Kohë pas kohe gazetarë e publikues të ndryshëm shqiptarë kanë pretenduar se në këtë anije ka pasur edhe bashkëatdhetarë të tyre. Kjo ka ndoshur për shkakun se në listat e publikuara të pasagjerëve, të pranishëm në anije natën e tragjedisë, ka disa emra që tingëllojnë si shqiptarë. Në fakt janë emrat e disa pasagjerëve muslimanë, pothuaj të njëjtë me emrat që përdorin edhe shqiptarët me prejardhje muslimane.
Duhet marrë parasysh fakti se në prill të vitit 1912 Shqipëria ishte ende nën Perandorinë Osmane dhe se shqiptari apo shqiptarët e pranishëm mund të jenë regjistruar si turq. Po kështu duhet marrë parasysh edhe fakti tjetër se, në këto kohëra, shumë shqiptarë, pas mbërritjes në Shtetet e Bashkuara, e ndërronin emrin, ose e përshtasnin që të tingëllonte si amerikan.
Kështu që, nuk është çudi që, nëse ka pasur ndonjë shqiptar të pranishëm në “Titanik”, ai pas tragjedisë e zbritjes në Amerikë, të ketë shqiptuar emrin e vet të ngjashëm apo të ndryshëm nga ai që kishte.
Gjithsesi historia më bindëse është ajo e pranisë në anijen e famshme të një shqiptari të quajtur Ilo Kovi (Deti), me origjinë nga Vithkuqi i Korçës. Historia rrënjët më të forta i ka në ato që vetë familjarët e këtij personazhi provojnë dhe rrëfejnë, por edhe ato që të tjerë njerëz, të cilët e kanë njohur, kanë dëshmuar në kohë të ndryshme.
Për herë të parë historinë e shqiptarit të “Titakikut” e ka shkruar në vitin 1992, pas një pune disaditore në Korçë, Kristaq Laka, ish-kryeredaktori i gazetës “Pasqyra”. Ai nisi të grumbullonte të dhëna për këtë temë, pasi krejt rastësisht në Korçë, në shtëpinë ku kishte bujtur si mik, dëgjoi një grua të moshuar të qante teksa shihte një nga filmat artistikë që kishite në qendër historinë e “Titanik”.
Plaka e shtëpisë, duke ndjekur filmin, shqiptonte herë pas here: “I shkreti Ilo… I shkreti Ilo!”. Gazetari zbuloi se plaka ishte e afërme e Ilo Kovit, emigrantit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që kishte kaluar një aventurë të dhimbshme në anijen “Titanik”. Por gazetari Kristaq Laka nuk do të ishte i vetmi që do të përpiqej të zbulonte këtë histori.
Në vitin 1999 në gazetën “Shekulli” është botuar një shkrim i Kujtim Boriçit për të njëjtën temë, ndërsa para 4 vitesh një temë e tillë ka zënë vend edhe në faqet e “Gazeta Shqiptare”. Në të gjitha rastet askush nuk pati fatin të gjente një fotografi të protagonistit Ilo Kovi. Ndërkohë që edhe pjesët e shkruara, përjashtuar variantin e Kristaq Lakës, ishin rrëfime të personave që nuk ishin lidhje familjare të Ilo Kovit, e që dinin pak hollësi të së vërtetës.
Vetëm në vitin 2005 “Gazeta Shqiptare” (autor Ferdinand Dervishi), arriti të gjente historinë e plotë të Ilo Kovit (Deti), treguar nga i biri Dhimitër Deti, që banonte në Korçë. Sipas të birit, Ilo kishte qenë në Angli në dasmën e një miku të ngushtë, përpara se të imbarkohej në anijen “Titanik”, me qëllim që të kthehej në Boston, ku jetonte dhe punonte.
Ilo Kovi mendohet se ka qenë pasagjer i klasit të tretë, por nuk dihet se me çfarë gjenealitetesh është regjistruar. Ajo që dihet është se në momentet që anija po mbytej, ai është hedhur në një varkë të mbushur me gra, duke shkaktuar zemërimin e marinarëve, të cilët e kanë goditur mizorisht me lopata. Për shkak të këtyre goditjeve Ilo Kovi, pas mbërritjes në vitin 1915 në Korçë, detyrohet të presë të dyja këmbët e gangrenizuara.
Ilo Kovin në zonën e Korçës e njihnin të gjithë, bashkë me historinë e tij të dhimshme. Porse në këtë periudhë historia e anijes “Titanik” nuk ishte aspak e famshme. Ajo ishte thjesht një tragjedi e zakonshme njerëzore. Duhet veçuar se historia e ”Titanikut” erdhi në vëmendjen e njerëzimit më së shumti në kohë moderne, me lindjen e kimenasë dhe realizimin e një numri të madh filmash artistikë me këtë temë