22 nëntor 1989… Helikopteri MI-4 koduar me shifrën “650” ishte ngritur në ajër me urgjencë pas alarmit se diku në Qafën e Llogorasë, një autobus me studentë kishte përfunduar në humnerë. Dy pilotët dhe tekniku, së bashku me një ekip mjekësh e ndihmësmjekësh, të gatshëm për të kryer një mision humanitar në shpëtim të jetëve të tyre, u nisën rrëmbimthi nga pista e regjimentit të Farkës edhe pse parametrat e kohës nuk tregonin asgjë optimale.

E ndërsa bazamenti prej betoni zvogëlohej rrufeshëm, secili prej tyre mendonte se vetëm disa orë më vonë, kur gjithçka do të përfundonte, helikopteri me flatrat e mëdha do të ulej përsëri aty, dhe ata do të mund të ktheheshin nëpër shtëpitë e tyre me gjysmën e shpirtit të lehtësuar, se në fund të fundit kishin shpëtuar disa jetë njerëzore. Koha ishte e keqe binte shi dhe vetëtimat shkarkonin masa elektrike në ajër.

Sinan Çela, Komandanti i Regjimentit udhëhiqte operacionin nga kulla e komandimit deri në çastin kur lidhja u shkëput. Pas kësaj heshtja ishte e plotë. Duhet të ketë qenë ora 17:55 minuta kur helikopteri i parë ra në shpatin e Karaburunit. Vetëm gjashtë apo shtatë minuta më pas diku në Vunoi helikopteri i dytë do të rrëzohej gjithashtu tragjikisht. Në regjimentin 4040 dhe në gjithë zonën e Farkës lajmi do të përhapej me shpejtësi.

Flora, gruaja e Enver Hakës, një prej pilotëve të vrarë, vite më pas e kujtonte kështu në një rrëfim për DITA mëngjesin e asaj nate të tmerrshme:

“Në mëngjes herët, në orën 06:00 trokiti dera. U çova e përgjumur pasi djali i vogël më qante shumë natën dhe në mëngjes gjumi më kishte mundur. Teksa vrapova të hap derën dëgjova zërin e fqinjës time të thoshte: “Hape derën”. E hapa dhe ajo më tha: “Vishu shpejt, sepse do të ikim në spital. Enveri është shumë sëmurë”. U trondita thellë aq sa dhe rrobat i vesha mbrapsht. Por s’pata shumë kohë. Në apartamentin tonë hynë dhe disa ushtarakë nga të regjimentit dhe u ulën nëpër karrige. U ula dhe unë dhe po i vështroja, duke u lutur që të çoheshim shpejt e të iknim në spital. Por një nga shokët e tij tha: “Enveri ka qenë trim”. U çudita, sepse folja ishte e pavend. Jo “ka qenë”, por “është”, ndërhyra unë gjithë ankth unë. Në atë çast fqinja më tërhoqi në dhomën tjetër ku flinin dy fëmijët dhe më tha; “Bëhu e fortë. Enveri të la”…”

Po çfarë ndodhi? Si u kthye një aksion humanitar, në një tragjedi që përfundoi me 23 të vdekur?

Njihet si “Tragjedia e Llogorasë”, por në fakt autobusi me 14 studentë e 3 pedagogë të Institutit Bujqësor, si dhe një ushtar si pasagjer, është rrëzuar në të dalë të Himarës duke shkuar për në Kollos. Pikërisht aty ku është një tatëpjetë e fortë, shoferi ka nxjerrë autobusin tij “Shkodra” në afolio, e pas kësaj nuk ka mundur të fusë dot marrshin. Janë “regjistruar” vetëm fjalët e fundit të tij duke bërtitur: “U morëm në qafë”.

Automjeti ka marrë tatëpjetën dhe shoferi nuk e ka pasur më nën kontroll. Autobusi rrëshqiti në humnerë në një lartësi prej gati 70 metrash. Shoferi i autobusit Ali Omuri dhe një student, Albert Smoka, humbën jetën në vend, ndërsa shumë të tjerë morën plagë të rënda mes tyre dhe pedagogu Misto Shumeli.

Për t’u ardhur në ndihmë të dëmtuarve rëndë, nga Tirana u dërguan dy helikopterë: MI-4 644 i drejtuar nga komandanti Vangjel Postoli, piloti Tafil Agaj dhe teknik Pandeli Xhumba, dhe MI-4 650 i drejtuar nga komandanti Agron Galanxhi, piloti Veledin Resuli dhe teknik Enver Haka. Në bordin e tyre kishin edhe ekipin e mjekëve të spitalit nr. 2 në Tiranë, të përbërë nga Agim Qarri, Kujtim Hysi, Dionis Makuçi, Zana Floqi si dhe ndihmësmjekja Dhurata Leka.

Atë natë në vendngjarje mbërritën ministri i brendshëm Hekuran Isai që shoqërohej nga sekretari i parë i rrethit të Vlorës Enver Halili. Por gjithashtu shkoi dhe Haxhi Aliko, rektori i Institutit të Lartë Bujqësor. Helikopterët u nisën drejt Llogorasë dhe pas 50 minutave fluturim u ulën në fushën e Himarës për të marrë studentët e plagosur dhe për t’i sjellë në Tiranë. Në Farkë prisnin katër ambulanca për të marrë të plagosurit.

Në kthim, në një prej helikopterëve hipën mjeku Nafail Metollari dhe ndihmësmjeku Piro Kuko të spitalit të Himarës. Por tragjedia u thellua edhe më tej. Për shkak të motit shumë të keq, dy helikopterët u përplasën me shpatet e maleve, ndërsa pilotët mjekët, pedagogët e studentet, humbën jetën para se të mbërrinin në spital. Ekuipazhet e përbëra nga; Vangjel Pistoli, Agron Galanxhi, Tafil Agai, Veledin Resuli, Pandeli Zhupa dhe Enver Haka, e bashkë me ta edhe mjekët e infermierët që ishin nisur nga Tirana për të shpëtuar jetën e studentëve, nuk u kthyen më.

Por në bordet e dy helikopterëve ishin gjithashtu 9 studentë e dy pedagogë Misto Shumeli dhe Thoma Plasa.

Ushtarakët e Regjimentit të Farkës që ranë në këtë aksident ajror u shpallën “Dëshmorë të Atdheut” dhe prehen në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit.

Lapidari në Llogara
Pllakë përkujtimore për ushtarakët e rënë
Fotot e nëntorit 1989, një nga helikopterët e rrëzuar

Një nga viktimat e kësaj tragjedie ishte profesor Misto Shumeli.

Profesor Misto ka lindur në Kodër para 68 vitesh. Ishte më i vogli i fëmijëve të Sokratit dhe Frosinës, në një familje me tradita,ndjenja atdhetare dhe mbi të gjitha arsimdashëse. Ata e rritën atë në një skamje të plotë me vuajtje dhe mundime, por dashuria për shkollën,etja dhe pasioni për dije e bënë më të fortë,të kapërcente çdo vështirësi dhe pengesë.

Pavarësisht halleve të shumta i kreu studimet rregullisht,në të gjitha ciklet dhe me rezultate të shkëlqyera. Pas përfundimit të studimeve të mesme në shkollën “Abaz Shehu” në Tepelenë, iu dha e drejta e studimit në Institutin e Lartë Bujqësor(sot UBT) në Tiranë në Fakultetin e Agronomisë të cilin e mbaroi shkëlqyeshëm. Ishin ato rezultate që e mbajtën Miston pedagog në atë universitet ku punoi 15 vjet me përkushtim, aftësi profesionale e punë kërkimore shkencore.

Ky pasion dhe vullnet shpërthyen në përmasat e një shkencëtari të guximshëm dhe të suksesshëm. Ka kryer studime pasuniversitare në Itali dhe ka marrë pjesë aktive në veprimtaritë kombëtare për të dhënë mendime të vlefshme për zhvillimin e bujqësisë,agronomisë në veçanti.

Për arritjet e suksesshme në fushën pedagogjike dhe në atë shkencore në vitin 1984 iu dha atij titulli “Doktor i shkencave”.

Pedagog dhe shkencor por mbi të gjitha njerëzor, – kështu e kujtojnë Profesor Miston ish studentë, kolegë, bashkëkohës, miqtë dhe familja e tij e shtrenjtë. Komunikimi, sjellja dhe marrëdhënia me ta e bënë pedagogun e ri Misto Shumeli në një nga figurat më të vlerësuara të Universitetit Bujqësor të Tiranës.

Këto virtyte të larta njerëzore që ai dispononte u ka mbetur njerëzve në mbresa të cilët pa përjashtim e kujtojnë dhe pas kaq shumë vitesh me dhimbje e respekt të madh. Sepse auditorët ishin familja e dytë për të dhe diçka e pashmangshme në jetën e tij.

Por jeta ka ligje të hekurta, ajo ta rrëmben atëherë kur nuk e pret. Ajo u tregua e padrejtë me profesorin buzagaz.

Profesor Shumeli

Viktimat e helikopterit të parë

1-Vangjel Postoli, komandant

2-Tafil Agaj, pilot

3-Pandeli Xhumba, mekanik

4-Misto Shumeli, i plagosur në aksident

5-Elida Hyseni, e plagosur në aksident

6-Donika Ferra, e plagosur në aksident

7-Zef Sula, i plagosur në aksident

8-Kujtim Hysi, mjek

9-Zana Floqi, mjeke

10-Dhurata Leka, ndihmësmjeke

11-Nafail Metollari, mjek në Himarë

12-Piro Kuko, ndihmësmjek në Himarë.

Viktimat e helikopterit të dytë

1-Agron Galanxhi, komandant

2-Veledin Resuli, pilot

3-Enver Haka, mekanik

4-Thoma Plasa, i plagosur

5-Ilirjana Brahimi, e plagosur

6-Taip Llaçi, i plagosur

7-Xhelal Ndreu, i plagosur

8-Agim Qarri, mjek

9-Dionis Makoçi, mjek

n.s. – dita

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here