Shkruan: Edison Ypi

Pas përvojave sporadike fëmijënore para ushtrie, pak gjatë ushtrie, por sidomos pas ushtrie, kisha realizuar një marrëdhënie të qëndrueshme me radion, dëgjimin e radios. Televizionet ende s’kishin shpërthyer. Ishin në shpërgënj. Në shtëpitë e ca të rrallëve që kishin televizor, gjatë mbrëmjeve të “Sanremos” mblidheshin cip mbi cip edhe 100 apo 200, a më tepër të etur për të parë e dëgjuar.

Kur ndërkohë këngëtarë, kompozitorë, konduktorë, prej vitesh i kishin degdisur nëpër baltëra dhe burgje për mungesë partishmërie muzikore, e pabesueshme, por e vërtetë, për ta parë e dëgjuar “Sanremon” nuk të pengonin. Me radion ishte pak më ndryshe. Dy radiot italiane, “Zëri i Amerikës” më të rrallë për shkak të besueshmërisë së ulët, BBC shqip që u mbyll qysh herët, por edhe Radio Praga dhe Radio Montecarlo, ngopnin deri diku dëshirën e atëhershme të atyre që dëgjonin fshehtas për t’u ndjerë sado pak banor normal i rruzullit në këtë vend të skëterrshëm.

Thoshin: S’ka më shurdh se ai që s’do të dëgjojë.

Ose për ndonjërin që çeku dëgjonte ndonjë kanconetë italiane lotndjellëse zemërçjerrëse:

Filani është me 1 vesh midis shurdhave. Nëse nga pakujdesia apo budallallëku i bëje të ditur dikujt se dëgjoje radio të huaja, i kishe thënë byrum belasë.

Rreziku më i madh vinte nga komshiu. Që mund të dukej burrë i urtë e i butë. Por s’kishe asnjë siguri në çfarë bishe do shndërrohej nëse dëshira apo rrethanat do e çonin te Sigurimi për t’i thënë: Shoku Sigurim, e dëgjova nga oxhaku i sobës, tjetri matanë murit tim po e çon radion stacion më stacion. Duhet ruajtur mos marri rrugë të keqe dhe bie në prehër të borgjezisë. Të marrim masat e duhura për të mos infektuar të tjerët me atë ves. Si thoni ju shoku Janaq, në cilat baltëra duhet hedhur ai derr borgjez? Me anën e një iniciative rinore të një shkolle të mesme ta urdhërojmë fabrikën e radiove në Durrës, që radiot “Fatosi” dhe “Iliria” t’i shesë pa atë spangon që ndërron stacionet. Dhe atë mekanizmin që mundëson kalimin aq të kollajtë nga njëri te tjetri qytet borgjez ta bllokojë, ta betonojë, ta saldojë, te Radio Tirana.

Një shok nja dy vjet më i ri se unë, ushtar në një repart ndërlidhje, më solli një palë kufje ushtarake kineze me hark metalik dhe gomina që i mbulonin mirë veshët. Me sa duket, parimi shpëtimtar “kam te puna” funksiononte edhe në variantin “kam te reparti”

I shpova radios shpejt e shpejt nga anash me tyrjelë një vrimë për të fiksuar femrën e fishës së kufjes. Dy telat e fishës i lidha me altoparlantin. Të njëjtin marifet ua bëra më vonë të gjitha radiove dhe televizorave që përdora. Dhe rash’ rehat.

Me kufje, hordhia e spiunave që më rrethonte nuk dëgjonte çfarë unë dëgjoja dhe unë nuk dëgjoja çfarë ata lehnin.

Ato kufje u bënë shkelmi i parë që u dhashë komshinjve, ulërimave, piskamave, radiove të mëhallës që tundnin dheun që në 5 të mëngjesit me sukseset e kooperativave, fabrikave, festat, parakalimet, paradat, tribunat.

Kufjet prisheshin nga përdorimi. U griseshin gominat. U këputeshin telat. Çahej membrana vibruese e zërit. Fal Zotit nuk mungoi kurrë dikush të më ngushëllonte: S’ka problem, “mos u mërzit”, të sjell një palë të reja “kam te reparti”.

Lajme, biseda, intervista, muzikë.

Kush i kishte shpikur vallë kufjet shpëtimtare? Balzaku apo Pushkini?

Me kufje nuk më spiunonin dot. Mund të dëgjoja çfarë të doja. Duke zeruar distancën mes zërit dhe trurit, hyra në një botë tjetër, pa mbledhje kolektivi, pa frikëra, pa halle meskine.

Falë kufjeve m’u bënë të paharrueshëm, Ruggero Orlando, Sandro Paternostro, Roberto Gervaso, Indro Montanelli, Enzo Biagi, Jas Gavronski, Demetrio Volcic, si dhe artistët Joan Baez, Joe Cocker, Janis Joplin e të tjerë e të tjerë. Më çmendte “Hey Amerika” e James Broën që jepej te “Disco su Disco”. Po ashtu, i përnatshmi “Supersonik” etj..

Pak nga pak me kalimin e kohës rraqet me kufje të prishura dhe kabllo të shqyera dhe të tjera vegla radiofonike, si llamba, kondensatorë, rezistenca, llamarina, që u tepronin ustallarëve që hera-herë ndreqnin radion, bëheshin një thes që hera-herës e zbrazja me trasta larg shtëpisë.

Një herë, dikush që më solli një palë kufje të reja, ma ngriu gjakun.

-Pse të duhen këto kufje – tha, me cilën ambasadë je lidhur? – Dhe ia plasi të qeshurit.

Në tjetër më tha: A qerrata-qerrata. Po i përdor kufjet si prezervativ për vesh që të mos mbarsesh me Marksizëm-Leninizëm.

Një natë po më zinte gjumi duke dëgjuar me kufje “The Sound of Silence”. “Hello darkness, my old friend, I’ve come to talk with you again…” ma largoi gjumin. Heu, pra gjumin ta nxirrkan më kollaj muzikat e buta se ato të forta.

Kufjet drogë e parrezikshme, ishin të mrekullueshme

Me kufje në kokë mora vesh largimin e amerikanëve nga Vietnami, vdekjen e Mao Ce Dunit, vitet e plumbta në Itali, vrasjen e Aldo Moros, Solidarnoshin, vdekjen e ezhdërhasë, fatin e merituar të çiftit Çaushesku etj.. Nuk besoj se këto dhe të tjera ngjarje do më kishin bërë të njëjtin efekt pa kufje.

Kufja e zgjidhi problemin: të mos më dëgjonin çfarë dëgjoja. Por solli problemin tjetër: të mos më zbulonin se dëgjoja me kufje. Se, sipas shokut Haleja, pa kufje dëgjoje kanconeta, me kufje mbaje lidhje me NATO-n, Flotën e shtatë që sillej nëpër Adriatik e etur për gjak, çka ishte goxha më e rëndë dhe e dënueshme se të dëgjoje, ta zëmë, “L’amore è uno zingaro” apo “Just say I love her”.

U përpoqa, por nuk munda të bind askënd ta dëgjonte radion dhe televizorin me kufje. Pas ‘90-ës kufjet duhej t’i flakja. Por ishte tepër vonë. Tashmë kufjet më ishin bërë zgjatime të trupit, gjymtyrë atavike. Isha shndrruar në një ndërkallje të mishit me metalin. Si shartimi i fasuleve të Korçës me bizele Roskoveci, që del Shegë Karavastaje.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here