Përparim Rexhepaj, historian ushtarak ishte sot i ftuar në emisionin Shqip nga Dritan Hila në DritareTv për të folur për luftën e Janinës. Zoti Rexhepaj tha se kjo luftë është lënë në harresë. Ai tregoi me argumente historike se si ra Janina në duart e Greqisë.
“Lufta e Janinës ka ngelur në harresë. Vetëm në këngët popullore ruhet kujtimi për luftën e madhe që u bë në Janinë. Bëhet fjalë për vitet 1912-1913, pra lufta e parë ballkanike, atëherë kur Greqia dhe Mali i Zi bënin aleanca të fshehura për të copëtuar trojet shqiptare.
Greqia u fut në Luftën e Parë Ballkanike me dy armata, atë të Thesalisë me 120 mijë vetë dhe armata e Epirit me 10 mijë vetë. Armata e Thesalisë kishte detyrë të pushtonte jugun e Maqedonisë dhe Selanikun, kurse armata e Epirit duhet të sulmonte Janinën. U bënë luftime në Prevezë, në Nikopolis, te Pesë Puset dhe gradualisht trupat greke iu afruan Janinës. Janina ishte qytet shumë i fortifikuar, me fortifikime gjermane. Kishte gati 100 topa dhe 12 mitraloza. Më shumë kishte artileri korpusi i Janinës se ushtria greke. Kemi një divizion turk dhe një divizion shqiptar, përballë divizionit grek. Më 9 dhjetor 1912, kur Shqipëria ishte shpallur e pavarur, erdhi dhe një divizion tjetër nga Thesalia dhe u organizua një mësymje e përgjithshme për të marrë Janinën.
Ismail Qemali bëri përpjekje për të mbrojtur Janinën. Ai mori vendim që të mbrohet me çdo kusht Janina dhe u çoi njoftim rretheve Beratit, Gjirokastrës, Delvinës, të merrnin masa për të mbrojtur Janinë. Dërgoi Mehdi Frashërin në Janinën dhe ai takoi Esat Pashë Janinën që ishte komandanti i korpusit të Janinës dhe ishte shqiptar. Mehdi Frashëri i tha që duhet të ngrënë flamurin shqiptar në Janinë. Por Esat Pashë Janina nuk pranoi. Ministri i Jashtëm i Greqisë i dërgoi një kërcënim Ismail Qemalit duke i thënë që nëse vazhdojnë të ndihmojnë Janinën ata do pushtojnë Vlorën.
Në janar, grekët dërguan përforcime të tjera dhe ndërmorën një mësymje të përgjithshme, por përsëri nuk e morën, pësuan humbje të mëdha. Vetëm në Bezhan pati rreth 4,200 të vrarë. Në fund të janarit komanda greke shkarkoi gjeneral Sapunin dhe vendosën princin Konstantin. Fitorja e Greqisë, kundër forcave të Turqisë në Janinë dhe në Selanik ishte triumf i artit ushtarak francez, ndaj artit ushtarak gjerman. Se dihet që ushtria turke ishte e armatosur me armatime gjermane dhe zbatonte doktrinën gjermane, ndërsa ajo greke me armatime franceze. Kur kryeministri i Greqisë shkoi në Londër, përfaqësuesit e Anglisë dhe Francës i thanë që ta marrin sa më shpejt Janinën se Konferenca e Londrës po vendos kufijtë e rinj të shtetit shqiptar. Ata i thanë që Janinën ta merrnin me luftë, jo me negociata, se ai qytet që merrej me luftë, i takonte si plaçkë fitimtarit.