Janë njëzetekatër piktura me të cilat Gazmend Leka “zbret” në dhomat e errëta të krimit ndaj popullatës civile shqiptare. Prej aty hedh dritë me ngjyrë e penel për shoqërinë që sipas tij “ka filluar të harrojë”. U bashkuan në ekspozitën “Abel” e cila në tetorin e vitit 2023 u hap në Tiranë, aty ku jeton dhe vepron artisti. Më 2024 është çerekshekulli i çlirimit, por Leka thërret kundër harresës

Kur duket se njeriu i rrëmben çelësat e një tjetër bote, mjeshtri i pikturës Gazmend Leka, mbyll dyert e harresës. Është besnik i penelit. Të kaluarën e bën një me të tashmen, lufton zbehjen e saj. Arti është arma e tij. Me të prek në plagën e së kaluarës.

Cikli i pikturave “Abel” është kronikë morti e dukshme e pasojave të veprave të armikut. Kaini është emëruesi për krijimin e imazheve tronditëse. Veprat janë zhytje në përjetimet e ngjarjeve viteve 1998/1999. Më 2024, Kosova shënon çerekshekullin e çlirimit por Leka dokumenton dramën që e përgjaku shekullin.

Leka as nuk gjykon, as lë vend për dykuptimësi. Veprat janë të qarta. Janë dokumentim i imazheve reale. Melosit katër dekadash të piktorit i janë bashkuar edhe shenjat e luftës. Janë njëzetekatër piktura me të cilat ai “zbret” në dhomat e errëta të krimit. Prej aty hedh dritë me ngjyrë e penel për shoqërinë që sipas tij “ka filluar të harrojë”.

Pos se i ishte dashur të thellohej në përjetimet e protagonistëve të veprave, po e përjetonte të njëjtën dhimbje. Emocionet shpesh i përkthen në heshtje e drithërim zëri derisa flet për trajtimin në pikturë të njerëzve të masakruar. Për një vit ishte zgjuar me imazhet e viktimave.

“Ishte shumë e rëndë të jetoja me viktimat”

“Për mua ishte shumë e rëndë të jetoja me viktimat. Njerëzit që nuk kanë lidhje me pikturën mendojnë se piktorët merren me natyrat e qeta, peizazhe, lule. Kam kaluar muaj të tmerrshëm, dëgjoja njerëz që flisnin nëpër çfarë kanë kaluar që të agresivizoja veten që të shikoja se çfarë kishte ndodhur, të rikujtohesha edhe njëherë. Dhe e bëra. Doja të bëja diçka tronditëse. Nuk ishte esenca të tregoja edhe njëherë çfarë kishte ndodhur, unë po tregoja emocionin tim”, është shprehur Leka i cili ka treguar se nuk donte t’i personifikonte protagonistët.

Donte ta bënte të dukshme jo veç trajtimin çnjerëzor, por atë që e quan si thertore, ku njerëzit vrasin njerëz pa mëshirë. Aty njeriu dhe njeriu janë Abeli dhe Kaini në kuptimin e njerëzimit.

Sakrifica, masakra jo shpesh është trajtuar në mediumin e pikturës nga artistët në Kosovë. Leka ka thënë se u takonte piktorëve në vend ta bënin, por se ishin shumë afër ngjarjes dhe duheshin të largoheshin për ta pasqyruar atë. Sipas tij, “piktura nuk është zëdhënëse e historisë, por se edhe historia është aty”.

“Ishte një hap që duhesha ta bëja në krijimtarinë time. Kjo ngjarje që unë zgjodha ta bëja janë si dy paralele. Ato nuk priten në gjeometri. Unë i preva, i bashkova diku larg në një pikë. Gjithë atë lloj agresiviteti, mendimi të thellë për sakrificën, unë e kalova atje. Sepse ishte një sakrificë shumë e madhe ajo që ndodhi. Thashë se më erdhi rasti që gjithë temën ta çoja tek ngjarja konkrete dhe ku njerëzit janë të ndjeshëm në fund të fundit”, ka thënë Leka i cili ka treguar se ishte frymëzuar nga gjykimet e ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Gjykatën Speciale për krime lufte, derisa krahu i djathtë i kasapit Millosheviq, e qeveris shtetin fqinj dhe e bën atë viktimë.

Konceptin e tematikën për ekspozitën e tij të ardhshme veçse e ka konkretizuar. Do të trajtonte sakrificën. Ende po mblidhte copëzat e ideve. Përfundimisht u pozicionua për të kthyer në piktura imazhet e vërteta në fotografi. Skenat e krimit të viteve 1998 e 1999 i kishte përjetuar nga ekrani. Ato i ka ende të freskëta. Përjetim rishtas ka qenë dhënia e formave me ngjyra vaji në pëlhurë.

“Nuk mundem dot të barazohem me ato vuajtje, me tmerrin që ka hequr populli ynë në atë pjesë. Kur e shikonim nga televizori dridheshim, nevrikoseshim, shanim, bërtisnim. Ishim si të paralizuar nga një masakër që po ndodhte në një shekull ku njerëzit mendonin se tash ka ardhur begatia në këtë botë, se njerëzit janë më të kulturuar, më të shkolluar, dhe se luftërat, të paktën në territorin tonë, kanë marrë fund”, është shprehur Leka.

me mjeshtëri i bën të gjalla faktet. I përball me folklorizmat që jehojnë tash e një çerekshekull. Aty ku heroizmi ishte shtresë me të cilën mbuloheshin viktimat, vuajtjet, masakrat, krimet.

“Nuk tregova UÇK-në, tregova masakrën”

“Nuk tregova UÇK-në, tregova masakrën. Një thertore që ka ndodhur në shekullin e fundit në vendin tonë. Aty e përqendrova. Njerëzit sigurisht do të kërkojnë shumë heronj të luftës së Kosovës, unë doja të bëja atë që ndodh në thertore, ku qengji theret pa i ardhur keq”, ka thënë piktori Leka që për një çast ndërpret fjalën. Vështirë e merr veten nga emocionet.

“Kam vendosur pak gjëra që mund ta identifikojnë luftën. Janë disi skena të rënda. Kam shfrytëzuar materiale fotografike pa fund. Shfrytëzova të gjitha materialet dhe me dhimbje të madhe… i vendosa në veprat e mia”, ka thënë Leka me zërin e dridhur.

Në vepra janë tanket e automatiku i armikut. Nuk është vetëmbrojtja e vendit. Janë torturat, vuajtjet, dhunimet, përballja me humbjen e të dashurve. Autori është shprehur se donte të angazhonte “shpirtin e shqiptarëve për të parë kasaphanën”.

“Më vjen keq që nuk mundesha të vendosja aty vetëmbrojtjen e vendit. Nuk mundem dot, e kam të lokalizuar, doja t’u thosha njerëzve se kjo është një tmerr”, ka thënë ai duke përmendur ato pak elemente që e identifikojnë popullin mbi të cilin është kryer krimi.

“Kam vënë një pikturë ku janë dy arkivole fëmijësh, nga ato pak gjëra që kam bërë, e kam mbuluar me një flamur shqiptar, thjesht për të dhënë një indikacion, sepse nuk doja të bëja diçka folklorike. Ka një pikturë ku janë disa qeleshe të shqiptarëve të veriut”, ka treguar Leka.

Leka është edhe grafist e regjisor i disa filmave vizatimorë. Veprimtarinë e ushtron edhe në Universitetin e Arteve në Tiranë. Aty edhe kreu studimet në vitin 1978. Një vit më vonë filloi punën si bashkëpunëtor në dizajnin dhe realizimin e pjesës së brendshme të muzeut “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu” në Krujë.

Për një dekadë, nga 1981 deri më 1991 ishte udhëheqës artistik i filmave të animuar në kinostudion “Shqipëria e Re” ku punonte si regjisor. Prej vitit viti 1991 punon si pedagog në Akademinë e Arteve. Për mjeshtëri e profesionalizëm dëshmojnë çmime të shumta në vend e jo vetëm. Opusin e tij artistik e ka shfaqur edhe në Itali, Francë, Zvicër, SHBA, Greqi, Gjermani e Kinë.

Koleksionet e tij me vepra janë shitur në gjithë vendet e botës. Në këtë rend edhe komplet veprat e ekspozitës “Abel”. Leka ka thënë se pos që donte ta shfaqte, ishte i gatshëm edhe ta falte komplet ciklin për një ekspozitë permanente në një prej institucionet e artit pamor.

Vetë piktura si medium e ka estetiken të pashmangshme. Pikturat e Lekës ngjajnë sikur nuk u intereson të përfillin rregulla e ligje të artit. Sjellin imazhe eksplicite si rezultat i një lloj rebelimi ndaj ngjarjeve të kaluara që janë edhe e tashmja. Dy javë para premierës së veprave, kishte ndodhur sulmi i armatosur në fshatin Banjskë në pjesën veriore të Kosovës.

“Prandaj unë nuk e përballoj dot dhe nuk ia lejoj dot vetes të shoh një dokumentar të tmerrshëm, të shoh këto fotografi, por unë mund ta tregoj atë. Si mund të ndërtoj një moment të lumtur kur di se në vendin tim ka akoma gravitet e keqja që na vjen? Nuk mund të jem dot indiferent”, ka thënë artisti i qindra veprave dhe dhjetrave ekspozitave kolektive e personale. Ai sjell artin e tij çdo tetor në galerinë “FAB” në Tiranë. E ndërlidh me datën e lindjes, më 11 tetor. Sivjet ka hyrë në dekadën e shtatë të jetës. Me vepra arti e gëzon jetën. Sivjet ekspozita “Abel” u hap më 10 tetor. Pakkush do t’ia dhuronte vetes ballafaqimin me ngjarjet e trishta që i ka trajtuar në piktura.

Mëkati është në qendër të veprave. Aty është goditja e armikut e derdhja e gjakut të pafajshëm. Kontrasti është qengji i bardhë si simbol i sakrificës. Me të përshkruhet edhe pafuqia, kundrejt artilerisë së armikut. Ajo kishte qenë edhe tabloja qendrore në ekspozitë.

Në ato vepra ka gjak dhe viktima. Artisti është bazuar në vargjet e librave të shenjtë për historinë e dy vëllezërve, Kainit dhe Abelit, bijtë e parë të Adamit dhe të Evës. I pari i vrau të dytin dhe ky njihet si rasti i parë i vrasjes në historinë e njerëzimit. Kjo është e filozofia e ekspozitës në parim, ndonëse dy vendet fqinje janë shumë larg perceptimit të marrëdhënies vëllazërore ndërmjet tyre.

“E vura ‘Abel’ sepse duhet të ishte më goditës, më simbolik. Derisa realizoj veprat më shkojnë shumë tituj në mendje. Ky ka qenë momenti i parë kur mendova se isha i egër, që nuk falja. Nuk doja të falja fare, por gjatë rrugës filloi jo të më zbehej kjo, por të më shkonte anash dhe të më dilte në sipërfaqe Abeli. Njerëzit e dinë çfarë ka ndodhur midis Abelit dhe Kainit që ishin dy vëllezër”, është shprehur Leka.

Në qendër të veprave janë krimet pa emër, aty lartësohen viktimat. Ato shënjohen me numra, tamam skenë krimi. Numrat zëvendësojnë emrat.

“Gjëja që më ka tronditur më shumë kanë qenë numrat. Kam parë fotografi të tmerrshme. Unë nuk munda ta kaloja dot këtë gjë, ky ishte një moment i tmerrshëm. Numra u vihen njerëzve që u ka humbur emri, i vihet atyre që kanë qenë në kampet e përqendrimit. Të fshish emrin është një gjë e tmerrshme. Njerëzit që ikin nga kjo botë, u vihen emra. Kishte numra pafund që u kishin vënë këtyre njerëzve”, ka vlerësuar artisti 70-vjeç nga Tirana.

Artisti që nuk fal

Përtej imazheve, përbrenda pikturave është ferri brenda njeriut. Makthet bëhen realitet aty. Në pikturat e Lekës ka kafka e gjymtyrë.

Në tablo të tjera janë artileria kërcënuese për shqiptarët, gra të pikëlluara që u duhet të largohen nga shtëpitë e tyre e disa të tjera tek identifikojnë të dashurit e tyre të vrarë.

Ekspozitën e kishte kuruar Ermir Hoxha. Në tekstin e tij kuratorial shkruhet i gjithë cikli i ndërtua për nder të krejt përjetimeve të trishta.

“Janë akti e jo aktorët, janë pasoja e jo vrasësi. Vrasësi është aty i padukshëm, por kërcënues. Janë aty që të shënojnë përkohshmërinë. Janë sinorët që ndajnë njërën gjëmë nga tjetra, njërin gjenocid nga tjetri. Ekspozita ‘Abel’, i dedikohet konfliktit më të fundmë në Shqipërinë e epërme, në Kosovë, i atij konflikti që u zhvillua në oborrin e shtëpisë sonë”, ka shkruar kuratori Hoxha për veprat.

Kuratori e vetë autori i veprave kanë thënë se fillimisht ideja për emërtimin e ekspozitës ishte titulli: “O At’ mos i fal ata, sepse e dinë fare mirë çfarë bëjnë!”, bazuar në një varg biblik. Vetë artisti ka thënë se nuk fal, nuk do të falte kurrë për çfarë ka ndodhur. Fillimisht thellohej në temë, donte të bëhej agresiv si motiv për të shfaqur krejt mllefin me penel. Ato ia kanë fuqizuar edhe ndjenjën e mosfaljes. E thotë prerë se “nuk fal” me një ton më të theksuar.

“Ideja e parë për titullin e ekspozitës ka qenë bazuar në thënien e Krishtit ‘O Zot fali këta se nuk dinë çfarë bëjnë’ dhe titulli im ishte ‘O Zot mos i fal këta se e dinë mirë çfarë bëjnë’. Tërë kohës me këtë lloj motivi ecja. Pavarësisht se në fund ndryshova dhe bërë një titull më të thjeshtë, më goditës, më simbolik. Por e gjithë palca e ekspozitës time ishte titulli që mendoja t’i vendosja”, ka shpjeguar autori i pikturave Gazmend Leka.

“Abel” është rrugëtimi tronditës nëpër përshkimet e penelit me ngjyrë për ilustrimin e fateve njerëzore. Arkivi i fotografive të fundviteve të shekullit të kaluar ngrihet në piedestal. Sublimohet, bëhet i bukur dhe i ndritshëm, por i dhimbshëm dhe rrëqethës./koha.net

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here