I burgosuri Ndoc Misloca tregonte se si kryehetuesi i Degës së Punëve të Brendshme Durrës, Nazmi Brinja, e kish torturuar me ditë të tëra, duke i kërkuar makinën e shkrimit me të cilën Ndoci, i shkruante letra kunatit të tij në Itali.
Ndoci pohonte se letrat i shkruante me makinën e shkrimit që ndodhej në zyrën e tij, ku ai punonte si shef llogarie. Nazmiu tërbohej nga zemërimi dhe e godiste me shkelma duke bërtitur: “Pse gënjen mor armik i fëlliqur!? Si ka mundësi që makinat tona të shkrimit të shkruajnë italisht?!”. I shkreti Ndoc i lutej kryehetuesit që t’ia provonte pohimin me makinën e shkrimit që ndodhej në tavolinë, po ku dëgjonte injoranti Nazmi fjalët e një “armiku të popullit”.
Torturat vazhdonin dhe brinjët e të mjerit Ndoc, dërmoheshin nga shkelmat e xhelatit Nazmi, gjersa një ditë, një hetues i ri, i kishte provuar kryehetuesit se makinat e shkrimit që përdoreshin në Shqipëri, mund të shkruanin çdo gjuhë të botës që përdorte alfabetin latin