Mes historianëve dhe personaliteteve të ndryshme ka një debat nëse kjo vrasje pati të bënte me rivalitetin e brendshëm të protagonistëve të ndryshëm në emigracionin shqiptar apo ishte një skenar i shërbimit sekret serb në përpjekjet e tij për të nxitur përçarje brenda shoqërisë shqiptare. Ivan Babnovki, i cili gjatë kohës është marrë me çështjen e emigracionit politik nëpër botë, shkruan se organizata “Fronti i kuq” me instruksione të Tiranës zyrtare kishte shpërndarë hartën e njohur të “Shqipërisë së madhe”, e cila gjoja kishte shqetësuar edhe disa nga fqinjët në rajon

Meqë Ambasada Shqiptare në Vjenë, prej kohësh ishte bërë edhe qendër e takimeve të delegacioneve qeveritare shqiptare dhe gjermane, ishte krejt e natyrshme që hyrjet dhe daljet e tilla, si ato të veprimtarit të njohur kosovar Kadri Zeka të ndiqeshin nga shërbimi sekret jugosllav. Në këto rrethana, Kadri Zeka dhe vëllezërit Jusuf dhe Bardhosh Gërvalla u ekzekutuan në Heilbronn të Gjermanisë më 17 janar 1982.

Megjithatë, kjo vrasje vetëm sa thelloi armiqësinë e gastarbajterëve shqiptarë ndaj përfaqësuesve të shtetit jugosllav. Si reaksion, punëtorët shqiptarë në Gjermani dhe në vendet tjera braktisën organizatat “jugosllaviste” të emigrantëve dhe formuan klubet e shoqatat e tyre kombëtare, të cilat këtë veprimtari e intensifikuan edhe më tej gjatë viteve ‘90 për organizimin, mirëmbajtjen e sistemit të pavarur shëndetësor dhe arsimor të Kosovës dhe luftën e armatosur të UÇK-së kundër sundimit serb mbi Kosovën.

Rivalitet midis shqiptarëve apo skenar i shërbimit serb

Por, mes historianëve dhe personaliteteve të ndryshme ka një debat nëse kjo vrasje pati të bënte me rivalitetin e brendshëm të protagonistëve të ndryshëm në emigracionin shqiptar apo ishte një skenar i shërbimit sekret serb në përpjekjet e tij për të nxitur përçarje brenda shoqërisë shqiptare dhe grupacioneve politike shqiptare në Perëndim dhe në këtë mënyrë ta lehtësonte presionin e mediave ndërkombëtare për raportimet e tyre lidhur me avancimin e Kosovës në republikë pas pranverës studentore të marsit dhe prillit të vitit 1981.

Sipas pretendimeve të Ivan Babnovkit, në aksionet e armatosura kundër Jugosllavisë në Perëndim, siç ishte vrasja e diplomatit Stojan Gjeriq në Bruksel (më 3 gusht 1981), para aksioneve të tilla mbi përfaqësuesit diplomatik-konsullorë jugosllavë dhe të tjerë në Belgjikë dhe demonstratave antijugosllave në Zvicër, Gjermani ku qëndronte Gërvalla me bashkëpunëtorët e tij. Babanovksi, i cili gjatë kohës është marrë me çështjen e emigracionit politik nëpër botë dhe luftën speciale kundër Jugosllavisë, në një studim të tij për fushatën politike antijugosllave të emigracionit politik e përmend edhe ngjarjen e njohur në Untergrupenbah, në rrethinë të Heilbronit, krahina e Bade-Vyrtenbergut (RFGJ). Sipas tij, të dielën, më 17 janar 1982, “rreth orës 22:00, 200 metra larg banesës së tyre, ‘në BMW 316’ të re me regjistrim gjerman, në llogaritjen reciproke qenë likuiduar Jusuf Gërvalla (36) gazetar i RTV të Prishtinës, Bardhosh Gërvalla (34) vëllai i Jusufit me punë të përkohshme jashtë shtetit, Kadri Zeka (28) gazetar i mëparshëm i Radio Prishtinës, anëtarë të udhëheqjes së organizatës irredentiste proshqiptare “Fronti i kuq”.

Shpërndarja e “Shqipërisë së madhe” me direktiva nga Tirana?

Ky autor po ashtu pretendon se kjo organizatë shqiptare, me instruksione të Tiranës zyrtare kishte shpërndarë hartën e njohur të “Shqipërisë së madhe”, e cila gjoja kishte shqetësuar edhe disa nga fqinjët në rajon, për shkak të pretendimeve të nacionalistëve shqiptarë. Ishte e qartë se Beogradi zyrtar, si atëherë edhe sot, idenë e unifikimit të shqiptarëve gjithmonë provonte ta godiste përmes propagandës së “Shqipërisë së madhe”, e cila në fakt ishte Shqipëri etnike, por u vra keq për faktin se ajo u jetësua përkohësisht si projekt italian dhe gjerman gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Revista e njohur “Der Spiegel” e datës 24 janar 1982 në artikullin “Das ganze sieht nach Hinrichtung aus”, prapa ngjarjes në Heilbronn, të vrasjes së Kadri Zekës së bashku me vëllezërit Jusuf dhe Bardhosh Gërvalla e shihte në shërbimin sekret jugosllav, duke shtuar se për autoritetet e Republikës Federale të Gjermanisë ekzekutimi u bë nga vrasës të panjohur. Për autoritetet gjermane të sigurisë, vrasja në Heilbronn konsiderohej si një pikë e re në luftën nëntokësore të zhvilluar nga agjentët e shërbimit sekret jugosllav ndaj kundërshtarëve të regjimit të shtetit multietnik në Republikën Federale. “Pas kroatëve në mërgim, qeveria e Beogradit tani me sa duket u ka shpallur luftë të përgjakshme edhe shqiptarëve të mërguar nga Republika e Kosovës”, konstaton “Der Spiegel”, duke shtuar se brenda makinës policia gjeti:

– Kadri Zekën, 28 vjeç, i cili u vra nga dy të shtëna në pjesën e sipërme të trupit, dhe në të njëjtën makinë ishin të qëlluar edhe dy vëllezërit Gërvalla:

– Jusuf Gërvalla, 36 vjeç, gjithashtu u plagos rëndë nga dy të shtëna dhe vëllai i tij dhe drejtuesi i makinës Bardhosh Gërvalla, 31, i goditur nga gjashtë të shtëna, u vra, pas timonit.

Sa u përket rrethanave të atentatit/ekzekutimit, revista gjermano-perëndimore thekson se vetura “BMW 316”, me ngjyrë jeshile doli mbrapsht nga garazhi, pasi drejtuesi i makinës nuk donte të kthehej në dëborë dhe e drejtoi makinën mbrapsht 40 metra më tej në një udhëkryq.

Kur automjeti u ndal për pak kohë nën një llambë rruge, një burrë nga një kantier ndërtimi doli në të djathtë dhe qëlloi në brendësi të makinës nga rreth tri metra larg. Një burrë i dytë gjithashtu qëlloi, pastaj u ndal pranë makinës për të bindur veten për efektin e goditjes përmes dritareve anësore të çara. Fqinjët, të tronditur nga zhurma e të shtënave, panë dy burrat të iknin.

Pëshpëritja: “Kjo ishte UDB-ja”

Tre të vrarët, Jusufi, Bardhoshi dhe Kadriu ishin identifikuar menjëherë nga policia gjermane dhe gjithashtu ishin klasifikuar politikisht: emigrantë politikë shqiptarë nga Kosova dhe të tre agjitatorë kundër qeverisë në Beograd. “Der Spiegel”, vë në dukje se kishte edhe indikacione edhe të autorëve, pasi në vendin e krimit, Jusuf Gërvalla, i cili më vonë vdiq, u pëshpëriti oficerëve të policisë: “Kjo ishte UDB-ja” – shërbimi sekret jugosllav (Sluzba Drzavne Bezbednosti). Ndërsa, Qeveria e Bonit, e cila kishte marrëdhënie të mira me Jugosllavinë komuniste, përmes deklaratës së zëdhënësit të saj, e dënonte ashpër vrasjen e tre emigrantëve politikë shqiptarë të Kosovës. Zëdhënësja kishte shtuar me këtë rast në një konferencë shtypi se qeveria gjermane shpreh keqardhjen për konflikte të tilla në RF të Gjermanisë.

Edhe një e dhënë është interesante, e cila zbulon tendencën e autoriteteve gjermano-perëndimore për ta amnistuar tërthorazi aksionin e shërbimit sekret jugosllav brenda territorit të RF të Gjermanisë, duke e paraqitur si një ndërmarrje dhe luftës me mjete ekstreme ndërmjet pjesëtarëve të mërgatës shqiptarëve dhe autoriteteve Jugosllave. Më tej theksohet se prej shumë vjetësh, agjentët e shërbimit sekret jugosllav dhe kundërshtarët e regjimit janë angazhuar në konflikte të përgjakshme jashtë vendit dhe se në shumë raste, militantët politikë në mërgim kanë sulmuar me forcë ambasadat, konsullatat dhe përfaqësuesit jugosllave. “Beogradi gjithmonë i përgjigjej vrasjes dhe terrorit me të njëjtën gjë. Skena e shkëmbimit të zjarrit në Ballkan ka qenë gjithmonë Republika Federale, dhe policia deri më tani ka qenë e pafuqishme për t’i dhënë fund rrëmujës”, shkruante “Der Spigel”.

Policia gjermane megjithëse kishte bërë të njohur se ishte vënë në përndjekjen e autorëve të vrasjes, por, nga ky shkrim mund të kuptohet qartë se revista po i jepte më shumë karakterin e një ngjarjeje konfliktuoze brenda skenës së emigracionit politik shqiptar, thjesht sikur një larje e hesapeve të shqiptarëve midis njëri-tjetrit.

Frika e Beogradit nga emigracioni shqiptar

Në fakt, kjo një ngjarje kriminale në tokën e shtetit gjerman nuk ishte as e rastit dhe as e izoluar, por vinte në një moment kur ishin bërë të qarta paralajmërimet për rindezjen e situatës në Kosovë dhe të konsolidimit të një fronti më të bashkuar në mesin e gradacioneve politike shqiptare në Perëndim nën drejtimin e vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës.

Por, kjo vrasje bënte të dukshme edhe një gjë, Beogradi kishte frikë nga grupet e angazhuara politikisht në mërgim, pasi ato i shihte si burim i trazirave në Kosovë. Vrasësit e shërbimit sekret jugosllav pistoletat e tyre i kishin drejtuar kundër kroatëve në mërgim, të cilët pas vitit 1981 dhanë shenja të afrimit me migracionin politik shqiptar. Por, derisa në disa raste të vrasjes së kroatëve në mërgim, përfshirja e Beogradit është vërtetuar qartë, në rastin e veprimtarëve, vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës mbetet edhe sot enigmë.

Për dallim nga zyrtarët sllovenë, kroatë, serbë e të tjerë, njerëzit e ish-nomenklaturës nga Kosova për katër dekada me radhë nuk kanë denjuar të japin shpjegime për këtë ngjarje dhe as për rastet e tjera të likuidimit dhe vrasjes së kundërshtarëve politik të regjimit jugosllav. Derisa në aktet arkivore të ish-Sigurimit të Shtetit Shqiptar për vrasjen në Heilbronn ekzistojnë kryesisht të dhëna sipërfaqësore, madje edhe kontradiktore, ndoshta për faktin se Shqipëria komuniste nuk kishte marrëdhënie diplomatike me RFGJ-në dhe për këtë arsye edhe operimi i njerëzve të shërbimit sekret nën petkun e diplomatit ishte më e vështirë. Në dosjen e ish-Sigurimit të Shtetit përmendet artikulli i gazetës “Stuttgaater Zeitung”, të datës 19 janar 1982, ku raportohej si vijon.

“Në një atentat të motivuar politikisht, natën e së hënës në Untergruppenbach, afër Heilbronit, janë qëlluar për vdekje tre jugosllavë që jetonin në ekzil. Dy vdiqën në vend, i treti vdiq disa orë më vonë në spital. Ai arriti të thotë se përgjegjës për vrasjen është Shërbimi Sekret Jugosllav. Tre të vrarët ishin me prejardhje shqiptare të angazhuar për lirinë e Kosovës, provincë kjo e shqetësuar në kufi me Shqipërinë.”

Image
Raporti sekret 4147 – D – 72, i dhënë nga shifra “926”, i datës 6.8.1982, sipas të cilit thuhet se në këtë vrasje e kishte organizuar shqiptari M. H., nga fshati Ishiq i komunës së Deçanit. Në raport thuhet se ai ishte vëllai i I. H., ish funksionar i UDB-së në Gjakovë në kohën e Rankoviqit

Koha që Kosova ta kërkojë dosjen nga UDB-ja, raporti sekret i Shqipërisë

Kjo ngjarje tragjike, e cila kishte ndodhur në qytetin e Gjermanisë Federale, në fakt ishte e pamundur të adresohej përmes kanaleve diplomatike nga shteti shqiptar për aq kohë sa tre të ekzekutuarit shqiptarë nga Kosova formalisht nuk ishin qytetarë të Shqipërisë. Po ashtu, si duket në kontekstin e Luftës së Ftohtë shërbimet informative gjermane dhe jugosllave kishin raporte intensive bashkëpunimi, pasi shteti i atëhershëm jugosllav gëzonte një status të privilegjuar në Perëndim për shkak të balancave gjeopolitike Lindje-Perëndim. Por, tani pas katër dekadave shteti kosovar ka të drejtën e ligjshme të kërkojë që dosjet me informacione për vrasjet e tilla politike dhe eliminime të tjera politike të realizuara nga bashkëpunëtorët e UDB-së t’i kalohen edhe Republikës së Kosovës, pasi që dokumentet e kësaj periudhe tashmë janë de klasifikuar.

Në raportin sekret të ish-Sigurimit të Shtetit Shqiptar, nr. 4147/72, të datë 28. 2. 1982, kur akoma nuk kishte informacione të mjaftueshme për vrasjen e emigrantëve politik shqiptarë, Sh. Perlat, përmes telefonit njoftonte se institucionet përgjegjëse në Tiranë se tre emigrantët politikë kosovarë, të cilët u vranë në Heinbronn, mbaheshin në lidhje nga shoku Engjëll Koloneci. Në pikën 7 të këtij raporti konstatohet se vrasja e Kadri Zekës dhe e vëllezërve Gërvalla ishte organizuar nga UDB-ja. Lidhur me këtë vrasje të emigrantëve politikë shqiptarë nga Kosova, në raport nënvizoheshin këto qëndrime:

“1. Puna e kontaktet e shokut tonë morën që në fillim karakter të fshehtë agjentural ngaqë takimet bëheshin jashtë selisë e në konspiracion të plotë. Këto janë mbajtur sekret edhe ndaj shokëve të ambasadës këtu. Është preferuar të lëvizet me kosovarë sesa me shokët tanë për kontakte me ta. Kështu kur ishte në Munich ka shkuar prej këtej në Shtutgart me një kosovar natën, duke qenë atje edhe tre diplomatë nga ne. Disave nga këta si K. Zekës i ka shkuar dhe në shtëpi. Kjo ka shkaktuar interes e kuriozitet në mes të tyre për këtë marrëdhënie.

2. Që të tri viktimat janë takuar kudo këtu në Austri, Gjermani e Zvicër, ka pasur edhe lëvizje me urgjencë duke u shkuar atyre edhe në vendet ku ndodheshin. Mendoja se nuk është pasur shumë kujdes për të ruajtur punën dhe ata vetë. Këta vetë kanë folur për këto kontakte me shokun Engjëll Koloneci.

3. Nga një punë e tillë lindën edhe thashetheme se këta janë udhëheqësit e punëtorëve, merren me organizimin e veprimeve patriotike, organizojnë demonstratat, futin literaturën në Kosovë, se këta nxorën çakmakët etj.

4. Me gjithë, sinjalizimet nuk u mor asnjë masë për të ulur e parandaluar zërat që rriteshin se veprimtaria jashtë drejtohet nga këta dhe ndihmohen nga ana jonë. Jo vetëm kaq, por edhe autorizimi për të lëvizur e shkuar kudo pa marrë miratimin e MPJ.

5. Përpjekjet që u bënë për afirmim e bashkimin e tyre në një qendër të vetme për krijimin e një komiteti, pa njohur thellë pozitën e secilit dhe bindjet politike, ideologjike të tyre nxorën dhe krijuan probleme midis tyre. Këto përpjekje bënë të njohur punën e personave e grupeve, gjë që mund të sjellë edhe ekspozimin e tyre e të lidhjeve që këta mbanin me shokun tonë, para UDB-së, sepse mendoja që duhet të ketë edhe agjentë ndër ta.

6. Telefonata e bërë për veprime të mprehta në drejtim të shokut tonë duhej marrë seriozisht, krahas kujdesit për të ruajtur veten, mendojmë se në forma e rrugë të ndryshme edhe këta duheshin sinjalizuar për të vënë roje për këtë tendencë të mprehtë të UDB-së.

7. Vrasja e tyre është organizuar nga UDB-ja.

8. Mendojmë që materialet e grumbulluara në qendër t’i analizojmë e të tërheqim detyra për punën tonë”.

“…këtë vrasje e kishte organizuar shqiptari M. H.”

Lidhur me këtë ngjarje ishin shtruar nevoja e informimit të KQ të PPSH-së, ndërsa M. Caka kishte vënë shënimin se do të bënte një informacion për shokun Ramiz (Alia) si dhe do t’i jepej një informacion edhe Hekuran Isait. Se kjo vrasje mund të jetë organizuar nga njerëz të UDB-së, flet edhe raporti sekret 4147 – D – 72, i dhënë nga shifra “926”, i datës 6.8.1982, sipas të cilit thuhet se në këtë vrasje e kishte organizuar shqiptari M. H., nga fshati Ishiq i komunës së Deçanit. Në raport thuhet se ai ishte vëllai i I. H., ish funksionar i UDB-së në Gjakovë në kohën e Rankoviqit. Për M. H thuhet se ishte në shërbim të UDB në federatë dhe se në atë periudhë ai ndodhej në Kosovë.

Por, është interesant se deri më sot asnjë nga ish-zyrtarët e sigurimit sekret (UDB) dhe as ish-pjesëtarë të establishmentit komunist të Kosovës, të cilët sigurisht se kanë qenë të informuar dhe mbase edhe të përfshirë në këtë vrasje, në rast se ajo ka qenë e organizuar nga shteti jugosllav, nuk kanë dhënë asnjë dëshmi apo informacion të drejtpërdrejtë apo të tërthortë si për këtë vrasje të bujshme në Gjermani, ashtu edhe për vrasjet e tjera politike brenda Kosovë, në ushtrinë jugosllave apo në Perëndim. Ata kanë preferuar të heshtin ose janë bërë si të painformuar. Në ndonjë prononcim sporadik ata kanë lënë të nënkuptohet se nuk kanë qenë në dijeni sesi organizoheshin këto vrasje politike, respektivisht kanë preferuar që përgjegjësinë ta zhvendosin në nivelin federativ.

Mbrojtësit e opsionit për luftë të armatosur dhe ideja e lirisë

Të paktën zyrtarisht, sipas “Der Spiegel”, gjermanët kishin ankesa sa i përket bashkëpunimit gjermano-jugosllav midis departamenteve të policisë. Politikanët jugosllavë mohojnë kategorikisht përfshirjen e shërbimit informativ të Beogradit përballë homologëve të tyre të Bonit. Në këtë kuptim, diskutimet e rregullta që kanë pozitat e larta të Ministrisë Federale të Brendshme me kolegët e Beogradit kanë ndodhur gjithmonë. Ministri i Brendshëm Franjo Herljeviq, një gjeneral i vjetër partizan dhe shoqërues i Titos, vetëm mohon dhe pretendon se një shërbim sekret jugosllav është aktiv në Republikën Federale.

Përveç kësaj, për aktivitetin e shqiptarëve, sipas autoriteteve gjermane, asokohe vetëm në Baden-Württemberg, jetonin rreth 2.000 shqiptarë, shumica e tyre me azil politik, ndaj ankohej Konsullata e Përgjithshme e Jugosllavisë Shtutgartit. Përveç kësaj, protestat shqiptare vëzhgoheshin dhe fotografoheshin nga agjentët dhe diplomatët jugosllavë dhe një gjëje të tillë nuk mund t’i shpëtonte as Kadri Zeka, i qëlluar për vdekje pranë Heilbronn, pasi tashmë ishte i njohur shumë në skenën politike në mërgim. Duket se vrasja ndodhi edhe për faktin se ai dhe vëllezërit Gërvalla angazhoheshin jo vetëm për bashkimin e organizatave shqiptare në mërgim në një front të përbashkët, por edhe mbronin opsionin e “luftës së armatosur” në Kosovë, e cila do të bëhej realitet një dekadë e gjysmë më vonë.

Por, këto krisma të armëve jugosllave në Heilbronn nuk mundën ta vrisnin idenë e lirisë të shqiptarëve të Kosovës, e cila në fakt gropimi pjesën e fundit të Versajës./koha.net

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here