Nga Berat Luzha
Liqeni artificial i Ujmanit ose Liqeni i Gazivodës është liqeni më i madh në Kosovë, një rezervuar i madh uji, i ndërtuar në luginën e lumit Ibër. Liqeni ka gjatësi 24 km, gjerësi deri 1300 m, thellësi 107 m dhe sipërfaqe të tërësishme prej 11.9 km, ndërsa kapaciteti i tij është rreth 400 milionë metra kub ujë. Sipërfaqja e liqenit ndodhet në nivelin 694 m të lartësisë mbidetare dhe shtrihet në dy shtete; rreth 80 për qind e sipërfaqes së liqenit ndodhet në Republikën e Kosovës, komuna e Zubin Potokut (9.2 km2) dhe rreth 20 për qind ndodhet në Republikën e Serbisë, komunat Tutin dhe Pazari i Ri (2.7 km2).
Diga e liqenit, e ngritur në rrjedhën e mesme të lumit Ibër në vitet 1979 – 1984, është ndër digat tokësore më të mëdha në Evropë. Nën digën e lartë 107 metra dhe të gjatë 460 metra, ndodhet hidrocentrali i Ujmanit, me dy turbina, kapaciteti i të cilave është dy herë nga 17.5 MW, gjithsej 35 MW. Diga ndodhet rreth 25 km nga Mitrovica, nga përshkon rruga Mitrovicë – Rozhajë – Podgoricë. Në fshatin Bërnjakë, mbi liqen, është ndërtuar vendkalimi kufitar mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.
Nga Liqeni i Ujmanit furnizohen me ujë dy termocentrale, Kosova A dhe Kosova B. Uji nga ky liqen, përmes hidrosistemit “Ibër – Lepenc”, përdoret për nevoja industriale të kompanisë “Ferronikel”. Kanali i “Ibër – Lepencit”, i gjatë 49 km, kalon nëpër 33 fshatra dhe dy qytete, si dhe nëpër territorin e komunave Zubin Potok, Mitrovicë, Vushtrri, Obiliq dhe Prishtinë. Gjithashtu, furnizon me ujë të pijes një pjesë të Kosovës, përkatësisht komunat Mitrovicë, Vushtrri, Drenas, Skënderaj, Kastriot, Fushë – Kosovë dhe një pjesë e Prishtinës. Përmes këtij kanali ujiten rreth 12 mijë hektarë të tokës bujqësore në pjesën e epërme të Kosovës. Në raste të thatësirës së madhe, sikur në vitin 2014, uji nga Liqeni i Ujmanit është shfrytëzuar edhe për mbushjen e dy liqeneve nga furnizohet Prishtina me ujë; Liqeni i Batllavës dhe Liqeni i Badocit. Vlerësohet se pa ujin e Liqenit të Ujmanit do të paralizohej sistemi energjetik i Kosovës, rrjedhimisht edhe ekonomia e Kosovës.
Mirëpo, ky liqen sot e disa vite më parë është bërë mollë sherri mes R. së Kosovës dhe R. së Serbisë. Serbia pretendon ta përvetësojë me çdo kusht pronësinë mbi liqenin, bashkë me hidrocentralin e Ujmanit, kombinatin Trepça dhe trafon e Vallaçit. Një marrëveshje për energjinë elektrike mes R. së Kosovës dhe R. së Serbisë është nënshkruar në Bruksel në vitin 2015, por e pazbatuar nga ana e Serbisë.
Serbia këmbëngulë se pronësia e liqenit i takon asaj, me pretekstin se gjoja e ka paguar borxhin e trashëguar nga Jugosllavia për ndërtimin e digës në vitet 70-ta. Ndërsa, është dokumentuar se diga e liqenit dhe hidrocentrali i Ujmanit janë financuar plotësisht nga fondet e Kosovës, me qëllim të përmbushjes së nevojave ekonomike dhe të qytetarëve të Kosovës. Madje, është dokumentuar se janë dëmshpërblyer nga fondet e krahinës së atëhershme të Kosovës të gjithë të zhvendosurit për shkak të ndërtimit të liqenit, si në Kosovë, ashtu edhe në Serbi. Dokumentet e Bankës Botërore kanë treguar se tërë projekti ka kushtuar 90 milionë dollarë; BB i ka dhënë 45 milionë dollarë hua dhe po aq janë siguruar nga fondi federativ për zhvillimin e viseve të pazhvilluara përmes Bankës së Kosovës. Në të kundërtën e tërë kësaj, Serbia vazhdon luftën e ashpër politike për ta përvetësuar këtë liqen, madje edhe duke u kërcënuar se, nëse nuk i njihet pronësia, do ta devijonte rrjedhën e lumit apo do ta ndërtonte edhe një digë sipër liqenit të tanishëm për ta zbrazur Liqenin e Ujmanit dhe për të shkaktuar kollaps ekonomik në Kosovë.
Është interesant se me liqenin udhëheq një kompani publike serbe e Kosovës, ndërsa me hidrosistemin “Ibër – Lepenc” udhëheqin dy kompani; “Ibër – Lepenc” (i Kosovës) dhe “Ibar” (kompani e Serbisë, me qendër në Zubin Potok, e themeluar në vitin 2002), të cilat nuk e njohin njëra – tjetrën. Kuvendi i Kosovës, si themelues i ndërmarrjes “Ibër – Lepenc”, e ka përcaktuar këtë ndërmarrje si menagjuese të Liqenit dhe të gjithë sistemit përcjellës të saj, kurse qeverinë e Kosovës, si pronare të saj. Në Shipol të Mitrovicës ndodhet edhe fabrika për përpunimin e ujit të pijes, që furnizon me ujë, pos tjerash, edhe Mitrovicën e Veriut dhe Zveçanin.
Pjesë e marrëveshjes së 4 shtatorit 2020, e nënshkruar në Uashington nga kryeministri i Kosovës (A. Hoti) dhe kryetari i Serbisë (A. Vuçiq), në prani të presidentit të SHBA-së, (D. Trump), është futur edhe Liqeni i Ujmanit. Në marrëveshje është saktësuar se do të bëhet një studim fizibiliteti nga Departamenti i Energjetikës i SHBA-së për ndarjen e liqenit apo për shfrytëzim të përbashkët të tij mes Kosovës dhe Serbisë. Madje, me këtë marrëveshje, e cila deri tash nuk është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës, Serbia është bë palë në pronësi. Gjithashtu, me këtë marrëveshje liqeni mori edhe një emër të ri, emrin e tretë. Ky liqen sot njihet si Liqeni i Ujmanit, nga shqiptarët, si Liqeni i Gazivodës, nga serbët dhe Liqeni Trump, si emër i përbashkët zyrtar, por që nuk është përvetësuar.
Përkundër shumë problemeve që trazojnë dy shtete, Liqeni artificial i Ujmanit fle qetas mes Kosovës e Serbisë. Ai është një pasuri strategjike, që ndikon drejtpërdrejt në rrjedhat jetësore ekonomike, veçanërisht në energjetikën e Kosovës.
Liqeni i Ujmanit është një liqen i mrekullueshëm i shtrirë mes maleve, me ujë e ajër të pastër, i shpallur zonë e mbrojtur e rëndësisë së veçantë. Liqeni, si rrallëkund tjetër, mund të përdoret edhe për çështje rekreative, për peshkim, për pushim e për sporte në ujë. Si i tillë, është një pikë e rëndësishme turistike, i shtrirë në një natyrë fantastike.