“Më ka ndodhur shumë herë në provime të dëgjoj nga studentët të më thonë se ‘Sokrati kishte pohuar se di se nuk di asgjë’. Dhe këtë përpiqeshin të ma argumentonin me këtë apo atë libër nga ky apo ai autor dhe e vërteta ishte se interpretime të tilla nuk është se nuk ekzistojnë. Në fakt, ky është keqkuptimi më elementar i maksimës epistemologjike të Sokratit”, shkruante profesor Kadri Metaj (1 gusht 1954 – 2 shkurt 2024) në këtë shkrim, botuar për herë të parë në Shtojcën për kulturë të “Kohës Ditore”, më 11 prill 2020, e që ribotohet në shenjë kujtimi

Ky është titulli i intervistës së filozofit gjerman Jürgen Habermas mbi krizën aktuale të koronavirusit, dhënë këto ditë (prill, 2020 v.j.) gazetës “Frankfurter Rundschau”, pjesë të së cilës në shtypin tonë solli gazetari i mirënjohur Enver Robelli. Pa kaluar shumë orë nga publikimi, miqtë dhe studentët më kërkuan një koment mbi atë se si mund të zbërthehet kjo ide e Habermasit dhe nëse kjo ishte diçka e re në filozofinë e Habermasit? Apo edhe në epistemologji në përgjithësi?

Për lexuesit me kënaqësi do të provoj të shpjegoj dimensionet e shumta filozofike të këtij konstatimi, i cili nuk është thjesht një thënie, por që lidhet me projektin e modernitetit, i cili sipas Habermasit është një projekt i pakryer, përkatësisht i lënë përgjysmë.

Sa për fillim më duhet të konstatoj se nuk kemi të bëjmë me një ide të re, sepse në formën e saj më iniciale atë e gjejmë qysh në filozofinë antike te Sokrati, i cili pohonte se “unë di se nuk di”.

Në fakt dija për mangësitë e dijes që posedojmë apo për karakterin linear të dijes përbën presupozimin themelor të dijes jodogmatike, e cila mbetet e hapur për dije dhe sfida të reja e të pafundme. Jo rrallë nëpër librat e filozofisë, konstatimin e Sokratit e gjejmë të deformuar dhe të keqkuptuar. Më ka ndodhur shumë herë në provime të dëgjoj nga studentët të më thonë se “Sokrati kishte pohuar se di se nuk di asgjë”. Dhe këtë përpiqeshin të ma argumentonin me këtë apo atë libër nga ky apo ai autor dhe e vërteta ishte se interpretime të tilla nuk është se nuk ekzistojnë. Në fakt, ky është keqkuptimi më elementar i maksimës epistemologjike të Sokratit, i cili Sokratin e përkthen krejt gabimisht, në vend të njeriut të mençur dhe filozof, në budalla i cili vetë paska pohuar se nuk di asgjë. Ky është leximi më i gabuar dhe joprofesional i filozofisë së Sokratit, pasi ai në fakt dëshironte të na thoshte se unë di disa gjëra apo se zotëroj një vëllim të caktuar të dijes, por se jam i vetëdijshëm se ajo çka unë di, është e kufizuar dhe e pamjaftueshme dhe se dija dhe raporti i njeriut me dijen është raport absurd, pasi sa më shumë që dimë, aq më shumë kuptojmë se dija që zotërojmë është e pjesshme dhe e paplotë.

Shtrirja e maksimës së Sokratit në kohën e sotme

Pohimi i filozofit gjerman Jürgen Habermas: “Kurrë nuk ka pasur më shumë dituri për paditurinë tonë” është plotësisht në përputhje me maksimën e Sokratit, por për dallim nga antikiteti sokratik, Habermasi këtë maksimë e zhvillon dhe e shtrin në kohën tonë, përkatësisht në modernitet. Është i famshëm, mbase një nga librat më të mirë në fushën e filozofisë, libri i Habermasit me titull “Diskursi filozofik i modernes”, i botuar rreth tridhjetë vjet më parë e që është një manual bazik për ta kuptuar kohën tonë.

Për dallim nga disa mendimtarë francezë, si Lyotar, Deleuze e të tjerë – të cilët shkruan shumë libra për të treguar se moderniteti është një projekt i kryer dhe i tejkaluar dhe se ne ka kohë që jetojmë në epokën postmoderne – Habermasi insiston në shpjegimin se moderniteti është një projekt i pakryer dhe paradoksalisht, këtë në mënyrën më lapidare e provon në intervistën e tij në lidhje me koronavirusin.

Të gjithë ne njerëzit e rëndomtë, por edhe shkencëtarët e fushave të ndryshme dhe madje edhe liderët politikë botërorë kemi shprehur habinë se si një virus mikroskopik e ka sfiduar kaq seriozisht civilizimin apo modernitetin tonë, madje deri në ato përmasa, sa me të drejtë po thuhet se ky virus ka shkaktuar krizën më të madhe që nga Lufta e Dytë Botërore dhe se botën, apo modernitetin tonë e ka sfiduar seriozisht, duke e vënë në dyshim aftësinë apo kapacitetin tonë për t’u përballur me këtë sfidë. Shkrimet dhe komentet qe nga shfaqja e COVID-19 kanë qenë të shumta dhe emëruesi i tyre i përbashkët (nëse përjashtojmë ato me prapavijë konspirative), është se virusi ka bërë që neve na mbetet të nxjerrim mësimet e nevojshme, të cilat janë të shumta, që nga shkenca dhe hulumtimet, pa përjashtuar aty dimensionin shumë të rëndësishëm të bio-etikës, nëpër mësimet mbi sistemin shëndetësor (nëse ai duhet të jetë privat apo publik), sepse në të gjitha vendet e botës pacientët me apo pa sigurime shëndetësore, të pasur apo të varfër, u dyndën nëpër spitalet publike, ndonëse nuk mund të themi se ato private abstenuan plotësisht për të ofruar ndihmë, por ato kërkuan shumë para, qoftë edhe për të ofruar shtretër pa trajtim shtesë; po nxjerrim gjithashtu mësime mbi qeverisjen dhe politikën, mbi ekonominë dhe fizionominë e krizave dhe menaxhimin e tyre, mbi marrëdhënien midis degëve të ekonomisë dhe industrisë, pasi po shohim se segmente të tyre madje mund të nxjerrin fitime marramendëse edhe në kohë pandemie, si farmacia, bie fjala, kurse disa rrezikojnë të falimentojnë, si puna e turizmit apo edhe të shërbimeve të ndryshme.

Përderisa po trajtoj këto mësime, më duhet shkurtimisht të konstatoj se ne në Kosovë madje konstatuam edhe deficitet tona shqetësuese politike pikërisht në kohë pandemie dhe ky mbase duhet të jetë paralajmërimi më serioz për atë çka na pret dhe kah duhet orientuar energjitë e pashfrytëzuara në të ardhmen.

Moderniteti i pakryer dhe hulumtimi i pasigurisë

Intervista e Habermasit, përveçse argumenton mendimin e tij të kahershëm se moderniteti është një projekt i pakryer, sugjeron se ai duke mos pasur një projekt tjetër konkurrent ishte llastuar apo ishte bëre sikurse njeriu narcizoid, i cili, duke e pasur veten në qejf edhe ishte bërë arrogant, pasi prej kohësh po mendonte se nuk mund të sfidohej seriozisht dhe po përjetonte njëfarë vetëkënaqësie dhe bashkë jetese me idenë e mirëqenies dhe prosperitetit, sidomos në trajtën e neo-liberalizmit, pasi duhet sjellë ndërmend se Habermasi gjithë jetën ka zhvilluar teorinë kritike, duke e rrumbullakuar me analizën dhe arsyetimin e shtetit demokratik ligjor.

Pikat e dobëta të modernitetit tonë, Habermasi i gjurmon përmes hulumtimit të pasigurisë, pasi, siç deklaron ai, shoqëritë tona komplekse prej kohësh po ballafaqohen me pasiguri të mëdha, të cilat pikërisht pandemia COVID-19 edhe një herë i ka nxjerrë në sipërfaqe si asnjëherë më parë.

Me një fjalë, për të kuptuar dimensionet filozofike të intervistës së Habermasit, duhet kuptuar postulatin filozofik të dijes në shoqëritë moderne dhe faktin se koronavirusi na ka dëshmuar se njerëzimi duhet të rreket akoma më shumë drejt dijes, i vetëdijshëm se ajo nuk ka një stad ku shpallet e mjaftueshme dhe se dijen duhet vënë në shërbim të njeriut dhe dinjitetit të tij, si dhe në shërbim të përmirësimit të sigurisë së njeriut si në aspektin e ekonomisë, punës dhe mirëqenies, po ashtu edhe në aspektet e tjera që kanë të bëjnë me paqen dhe shmangien e kërcënimeve të luftërave dhe gjithçka tjetër që ato prodhojnë, sepse në botën bashkëkohore të ndërthurur kaq shumë edhe falë teknologjisë, është iluzion të mendohet se ka shoqëri superiore dhe inferiore dhe prandaj pandemia na ka treguar se njeriu është njësoj i rrezikuar si në Londër e Paris dhe New York, si në Teheran dhe Ankara apo kudo qoftë si puna e Afrikës.

Për nevojat e lexuesit mesatar, për ta kuptuar më mirë pozicionimin e Habermasit karshi modernitetit dhe sfidave të tij, me pak fjalë po i referohem një shpjegimi të shkurtër të vetë termit: moderniteti vjen nga fjala latine “modo”, që do të thotë “tani”, por ky është vetëm kuptimi i fjalës, që na bën të kuptojmë të tashmen apo kohën që po jetojmë, apo siç themi shpesh me terminologjinë filozofike, “frymën e kohës sonë”.

Në filozofi, modernizmi konsiderohet kohë dhe drejtim që ka kritikuar dogmat e mësimeve fetare dhe që i vendos mendjen dhe fuqinë e saj në qendër, jo vetëm të debatit filozofik, por edhe të sjelljes dhe veprimtarisë së njeriut, apo thënë ndryshe, aftësinë e njeriut që ta përdorë mendjen në funksion të mirëqenies dhe prosperitetit të tij si qenie humane.

Ideja e modernizmit mund të konceptohet si e brenda-mbërthyer “në kornizën e një vetëdijeje të caktuar për kohën, pra të kohës historike, lineare dhe të pakthyeshme e cila rrjedh pandalshëm përpara”.

Prej kohësh njeriu modern, modernitetin e ka adaptuar si një mënyrë jetese apo edhe si një mori veprimesh e sjelljesh, por edhe përvetësim vlerash me të cilat njeriu evropian deshi të identifikohej dhe ta sendërtonte dhe që mandej përmes revolucionit industrial u përhap në të gjitha vendet e botës.

Vetë ideja e modernitetit e ka të ngjizur si pjesë të veten inherente lirinë dhe shtrirjen e saj në domene dhe aspekte të veçanta dhe prandaj sot, kur jemi të sfiduar, apo kurdoherë tjetër, moderniteti nuk mund të kuptohet, por as të sendërtohet pa organizimin social, shtetin, kulturën (përfshirë këtu medoemos edhe kulturën politike), artin, ndërtimin, qëndrimin ndaj tjetrit, ndaj besimit apo besimeve fetare dhe të gjitha diskurseve të tjera që prodhojnë këto raporte.

Apeli për shpëtim jetësh

Tani po t’i rikthehemi idesë së Habermasit, ndonëse ai në moshën që është si nëntëdhjetëvjeçar, deklaron shkurt se mund të thotë diçka “që po i bie ndërmend, apo po i sillet nëpër kokë këto ditë” dhe pikërisht ajo çka një njeriu në atë moshë, qoftë ai filozof, si Habermasi, apo njeri i zakonshëm, është pra pasiguria për jetën dhe ekzistencën në kohë pandemie.

Habermasi, për të dëshmuar edhe një herë se moderniteti si projekt social dhe kulturor nuk është tashmë i kryer dhe aq më pak i tejkaluar, na rikujtoi se si njerëzit përmes medias po këshillohen (pra media është faktor relevant i shoqërisë moderne dhe prandaj si e tillë duhet të jetë e përgjegjshme), që të izolohen dhe të mbajnë distancën sociale, të mbajnë higjienën (a mos kishim harruar dhe po bëheshim të ndotur dhe madje po ndotnim ajrin dhe natyrën) dhe sigurisht se nuk mund të bëhemi postmodern duke harruar kaq shpejt diçka esenciale qe na ka mësuar moderniteti, nëse fare e kemi mbajtur në mend dhe përvetësuar.

Madje ai tërheq vëmendjen jo vetëm lidhur me sjelljen e pakujdesshme, por edhe lidhur me parashikimet e pakujdesshme se çka do të vijë pas pandemisë.

Natyrisht ideja qendrore që përçon Habermasi është apeli dhe fokusimi në detyrën për të shpëtuar çdo jetë e që nuk ka të bëjë me ndonjë qëndrim spekulativ filozofik, por që vlerën e modernitetit dhe epërsinë e tij i shquan pikërisht kapaciteti për të shpëtuar jetë njerëzish, pa marrë parasysh moshën, profesionin, kombin apo racën.

“Po qe se shteti e lë epideminë të shtrihet pa pengesë, në mënyrë që sa më shpejt të arrihet një imunitet i mbarë i popullsisë, atëherë ai merr mbi vete rrezikun e shmangshëm të kolapsimit të parashikueshëm të sistemit shëndetësor dhe vdekjen e një pjese të madhe të njerëzve”.

Pra, siç e thashë në krye të herës, Habermasi prej deceniesh e kishte emërtuar modernitetin projekt dhe e sheh si lëvizje apo edhe sjellje kulturore, që shfaqet si përgjigje për problemet, çfarëdo qofshin ato, e që lindin si rezultat e jetesës apo edhe i marrëdhënieve të njerëzve në domene të caktuara të jetës.

Si atëherë, si tani kur flet për COVID-19, Habermasi mbron të njëjtën vijë konstante e që ka të bëjë me gjetjen e mënyrës apo edhe të mënyrave për ta lidhur dijen e specializuar, e cila ishte shfrenuar nga procesi i iluminizmit, me mendimin praktik dhe proceset e jetës së përditshme, për ta shfrytëzuar potencialin e saj më mirë, duke e lidhur dijen me botën e jetës dhe interesin e përbashkët. Me një fjalë, projektet e shtruara nga moderniteti nuk janë zgjidhur akoma, madje janë larg, se madje përpjekjet (bukur të shpeshta) edhe lokale, edhe planetare për ta kthyer projektin modern prapa, jo vetëm që janë të kota, por edhe mund të na kthehen bumerang dhe pasigurinë e jetës tonë ta zmadhojnë akoma më shumë.

Ai madje në shkrimet e tij te diskursi filozofik i modernes polemizonte me disa pikëpamje anti-modernitet, ku përmend tri iniciativa: E para, sipas tij, ishte ajo e Alexander McIntyre, i cili bënte thirrje për rigjallërimin e traditës tomiste të virtyteve morale; e dyta kishte të bënte me Martin Heiddeger, që, sipas tij, e mirëpret kthimin te një mënyrë jetese tradicionale, apo në format paramoderne të të jetuarit dhe e treta është iniciativa postmoderniste.

Po t’i shkoqisim qoftë edhe përciptazi këto iniciativa, na rezulton se projekti modern i shoqërisë jo vetëm që është i pakryer, por edhe i rrezikuar nga shumë anë dhe faktorë. Kështu bie fjala mosgatishmëria, qoftë nga padija, qoftë nga ndonjë motiv tjetër për të ndërtuar shoqëri dhe shtet demokratik, është sjellje antimoderne, mosrespektimi i votës së lirë është po kështu sjellje antimoderne dhe kundër sigurisë; tradicionalizmi dhe nënvlerësimi i gjinisë apo racës, janë sjellje antimoderne, keqpërdorimi i medias për qëllime propagande dhe jo për informim janë sjellje antimoderne; korrupsioni dhe abuzimi me pushtetin janë sjellje antimoderne; ngatërrimi i besimeve fetare me shtetin apo mosrespektimi i parimit të ndarjes së fesë nga shteti janë sjellje antimoderne; pabarazia dhe diskriminimi, kudo e kurdo janë sjellje antimoderne; mospërvetësimi i komunikimit modern që respekton personin dhe dinjitetin e tij është sjellje antimoderne; debati politik dhe përçarja në kohë pandemie është sjellje antimoderne dhe johumane; pabarazia para ligjit dhe mosrespektimi i të drejtave të njeriut janë sjellje antimoderne; dhe lista nuk mbaron me kaq, por nuk po e zgjas më shumë, sepse në kohë të pandemisë, nga karantina unë këto ditë dhe javë kam shkruar edhe për pamjet orveliane nga Parlamenti i Kosovës, edhe për rrëzimin e Qeverisë në kohë pandemie, edhe për plot paradokse dhe absurde të tjera dhe prandaj solla ndërmend përmes një analize të intervistës së Habermasit, jo vetëm faktin se moderniteti nuk është projekt i kryer, por ndoshta edhe faktin trishtues se ai këtu, në realitetin tonë ose akoma nuk ka filluar, ose është fare në fillim dhe i pakuptuar apo edhe i keqkuptuar, ashtu siç është e keqkuptuar ajo maksima e Sokratit, për të cilën fola në fillim të shqyrtimit. Ka pasur debate vite më parë nëse ne jemi popull modern evropian apo mbase oriental dhe shumë njerëz që njoh unë kanë pohuar madje edhe insistuar se ne jemi popull modern evropian. Puna është që neve nuk na mjafton vetëm ta pohojmë, apo edhe të akuzojmë të tjerët nëse nuk jemi mjaftueshëm modernë dhe evropianë, se dikush na paska penguar për të qenë të tillë. Pra na mbetet të reflektojmë seriozisht dhe mbase edhe të bëjmë përpjekje të aplikojmë atë që Habermasi e thotë që në titull: “Kurrë nuk ka pasur më shumë dituri për paditurinë tonë!”

Ky shkrim i Kadri Metajt (1 gusht 1954 – 2 shkurt 2024), është botuar për herë të parë në Shtojcën për kulturë të “Kohës Ditore”, më 11 prill 2020/koha.net

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here