Duke lexuar librin “Shënimet e bibliotekistit” të Fadil Kromës, del qartë se ishte pikërisht libri që tregonte jo në formë të metaforës, por të realitetit, pozitën e shqiptarëve në Ulqin dhe përgjithësisht në Mal të Zi. Një e dhënë e tillë dëshmohet me konstatimin se libri në gjuhën shqipe për të parën herë bëhet pjesë e inventarit të Bibliotekës së Ulqinit në vitin 1969, falë angazhimit direkt të Fadil Kromës, duke i sjellë ata nga “Rilindja” e Prishtinës

Botimi i librave të ndryshëm varësisht prej temave të cilat trajtojnë, paraqet një moment të veçantë për autorin dhe mjedisin përkatës. Por, kur autori e shkroi atë kur ishte në pension, nuk ka dilemë se ai botim tek opinioni i gjerë merr vlera emocionale. Dhe nuk ka si të jetë ndryshe, sepse Fadil Kroma – i cili vdiq më 11 shkurt të këtij viti në moshën 83-vjeçare – pas daljes në pension nuk ka qëndruar statik, por ka mbledhur material dhe e ka sistemuar atë në formë të kujtimeve për kohën e angazhimit të tij profesional si personi numër një i bibliotekës popullore në Ulqin.

Andaj në sajë të pasionit, qasjes profesionale dhe angazhimit permanent ai opinionit i paraqitet me librin e tij “Shënimet e bibliotekistit”. Libri në fjalë i botuar më 2015, shtohet gamës së botimeve të ndryshme nga autorët shqiptarë të duke trajtuar çështjet të cilat kanë qenë preokupuese, por në rrethana të reja pa censurë dhe paragjykime.

Dëshmitarë i rrethanave shoqërore

Libri në fjalë trajton periudhën 130-vjeçare të librit përkatësisht të bibliotekës në Ulqin. Autori ka përdorur një literaturë selektive e cila kryesisht ka të bëjë me bibliotekën në këtë qytet, duke na ofruar të dhëna me interes për bibliotekat personale të personaliteteve të kohës në Ulqin. Kjo njëherësh është edhe periudha deri në Luftën e Dytë Botërore. Më pas, kjo çështje trajtohet me të dhëna me të plota nga prej vitit 1945, nga del qartë se kemi të bëjmë me një periudhë dinamike por edhe intriguese për kohën tonë. Në mënyrë të veçantë autori trajton kohën e tij kur ka drejtuar bibliotekën derisa doli në pension (1967-2003), me plot detaje, sepse ai ishte dëshmitar okular i rrethanave shoqërore të kohës.

Libri – tregues i pozitës së shqiptarëve

Duke lexuar këtë libër, del qartë se ishte pikërisht libri që tregonte jo në formë të metaforës, por të realitetit, pozitën e shqiptarëve në Ulqin dhe përgjithësisht në Mal të Zi. Një e dhënë e tillë dëshmohet me konstatimin se libri në gjuhën shqipe për të parën herë bëhet pjesë e inventarit të bibliotekës në vitin 1969, e atë duke iu falënderuar angazhimit direkt të Fadil Kromës, duke i sjellë ata nga “Rilindja” e Prishtinës.

Nga ajo kohë e deri më 1981, ishte koha e konsolidimit të bibliotekës me libra në të dyja gjuhët, serbisht dhe shqip, duke qenë si e vetme e tillë në Mal të Zi. Ndërsa pas ngjarjeve të marsit të vitit 1981 në Kosovë pushteti i kohës i tëri ishte i angazhuar në fushatën antishqiptare, ku nuk ishte përjashtim as libri.

Izolimi i librave në shqip

Pas burgosjes së disa mësimdhënësve me procese të montuara politike dhe largimit nga procesi mësimor nga Biblioteka e Ulqinit u izoluan hiç më pak se 3250 libra. Dhe një qasje e tillë vazhdoi deri në vitin 1991, kur ato iu kthyen lexuesve, pas rënies së sistemit monist. Është kjo një dëshmi transparente se pushtetit të kohës i pengonte libri në shqip, pavarësisht se ku ishin botuar ato, nga del qartë se në ekspansion ishte albanofobia, ku nuk kanë munguar as pasojat për individë të ndryshëm.

Në shënjestër të pushtetit

Autori i librit në këtë periudhë kohore ishte në shënjestër të strukturave speciale të pushtetit, sepse angazhohej në mënyrë profesionale për pasurimin e bibliotekës, organizimin e veprimtarive të ndryshme kulturore e artistike, duke e bërë bibliotekën vatër kulture për të gjithë dashamirët e saj. Në këtë aspekt, ai sfidoi rrethanat e kohës, duke qenë parimor se çdo gjë është duke e bërë për të mirën e qytetarëve të Ulqinit.

Në libër ofrohen të dhëna me interes për historikun e bibliotekës, për objektin, të punësuarit, veprimtaritë e zhvilluara etj., duke qenë një regjistër arkivor në miniaturë. Madje nuk gaboj nëse them se disa të dhëna paraqesin dosje në miniaturë të cilat mund të zgjerohen dhe pasurohen në një botim tjetër eventual, madje mund të jetë edhe inspirim për hulumtime të ndryshme publicistike.

Trajtim kritik e profesional

Çështjet përkatëse autori i trajton pa subjektivizëm, duke mos qenë konformist, por kritik dhe parimor ashtu siç i ka hije një personi me imazhin e formuar profesional.

Në pjesën e fundit autori na prezanton të fotokopjuara disa materiale me vlerë në formë të albumit duke e pasuruar në mënyrë faktografike veprimtarinë e tij personale, por edhe të bibliotekës në veçanti e Qendrës së Kulturës në përgjithësi.

Në sajë të përmbajtjes dhe trajtimit të temës, libri “Shënimet e bibliotekistit” dëshmon qasjen serioze të autorit ndaj librit në veçanti dhe bibliotekës së qytetit të Ulqinit në përgjithësi.

Urojmë dhe shpresojmë që me rastin e botimit të dytë nga ky libër do të eliminohen disa gabime teknike dhe gjuhësore, por patjetër do të plotësohet me të dhëna të tjera të cilat janë të nevojshme të publikohen për opinionin e gjerë.

Andaj, si i tillë ky botim pa dilemë zgjon interesim nga opinioni i gjerë, sepse kemi të bëjmë me një tematikë e cila për të parën herë trajtohet në një botim të veçantë në gjuhën shqipe jo vetëm në Ulqin, por edhe më gjerë.

Ky artikull botohet me rastin e vdekjes së Fadil Kromës (1941-2024) ish-drejtorit të Bibliotekës së Ulqinit (1967-2003)

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here