Ata i sheh me një vëmendje shastisëse siç shohin eksploratorët shenjat e deshifrimit të një harte të vjetër thesari. Jepesh dorëzënë para këtij rebusi, si përpara një përfshirje në zgjidhje.

Ndoshta ata nuk mund të thonë asgjë, por gjithçka që ti përpiqesh të perceptosh përtej këtyre portreteve është koha, është jeta, janë gjithëato ngulmime që i thirrën këto burra si në një betejë.

Pamja e burrave malësor është epike. Bukuria e tyre e ashpër. Ajo është një hir që ngjeth, është një ëndje që drithëron, është një prehje që i blatohet asaj krenarie që imponon.

Mosha, vitet, pesha e rëndë e të përditshmes, mund të lexohen në portretin e këtyre burrave, ndoshta më qartë se çdo ligjërim fjalësh dhe shpengim endës tregimtarie. Rëndonte heshtja e tyre më shumë se çdo fjalë e mendim.

Tek ata zëri është më i thellë se honet që kanë kapërcyer për të sfiduar jetën. Sytë janë groposur thellë, por vështrimi i tyre shigjeton si vështrimi i shqiponjës.

Rrudhat ua kanë pluguar deri në tjetërsim fytyrën, por pa mundur t’ia zbehin atë hir të ashpër që shkëlqen në shprehinë e tij. Të duket se ata nuk kanë patur kurrë rini.

Ata, sikur kanë dalë nga legjendat për të rrëfyer histori që kurrë nuk i kemi dëgjuar, për të dëshmuar gjëra që ata panë dhe jetuan, për të lënë një gjurmë në kujtesën e një gjenerate, një prej atyre shenjave tregues të një galaksie prejnga ato erdhën.

Nuk ka piktor që guxon ta vërë në provë mjeshtërinë e tij për të realizuar portrete të tillë, që vetë natyra në kohëpaskohje i ka mbrujtur me thëngjij e barut.

S’ka skulptor që të sfidojë virtuozitetin e natyrës në deshifrimin e këtyre linjave të garrametshme, e profilesh të thadruara nga erërat e cergëta e flaka e oxhakut.

Ata i ka marrë koha në memuarin e vet, dhe tek ne kanë mbetur këto realitete fotografike, si një cak prejnga ne të mund të ngremë përmendoren e njeriut vigan, e burrit malsor që më shumë se fjala e tij e matur e zëri i tij buçitës, i flet shprehia e fytyrës, një zë i ngërthyer në kodin e fshehtë të kohës dhe ashpërsisë ku ata ishin të zakontët e një realiteti që ka ende diçka për të thënë.

Ata ishin të varfër, por pasuria që lanë është ajo që na detyron t’i jemi mirënjohës, krenaria, nderi, vatani, gjaku. Ata janë pararendësit tanë, të urtë e fisnik, etërit e një amaneti që nxjerr dheu nga gjoksi i vet. Ata janë, çfarë ne jemi, shqiptar.

Ashpërsi dhe hire të eposit të burrave malësor

al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here