Prof. Dr. Irakli Koçollari

Botuar në DITA

Pasi kishte marrë fronin e pashait të Janinës (1884), burimet dokumentare, raportet dhe informacionet diplomtike dhe ushtarake të kohës, njoftimet e udhëtarëve të huaj, etj., bëjnë me dije se Ali Pasha synonoi pa ndërprerje zgjerimin dhe ngritjen e një pashallëku të fuqishëm e mandej të “një shteti të pavaruar shqiptar”, sikundër bën me dije Fleming.

Në shërbim të këtij qëllimi, qysh në vitet e para të karierës së tij, pashai punoi me insistim dhe maturi në identifikimin dhe përzgjedhjen e aleatëve të mundshëm europianë, përmes të cilëve ai synonte të tërhiqte ata në aleanca dhe të krijonte kështu kushtet e nevojshme për rebelim kundër Portës së Lartë, shkëputjen prej saj, dhe shpalljen e një shteti të pavarur.

Në analizat e tij, Pashai i Janinës e dinte fare mirë se një pashallëk fare i vogël nuk mund të parballej me njërën prej fuqive ushtarake më të mëdha të kohës. Në këto rrethana ai kishte gjykuar dhe synuar zgjerimin e kufijve dhe hapësirave të zotërimeve, përtej kufijve të pashallëkut të Janinës. Për realizimin e këtij objektivi, Ali Pasha punoi intesivisht që në fillimet e karjerës së tij.

Burimet dokumentare bëjnë me dije se objekt i synimeve të tij të heshtura dhe të matura nuk ishin vetëm territoret fqinjë të afërta. Këshilltari dhe mentori i tij kofident, Haxhi Shehreti, na bën me dije se, mbasi tepelenasi kishte marrë Beratin dhe nënshtruar veprimtarinë konspirative dhe atë ushtarake të “Lidhjes” së krahinave të jugut të Arbërisë, që mbështetej nga bazat ushtarake franceze në Korfuz, hidhte vështrimin e tij shumë më larg, për të marë dhe nënshtruar territore dhe pashallarë të tjerë Ballkanas.

Duke folur pikërisht për këto projekte të fshehta të pashait, Shehreti në poemën e tij epike “Alipashaida”, shkruan:

 “Ka të tjera ëndra thellë, me dëshirë të perëndisë

DIBREN edhe GEGERINE do ti marrë, ti ketë nën hisë

Plane ka të tjera brënda do t’i bëjë sa të jetë

SHKODREN edhe KARADAKUN i mendon që vet t’i ketë

Kështu them unë që po shkruaj, m’i ndjen zëmra me t’vërtet

Gjer në BOSNJE rreth e rrotull nën urdhëra do t’i ketë.”(1)

Ky njoftim me rëndësi i Shehretit konfirmohet edhe nga informacionet që Konsulli Britanik në Janinë, Willliam Martin Leak i dërgonte Londres më 1809, kur e bënte me dije se Ali Pasha kishte biseduar me dy pashallarët e tjerë shqiptarë, Bushatlliun e Shkodrës dhe Sali Pashën e Seresit, për mundësinë e një rebelimi të përbashkët për shkëputjen prej Perandorisë Osmane…. (2)

Duke shkuar edhe më tej, në përpjekjet e tij për shkëputje dhe mëvehtësi, me mjaft rëndësi janë dy marrëveshje sekrete që Ali Pasha pati nënshkruar me përfaqësues të Rusisë, më 1798 dhe ajo mes Ali Pashës dhe Britanisë së Madhe më 1808. Në të dyja Marrëveshjet dhe dispozitat e tyre, flitet hapur për shkëputjen dhe shpalljen e një shteti të mëvehtësuar nën mbështetjen dhe mbrojtjen e fuqive të mësipërme. (3)

Sigurisht, Ali Pasha e dinte fare mirë se përpjekjet për shkëputjen nga autoriteti shekullor i një fuqie të madhe, sikurse ishte Perandoria Osmane, do të ishte i vështirë pa ngritur struktura të një organizimi të fuqishëm ekonomik dhe ushtarak. Duke synuar këtë të fundit Ali Pasha shfrytëzoi tërë konjukturat e mundëshme brenda perandorisë dhe zhvillimet politike nëpër Europë, për të krijuar aleanca dhe për të tërhequr prej tyre, sa të ishte mundur ndihma ushtarake dhe specialistë të ndryshëm të fushës së luftës.

NËSE TURQIA SHPËRBËHEJ…

Sigurisht, pyetja e parë që shtrohet do të ishte se përse Ali Pasha me insistim që në orët e para të marrjes së pushtetit në Janinë, u kujdes të rriste fuqinë e tij ushtarake, të konstruktonte fortesa të reja dhe të restauronte ekzistueset, të blinte teknologjinë e re të luftës, të trajnonte strukturat e ushtrisë së tij në përdorimin e kësaj teknologjie!?

Tek e fundit ai dhe pashallëku i tij ishin pjesë e Perandorisë Osmane dhe peshën e kërcënimeve ushtarake që mund t’i vinin prej kësaj perandorie nga çdo anë, pasojat e rrezikshme të konfrontimit të përgjakshem do t’i mbante vete ai.

Shumë të dhëna të konfirmuara, të burimeve diplomatike të kohës, të aleatëve dhe kundërshtarëve të Pashait të Janinës, të dëshmitarëve të kohës, të miqve dhe të besuarve të tij konfirmojnë pa mëdyshje, prirjet e tij për shkëputje, mëvehtësi dhe mbrojtjen e pavarësisë së tij. Në këtë kuadër atij i duhej të krijonte një strukturë të fuqishme ushtarake e cila do të mund të përballej me teknologjitë e reja të fuqive kundërshtare të Europës apo edhe vetë Portën e Lartë.

Këtë prirje të vendosur të Ali Pashës, për të mbrojtur me çdo kusht territoret e vendit të tij edhe në rastin se Perandoria Osmane shkonte drejt rrënimit apo shkatërrimit nga ndonjë fuqi e huaj, Ali Pasha e kishte shfaqur që në vitet e para të marrjes së pushtetit. Në mesin e vitit 1791, kur ushtria ruse kishte përparuar drejt Stambollit, Ali Pasha kishte bërë përpjekje të mëdha për të mbështetur dhe përforcuar Admiralin rus Potemkin dhe këtë e kishte bërë “për të ruajtur pavarësinë e vendit të tij, pavarësisht nga katastrofa që mund të pësonte Sulltani.” (4).

Vite më pas, kur fuqia franceze dhe sukseset e ushtrisë së Bonopartit po rriteshin dhe bëheshin më prezente edhe në këto anë të Ballkanit, Ali Pasha u kishte parashtruar ushtarakëve francezë të njëjtën ide dhe vendim të palëkundur të tij.

NGRITJA E NJË FORCE USHTARAKE

Nga një dokument i Arkivit Britanik, mësojmë se në Janar të vitit 1804, Ali Pasha i kishte kërkuar Admiralit Britanik, Nelson t’i dërgonte dy oficerë të artilerisë për nevojat e trajnimit të trupave të tij të artilerisë me armët e teknologjisë së re. Po këtë vit, 1804, në muajin Maj, Pashai i kishte kërkuar përsëri Admiralit Britanik, armatim për pushkë, fishekë, predha artilerie me diametra të ndryshme, gjithsej 8 000 copë.

Ai i kishe thënë në këtë rast kolonelit britanik, John Morier se do të kundërshtonte çdo përpjekje të Rusisë për të pushtuar Prevezën, Pargën, Vonicën dhe Butrintin. “Por, nëse Porta e Lartë (Sulltani) do të lejojë rusët të vendosen në këto katër baza të bregdetit të Pashallëkut tim, kjo do të nënkuptonte se Sulltani do të kërkojë të ulë fuqinë time”, – kishte përfunduar Ali Pasha (5)

“Në këtë konteks, Ali Pasha përsëriti kërkesën e tij tek unë për armë, – raporton Kapiteni britanik William Martin Leak. Në kërkesën e tij përfshihej nevoja për artileri, shtatë ekspertë artilerie dhe dy apo tre kryqëzorë britanikë për të patrulluar brigjet e tij”. (6)

Ndërsa vetë koloneli, Jahn Morier u impresionua nga këto ide dhe kërkesat e Aliut dhe me këtë rast ai shkroi me admirim për pohimin e Aliut, duke nënvizuar se “me mbështetjen më të vogël, fuqia e tij (Aliut) do të ngrihet mbi rrënojat e asaj të Sulltanit, mbi pjesën tjetër të Turqisë europiane dhe se do ta ngrejë pashallëkun e tij si një fortesë të qëndrueshme…”

Qëllimi i tij, shtonte Morier, është që të kërkojë mbrojtje nga një komb i madh, nga ndikimi i të cilit ai mund të fitojë edhe prej vendeve të tjera një shkallë të njohjes së pavarësisë, duke shpresuar të shpëtojë nga rënia e pritëshme e turqve”. (7)

Po ashtu, Ali Pasha ishte konseguent për të kundërshtuar çdo invasion të mundshëm të huaj, jo vetëm përballë një kërcënimi rus, sikundër bën me dije Morier, por të njëjtin qëndrim permanent ai mbante për të ruajtur të gjitha territoret e tij madje edhe më tej se kaq. “Ali Pasha më siguroi, – bën me dije në një raport sekret W. M. Leak, – se kishte bërë një aleancë (marrëveshje të fshehtë) me dy vezirët e tjerë të Shqipërisë, për rastet e një kërcënimi ushtarak të huaj (nënkupto francezë apo rusë). Në një rast të tillë ata do të bashkoheshin të gjithë për tju kundërvënë pushtuesit” (8)

Ndërsa në Marsin e vitit 1806, nga Tripolca, në një informacion që W. M. Leak i dërgonte Londrës, pas një bisede të gjatë dhe intime me Ali Pashën, diplomati britanik shkruante: “Fakti që Ali Pasha ka qënë dhe është i snqertë edhe në kërkesën drejtuar qeverisë tonë (britanike) nuk duhet vënë aspak në dyshim. Unë e njoh mjaft mirë karakterin e tij, prandaj mund të them me bindje se ai do të përballej dhe zbraste heroikisht të gjitha përpjekjet për invasion të bregdetit shqiptar dhe do të sakrifikonte edhe jetën e tij për ruajtjen e territoreve të tij…”(9)

Në muajt e parë të vitit 1810, forcat e Ali Pashës sulmuan dhe morën Beratin. Fillimisht Sulltani kundështoi dhe e shpalli të paligjshëm atë pushtim, por më 25 Korrik 1810, një lajmëtar mbërriti nga Stambolli në Janinë me një ferman (dekret sulltanor) përmes të cilit njoftonte se Myftari, djali i Ali Pashës emërohej Pasha i Beratit dhe i Vlorës.

Kur Ibrahim Pasha, tanimë i shfronësuar, në mesin e muajit shtator 1810, u tërhoq në qytetin port të Vlorës, me idenë dhe mundësinë për t’u arratisur prej andej, Aliu krijoi një bllokadë detare, duke përdorur flotën e tij të anijeve të vogla, njëra prej të cilave ishte e armatosur me 22 topa. (10)

Katherine Fleming në studimet e saj, duke folur për fuqinë që kishte arritur Ali Pasha pas marrjes së pashallëkut të Beratit e më tej, aty rreth vitit 1811, do të thosh:

“Tanimë Franca dhe Anglia do të ndjeheshin të kërcënuara nga Ali Pasha dhe e kishin të qartë se ai kishte epërsi në marrëdhëniet diplomatike për gati një çerek shekulli, … madje që prej vitit 1811 ai kishte krjuar një pozitë të epërsisë gjeografike, psikologjke dhe strategjike mbi ata në zonën bregdetare të Ishujve të Jonit…. dhe shqetësimi i brtanikëve për pozitën e tyre të dobët nuk lidhej me perandorinë osmane, por me forcën e madhe, pozitën dhe fuqinë e konsiderueshme ushtarake të Ali Pashës.”  (11)

Që prej vitit 1811 Ali Pasha nuk i përgjigjej më kërkesave të Sulltanit për të dërguar forca në frontet e luftimeve të perandorisë dhe aty nga mesi i vitit 1814, “fuqia e tij në rajon (Ballkan) gjatë viteve të konfliktit mes Francës dhe Anglisë ishte shtuar në favor të Anglisë, jo vetëm kaq, – i shkruante ambasadorit anglez në Stamboll, Liston, eprorit të tij në Londër, Castlereagh, – ai (Ali Pasha) ka në dorë të na bëjë dëme të rënda ose shërbime thelbësore…

SPECIALISTË TË LUFTËS

Në fokusin qëndror të interesimeve të tij, veç të tjerave ishte ngritja e një infrastrukture të fuqishme dhe bashkëkohore ushtarake me karakter mbrojtës. Synimi i pashit ishte të merrte garancitë e nevojshme, që një infrastrukturë e tillë do të mund të përballonte çdo lloj agresioni të huaj kundër territoreve të pashallëkut të tij, që në thelb do të ishte kundër vetë atij. Të gjithë këtë infrastrukturë urbane, këto objekte me karakter ushtarak, (por edhe ato me karakter social, ekonomik, kulturor, relixhioz) mbeten edhe sot e kësaj dite objekte të fondit të pasur të trashëgimisë kulturore të Shqipërisë dhe Greqisë.

Këto objekte u ngritën nga mjeshtra të njohur të inxhinjerisë, nga arkitektë, xhenjerë, hidroteknikë, të udhëhequr nga një kryemjeshtër shqiptar. Ai ishte Petro Themeli) apo sikundër njihej prej bashkëkohësve Petro Korçari, për shkak të origjinës së tij nga fshatrat e Oparit, të rrethit të Korçës, një zonë kjo e njohur tradicionalsht për mjeshtërinë e ndërtimtarisë.

Koloneli britanik, W. M. Lik në veprën e tij “Udhëtim në Greqinë Veriore dhe në Shqipëri” na bën me dije se “kryearkitekti i Ali Pashës është “Zoti Petro” nga Korça”. Liku sqaron gjithashtu se Kryearkitetkti ishte inxhinjer dhe arkitekt (“chief architect and engineer”). (13)

Një pjesë e mirë e punimeve, të kryera nga këta inxhinjerë dhe arkitektë të huaj, u realizua nën kontrata të rregullta ligjore, mes dy subjekteve-palë, të huajve dhe administratorëve të krahinave të Pashallëkut. Kuptohet që të gjitha punimet ishin të centralizuara dhe shpërblimet e tyre bëheshin me urdhër të veçantë të vetë tepelenasit.

Në Kalanë e Nafpaktos nën komandën e Myftar Pashës, u rikonstrukua dhe u bënë punime të tjera mbrojtëse, u pastruan hendekët rreth saj më 24 Janar 1807. Në këtë fortesë kishte dhjetë topçinj dhe kumbaraxhinj, sikundër raporton Myftari, por ai gjykon se janë të paaftë… Në një raport që ai ia shkruan të atit i bën me dije gjithashtu se ka mundur të marrë nga një anije e huaj disa kumbara, por nuk jep ekzakt numurin e tyre. (12)

Në radhën e këtyre përpjekjeve, për fuqizimin ushtarak të pashallëkut, Ali Pasha tërhoqi në Janinë edhe një numur ushtarakësh të huaj mbi bazën e kontratave të pëlqyeshme për të ngritur një ushtri, e cila vlerësohet se u përshtat me “sistemin Europian të ushtrive”.

Një ndër inxhinjerët specialstë të kësaj fushe, Ibrahim Manzur Efendiu, i cili shërbeu si drejtues i lartë për armatimin e ushtrisë së Ali Pashës, aty nga viti 1807, pohon pikërisht këtë fakt, se “forca ushtarake e Ali Pashës, u shkëput gradualisht nga forma e organizimit ushtarak tradicional të perandorisë osmane. Ali Pasha mbante në këmbë një forcë prej 7 (shtatë) apo 8 (tetë) mijë burrash, përherë të gatshëm nën armë, por që në një situatë emergjente lufte mund të dyfishoheshin menjëherë….” (14)

Britaniku, Charles Robert Cockerell ishte një tjetër ushtarak mes xhenjerëve dhe arkitektëve të huaj që dhanë kontributin e tyre në ndërtime me karakter urban apo ushtarak, si kulla, fortifikime, fortesa, etj. Ai ofroi me kërkesë të Ali Pashës disa projekte dhe skica për objeke të ndryshme të realizuara në pashallëkun e Janinës, me karakter ushtarak.

Ishte ky ushtarak, Cockrell, që i kërkoi Ali Pashës t’i pozonte për një tablo me ngjyra vaji. Me atë rast britaniku punoi Vezirin në ambjentet e sallonit të tij të pritjes, në një tablo që është mjaft e njohur dhe sot dhe ruhrt në pinakotekën private në Londër.

Të gjitha skicat e punimeve të këtij arkitekti në vitin 1818 u ekspozuan në Sallën e Ekspozitave të Arkitrkturës në “Somerset-House”, në Londër. Aty rreth vitit 1812 Kokerel së bashku me ndihmësat e tij projektoi rrugën që lidhte qytetin e Artës me Salahorën dhe Gjirin e Ambakisë, territore këto të pashallëkut të Janinës.

Një tjetër ushtarak francez i profilizuar në fushën e ndërtimeve dhe fortifikimeve me karakter ushtarak ishte koloneli, Frederic Francois Guillaume de Voudancourt, xhenjer dhe ndërtues, që shërbeu në pashallëkun e Janinës gjatë viteve 1807-1810, dhe mori pjesë në ngritjen apo zgjerimin e disa objekteve me karakter ushtarak, sikundër kështjella të pashallëkut, kulla, kryerjen e punimeve mbështetëse fortifikuese, sikundër hendeqeve mbrojtës, trasheve, etj. (15)

Por, një punim që mban tërësisht firmën e Guillaume de Vaudoncourt, është fortesa e Pandokratit, e cila në përfundim kishte të gjitha parametrat e fortifikimeve moderne, për të përballuar çdo lloj goditje edhe ato të artilierisë me kalibrin më të madh të kohës.

Në përfundim të punimeve, Ali Pasha për të ruajtur sekretin e objekteve me karakter ushtarak, të ndërtuar nga ky inxhinjer i huaj, i kishte marrë atij të gjitha projektet e hedhura në letër të objekteve që ai kishte realizuar në pashallëkun e tij.

Fortesa pesë këndore e Pandokratorit, që ndodhet në perëndim të qytetit të Prevezës, ruhet edhe sot në një gjendje mjaft të mirë, si një objekt me vlera arkitektonike dhe mjaft atraktive. (16)

Arkitekti gjerman, B. B. Picheman, në fundin e dekadës së parë të shekullit të XIX, shfaqet në territoret e pashallëkut të Janinës, ndërkohë që në vitet 1809-1812 kishte shërbyer si ushtarak në forcat franceze dhe ato ruse. Edhe ky arkitekt u thirr për shërbime të ndryshme inxhinjerike dhe ndërtime në pashallëk nga Ali Pasha për të kontribuar kryesisht në fuqizimin e rrjetit të fortifikimeve mbrojtëse të Pashallëkut, veçmas në ngritjen e objekteve mbrojtëse në rrugëkalime dhe terrene të tjera jashtë qëndrave urbane. (17)

Në vitin 1814 mbriti në Janinë një tjetër arkitekt. Është fjala për inxhinjerin e ndërtimit, italianin Don Santo di Montleone, nga Palermua e Siçilisë. Pikërsht, këtë vit inxinjerit italian i jepet si objekt ndërtimi i një fortesë të vogël në afërsi të fshatit Aja, pranë Pargës, në Çamëri. Në zbatimin e projektit të këtij fortifikimi bregdetar dukej se ishin bërë gabime, pasi nga një dokument i vitit 1816 mësojmë se objekti rrezikohej të prishej. (18)

Charles James Napier ishte një ushtarak, inxhinjer ndërtimi britanik, që kryente detyrën e xhenjerit pranë trupave të ushtrinë britanike në Korfuz. Mbasi e kishte verifikuar me kujdes figurën e tij, Ali Pasha e ftoi atë në Janinë për të kryer disa punë ndërtimore të një karakteri mjaft konfidencial. Mbasi dëgjoi me kujdes vizionet dhe idetë e Ali Pashës për llojet e punimeve që ai kërkonte të kryente, Napier i dorëzoi Pashait, në fund të vitit 1819 një grup projektesh të cilat lidheshin me punime të një natyre sekrete, që do t’i shërbenin Ali Pashës si mjete dhe masa për të shpëtuar në rast rreziku ekstrem. Ndër këto objekte ishin fortifikime të reja në kështjellën e Janinës, në territorin e Yç Kalasë, disa dalje të fshehta, etj.

Aliu i pa projektet e punuara nga Napier, por i vlerësoi ato si mjaft të kushtueshme dhe u tërhoq nga realizimi i tyre. Në Korrik të vitit 1820 Napier u largua nga Pashallëku. Disa muaj më vonë, ndërsa Ali Pasha ishte i rrethuar prej ushtrive osmane në Kalanë e Janinës dhe vlerësoi kërcënimet dhe rreziqet në terrenin e luftimeve, i dërgoi Napirit të vinte pranë tij për të realizuar punimet aq të nevojshme, duke i dërguar edhe një shumë prej 600 lira floriri. (19)

Inxhinieri francez Ibrahim Manzur Efendiun (emri i vërtetë i tij ishte Samson Cerfbeer de Medelsheim) ishte një hebre i konvertuar në musliman, që kshte shërbyer si komandant në repartet e husarëve, në ushtrinë franceze. Ai qëndroi për gati tetë vite në pashallëkun e Janinës. Ndër veprat e tij inxhinjerike njohim ndërtimin e fortesave bregdetare të Rio-Antirios, në ngushticën e Patrës-Greqi, të cilat qëndrojnë edhe sot si monumente të trashëgimisë me karakter ushtarak.

Mbas përfundimit të punimeve të të dy fortesave, ai dorëzoi tek Ali Pasha projektet e veprave të realizuara, së bashku me hartat topografike të territoreve ku ishin vendosur fortifikimet. Në vitin 1819, Ibrahim Manzuri u largua përfundimisht nga pashallëku, por ende për të nuk ka ndonjë studim hulumtues që do të na tregonte se çfarë objektesh të tjera u realizuan në drejtimin e këtij inxhinjeri. (20)

 “Lagumxhiu” nga Tepelena ishte xhenjeri më i aftë dhe i besuar i Ali Pashës. Ne, fatkeqësisht, ende nuk dimë emrin e saktë të tij, por dimë të themi se ende sot e kësaj dite një nga rrugët e Athinës mban emrin e tij “Lagumxhiu”, për shkak të kontributit të madh që ai dha në mbështetje të forcave kryengritëse, në shpalljen e pavarësisë së Greqisë. Mbas vrasjes se Ali Pashës, si shumë luftëtarë të tjerë ai vazhdoi qëndresën e pakompromis kundër pushtuesve osmanë.

“Lakumxhiu” ishte ideatori dhe njeriu që realizoi përmes hapjes së një tuneli të fshehtë nëntokësor, nën Akropol, hedhjen në erë të shtabit ushtarak Osman, që qëndronte dhe komandonte forcat osmane të Athinës. Mbas kësaj ngjarjeje forcat kryengritëse mësynë dhe arritën të marrin Athinën.

Ai realizoi shumë opeacione për të penetruar në fortesat dhe vendstrehimet e focave osmane përmes trasheve apo tuneleve sekrete.

FUQIA NUMERIKE E ALI PASHËS

Ushtaraku francez G. Vaudoncourt, i cili qëndroi për disa vite në pashallëkun e Janinës dhe njohu nga afër strukturat, armatimin, fortifikimin dhe në tërësi fuqinë ushtarake që kishte ngritur në vite Ali Pasha shkruan:

“Forcat ushtarake të Ali Pashës përbëhen nga disa reparte që kryejnë funksione të ndryshme në këto struktura, çka nuk i mundëson ata të kenë një uniformë unike kudo dhe të kenë një organizim dhe disiplinë qëndrore. Të parat (nga këto reparte) tek të cilat ai mbështetet janë të përzgjedhur nga rekrutimet e ndryshme që ai realizon në territoret apo krahina të veçanta të zotërimeve të tij. Këto forca të përzgjedhura përbëjnë një fuqi prej 6 000 trupash.

Po ashtu, vasalët e tij dhe guvernatorët e provincave që varen prej tyre janë të obliguar të furnizojnë zotin e tyre (Ali Pashën), me thirrjen apo kërkesën e parë të tij më trupa luftëtarësh, numuri i të cilëve është caktuar që më përpara, sipas përcaktmeve të pashait. Paga e këtyre luftëtarëve dërgohet tek Pashai nga vasalët e tij, të cilët kanë dërguar trupat e mobilizuara. Këto forca shpesh paguhen që në nisje nga krahina prej nga ata vijnë.

Mobilizimi i trupave në kohë lufte, sipas rregullit që ka vendosur Ali Pasha, detyron personalisht administratorët e krahinave apo të Sanxhaqeve që të mobilizojnë dhe furnizojnë me trupat e nevojëshme sipas një numuri të paracaktuar.

Për të kompletuar tërësisht ushtrinë e tij, Ali Pasha vuri në përdorim “Planin e Rekrutimit” dhe merrte nën pagesën e tij, një numur trupash të selektuar, që vijnë nga radhët e malësorëve të bejlerëve të tij, të cilët vazhdojnë traditën e kapove të brigandizmit dhe punësohen sa tek njëri pasha tek tjetri. Këto trupa i takojnë pikërisht kësaj klase, Arnautëve, që i gjen të shpërndarë në të gjithë anët e perandorisë Osmane. (21)

Zakonisht në kohë paqeje ai mban një forca usharake të mobilzuar, të përbërë nga 12 000 në 15 000 burra, për garnizonet e tij të fortesave dhe të shpërndarë nëpër krahina për të siguruar rendin dhe qetësinë brenda tyre. SIgurisht, ai është në gjendje që të mbajë në gadishmëti një ushtri të paktën tre herë më të madhe madje për një kohë të gjatë, pa ndihmën e Portës, sqaron Vadencourt. (22)

Kështu, në vitin 1807, ai kishte një ushtri e cila përbëhej nga 40 000 trupa nën armë, të shpërndarë në këtë mënyrë:

– Në territoret e Moresë, pashallëk që ishte nën Vli Pashën (djali i Aliut), ai kishte përqëndruar 10 000 trupa, të cilat ishin të gatëshme të vepronin ndaj kujtdo që nuk pajtohej me fomimin e këtij pashallëku të ri…

– Në Lepant, që administrohej nga djali tjetër i tij Myftar Pasha, qëndronin 8 000 trupa, 5 000 prej të cilave qëndronin në gadishmëri për tu bashkuar me forcat e Gand Vezirit (Kryeministrit) pranë ishullit të Santa Maurës.

– Një forcë tjetër, e përbërë nga 10 000 trupa ishte nën komandën e Jusuf beut.

– Në Prevezë ai mbante 4 000 trupa nën komandën e shpatëmbajtësit të tij, Zylyftar Podës.

– Në disa vende që ai i konsideron dominuese për t’i përdorur kundër rebelimeve, mban një forcë prej 6 000 trupash

– Dhe së fundmi ai ka ngritur një repart prej 2 000 Gegësh dhe Dibranësh, që për disa kohë ai i mbajti në Kalanë e Janinës. (23)

Ky numur, i forcave ushtarake, apo burrave nën armë, që kishte Ali Pasha, sikundër përmëndim më sipër, përllogaritet i tillë në vitin 1807. Por, nga ky vit gjer në vitin 1812, Ali Pasha zgjeroi kufijtë e pashallëkut të tij dhe ariti të marë edhe pashallëkun e Beratit, atë të Vlorës, Pashallëkun e Gjirokastrës, të Kardhiqit, etj., duke u kthyer kështu pashallëku më i madh në kufijtë e Perandorisë Osmane. Ky pashallëk i dyfishuar në sipërfaqe gjeografike dhe në numur popullsie, llogaritej të kishte në këto vite, një forcë ushtarake të përbërë nga 80 000 trupa.

SHPENZIMET

Duke dhënë hollësi të mëtejme për shpërblimin e ushtarakëve, ushtaraku francez shton: “Të gjtha pagesat e trupave të tij ushtarake regjistrohen (në regjistra të veçantë) dhe ato bëhen për sejcilin mbi bazen e uniformës personale (hierarkisë në rangjet ushtarake). Kjo do të thotë se shpërblimi i tij bëhet mbështetur tek vlerat e tij të brendëshme, eksperiencën që ai ka si ushtarak, kurajua e treguar, vlerat që ai ka treguar në fushata të ndryshme ushtarake, tregues këto që formojnë kuotën të cilën ai duhet të marë.

Kështu një ushtar shqiptar i reparteve të Ali Pashës mer 15 pjastra në muaj, kur shokët e tjerë të tij nuk marin më shumë se 7, 8 pjastra në muaj. Veç pagës dhe përjashtuar prej saj, ushtarët e Ali Pashës furnizohen edhe me veshmbathje dhe me armë. Këto furnizimi janë detyrime të Ali Pashës”. (24)

Shpenzimet në rastet e mobilizimeve për të shkuar në fronte luftrash ishin shumë të mëdha. Kështu në fushatën e vitit 1807, për dhjetë muaj mobilizim, ai shpenzoi 4 000 000 pjastra dhe shtuar kësaj shume edhe provizionet prej 6 000 000 pjastra shuma e përgjithëshme shkoi në 10 000 000 pjastra. (25)

Kur Ali Pasha zgjeroi territoret e pashallakut të tij dhe arriti të ketë nën zotërim edhe pashallëkun e Beratit, Vlorës dhe Gjirokastrën, etj., kjo forcë e mobilizuar u dyfishua, ashtu sikundër u dyfishua edhe fuqia ushtarake që mobilizohej për raste lufte, e cila arrinte në 80 000 trupa.

Duke folur për origjinën krahinore të forcave të tij ushtarake, skurse bën me dije mjeku anglez, Henri Holland, që vizitoi aty rreth vitit 1808 pashallëkun, “Pashai i Janinës kishte një fuqi ushtarake të gatshme, të përbërë nga më shumë se 30 000 burra. Ata vinin kryesisht nga radhët e Gegëve, Toskëve, Lebërve, por edhe shqiptarëve të tjerë kristjanë…” (26)

Duke iu refruar llojeve të shërbimëve që forcat ushtarake kryenin, në radhët e ushtrisë së Ali Pashës reshtoheshin këta lloj strukturash:

Çohadarët – Ishin ushtarë të zgjedhur të cilët kishin për detyrë të mbikqyrnin dhe ruanin pallatet, vilat dhe objektt e tjera të Pashait të Janinës, ishin ushtarakë me eksperiencë në ruajtjen e rendit, kryenin misionin e korjerit dhe të dërgimit të mesazheve të rëndësishme dhe si ushtarakë profesionistë ata kryenin edhe detyrat e ruajtjes të burgut, të të dënuarve, të depove dhe objekteve të tjera ushtarake.

Çarkaxhinjtë – Ishin truprojet personale të Ali Pashës. Të dalluar për fuqinë e tyre trupore, fizike, për burrërinë, kurajën, trimërinë dhe shpirtin e tyre luftarak. Mes tyre kishte edhe nga ata që dikur kishin qënë hajdutë, brigandë të dalluar dhe mandej kishin pranuar të tërhiqeshin dhe shërbenin nën Ali Pashën. Ishin pikërisht këta që ekzekutonin të dënuarit me vdekje bashkë me evgjitët. Konsideroheshin pjesa me brutale e forcës së armatosur dhe që kallte datën tek qytetarët.

Gegët –  I takonin pjesës më të përzgjedhur të forcës së armatosur të Ali Pashës, ishin pjesë e formaconeve jo të rregullta të ushtrisë. Ata ishIn një forcë vullnetare e popullsisë më luftarake të Shqpërisë së sipërme, që nuk vareshin apo nuk ishin nën varësnë e pushtetit të Aliut. Ata ishn një përzjere e të dy feve muslimanë dhe katolikë sikundër Mirditorët që mbanin vshje të errëta, ndërsa muslimanët e të njëjtës racë në veshjen e tyre dominonte e kuqja.

Ata ishin pothuaj të gjithë kalorës, me një burrësi të sprovuar dhe kishin pothuaj të lindur dhe mjaft të zhvilluar instiktin e nderit ushtarak, urdhërin dhe bindjen ndaj eprorit gjer në përkushtim ekstrem. Qofshin muslmanë apo katolikë ata nuk ndikohshin prej faktit se cilës fe i takonte komandanti i tyre. (27)

Asqerët – Ishin ushtarët e thjeshtë, të cilët formonin forcën kryesore të ushtrisë së Ali Pashës dhe radhët e tyre përbëheshin kryesisht nga shqiptarët e krahinave të jugut, Toskët, Lebërit dhe Çamët.

Ata rreshtoheshin në armën e këmbësorisë. Për ta sjellë në një forcë të rregullt dhe të disiplinuar këtë trupë, Ali Pasha kishte punuar më shumë mund.

Nga radhët e asqerëve Ali Pasha mbante një forcë të përherëshme të gatshme të përbërë nga 744 vetësh të ndarë në reparte dhe bashkë me ta renditeshin edhe një numur oficerësh. Kjo forcë mbahej për ta përdorur për vepime apo operacione taktike, të shpejta dhe të shkurta.

Nga radhët e ketyre asqerëve, ishin zgjedhur edhe një repart kalorësish të përbërë nga 26 vetë dhe disa nënoficerë.

Kumbara-xhinjtë (apo bombarduesit) ishte një forcë e përbërë prej 108 burrash që përdornin këtë lloj arme.

– Mekanikë (dhe inxhinjrë) të ngarkuar dhe specialzuar për amatimin, riparimin, mirmbajtjen dhe trajnimin e trupës me llojet e armatimit të luftës. Në radhën e tyre ishin italiani Karreco (Karretto) dhe francezi Ibrahim Manzur, të cilët qëndronin përherë të gatshëm pranë trupave të ushtrisë së Ali Pashës.

Sipas burimeve të tjera, bëhet me dije se Ali Pasha mbante të gatshëm në Janinë një forcë të përgjithëshme prej tre batalione këmbësorësh:

-Një forcë prej 200 (dyqind) artiljerësh që kryesisht ishin të krishterë.

-Një repart evzonësh (roje) ceremoniali. (28)

Si drejtues i kësaj force të gatëshme shërbeu fillimisht Ali Arapi. “Arapi” nuk ishte mbiemri, por një nofkë me të cilin ishte identifikuar Aliu, një etiopian zezak, në shërbim të Pashait të Janinës që më parë kishte shërbyer në ushtrinë e Bonopartit në Egjypt.

Pas tij, vendin e drejtuesit ushtarak të kësaj force e mori Joti Pallaska, djali i armatollit të njohur suljot Luan Pallaskës, i cili kishte shërbyer në Legjionin e Shtatë Ishujve të Jonit, ku aso kohe kishte reshtuar edhe heroi i revolucionit grek Kollokotroni dhe Petmezi.

Pas Joti Pallaskës, në krye të kësaj force pashai caktoi Qazim Demçen (nuk kemi mundur të identifikojmë vendin e origjinës së tij, ndoshta nga zona e Kolonjës).

Pas tij komandant i kësaj force ishte Veiz Vasjari, një komandant ushtarak i njohur, veteran dhe i sprovuar në shumë konfrontime ushtarake, besnik gjer në vdekje i Ali Pashës.

Pas Vasjarit, i cili qëndroi për shumë vite në këtë funkson, vendin e tij e zuri Pano Lekli, nipi i Thanas Vajës. Ndërkohë që në krye të kësaj trupe ishte Lekli, pjesa dërrmuese e radhëve të këtij formacioni u dominua nga shqiptarë kristjanë, traditë e cila u pasua edhe në vitet në vazhdim.

Pas Leklit në krye të kësaj force erdhën edhe Stefo Dulla (Dula) nga Nivica dhe pas tij Strati Gjika nga Dhërmiu. Pas tij erdhën dy vëllezërit Dhimo dhe Kristo Andruco, të cilët më parë kishin shërbyer në të ashtuquajturin “Batalioni Maqedon” pranë ushtrisë së Bonopartit.

Dhe i fundmi që qëndroi në krye të këtij formacioni është Mitro Roka, kunati u suljotit të njohur dhe aleat i Ali Pashës, Pallaska.

FLOTA LUFTARAKE DHE MARINARËT

Flota luftarake ishte një tjetër armë që Aliu e ngriti nga e paraAjo kishte në përbërjen e saj nëntë anije lufte, nga të cilat dy ishin Korverta me nga 8 topa në bord, dy bracela, dy galota dhe tre Veluka.

Në një informacion të muajit shkurt të vitit 1805, që përfaqësuesi i Ali Pashës pranë Portës së Lartë (Kapoçuhedari), Hasan beu i dërgon Ali Pashës, e këshillon atë për maturinë që duhet të tregojë në konfliktin me ushtarakët rusë në bazën detare të Butrintit dhe në vazhdim ne mësojmë se kush është komandanti i flotiljes detare të Ali Pashës, me bazë në Prevezë.

Në të ai shkruan: “Sa për kërkesën tuaj për gjylet e topave dhe kumbaratë, bisedova me kujdestarin, magazinjerin e e marinës mandej edhe me Komandantin e Marinës, Ahmet beun. Të dy këta më thanë se kërkesa juaj për aq shumë gjyle dhe kumbara, 5 000 (pesmijë) copë që ju kërkoni është e pamundur dhe shumë e vështirë të gjenden….”(29)

Nga një tjetër dokument i “Arkivit të Ali Pashës”, me nr. 759, që mban datën 21 Prill 1815, hartuar në Prevezë, mësojmë edhe emrat e Marinarëve (“marinero” gjenden të shkruar në dokumentet e Ali Pashës marinarët e flotës së tij, IK), që shërbenin në anijet e luftës (brik-ët apo korvertat) e Pashait.

Nga informacione të mëparëshme të këtij “Arkivi” dhe emrat e tyre të shkruara në këtë dokumente, ne arrijmë të mësojmë dhe saktësojmë se kush ishte origjina e marinarëve të flotës se Aliut. Pjesa më e madhe e tyre ishin shqiptarë, madje ulqinakas, të cilët historikisht janë njohur për aftësitë e tyre të spikatura në detari. Mes tyre gjejmë:

  • Hamza Ulqinaku

  • Hysen Ulqinaku
  • Veli Ulqinaku
  • Dafil Ulqinaku
  • Idriz Ulqinaku
  • Osman Arta,
  • djalë nga Lekli
(Tepelena)
  • Xhelili i Idriz Ulqinaku
  • Xhelil Nezo Ulqinaku
  • Mehmet Lulo Ulqinaku,
  • Behlul Ulqinaku
  • Ibrahim Ulqinaku
  • Mehmet Kubuzi
  • Hasan Duro
  • Sulo Lohta
  • (30)

Nga mbiemrat e personave të reshtuar në evidencat e pagave të marinarëve, arrijmë të kuptojmë, se përveç marinarëve nga Ulqini, në përbërje të kësaj force Ali Pasha kishte edhe të tjerë nga Bënça e Tepelenës, nga Skrapari (Melçka, Çepani), nga Lekli i Tepelenës, Labova, Delvina, Gjirokastra, Sopiku, Frashëri, etj. (31)

Nga një tjetër dokument i Arkivit të Ali Pashës, mësojmë edhe emrin e kapedanëve të dy prej anijeve të Pashait, me nga 12 gryka zjarri, ata janë; “mariner kapedan Zeqirija…. dhe kapedan Cukali….” (32)

Një nga korvertat e flotës ushtarake, mbante emrin “Asllani” (“Luani”), ndërsa një prej artilerëve (topçinjve) që drejtonte artilerinë, grykat e zjarrit të kësaj anijeje, quhet Jani. (33)

Në një prej raporteve, përmes të cilave Ali Pasha informohej për gjendjen e anijeve të flotës së tij, mësojmë se një Velukë (tip anije e vogël me vela), në pranverën e vitit 1815 kishte mbetur në Vivar, prandaj  kërkonin që ti dërgohej kavo për rimorkimin e saj. (34)

Ndërsa nga një informacion tjetër i po kësaj kohe mësojmë për praninë e një Galote të flotës, në Mesolongji.  (35)

Ali Pasha informohej periodikisht për gjendjen e flotës se tij dhe vendndodhjen. Në një raport që flet për këtë subjekt, në fund të vitit 1806, Ali Pasha informohej se “dy Bracelat e flotës se tij një e Mesolongjit dhe një tjetër e Galaksidhiotit ndodheshin në Itakë….” (36)

Në fondin e dokumenteve të Arkivit të Ali Pashës gjejmë dokumente dhe hollësi që bëjnë fjalë edhe për furnizimet me ushqime dhe llojin e ushqimeve, të anijeve të flotës luftarake ndërsa ato qarkullonin për ditë të tëra në det të hapur. Kështu në njërin nga këto dokumente, ai me numurin 317, e vitit 1807, flitet për furnizimin dhe sasinë e ushqimit për marinën, paksimadhe, pagat, … etj. Nga ky dokument rikonfirmohet edhe një herë fakti se marinarët që shërbenin në këto anijë, kryesisht qenë ulqinakë dhe një pjesë e vogël, nga Shqipëri e Jugut. (37)

Në radhën e ketij fondi dokumentesh gjendet edhe një letër e cila bën fjalë edhe për një topçi (Kanoner) britanik, Tomas Rixh, i cili pat shërbyer tek Ali Pasha për disa kohë. Përmes letrës ai pretendon se pashai i ka borxh një sasi parash të pa dhëna nga shërbimet e kryera. Por, Ali Pasha argumenton të kundërtën. Letra e mësipërme i është dërguar pashait nga Komisari perandorak i Ishujve Jonianë, francezi Besjer, madje me pretendimin se “ai do ta hedhë çështjen në gjykatën e Livornos, kundër Pashait….” (38)

ARTILERIA DHE NDIHMAT USHTARAKE

“Artileria e tij përbëhej nga 200 topa të cilët ishin vendosur në pika të forta dhe të rëndësishme të Shqipërisë dhe Epirit, pa llogaritur këtu një numur jo të vogël topash të vendosur në fortesat e tij, të cilat ishin trashëguar nga qeveritë e mëparëshme, dhe ishin mbajtur në gjendjen që ishin. – na bën me dije koloneli francez Vadeouncourt, që kishte inspektuar dhe kontrolluar me kujdes këtë armë të ushtrisë së Pashait të Janinës. (39)

Në vitet e luftrave bonoparteske, në fundin e shekullit të XVIII – fllimin e shekullit të XIX, teknologjia e armëve të rënda të zjarrit filloi të avancojë me rritme të shpejta duke kapëcyer mjetet dhe teknologjinë e vjetër tradicionale.

Prania e kësaj arme gjatë kohës që ishte në pushtet Ali Pasha u rrit së tepërmi. Nga një përllogartje e përafërt gjykohet se gjer në fund të jetës së pashait ushtria e tij duhet të ketë pasur rreth 250-300 gryka zjarri (topa dhe kumbara) të instaluara në kështjella, anijet e luftës, në Bunila e gjetkë.

Artileria e Ali Pashës përbëhej nga topa (kanonia), bombarda dhe kumbara të kalibave të ndryshëm, prodhime kryesisht turke, veneciane, franceze dhe britanike. Një pjesë të vogël, pothuaj të papërfillëshme, të kësaj artilerie, atë të prodhimit venecian, Ali Pasha e kishte trashëguar dhe gjetur që prej kohës që ai mori pushtetin në Janinë.

Por, artilerinë bashkëkohore, të prodhimit francez dhe britanik, ai e siguroi prej këtyre të fundit ose përmes blerjeve të ndryshme me kontrata, ose si dhuratë, për aq kohë sa ai kishte mardhënie të mira aleance me ta. Ndërsa një pjesë e vogël e artilerisë së trashëguar ishte e prodhimit turk.

Një pjesë tjetër të kësaj arme Ali Pasha ja kërkonte Stambollit sa për të rritur numurin e artilerisë aq edhe për të rinovuar të vjetrën. Në një kërkesë drejtuar Stambollit, gjendur në fondin e dokumenteve të “Arkivit të Ali Pashës” dhe që i takon datës 9 Gusht 1805, përfaqësuesi i Ali Pashës në Stamboll i sugjeron tepelenasit se:

“… për gjylet e topave dhe kumbarave, që më shkruaje të të dërgoja …. …. dërgoji një letër Qeverisë duke i folur për topat dhe kumbaratë që janë në Janinë dhe në Artë dhe u thuaj se ke nevojë për ato që të gjenden aty, nga ana tjetër edhe unë do të përpiqem sa mundem ti bind që të dërgojnë sasinë e kërkuar…” (40)

Nga Arkivat Britanike, përmes një informacioni të Konsullit Britanik në Janinë, Likut, të muajit Mars të vitit 1809, mësojmë mbërritjen e një ndihme ushtarake që Anglia i dërgonte Ali Pashës. Furnizimi me këtë armatim të kërkuar ishte imbarkuar në bazën ushtarake bitanike në Maltë dhe ngarkesa me anije mbërrinte në portin e Prevezës po këtë muaj. Për të pritur këtë ndihmë të rëndësishme, në Portin e Prevezës kishte dalë edhe vetë Ali Pasha. (41)

*****

Ishte një vëmëndje dhe pasion i veçantë i tepelenasit ndërtimet në tërësi, ngritja nga themelet, rikonstruksioni apo zgjermi i objekteve fortifikuese mbrojtëse, investimet në ndërtime me karakter urban, rrugë dhe ura, ndërtimet apo rikonstruksionet e objekteve me karakter relixhioz, etj. Të gjithë bashkëkohësit, vendas apo edhe të huaj, vënë në dukje interesimin dhe përqëndrimin e veçantë të tepelenasit për objektet e kësaj natyre. Janë të shumta kështjellat e reja, kullat, garnizonet ushtarake apo karakolle në vendkalime me interes ushtarak e policor, që ai ngriti.  Por, pashai i Janinës i kushtoi një vemëndje të vecantë edhe paisjes së tyre me artileri të tipit dhe kalibrit që i përshtatej ushtaraksht objektit që ai kishte ngitur.

Në radhën e kështjellave të cilat pashai i paisi me artileri ishin Kalaja e Janinës, e Beratit, e Porto Palermos, e Nafpaktos, e Prevezës, e Pargës, e Gjirokastrës, e Artës, e Tepelenës, e Butrintit, Kastelo e Patrës, Mesolongjit, etj. (42)

Veç artilerisë të stacionuar në këto objekte, Ali Pasha mbante në gadishmëri, në bazën e tij ushtarake në Bunila, pak kilometra në veri të Janinës edhe një sasi tjetër artilerie, të cilën e përdorte në operacione ushtarake brenda apo jashtë kufijve të pashallëkut të tij. Kështu ai përdori artilerinë e tij, topat dhe bombardat në operacionet kundër Sulit, në luftimet për marrjen e Beratit, në luftimet për marrjen e Delvinës apo në operacionet kundër Kardhiqit dhe më gjërë se kaq. (43)

Duke folur për gjendjen e artilerisë në fortesat që përfshiheshn brenda zotërimeve të pashallëkut të Janinës, në një informacion të muajit shkurt 1807, që Myftar Pasha, djali i madh i Ali Pashës, i raportonte këtij të fundit, se: “… bashkë me letrën tënde dhe porositë që me jepje përmes saj, unë mora të gjitha masat për topat dhe kumbaratë që gjendeshin këtu….Do të caktojmë sa do të mbajnë dhe të mbeten këtu dhe sa do të dërgojmë në Mesolongji… Sa për numurin dhe gjendjen e topave këtu të informoj me shkrim përmes regjistrit që të dërgoja, por më duhet të them paraprakisht se ata janë pak. Ne i kemi bërë gati dhe të bëj me dije se vetëm njëri prej tyre ishte i prishur në Kastelo” (44)

Ndërsa referuar trupave ushtarake që mbaheshin në fortesën e Nafpaktos dhe të Kastelos, fortesa venecjane në ngushticën e Antirios, Myftar Pasha informon të atin: “Imzot duhet të dish se këtu janë gjashtëdhjet forca dhe nuk di sa të mbaj në Nafpakto dhe sa të dërgoj në Kastelo… (fortesa që mbyllin ngushticën Rio-Antirrio, I. K”) (45)

Në një tjetër dokument të “Arkivit të Ali Pashës”, që mban nr. 268, datë 9 Gusht 1805, mësojmë për fortesën në Vivar, që aso kohe ishte marë në zotërim nga forcat e Ali Pashës. Sipas dokumentit, në të ndodheshin 4 (katër) topa, si fuqi artilerike për mbrojtjen e fortesës. (46)

Në këtë dokument shfaqet gjithashu interesimi i veçantë i Ali Pashës për furnizime me material luftarak, në sasira tepër të mëdha, çka tërheq vëmëndjen edhe të vartësit të tij, i ngarkuar me mision në Stamboll. Në përgjigje të kësaj kërkese shumë të madhe, që ngre dyshime, misionari i tij nga Stambolli i shkruan:

“Së pari, një kërkesë e tillë, me një numur kaq të madh (5 000 gjyle dhe predha atilerie) është e pamundur të gjenden… sido që të jetë duhet të më shkruani për sejcilin kalibër të gjyleve të artilerisë, distancat e qitjes që u duhen, që edhe unë ti shkruaj qeverisë. Nëse na i japin mirë, në të kundërt mos u merr me to…” (47)

Gjatë viteve në vazhdim, bëhet e qartë që Ali Pasha e rriti edhe më tej interesimin për fuqizimin e artilerisë së tij dhe numurin e artilierëve, madje në vitin 1814, kur pashallëkun e kishte zgjeruar në kufijtë maksimalë dhe fuqia e tij ushtarake ishte rritur shumë, ai e shikonte artilerinë si një mjet të rëndësishëm në fushën e luftës dhe në shërbim të synimeve të tij për tu shkëputur prej Perandorisë Osmane.

Kështu, nga një informacion i datës 20 Korrik 1813, dërguar nga Preveza, Ali Pashës, mësojmë se vetëm në Kështjellën e Prevezës numuri i artilierëve, topçinjve permanentë ishte rritur në 28 vetë në përbërje të tyre edhe 7 arabaxhinj (karocjerë që përdoren për mbartjen apo tërheqjen e topave). Nga ky dokument mësojmë gjihështu se një pjesë e artilierëve kanë marë edhe familjet e tyre dhe janë vendosur me banim në qytetin e Prevezës. …” (48)

Puna për shtimin intensiv të numurit të artlierëve në Pashallëk, duket qartë se ka vazhduar edhe më tej intesivisht, rritje kjo që nuk ka kaluar pa u vënë re dhe pa shqetësim në Portën e Lartë.

Në një informacion, që mban datën 6 Qershor 1814, këshilltari dhe përfaqësuesi i Ali Pashës në Stamboll, Hysen beu, e informon eprorin e tij për shqetësimin që ka ngjallur në radhët e ushtarakëve në Stamboll dhe tek vetë Veziri i Madh (Kryeministrit turk), kërkesa e Aliut për t’i dërguar topçinj nga Stambolli, apo edhe vetë fakti pse pashai i Janinës ishte duke përgatitur një numur të madh artilierësh të rinj në Janinë. (49)

Përgjigja e ushtarakëve të Stambollit është mohuese për kërkesën e Ali Pashës që t’i sjellin artlierë nga Stambolli, dhe jo vetëm kaq por ata kanë kërkuar që Aliu të largojë artilierët që po grumbullon në Janinë dhe t’i vendosë në Prevezë apo diku gjetkë në një fortesë tjetër, pasi po jepet përshtypja se po grumbullohet në Janinë një forcë ushtarake e fuqishme dhe e dyshimtë, që stërvitet! Kjo fuqi e madhe luftarake permanente ngre shumë pikëpyetje për Portën e Lartë.

Përmes këtij informacioni, Hysen beu e ben me dije gjithashtu Ali Pashën cfarë i kanë thënë autoritetet e larta të Stambollit për rritjen e numurit të topcinjve në pashallëk.

“…. Në biseda ata më thanë – merre urdhërin dhe shkruaju topçinjve se që të shpëtojnë nga ndëshkimi duhet të lagrohen prej aty ku janë. Le të merren me punën e tyre, të ruajnë kështjellat. Shkruaji Pashait (Ali Pashës) nga ana ime që të mos merret me stërvitjen e artiljerëve në Janinë, por le të meret me trajnimin e artiljerëve të tjerë në Prevezë dhe në kështjellat e tjera. Vetëm kështu nuk do të ketë fjalë dhe reagime për të. Nëse ai do të vazhdojë stërvitjet e tyre në Janinë, do të vijnë haberet nga muhabetet e miletit….” (50)

Në shumë dokumente të tjera që ruhen në “Arkivin e Ali Pashës”, gjejmë jo vetëm identitin e marinarëve dhe topçinjëve por edhe pagat e tyre mujore, kush nga ata është vendosur familjarisht në Prevezë, kush nga ata është transferuar, cila është origjina e tyre, etj.

ARTILJERËT…

Në përpjekjet e tij për të reformuar dhe pasur një armë bashkëkohore dhe efektive të artilerisë, Ali Pasha u përpoq që të tërheqë në pashallëk dhe të vërë në krye të këtyre punëve, ushtarakë të huaj, specialist të mirëfilltë të kësaj arme.

Ndër të parët që u vu në krye të këtyre punëve për trajnimin e artilierëve me artilerinë bashkëkohore ishte ushtaraku francez Ibrahim Manzur Efendiu dhe bashkë me të edhe inxhinjeri italian, Agostino Fappano, nga Breshia, i cili pasi u konvertua në fenë muslimane, mori emrin Veli aga.  (51)

Instruktorët dhe specialistët e armës së artilerisë formonin një skuadër më vehte. Pranë grupit të artilierëve, qëndroi për disa vite si instruktor edhe xhenjeri ushtarak Italian, Vicenzo Micarelli. Ai ishte një inxhinjer kimist, mjeshtër në prodhimin e barutit, dhe teknik në përllogatitjen e fuqisë së zjarrit të armëve artilerike. Vite më pas, kontribuoi në këtë armë edhe italani tjetër Don Santo Monteleoni. Ai qëndroi në pashallëk gjer aty nga viti 1816 si xhenjer dhe arkitekt në punimet fortifikuese të pashallëkut, kryesisht në aranxhimin e artilerisë, pozicionin e grykave të zjarrit mbi frëngjitë e kështjellave, etj.

Një tjetër italan, i cili u muar me armën e artilerisë së Pashait ishte një ushtarak aventurjer që kishte shërbyer në trupat e kavalerisë në vende të ndryshme të Europës. Ai quhej Pesarini dhe qëndroi pranë artilierëve shqiptarë për rreth tre vite duke ofruar eksperiencat e tij për këtë armë.

Sikundër bën me dije historian grek, S. Aravntino “në përgjithësi shqiptarët janë mjeshtra të përdorimit të armës dhe në distancë 200 metra ata janë mjeshtra në shenjestrimin dhe goditjen e saktë të objektivit….” (52)

Por, nga shumë burime të kohës, si mjeshtër në përdorimin e artilerisë së Ali Pashës, me një përpikmëri të pabesueshme, përmëndet një shqiptar me emrin Qazim Agai. I duheshin vetëm pak sekonda të vendoste në pozicionin e duhur topin të shikonte objektn në distancë dhe mandej të qëllonte saktësisht në shenjë. Nuk dinte as të shkruante dhe as të lexonte, por aftësia e rallë e tij kishte rënë në sy dhe të vetë Ali Pashës që e vlerësonte dhe e çmonte tej mase.

Menjëherë pas largimit të instruktorit të fundit italian, në krye të kësaj arme u vendos Jago (Jaho!) Leklioti, i cili u shqua shumë shpejt për aftësitë e tij të ralla në përdorimin mjaft efektiv të artilerisë. Ai u vlerësua aso kohe si një “gjuajtës i artë”.

Pas vrasjes së Ali Pashës, Hrushid pasha e kërkoi me insistim ta përdorë në goditje me artilerinë e tij, kundër të rrethuarve të Mesolongji. Por, Leklioti, nuk pranoi të pëdorë armën e tij kundër kryengrtësve të rethuar, në krye të të cilëve qëndronte Marko Boçari dhe në këto rrethana u arratis, nga fusha e betejës.

Leklioti shërbeu si instruktor për atilierët e rinj dhe drejtues i kësaj arme. Ai qëndroi gjer në momentin e fundit të qëndresës së Ali Pashës në krye të saj, në radhët e të cilës ai mori një numur shqiptarësh kristjanë nga krahina e Rrëzës së Gjirokastrës, të njohur për trimërinë e tyre. (53)

Artilierët e reparteve të Ali Pashës i gjejmë në dokumentet e Arkivit të tij të thirrur “topçinj”. Një numur fare i vogël, u trashëgua nga e kaluara, ndërsa pjesa dërmuese e tyre u përgatitën për përdorimin e kësaj arme zjarri kryesisht nga ushtarakë të huaj, francezë, britanikë, por edhe nga artiljerët vendas.

Komandant i njësive ushtarake të Prevezës, përfshi këtu edhe repartet e artilerisë bregdetare ishte Beqir Xhokadori. Ndërsa, një nga artilierët, ndoshta komandant i artilerisë së fortesës bregdetare të Prevezës ishte Hasan Sako (nga Gjirokastra), ndërsa artiljerët e kësaj fortesë bregdetare ishin Ali Janjoti, Hadër Çepani, Ali Artino, Ymer Aga Politi, Beqir Zagadurosi dhe Hasan Shkodrani, Hysen Shaka Politi, etj.  Në anijen luftarake, që mbante emrin “Asllani”, gjejmë në regjistrat e kohës, të reshtuar si topçinj Taçi Sopiqoti, Qiro Delvinjoti, Jani Bënça, etj. (54)

Duke qënë një artileri e prodhuar në kohë të ndryshme, me teknologji të ndryshme dhe nga industria e luftës e vendeve të ndryshme europiane, sigurisht kalibrat e kësaj arme në përdorim të ushtrisë së Ali Pashës ishte e kalibrave të ndryshëm.

Në një dokument të Arkivit Britanik, “Hartfordshire” ruhet një informacion i dërguar nga Konsulli britanik, William Martin Leak, përmes të cilit Koloneli i prezanton Londrës kërkesat e Ali Pashës për municion (gjyle, predha), për atilerinë e tij. Në këtë kërkesë të paraqitur më datë 27 Janar 1804, renditen llojet e predhave (gjyleve të topave) sipas kalibrave që kishte kjo artileri dhe çdo kalibër i gjyleve shprehet sipas simboleve ushtarake me gërmën greke “fi”. Të paktën nga kjo listë-kërkesash, ku renditen dimensionet apo kalibrat e predhave, duket se ushtria e Ali Pashës kishte rreth tetë apo nëntë tipe topash, të prodhimit venecjan, britanik, francez, osman, etj…. (55)

FONDERIA, BARUTI, ARMËT E KRAHUT

Në periferi të Janinës, në Bunila, Ali Pasha ngriti një fonderi për të derdhur topa të kalibrave të ndryshëm. Sikurse shkruan ushtaraku francez, Vaudoncourt, “Në Bunla, Ali Pasha kishte një fonderi, e cila drejtohej në proceset e saj nga një Italian, që kishte punuar edhe më përpara në një profesion të tillë në Toskanë – Itali, përpara se të vinte në Janinë.  Në këtë fonderi ai arriti të prodhojë mortaja me fuqi goditëse dhe distancë hedhje sikundër edhe ato që ishin vlerësuar si më të mirat ne Europë.” (56)

Po në këtë vend, në Bunila, Ali Pasha kishte edhe një poligon qitjeje, për të provuar topat që derdhshin prej fonderisë së tij dhe për të bërë trajnimin e artilerëve të rinj.

Ndërsa për të prodhimin e barutit, Ali Pasha kishte ngritur disa punishte, në disa zona të zotërimeve, të pashallëkut të tij. Një e tillë, ndoshta më e madhja ishte ngritur në Jarovina (Zarovina!) në sanxhakun e Janinës. “Sigurisht teknologjia e kësaj manifutare nuk është shumë moderne dhe për këtë shkak cilësia e barutit që prodhohej nuk ishte cilësore, – shkruan Vaudoncourt. (57)

Ali Pasha nuk kishte në territoret e pashallëkut të tij, punishte apo manifaktura për prodhimin e armëve të krahut, pushkë, apo siç emërtoheshin në ato kohë musket. “Të gjitha këto, musketat dhe bajonetat, pjesën më të madhe të tyre, Aliu i siguronte nga manifaturat e Prizrenit në Shqipërinë Veriore dhe një pjesë nga Breshia-Itali apo i blente në panairin e armëve në Venecia.”(58)

SYNIMET PËR SHKËPUTJE DHE KRIJIMIN E NJË SHTETI TË PAVARUR

Nuk do ta tepronim të pohonim se qysh në vitet e para të marrjes së pushtetit në Janinë, Ali Pasha ëndërroi, synoi dhe ndërmori hapa të kujdesshme për shkëputjen prej perandorisë osmane dhe krijimin e një shteti të pavarur. Duke e njohur mjaft mirë fuqinë e perandorisë lindore, strukturat e saj, aleancat dhe aleatët, aftësitë për të mbajtur nën kontroll dhe reaguar ndaj separatizmit të provincave, Ali Pasha punoi me maturi për rrijen e fuqisë së tij ushtarake, të strukturave dhe autoriteteve komanduese, duke vënë në krye të tyre kryesisht shqiptarë, njerës me autoritet, influence dhe aftësi të sprovuara ushtarake.

Nga viti në vit, zgjeroi kufijtë e pashallëkut të tij, duke e kthyer pashallëkun e Janinës njësinë administrative më të madhe territoriale, njerëzore dhe ekonomike, në raport me tërë strukturat e tjera të perandorisë osmane. Me një vëmëndje të admirueshme ndoqi zhvillimet politike dhe ato ushtarake nëpër Europë, aleancat e vjetra, tradicionale dhe ato të reja të krijuara, duke përzgjedhur dhe shfrytëzuar me kujdes mes tyre aleatët e mundshëm që do ta ndihmonin dhe mbështesnin atë në rrugën drejt shkëputjes dhe mëvehtësisë.

Qysh në takimin e parë të tij, me përfaqësuesin zyrtar të Britanisë së Madhe, kapitenin e Artilerisë Mbretërore, Uilliam Martin Leak, në vitin 1807, pashai tepelenas i pati shprehur atij me shumë maturi idenë e shkëputjes dhe vendosmërinë për të “mbrojtur pavarësinë e vendit të tij”. Në raportin sekret që Liku i ka dërguar me këtë rast eprorëve të tij të Foreign Office (Ministrinë e Jashtme), i shkruante se Ali Pasha kërkonte të krijonte raporte shumë të ngushta dhe miqësore me britanikët dhe se e shikonte Francën si një fuqi kërcënuese ndaj vendit të tij.

Të njëjtin qëndrim kishin edhe tre pashallarët e tjerë shqiptarë, ai i Shkodrës, i Beratit dhe i Seresit, madje në rastin e një kërcënimi eventual ushtarak prej Bonopartit, shkruan ai “Unë mendoj se ata mund të mbledhin dhe sjellin lehtësisht tridhjet mijë burra në front”. (Shifra tridhjetë mijë është shkruar me gërma të mëdha, që ndoshta autori ka dashur t’ia theksonte qartë Ministrit të Jashtëm se cila ishte shifra konkrete e mobilizimit të mundshëm të ushtrisë së Pashait)

Dhe duke përfunduar Liku nënvizonte: “Ashtu sikundër Ali Pasha, unë nuk kam as dyshimin më të vogël se edhe Ismail Beu dëshiron njëlloj si të mësipërmit pavarësinë e vendit të vet. Ky vend i pasur dhe i fortë që ka nën kontroll komunikimin nga Serbia dhe Bullgaria për në Maqedoni, i cili është i tëri në duart e Ali Pashës, do t’i jepte atij, brenda këtij konteksi, përparësi të mëdha.

Por, duhet ditur gjithashtu se trupat e luftëtarëve të tij më të mirë janë këtu nga Shqipëria, duke u mbështetur në vlerat luftarake të këtij kombi, ai i lidh shpresat kryesore dhe bazën përfundimtare të suksesit dhe fitores pikërisht tek ata, në rastet e një propozimi për ndeshje dhe përballje të armatosur me francezët”. (59)

Ali Pasha punoi intesivisht për të realizuar shkëputjen dhe krijimin e shtetit të pavarur, madje aty nga fundi i vitit 1818 ai e bëri këtë fakt të kryer duke mos iu nënshtruar asnjë hierarkie apo urdhëri perandorak ekonomik, politik dhe ushtarak, etj.

Por, në vitin 1820, Turqia duke pare rrezikun e një separatizmi dhe shkëputje të rrezikshme territoriale të shqiptarëve filloi mobilizimin për një fushatë të përgjakshme ushtarake kundër “rebelimit”.

MOBILIZIMI FINAL KUNDËR OFENSIVËS OSMANE

Në përgjigje dhe për t’ju kundëvënë operacioneve ushtarake që përgatiti Sulltani kundër tij, në mesin e vitit 1820, Ali Pasha filloi organizimet dhe mobilizimin e menjëhershëm për të përballuar luftimet e pritshme të përgjakshme. Hapi i parë dhe i menjëhershëm ishte krijimi i një shtabi ushtarak që ai e emërtoi “Këshilli i Zgjeruar Ushtarak”, i cili do të diskutonte dhe përcaktonte pikat, frontet dhe terrenet ku do të vendoseshin forcat dhe njësitë e tij ushtarake, për të ndaluar operacionet e sulmit të ushtrive osmane, në mbrojtjen e territoreve të pashallëkut. “Këshilli i Zgjeruar Ushtarak”, në krye të të cilit ishte vetë Ali Pasha, përzgjodhi nominalisht komandantët e formacioneve ushtarake dhe venddislokimet konkrete te tyre. Sigurisht, ata ishin njerëzit e tij të sprovuar sa në frontin e luftërave aq edhe në devocionin e treguar ndaj atij vetë.

Nga dëshmitë dokumentare dhe informacionet e dëshmitarëve të kohës, mes tyre, nga ato që shkruan Kosma Thesproti dhe historiani Spiro Aravantino, fuqia ushtarake e Ali Pashës u nda dhe u dërgua për të kontrolluar hyrjet e mundëshme të ushtrive osmane në këto fronte: (60)

Mbrojtjen e fortesës së Janinës e mori vetë përsipër, Ali Pasha. – Në mbrojtjen e kështjellës dhe të vetë qytetit të Beratit u caktuan dy djemtë e tij Myftari dhe Saliu. – Në mbrojtjen e kështjellës dhe qytetit të Prevezës u caktua djali i vogël, Veli Pasha. – Në mbrojtjen e kështjellës së Tepelenës, u caktua Myftar Mahmuti beu. – Në mbrojtjen e Kështjellës dhe qytetit të Pargës, Veli Myftar Pasha

– Në mbrojtje të zonës dhe grykave të Sulit, u caktua Myrto Çali me forca të Gegëve – Në mbrojtjen e fortesës dhe qytetit të Artës, u caktua Dali Përmeti – Në mbrojtjen e fortesës dhe qytezës së Paramithisë, u caktua Tahir Abazi – Në mbrojtjen e fortesës dhe qytetit të Gjirokastrës, Meço Bono

– Në mbrojtjen e Përmetit, Elmaz Mahmuti – Në mbrojtje të kullave dhe zonës së Melesinit u caktua Zylyftar Poda (Iliaz Aga) – Në mbrojtjen e Ohrit u caktua Xhelaldin Beu,

– Kompani të armatosura shqiptarësh u caktuan edhe në mbrojtjen e Grykës së Këlcyrës, Pesë Puseve, Butrintit, Sarandës, etj. – Odisea Andruco (hero i revolucionit grek) u caktua të mbrojë Livadhjanë. – Sturnara, u caktua të marë në mbrojtje Aspropotamon – Andrea Isko të marë në mbrojtje Agrafën – Zogat iu ngarkua të marë në mbrojtje grykëkalimet e Olimpit. – Bllahavat u caktuan të marin në mbrojtje Hasjanë.

– Joani Varnaqioti u komandua të marë në mbrojtje Ksiromerin – Në mbrojtje të kështjellave të Thesalisë caktoi Islam bej Konicën – Në Nafpakto caktoi Baba Pashanë!  (61)

Për organizimin e rezistencës së fundit dhe mënyrën e ndarjes së forcave të tij për të përballuar ofensivën osmane, në vitin 1820, flet me hollësi në poemën e tij edhe Haxhi Shehreti, i cili konfrmon ato çfarë gjejmë tek Arvanatinoi. Mes të tjerave ai shkruan:

“Veli Pasha tatëpjetë ra të hyjë në Prevezë

Mahmut Beu biri i tij në kala Pargës do zbresë

Myftar Pasha, Sali Pasha në Berat fort do qëndrojnë

Gjith ushtarët nëper kulla sup më sup do t’i reshtojnë

Omer Beu rrugën mori Mullaliqin të takojë

Bashkë me ta edhe Pallaska vëndet zjarri t’i mbulojë

Në Danglli qe Zylyftari mirë kalanë e gatit

Grykat, shtigjet i zë fort kush mos hyjë as natë as ditë

Myftar Pasha kapedani, Mahmut beun ka evlat

Me ushtrinë e tij revan Tepelenën shkoi të kap

Në kala në Gjirokastër Meço Bono mirë u shtrua

Nëpër kohën zi, mënxyrë me Shanicën u takua

Në Përmet, Elmaz Mahmuti, lart kalanë rregulloi

Me një tuf’ trima të çartur i pathyer do qëndrojë

Do t’a mbajë fort kalanë tej në Artë, Dalan Përmeti

Kurrë se deshi Ali Pashën, prej shumë vjet plagë i mbeti

Kakosulit vuri plakun, lart tek Qafa kish të tjerë

Ish në krye Myrto Çali kishte pas katërqind gegë…….. (62)

Përgjatë organizimit të kësaj rezistence të përgjithëshme, Ali Pasha i bëri thirrje dhe kërkoi që në krah me të, të reshtoheshin në një aleancë edhe “Filiqi Eteria” dhe britanikët, gjë që nuk ndodhi. Më tej ai dërgoi në Korfuz për të biseduar me Kolovonë, ndërkohë që brenda javës kishte mbërritur flota turke pranë brigjeve të pashallëkut dhe me lëvizjet e saj kishte bllokuar brigjet joniane për të parandaluar në këtë mënyrë ndihmat që mund t’i vinin Ali Pashës nga Ishujt Jonianë përmes detit. (63)

Në ato orë vendimtare, Ali Pasha hartoi një sërë qarkoresh drejtuara shqiptarëve dhe grekëve, për këtë betejë vendimtare. Për thirrjet dhe qarkoret e hartuara nga pashai në këto çaste kritike, flet qartë në vargjet e tij edhe këshilltari i tepelenasit, poeti Haxhi Shehreti, i cili përcjell tërë frymën dhe tensionet e përgjakshme të kohës, gjer në momentin e vrasjes së pashait tepelenas. (64)

Sigurisht, një numur masash ekstreme Ali Pasha mori për fortifikimin dhe mbrojtjen e Janinës, duke gjykuar se luftimet, nëse do të vinin gjer në këtë pikë, do të zgjasnin gjatë. Për këtë shkak forcoi me mjeshtrat e tij muret rrethues të fortesës, gjashtë kullat e saj, frëngjitë e artilerisë dhe bashkë me to pesë hyrjet e kështjellës. Brenda mureve rrethues të kalasë, ai përforcoi me kujdes tërë muret e Uç Kalesë, si bastjoni kyç dhe i fundmi mbrojtës i fortesës së Janinës. Sikundër dihej në këtë pikë dominante ishte përqëndruar edhe depua e barotit me një sasi mjaft të madhe eksplozivi.

Shehreti i përshkruan kështu këto çaste epike të qëndresës finale të Ali Pashës me këto vargje të rralla:

“…. E rrethoi tërë Janinën thellë e thellë me një hendek

Por, e zeza ishte shkruar gjarpëri i zi do ta përndjek

Me bastjone e forcoi me transhe thellë nëpër tokë

Gati bëri topat, bombat, që të shprazin nëpër kokë

Gjyle plot dhe kumbara, radhë fuçi mbushur barot

Me fishekë furnizonin njerzit nuk qetohen dot

Tej një grup afron bombardat, topat sillnin me mundim

Kumbaratë i bënin gati, kondakë gdhëndin pa pushim

Gjashtë kastele armatosi mirë e mirë të jenë në mbrojë

Që Janina kësaj lufte fort me armë ti qëndrojë

Litharica dhe Kalaja, Kullat tej, i vogli han

Yç Kaleja dhe Kalaja, Thanasaqi fort i mban….. (65)

Nga radhët e specialistëve ushtarakë të specializuar të fortifikimeve, Ali Pasha thëriti edhe arkitektin dhe xhenjerin e njohur francez Vadencourt, me të cilin, me hartë topografike përpara, diskutoi gjatë për mënyrën e organizimit të mbrojtjes.

Gjatë qëndresës së gjatë, për më shumë se një vit e gjysëm, dhe rezistencës brenda Kalasë së Janinës, Ali Pasha u ka nisur disa qarkore krahinave shqiptare brenda dhe jashtë kufijve të pashallëkut të tij. Nga ato dokumente që kanë mundur të shpëtojnë dhe ruhen ende në “Arkivin e Ali Pashës”, janë me mjaft interes dy prej tyre, që Ali Pasha nga brenda rrethimit, në Kalanë e Janinës, ua ka nisur krahinave shqiptare dhe komandantëve të tyre.

Përmes tyre bëhen evidente sentimentet nacionale, me mjaft interes të Pashait tepelenas. Në këto orë vendimtare, për fatet e tij por edhe të trojeve shqiptare, ai u drejtohet popullsisë shqiptare dhe krahinave të banuara nga kjo popullsi duke i paralajmëruar për pasojat dhe fatin e tmerrshëm që i priste ata dhe trojet shqiptare, nëse nuk do të qëndronin dhe sakrifikonin gjer në pikën e fundit të gjakut të tyre.

Profeci që duket se fatkeqsisht, kohët e konfirmuan atë, duke e shtyrë robërinë osmane edhe për gati një shekull tjetër.

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here