Nga: Camille Ralphs
Lord Bajroni (1788-1824) është një ndër eksportet më të mëdha të Mbretërisë së Bashkuar. Atëherë, pse kaq shumë njerëz e trajtojnë me kujdes dhe me turp? Ndoshta e gjykojmë për pasionet e tij tronditëse (jo më pak me Augustën, me gjysmë motrën e tij, dhe me shumë gra dhe burra të botës) – ose i urrejmë sjelljet e tij. Ndoshta fjala është për punën e tij: mijëra faqe me rima të ethshme e ndonjëherë fëmijërore. Ose, ndoshta kemi frikë se ai – siç deklaroi dikur [William] Wordsworth – ishte “i çmendur”. Në Greqi, në ndërkohë, ai është hero kombëtar: vdiq në moshën 36-vjeçare – 200 vjet para kësaj pranvere – në Mesollonjë gjatë Luftës së Pavarësisë Greke, në të cilën ai i drejtoi fushatat dhe dha mbështetje materiale.
Biografitë e shumicës së poetëve janë ose të pashkruara ose të palexueshme, por Bajroni ka dhjetëra – që të gjithat interesante. Çdo kronikan i Bajronit, që nga Thomas Moore (1830), ka pasur informata për kujtimet vulgare të poetit. Ato u dogjën. Por, Moore i përdori për shkrimin e tij dhe ne e dimë se ato shënuan takimin e pafat të Bajronit me Annabella Milbankein dhe vitet e tij të kënaqësisë luksoze në Venecia më 1816-19. (Letrat sugjerojnë se të paktën 200 gra ishin në shtratin e tij në atë kohë, disa ishin motra, shumica të paguara.) Dhe, e dimë se çfarë nuk kishte te to: transformimi përfundimtar i Bajronit në një ushtarak relativisht të vetmuar.
Letrat për të dhe nga ai e tregojnë mirë ndryshimin e tij thelbësor. Është e vlefshme biografia e re e Andrew Staufferit, Bajroni: Një jetë me dhjetë shkronja e cila çdo kapitull e fillon me një shkronjë nga pena e poetit (dhe citon me empati edhe letrat e grave). Është shtesë e biografive, por struktura e tij e mozaikut ngathët merret me evolucionet e Bajronit.
Një nga argumentet e Staufferit është se kontesha Teresa Guiccioli ishte dashuria më e madhe e Bajronit. Kjo mund të thuhet, ndonëse është e diskutueshme – John Hobhouse shkroi se partneriteti nuk ishte i mirë, se “[Bajroni] ma tha krejt të kundërtën”. Teksa Teresa ishte e dashura e tij më e pabraktisur, me gjasë e fundit, arsyeja e Fiona MacCarthyit ka mbetur bindëse: “Bajroni lulëzoi në vështirësi”, duke mbajtur gjithmonë një mur mes vetes dhe atyre që pretendonte se i donte. Për shkak se Teresa ishte e martuar, Bajroni nuk mund të ndihej i bllokuar prej saj. Letra më e sinqertë e dashurisë që ai shkroi ndonjëherë ishte për të, në anglisht. Por, ai nuk pranoi t’ia përkthente dhe e la edhe atë, më në fund, kur ra në dashuri me Greqinë.