Nga: Iliriana Koleka
(Në 19 nëntor 1918 , me vendim të kongresit të dytë të Sovjetëve, për të demaskuar diplomacinë e fshehtë të Rusisë cariste, qeveria sovjetike botoi traktatet e fshehta grabitqare që ndanin botën. Mes tyre qe edhe Traktati i Fshehtë i Londrës i 26 prillit 1915)
Paraqitur n‘emër të Zotit Bajram Curri Gjakova, Përfaqësonjësit të Republikës Sovjetike Ruse në Vjenë, Zotit Dr. Vronski-Varshevski, Becirku i III, Belvedere Gasse 32. E nënshkruar gjithashtu nga Zoti Komandant Leon De Gjilardi.
Qeverisë së Lartë të Republikës Sovjetike
Moskë
Vjenë 13 Dhjetor 1920
Me bindje të fortë si shkëmbi se qeverija e lartë e Republikës Sovjetike do të ketë kujdes që e gjithë bota të gëzojë parimet e drejtësisë, marr lejen të ju përshkruaj n‘emër të një miljon e gjysëm shqiptarve që vuajnë sot nën zgjedhën znjerëzore të qeverisë serbe, vuajtjet e tyre në vija të përgjithshme. Popujt e Gadishullit Ballkanik kanë një ndërgjegje nacionale të zhvilluar në mënyrë të barabartë dhe asnjëri prej tyre nuk ka thirrje (vokacion) dhe mision hyjnor që të pretendojë rolin e sjellësit të kulturës për të tjerët.
Se me çfarë lloj kulture kemi të bëjmë këtu; do ta shohë e larta Qeveri Sovjetike me përbuzje nga rradhët që vijojnë. Unë ju siguroj me nderin dhe fjalën time prej burri se faktet që rreshtohen këtu i përgjigjen plotësisht së vërtetës dhe me bindje të thellë ju lutem për ndihmën t‘uaj morale, sepse ndërgjegjja e Evropës hesht kundrejt vuajtjevet të tmerrshme të vëllezërve të mij.
Në vise shqiptare, që bëjnë pjesë sot në Serbi, në pranverë 1920 janë djegur këto vende:
1) Rrethi i Pejës: u dogjën fshatrat Rudnik, Shushicë, Istok; Radafci, Novoselo, Jablinica Madhe, Jablinica Vogël, Zlokuçani, Gjurgjoviqi. 2) Në Bajrakun Prekorupa janë djegur gjithësej 13 fshatra.
3) Në Bajrakun Rrogova janë djegur 15 fshatra (500 shtëpi).
4) Në rrethin Vuçiternë, në Bajrakun Drenicë, janë djegur 18 fshatra 5) Në rrethin e Mitrovicës janë djegur fshatrat Zhabar dhe Radisheva.
6) Në fushën e Kosovës janë djegur 20 fshatra. 7) Në rrethin e Gjakovës, në Bajrakun Batusha janë djegur 80 shtëpi.
Tani, po rreshtojmë krimet që janë bërë në territorin e shtetit sovran shqiptar brenda kufijvet të caktuar nga Konferenca e Londrës. Sepse kundër çdo të drejte, Serbia ka zënë prap krahinat gjer në lumin Drin, d.m.th. krahinat e quajtura, Hasi, Luma, Peshkopia dhe Dibra.
Në korrik dhe gusht 1920 janë bërë këto krime:
1) në rrethin Peshkopia e Vogël, janë djegur gjithësej 4500 shtëpi.
2) Në Bajrakun Kalish, janë djegur fshatrat: Kalish, Cereni, Radoira, gjithësej tre fshatra me 1.200 shtëpi.
3) Në rrethin e Matjes janë djegur 200 shtëpi. 4) Në fshatin Shën Gjergj janë djegur 30 shtëpi.
5) Në fshatrat Bulqizë dhe Martanesh, janë djegur 70 shtëpi.
Rrethi Politik i Shkodrës (Skutari)
1) Në Bajrakun Kastrat, janë djegur 500 shtëpi. 2) Në Bajrakun Koplik, 300.
3) Në Bajrakun Shkrel, 200 shtëpi.
Banorëve fatzezë, u është marrë gjithë pasuria, gjedhat, berrat, kuajt, mushkat dhe i kanë lanë në rrugë të madhe.
Këtu, është rreshtuar vetëm një pjesë e krimevet.
Aryseja është se qeveria zyrtare e Beligradit e gënjen popullin serb sistematikisht se, Kosova qënka serbe, por e vërteta është se fiset serbe që erdhën pas dyndjes së popujvet u vendosën këtu në krahina ku banonin shqipëtarët që prej kohëvet të lashta historike. Pastaj, erdhi invazjoni turk në shekullin e XIII-të.
Këtu, luftuan ditën e shën Vitit në vitin 1383 gjitha fiset kristjane në një luftë fatkeqe që u bë në buzë të lumit Sidnica Prishtina kundër ushtrivet turke të Sulltan Muratit. 30.000 shqiptarë luftuan këtu në këtë luftë përkrah carit serb Llazar dhe pas luftës ikën pjesërisht për veri e pjesërisht për perëndim.
Shqiptari mbeti mbi truallin e të parëvet të tij dhe kështu spjegohet fakti historik që shqiptarët banojnë edhe sot në këto vise. Një pakicë iku me trupat austriake të princit Evgjen.
Zotërinjtë e Beligradit na thonë:
“Mirë, mirë, në 30-40 vjetët do të jini bërë të gjithë serbë ju malazezë, ju shqiptarë, ju bullgarë, ju maqedonas etj”.
-Se çfarë lloji është kultura që duan të na japin ata, këtë e tregojnë krimet çnjerëzore që rrjeshtuam më sipër.
Me dhembje të thellë i kemi bërë të ditur gjendjen tonë Republikës Sovjetike dhe i lutemi me përvujtni që të ketë kujdes që të zbatohet në këto krahina një plebiscit dhe të mos lejohet që shqiptarët fatzezë t‘i lëshohen vdekjes së sigurtë.
(Nënshkruar)
Bajram Curri.
Leon de Gjilardi
Shënim: Në një lutje tjetër të datës 12 Dhjetor, 1920, Bajram Curri i shkruan Qeverisë së Lartë Sovjetike; ndër të tjera:
“Populli shqiptar pret nga Rusija Sovjetike paqësimin e drejtë fisnik dhe të vërtetë të Ballkanit…
Me bindje të thellë se Rusija Sovjetike më në fund në një të ardhëshme të shpejtë do të jetë në gjendje t‘i caktojë kufinjt e Europës dhe veçanërisht të Gadishullit Ballkanik, në një mënyrë të drejtë, i drejtojmë qeverisë së Lartë lutjen që t‘i marrë parasysh kërkesat tona të drejta…”