë), 54 mitraloza të rëndë, 27-36 mitraloza të lehtë, një bateri artilerie me 4-6 topa regjimentalë dhe kish për detyrë të bënte një rezistencë 6-8 orë, ta lodhte e ta rraskapiste armikun, duke e shpartalluar formacionin e tij të luftimit derisa të kompletohej brigada, kohë e cila ishte dhe kufiri maksimal i kompletimit të brigadës, ku çdo BrK e skalionit të parë kishte 2-3 të tillë.
Kompletimi me rezervistë i gjithë ushtrisë u arrit të realizohej për 72 orë.
Veç këtyre, shteti shqiptar kishte Divizionin e Mbrojtjes Civile të Republikës për t’i ardhur në ndihmë popullit në qendrat e banuara në rast lufte, si dhe struktura të tjera të organizuara pranë organeve të ekonomisë dhe të pushtetit lokal.
Duke pasur 7 korpuse në vijë të parë, në front, dhe 2 korpuse rezervë (deri në vitin 1983), ndërsa pas këtij viti 16 divizione në vijë të parë dhe 4 të tjerë në skalion të dytë dhe 2 Divizione RKP, si dhe Komandën e Mbrojtjes Kundërajrore për mbulimin e objekteve të rëndësishme,(qytetet dhe qëndrat e mëdha ekonomiko-industriale), Komandën e Aviacionit Luftarak, Komandën e Flotës Luftarako-Detar (të gjitha në dorë të Komandës së Përgjithshme), sistemi ynë i mbrojtjes garantonte veprime të sukseshme për përballimin e sulmit të kundërshtarit si në drejtim tokësor e atë detar, por edhe në atë ajror. Nëse do të shihej i hedhur në një hartë të vetme gjithë planizimi luftarak i mbrojtjes së vendit, i gjithë territori i Shqipërisë përbënte një rajon të vetëm mbrojtjeje. “Në rast agresioni kundër vendit tonë,- thuhej në Artin Ushtarak Popullor -, nuk do të kemi një përleshje të armatosur ndërmjet një ushtrie të rregullt dhe Ushtrisë sonë Popullore, por në mes të ushtrisë së rregullt të armikut dhe të gjithë popullit tonë të armatosur dhe të Ushtrisë sonë Popullore”11).
Shërbimi logjistik (Prapavija). Buxheti vjetor i ushtrisë shqiptare prej viteve 1980-1982 e në vijim ishte 12-15% të të ardhurave të buxhetit vjetor kombëtar, për çdo vit12).
Ushtria shqiptare kishte 5 Baza të fuqishme Furnizimi të Ushtrisë (Tiranë, Elbasan, Rrëshen, Berat dhe Tepelenë), me filialet e tyre dhe me depo po shumë të fuqishme në të gjithë territorin e vendit dhe të gjitha në depo tip tunel nëntokësor, të cilat kishin si detyrë kryesore luftarake: të siguronin nga ana logjistike të gjitha drejtimet strategjike e operativo-strategjike të vendit në të cilat kishe armatim, municione, veshmbathje, ushqime e medikamente për njerëz e kafshë (që freskoheshin çdo vit), aparatura mjekësore, pjesë ndërimi për të gjitha llojet e teknikës, transportit e armatimeve, tankeve, deri tek gryka zjarri rezervë për topat e artilerive, karburante, teknikë e municione xhenjere etj.
Vijimësinë e furnizimit të tyre në rast lufte Bazat e Funizimit të Ushtrisë e siguronin nga depot e Rezervave Shtetërore dhe ekonomia e vendit sipas planeve të veçanta të miratuara nga Këshilli i Ministrave dhe Këshilli i Mbrojtjes. Edhe depot e Rezervave Shtetërore ishin ndërtuar e skalionuar për të siguruar të gjithë drejtimet e mbrojtjes strategjike të vendit.13). Gjithçka që ruhej në këto baza furnizmi dhe filialet e tyre ishin llogaritur për të përballuar për 5 vjet luftë me secilin armik të mundshëm të asaj kohe, mbi bazën e një llogaritje sesa municion do harxhonte çdo ditë luftimi secila prej armëve14).
Bazat e Furnizimit kishin lidhje me Rezervat e Shtetit që edhe ato në çdo drejtim ruanin sasi rezervash për llogari të ushtrisë. Përveç këtyre, ushtria kishte disa uzina e kombinate për prodhimin e gjithë nevojave të ushtrisë, duke filluar nga pistoletat, pushkët, automatikët, mitralozat, municionet e të gjitha llojeve të armatimit përkatës, duke përfshirë edhe predhat e artilerisë e të aviacionit, pa llogaritur prodhimin e eksplozivave.
Dhe të gjitha ç’ka përmendëm në këtë pikë ishte e sistemuar në tunele, për të funksionuar edhe gjatë luftës.15)
Përsa i përket pajisjes së Forcave të Armatosura të Shqipërisë, vetëm në njësitë dhe repartet e ushtrisë, përjashtuar Rezervat e Komandës së Përgjithshme, në fund të viteve ’80 kishim 1 milon e 160 mijë armë të lehta këmbsorie16), me mbi 3.000.000.000 copë fishekë.
https://www.youtube.com/watch?v=lzfjIwflKac
Botuar si pjesë e shkrimit të kopertinës së DITA “A ka rilindur Ushtria”.