BURRI I “GJALLË” I VDEKUR. NJË RIT I RRALLË VARRIMI PËR BURRAT NË ZË, QË VDISNIN PREJ PUSHKËS

 

Nga Ndue Dedaj “Ata burra që janë në za e që vdesin prej pushke, i veshin mirë, i armatosin e mandej i vendojnë në një karrige me krahë…” Ndër vajet më të spikatura të grave mirditore janë dhe ato që lidhen me doke të vjetra dhe rite të veçanta, në vdekjet për gjakmarrje të burrave në zë. Në rubrikën “Prej folklores së Mirditës” të revistës “Kumbona e së Dielles”, folkloristi Gjergj Shabani, shkruan se “nji ndër zakone të vendit, që rrallë bjen rasa me pa”, është vajtimi i burrave në za që i vendosin si të gjallë në karrige. “Ata burra që janë në za e që vdesin prej pushke, i veshin mirë, i armatosin e mandej i vendojnë në një karrige me krahë.

 

I vënë kambën mbi kambë, kësulën në njënin sy, mustaqet ia përdredhin e sytë ia lënë çelë. Përbri i afrojnë pushkën e gjatë, në brez i vënë patllaken (livoren) mbi të cilën ia pështesin njënën dorë e në tjetrën dorë i vënë cigaren e duhanit, e kështu paraqitet, në mënyrë krejt si me qenë gjallë. Me kenë moti i mirë e qesin n’oborr pranë ndonjë peme o lisi, ose përbrijë murit, përndryshe e lanë n’odë”. Më pas vijnë vargjet e vajit të një nëne për birin e vrarë, me refren pas çdo vargu “Or djali i nanës”. Një rit i tillë është përshkruar me hollësi, dhe për më tepër është fotografuar, në vitin 1944, nga një student i seminarit Papnor në Shkodër, nga Kaçinari (Mirditë), në vdekjen e të atit. Jepen aty rite të vdekjes: vënia e të vdekurit në karrige, i armatosur e me veshje fisnike; gjama e burrave, 4 vajtime të grave.

Njëri nga vajtimet ka qenë i botuar në revistën “Fryma” që dilte në Shkodër. Është muaj kallnuer (Janar) i vitit 1944. I vdekuri N. N, afër 40 vjeç, vrarë për gjakmarrje, i veshur me kostumin e krahinës, pa harruar orën dhe kutinë e duhanit, është vënë në karrige, me pushkë në sup, si të ishte gjallë e të kishte qenë kthyer nga një kuvend, pleqësi, dasëm a luftë. Kështu është fiksuar në disa fotografi të rralla. Mirëpo përmasën e vërtetë të vdekjes, e cila sikur nuk ishte vënë re, e krijon rrethi i vajtimoreve veshur për zi me xhurdinj të zez shajaku. Vajtimoret qenë e bija e të vrarit, e kushërina e tij, Mara e Frrok Lleshit prej Spaçi, kushërina tjetër Dava Lleshi, Mrika e Gjon Markut prej Ungrej. Në vdekjet në Mirditë dhe trevat e tjera shqiptare vajtimi ishte kronika, biografia, historia, kënga e fundit, kujtimi, koha e përmbyllur (me të djeshmen, të sotmen dhe të nesërmen). Shpesh vajtimoret mbeteshin fiksueset e vetme të historisë, pasi këngët e tyre rronin edhe pasi ishin shuar rrëfimet e burrave në kulla për ndodhi e njerëz në zë. Kjo ishte fuqia e epërme e këngës së vajit. Koha do të rridhte, por do të mbetej kujtimi i njeriut të “ngrirë” në karrigen e gdhendur dhe vajet e asaj dite.

“Pse je veshun e lulëzue? A je nisun larg me shkue?”, i drejtohet përmes vajit e bija. Ajo i kumton të vdekurit “të gjallë” se rreth vatrës janë rreshtue shokët e miqtë, që e kanë rrethue, dhe se atij nuk i ka hije që nuk po lëviz nga vendi t’iu pjekë “ka nji kafe”, nuk u lëshon kutinë e duhanit, nuk u jep fjalë, por “në karrige rri mbështet”. Por ai nuk është zemëruar me vdekjen. Asaj vajtimores i vegon se i vdekuri po “i nep shtatit m’njanë me u çue nji herë n’kamë”. Vaji nuk di të ndalet. Një grua tjetër me jakën e xhurdinit të ngritur e vajton për të mbramen herë, duke e cilësuar “Azgan e gjyqtar ooo, or meku em”. Sipas stilit të vajeve të moçme, vajtimorja e radhës, Mara e Spaçit, e përshkruan gjëmën: “Vendi i ngushtë kishte pa qëllue S’pate kohë me fluturue Posi zanë ke qëndrue”. Vaji i secilës vajtimore shoqërohet nga kori i papërsëritshëm thuajse mitik. “Mitologji e gjallë e maleve” ishte titulli i një hulumtimi të folkloristit të njohur Benardin Palaj asokohe. Është një dekor i spikatur, ku zotërojnë vetëm e zeza dhe e bardha. Është një metaforikë e ngjizur me lëndë vendi, “zot i ships”, “baba i gjith’ gjindes”, “paja e shkretisë”, “trim i tërbue”, “si djal mbreti’, “falkoi me fletë”, “dragoj me degë’, “shqipja e letë” dhe sidomos “gjyqtar i vendue e azgan e gjyqtar”. Por aty është dhe zana, qyqja, murana, bjeshkët e nalta e mrizet e epra, fjaltorët, gjamtarët, Plejt (pleqtë) e shënue, burrat si reja me duhi etj. “More gjarpni për toket! More zehri në gotët!” është një distik që ka shtegtuar në kushedi sa mote e vaje për të mbërritur dhe aty. Por a ka vaji një adresim në kohë? Po, ashtu si dhe një gjeografi të habitshme, që nuk mbyllet përbrenda “mureve” të katundit. Njerëzit që vijnë janë nga rrethinat e afërme si: “Simoni, Kuzhneni, Kashnjeti, Gazulli, Kalori, Munega, Ungrej, Spaçi, Oroshi etj”, por për vajtimoren “Të Nantë Malet i paske mbledhun”, që nënkupton një hapsirë veriore gati të pamatë. Rëndësia e personit merret me mend nga qenia “shtëpi e parë”, nga hyrja “në Odë të Valisë” (Shkodër), nga ndeja “Me pleqni e me meshtarë”, me miq “anë e m’anë”, “Në Mirditë e në Selitë’, “Në Shkodër e në Tiranë”…dhe befas, krejt befas, vajtimorja e ditur shpërthen: “A thue paske shkue n’Europë A thue paske hi në tokët!” Asgjë të tepruar nuk ka në shpalimin e vajtimores. Vajtohet si për një fisnik malesh, njëlloj aristokrati, që në mos ai vetë, dikush tjetër si ai, i kishte vendosë lidhjet prej kullës së tij me krenë e krajla, gjer në kancelaritë e Evropës. Nuk gjendet rastësisht Isa Boletini në Parlamentin e lordëve në Londër, apo Preng Marka Prenga, kreu i Oroshit, mes komisionerëve të Evropës për vendosjen e kufijve etj. Vajtimorja e njeh parinë, rolin dhe vendin saj, lidhjet me valiun, mbretin, ipeshkvin, abatin, konsullin austriak a francez, miqtë e ardhur nga Evropa apo Amerika, si Ded Passi, De Grandi, Nopça, Ippen, Durhami, Barkata, Steinmez, Lambertz, Baldaçi, Rei, Ugolini, Kozi, Valentini, Hasluck, Lane, Coon e të tjerë, që ajo ose vjehrra e saj i ka pritur bujarisht në kreshta malesh, u ka shtruar bukën në sofër, ka dëgjuar kuvendimet e burrave me ta. Disa nga ata të huaj i kanë bërë dhe fotografi kullës dhe njerëzve të saj, jo vetëm në sarajet e Gjomarkajve në Orosh, apo në familjen e bajraktarit të Kthellës. Do të vinte një kohë që aparati fotografik nuk do të ishte më “privilegj” vetëm i të huajve. Në shkullin XX ishin krijuar studiot e para fotografike në Shqipëri veçmas në Shkodër me “Marubët” etj. Megjithatë nuk ishte diçka e zakonshme, që një student mirditas në Shkodër, nipi i Imzot Zef Gjinalit, Abatit të Mirditës pas vdekjes së Imzot Prend Doçit, të kishte një aparat fotografik, aq më tepër për të fiksuar në celuloid vdekjen e pazakonte të të atit. Është ngritur mbi dhimbjen dhe ka shkrepur disa herë aparatin në atë ceremoni, duke kapur detajet specifike, dhe kur është kthyer në Shkodër e ka larë filmin, me gjasë në studion “Marubi”, ku thoshte se e kishte marrë aparatin hua, pa e ditur asokohe se me atë rast ai kishte dokumentuar një ritual që mbase askush tjetër nuk e kishte bërë. Janë një tufë fotografish, prej 10-12 copësh, që paraqesin burrin “e gjallë” të vdekur në karrige, mbështetur për mur, jashtë në oborr, në një ditë me diell. Dy prej tyre janë fokusuar mbi të ndjerin, ku veçanërisht njëra është tepër e realizuar artistikisht dhe monumentale. Është aq e gjallë si foto, sa po të mos e kesh për një çast mendjen, mund të të ngjajë si një njeri i gjallë në poltron. Bie në sy veshja ceremoniale, tirq e xhamadan, kësula e bardhë, vargu i sermtë i sahatit, pushka mbështetur te krahu, cigarja në dorë, qëndrimi burrëror stoik dhe natyrisht… sytë e mbyllur përgjithmonë. Njëra nga fotot e paraqet të vdekurin mes grave vajtimore, por jo në çast vajtimi, ku nja dy prej tyre si padashur kanë kthyer kokën kah aparati fotografik që po shkrepej. Fotoja tjetër paraqet njeriun e vdekur në karrige dhe afër tij shtroja ku ai do të shtrihej pas pak, kur do të mbartej për në varreza. Një foto paraqet një grup grash që iu shihet trishtimi në fytyra dhe loti në sy, që janë nga më të afërmet e tij. Fotografia e fundit paraqet një çast pushimi të mortarëve në udhën për në varreza. Ka qenë një ceremoni e madhe ajo e përcjelljes së N. N., atë dimër të trishtë në Kaçinar, me rreth një mijë pjesëmarrës, gjë e rrallë asokohe për një familje mes malesh, pavarësisht rangut dhe pozitës sociale. Por ishin bërë bashkë disa rrethana, që i jepnin një përmasë tjetër nga e zakonshmja mortit të tij, ai ishte zot shtëpie vinte nga shtëpi e parë me burra të përmendur, fisi i tij ishte mbase më i madhi për frymë në fshat – prej tij kishte dhe familje të shpërngulura në Kosovë, Vig (Kashnjet) etj., viktima ishte kryeplak i fshatit dhe kësisoj vrasja kishte tronditur jo vetëm familjen e tij dhe farefisin. Interesant është fakti se ky rit i rrallë nuk shpërdorohej në asnjë rast dhe nga askush. Që të kryhej ai, duheshin plotësuar të dyja kushtet, të ishte burrë në zë dhe të kishte vdekur prej pushkës. Tek e fundit ishte një përnderim më i madh se për një të vdekur të zakonshëm, një veçim, që vërtet e bënte shtëpia, por që e miratonte dhe publiku i zonës apo trevës. Mund të qaset disi me të sotmen, me ceremonitë publike mediatike që u bëhen figurave të kulturës, letërsisë, artit, politikës, shkencës etj. Vetëkuptohet, që për mendësinë e kohës kjo nuk bëhej për gratë. Miku ynë, inxhinier Mark Zefi, sjell një kujtim nga zona e Fushë-Arrësit, lidhur me praktikimin e vonë të një rituali të tillë. “Ishte viti 1983. Shkuam në Lak-Rosh për ngushëllim te një miku ynë atje. U befasuam kur pamë që të vdekurin e kishin vënë në karrige si të ishte i gjallë. Ishte hera e parë që shihnim një njeri të vënë në karrige për së vdekuri. Mbase nuk do ta kishim besuar, po të mos e kishim parë me sytë tanë, në atë varrim. Nuk di se si na qe dukur ai zakon atëherë, si diçka jo e përshtatshme për kohën, e tejkaluar. Thuhej se ashtu viheshin burrat fisnikë…” Ky rit i harruar ngjan një zgjatim i së vjetrës në këtë kohën e re. Kishte ndodhur gjithnjë që befas ishte ngjallur diçka e motshme, si ato motivet e largëta nga fëmijëria, që nganjëherë buisin brenda teje si të kishte qenë dje. Vajtimi i burrave ishte i ngjashëm në krejt arealin verior shqiptar. Pashko Vasa në librin e tij “Bardha e Temalit” përshkruan ritin e vajtimit të një të riu në Temal, ku “gratë u rreshtuan në formë gjysmërrethi rrotull të vdekurit dhe ia filluan vajit të përmortshëm; vajtimi i tyre të këpuste shpirtin dhe në fund të çdo strofe që përkujtonte një cilësi të lartë apo një trimëri të veçantë të të ndjerit, ato lëshonin horas një rënkim të gjatë e të thekshëm”. I vdekuri dhe këtu është si gjysmë i gjallë, “i veshur me rrobat më të mira” dhe i stolisur me armët mbi gjoks. Atëherë ishte mendësia e malësorit verior me vdek burri prej pushkës e jo vetiu, e lidhur kjo me jetën e tij përherë në kushtrim për mbrojtjen e trojeve, por dhe për shkak të hasmërive. Post skriptum: Fotografitë e rralla të ritit të varrimit trajtuar më sipër janë marrë nga arkivi vetjak i autorit të tyre Nikollë Gjinali, publikuar fillimisht, në përmasa të vogla, në revistën “Kultura Popullore”, nr. 1-2, 1996, nga profesor Mark Tirta, bashkë me një shënim hyrës për shkrimin e Gjinalit me titull: “Rite dhe vajtime në vdekje” dhe më pas në librin “Mirdita në histori e etnokulturë” (2001) e gazetën e pavarur “Mirdita”, me botues Gjergj Markun, i cili ka publikuar dhe një intervistë të tijën në gazetën “Shekulli”, bërë me Nikollë Gjinalin, rreth atyre fotografive, nga ku kemi shkëputur disa nga përgjigjet: “…Kur u nisa nga Shkodra për në varrimin e babës, në Kaçinar, kisha marrë me vete aparatin fotografik, pasi shpesh herë shkoja te Foto “Marubi”, ku isha si i shtëpisë, më pëlqente të merresha me fotografinë, ndaj gjithnjë aparatin e merrja me vete edhe në këtë rast nuk e harrova. …Sapo e pashë babën tem, që nuk ishte vënë si të dekunit e zakonshëm në kësi rastesh, në ndonjë shtrojë, por ulur në karrige, me veshjen ma të mirë të tij, “armatos” me pushke e nagant, një kuti duhani pranë e cigaren e duhanit në vesh, me dukej se po kuvendonte me njerëzinë aty. Vërtetë ishte baba em, por m’u duk diçka monumentale, ndaj mora menjëherë aparatin dhe e shkrepa disa herë. …Fotografova dhe vajtimoret. Ishte një pamje madhështore, kur u ba popull i madh aty. Fillimisht babën po e qanin bijat e të afërmit. Ndërkaq filluen me ardhë miqësija e largët. Jehonte shpati andej dhe këndej prej brimës së burrave veshur me xhurdi dhe vajit të grave. Ishin tuj ardhë udhësh të ndryshme nga katundet e zonës etj.

Kur vijshin në oborr vajtojshin pak e mandej burrat hyjshin në kullë ku pinin kafen e linin, në vend të kiles së kafes (siç ishte zakoni), kush nji napolon, kush dy…” Disa nga fotografitë e atij rituali, që ne e kemi quajtur në mënyrë të figurshme “burri i gjallë i vdekur”, qarkullojnë dhe në internet, me apo pa shënime korrekte. Duke qenë se ato janë unikale, meritojnë vëmendjen e institucioneve përkatëse të trashëgimisë kulturore, duke bashkëpunuar me familjarët e të ndjerit Nikollë Gjinali, të cilët ruajnë kopjet origjinale. ©Ndue Dedaj

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here