Shkruan: Ahmet Jashari
Një zhurmë e trokut të kuajve që përcilleshin nga pluhuri i asaj vere të nxehtë si ferri, bëri që për një moment të ngritej në këmbë për të parë atë që po ndodhte në rrugët e fshatit të tij, që rëndom ishin të qeta. Ia gjeti një vend të rehatshëm koshit të thuprave që ishte duke thurur dhe u nis kah dyert e oborrit, të cilat i kishte thurur poashtu me thupra babai i tij vetëm pak kohë para se të merrej dhunshëm në rrugët e qytetit nga ushtria që mobilizonin vendasit për luftërat e tyre. Kishin kaluar shumë vite dhe nuk kishin marrë asnjë lajm për babën. Ai mund të ishte vrarë diku, ndoshta në luftë, apo edhe ndoshta ishte i gjallë diku!? Megjithatë përveç shpresës nuk kishte mbetur asgjë tjetër për të. Në një vend të ngritur jashtë dyerve të oborrit, prej ku shihej jo vetëm fshati i tij, por edhe një pjesë e mirë e një qytetit të vogël ngjitur me Lumin e Bardhë (Ibër), vështronte me shqetësim ushtrinë që po afrohej shpejtë rrugës që vinte kah shtëpia e tij. Fillimisht mendja i shkoi për babën dhe për mundësinë që ushtria ta sillte atë ose të paktën një lajm për të. Ishte shtangur në vend duke pritur. Derisa ushtria ishte duke kaluar kthesën e fundit të rrugës, nëna e tij kishte dalur e tmerruar jashtë oborrit. E kishte thirrur me krejt fuqinë, por Lisi nuk e kishte dëgjuar nga zhurma e trokut të kuajve. Vetëm kur ata kishin arritur, atëherë e kishte vërejtur nënën e shashtrisur që i thoshte të ikte. Por, ishte shumë vonë! Shumë ushtarë kërcyen nga kuajtë dhe pa asnjë fjalë të vetme ju hodhën sipër djalit të vetëm të shtëpisë, i cili kishte vetëm një javë që ishte martuar. Lisi nuk pati mundësi të thoshte asnjë fjalë, meqë shumë veta iu hodhën sipër dhe ia lidhën duart. Nuk e kishte të qartë çfarë po ndodhte! Duke vrapuar pas kuajve me duart e lidhura e herë duke u tërhequr zvarrë, mundi të vërente nënën që kishte mbetur e rrëzuar për toke dhe nusen që po vraponte jashtë oborrit. Kjo pamje do të shoqëronte tutje, ditën dhe natën. Asgjë pos asaj pamje nuk kishte kaluar në sytë e tij për disa ditë me radhë në një skutë pa dritë ku ishte hedhur me shumë shokë të tjerë që ishin marrë nga fshatrat e asaj ane. Asnjëri nuk e dinte sa ditë kishin qëndruar dhe as ku ishin. Të lodhur e të uritur përjetonin halucinacione nga më të ndryshmet. Dikush e shihte shtëpinë, dikush një qytet të madh me ndërtesa gjigante, dikush…
Në një moment ushtarët u futën brenda dhe duke i therrur me maja të shpatave, i nxorën jashtë të vargisun dhe në pranga. Duke u ngjitur do shkallëve të gurit, rritej drita që nuk e kishin parë që një kohë. Dikush i mbyllte sytë, një tjetër rrëzohej në tokë, dikush tjetër provonte të hidhej shkallëve teposhtë. Ata që kishin mbetur pa fuqi dhe dukeshin të pa dobishëm i therrën për vdekje sapo dolën në një vend të rrafshët, brenda një hapësire me mure të larta gurësh. Atyre që mbetën në këmbë, ua larguan zingjirët nga duart dhe këmbët, i rënditën dhe njëri prej ushtarëve, ua sqaroi se tash e tutje do të punonin me gurë në rindërtimin e kalasë, në të cilin ishin vendosur. Asnjëri nuk kishte ide se ku ishte! Muret ishin të larta dhe vetëm qielli shihej. Gjërat filluan të qartësoheshin pasi filluan të punojnë mbi muret e kalasë, që ishin të dëmtuara. Në ditën e parë të punës, Lisi, i cili nuk kishte përvojë si mjeshtër gurësh, duhej të ndihmonte ustallarët që murosnin. Disa prej tyre ishin të vendeve të tjera, që ishin sjellur dhunshëm. Derisa po i shkarkonte gurët nga një lloj koshi thuprash, që ia përkujtone koshin që kishte lënë në oborr, lëshoi sytë jashtë mureve të kalasë. Për një moment nga dora i shpëtuan gurët dhe koshi! Përballë vendit ku ishte shihte fshatin dhe një pjesë të pullazit me rrasa të shtëpisë së tij. E kuptoi se ndodhej në kalanë përballë fshatit, matanë Lumit të Bardhë, në një kodër si gojë vullkani, për të cilin kishte dëgjuar lloj – lloj rrëfimesh. Kishte dëgjuar se Kalaja, në të cilin tash ndodhej ishte ndërtuar nga një ushtri e madhe që kishte mbetëruar për shekuj të tërë në këto anë. Mandej ajo ishte bërë strehë për ushtritë tjera që kishin ardhur njëra pas tjetrës në vendin e tij. Vendasit ishin shfrytëzuar për rindërtimin e saj brez pas brezi. Këtë fat tash po e ndante edhe Lisi, i cili prej atyte mureve po e shihte fshatin e tij dhe një pjesë të shtëpisë së tij, ku kishin mbetur të vetmuara nëna dhe nusja. Nëna ishte e moshuar dhe e dërrmuar nga jeta. Ajo kishte parë t’i vritej vjehrri duke provuar të rezistonte ndaj një ushtrie që plaçkiste bagëtitë nëpër oborre. Më vonë kishte përjetuar kidnapinim dhe zhdukjen e burrit dhe së fundit edhe të djalit të vetëm. Ndërsa, nusja, një vashë e re nga një fshat përtej bjeshkëve të tyre, kishte mbetur e vetmuar vetëm me vjehrrën pa ditur për fatin e burrit.
Lisi edhe u mallëngjye, por edhe ndjeu një loj lehtësimi që ishte pranë shtëpisë edhe pse nuk mund të shkonte. Me kalimin e kohës familjarët kishin kuptuar për djemtë e tyre që ishin duke punuar në atë kala. Megjithatë në shtëpinë e Lisit nuk kishte mashkull, ndërsa nëna dhe nusja e kishin të pamundur që të shkonin te kalaja, ku familjarët herë pas herë kishin filluar të sillnin ndonjë rrobë apo ushqime për të dashurit e tyre.
Ditët dhe netët ikin, iknin edhe javët e muajt, iknin edhe vitet. Lisi jetonte duke parë shtëpinë nga larg me mallin e nënës që nuk dinte nëse ishte ende gjallë dhe me mallin e nuses, sytë e kaltër të së cilës ngjanin me qiellin sipër kalasë mbi atë kodër. Në trup mbante një jelek të zi që ia kishte sjellur nusja, hijeshuar me disa vija të bardha që nuk i shkonin fatit të tij.
Në ditët e caktuara, kur familjarët sillnin gjësende për të burgosurit që punonin në kala, Lisi, zakonisht ulej mbi një guri të caktuar në një pjesë të lartë të murit për të kundruar shtëpinë e tij dhe për ta hequr mallin. Në një ditë të tillë, pasi kishin mbushur shtatë vjet, njëri prej ushtarëve ia bën me dije se kishte vizitorë. Këmbët fillimisht nuk e mbajnë, por nuk rrëzohet. Lëshohet teposhtë gurëve nëpër mur dhe afrohet në një pjesë të kalasë, të rezervuar për takime me familjarë. Ushtari e përcjellë deri te vendi ku ishin duke pritur familjarët dhe ia bën me dorë drejtë një djaloshi, që ishte ulur pranë një topi lufte, që ishte hequr nga përdorimi. Afrohet duke mbajtur frymën. Djaloshi mbante pranë vetes një si thes, që ngjante me ata që bënte nëna e tij për të bartur ushqime dhe gjëra tjera. Ia lëshoi lehtë dorën mbi kokë, kurse djaloshi kërceu paksa i frikësuar. Lisi u ulë përballë djaloshit dhe të dy shiheshin me habi:
– Ti je baba?! – iu drejtua djaloshi njeriut përballë, që nuk e kishte parë kurrë në jetën e tij.
– Ti duhet të jesh djali! – mori forcë t’i përgjigjej.
Lisi ra në gjunjë dhe shihte të birin. Sytë i kishte të kaltër, si të nënës.
– Kush të solli bir? – e pyeti djaloshin.
– Erdha vetë babë. Nëna më tregoi se ti je këtu dhe erdha. Isha edhe një ditë tjetër, por ushtarët më thanë se duhet në një ditë të caktuar.
– Nëna?
– Nëna jote, gjyshja ime, ka vdekë babë.
– Lisit i rrodhën lotët nëpër faqe, por shikimin e mbajti drejtë.
– Po nëna jote qysh është? – e pyeti të birin.
– Mirë babë, të bën shumë të fala. Ajo t’i ka dërguar edhe disa ushqime dhe rroba.
Të dy u ulën dhë nxorën ushqimin për ta ngrënë bashkë. Lisi hante, ndërsa lotët i rridhnin dhe i përpinte edhe ata. Jeta e tij i ngjante me gurët që latonin për të bërë mure. Por gurët ishin gurë, ata nuk qanin. Përballë vështronte të birin, një djalosh që po rritej përballë kalasë ku po plakej ai vetë. Ishte shumë i bukur. E vështronte dhe në mend i sillej fati i gjyshit, babait dhe fati i tij.
– Po sikur edhe ky të kishte fatin tonë? – pyeste vetën.
Një fat i tillë i djalit i dukej i padurueshëm. As guri më nuk do të duronte! Lotët iu shpeshtuan, e përqafoi djalin për herë të parë dhe të fundit dhe duke e mbajtur më një dorë pranë vetës e goditi më një çekan në kokë për t’i parandaluar vuajtjet e tij.
(Këtë legjendë, për Kalanë e Zveçanit, e kam dëgjuar si fëmijë nga gjyshi, Halil Veliu, në një version shumë të shkurtër. Meqë ka kaluar kohë shumë e gjatë ndoshta ka menduar edhe për ndonjë kala tjetër. Por, meqë ai jetonte në Qirez dhe në Mitrovicë, gjithmonë më është dukur se e ka pasur fjalën për Kalanë e Zveçanit)
Prekaz
20 gusht 2023