Robert Elsie qe një prej atyre që pjesën më të madhe të jetës ia kushtoi nxjerrjes në pah të kulturës shqiptare. Nuk do të ndalej së punuari deri në fund të jetës. Pak ditë para vdekjes do të komunikonte me akademik Rexhep Ismajlin për programin e Konferencës për studimet albanistike në botën ku flitet gjermanishtja. E me albanistikën lidhjen e kishte të hershme
Në ditën e dytë të tetorit të 2017-s, kultura shqiptare do të përballej me kumtin e humbjes së një prej studiuesve të zellshëm. Përtej kësaj, do të shembej një urë e fortë e ndërlidhjes së kësaj kulture me botën. Studiuesi kanadez Robert Elsie do të vdiste në moshën 67-vjeçare në Bon të Gjermanisë. Qe një prej atyre që pjesën më të madhe të jetës ia kushtoi nxjerrjes në pah të kulturës së kësaj ane. Nuk do të ndalej së punuari deri në fund të jetës. Pak ditë para vdekjes do të komunikonte me akademik Rexhep Ismajlin për programin e Konferencës për studimet albanistike në botën ku flitet gjermanishtja. E me albanistikën lidhjen e kishte të hershme.
I lindur më 29 qershor 1950 në Vancouver të Kanadasë, ndoqi studimet në “University of British Columbia” (Universitetin e Kolumbisë Britanike), ku studioi për filologjinë klasike dhe gjuhësinë. Pas diplomimit më 1972, udhëtoi drejt Evropës, ku vazhdoi studimet e larta në Universitetin e Lirë të Berlinit Perëndimor, pastaj në Shkollën Praktike të Studimeve të Larta në Paris, për të vazhduar në Institutin e Dublinit për Studime të Larta në Irlandë, dhe në Universitetin e Bonit, ku mbrojti doktoratën për gjuhësi krahasimtare dhe keltologji më 1978. Sipas biografisë së tij, në fund të viteve ’70 e vizitoi Shqipërinë. Kjo vizitë do të bëhej shkas për një kthesë jetësore të Elsiet. Deri në fund të jetës së tij, krahas punëve të tjera, u mor me studime albanologjike. Është autor i më shumë se 60 veprave dhe shumë artikujve. Do të krijonte një ueb-sajt – funksional edhe sot – në tri gjuhë që shërben vazhdimisht si institucion i kulturës shqiptare. Në Kosovë vdekja e tij qe shënuar me ceremoni të veçanta në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës e në bibliotekën kombëtare të Kosovës, “Pjetër Bogdani”.
Elsie ishte anëtar i jashtëm i ASHAK-ut prej tetorit të vitit 2000.
“Veprimtaria e dr. Robert Elsie është e shumanshme dhe e gjerë. Ndihmesat e tij në fushën e albanologjisë janë të rëndësishme, sidomos në fushën e studimeve historiko-letrare, po edhe në fushën e historisë së kulturës. Informimet e shumta dhe shpesh depërtimet në institucione, biblioteka apo mjedise të tjera ku mund të gjenden vlera të shkruara jo mjaft të njohura për kulturën dhe historinë shqiptare, ia shtojnë edhe më shumë peshën punës së tij tejet të frytshme…”, do të citonte nga motivacioni i pranimit të Elseit si anëtar i jashtëm, akademik Ismajli. Në atë mbledhje përkujtimore, ai kishte thënë se thelbi i këtij vlerësimi në Kosovën e sapodalë nga lufta vjen e rritet ndjeshëm, për ta bërë më të rëndë ndjenjën e humbjes së parakohshme. Kishte thënë se ai njihet si hulumtues këmbëngulës i dokumenteve dhe i dokumentimit të historisë shqiptare dhe i botimit të dokumentacionit në origjinalin e tij, po shpesh dhe me përkthime qoftë anglisht, qoftë shqip. Kishte përmendur se në fushën e studimeve letrare Elsie njihet me veprën “Historia e letërsisë shqiptare” në anglisht, të botuar më 1995 në 2 vëllime, dhe të shpërndarë nga “Columbia University Press” në New York.
“Mëtesa e autorit ka qenë të bënte një vepër gjithëpërfshirëse, nga fillimet e shkrimit shqip e deri sot, të paanshme, e mbi të gjitha me shënime sa më të plota e bibliografi shumë të pasur, në shumë aspekte shteruese”, kishte thënë Ismajli. Pasi kishte folur për disa prej veprave të albanologut, kishte thënë se si studiues Elsie ishte formuar për gjuhësi krahasuese indoevropiane. Sipas Ismajlit, në fillimet e tij, Elsie shqipen e shihte më parë në këto suaza, por shumë shpejt iu kthye një kuadri më të përgjithshëm të studimeve shqiptare. Kishte thënë se ndihmesat e Robert Elsies për njohjen ndërkombëtare të kulturës dhe të botës shqiptare kanë qenë të jashtëzakonshme dhe në drejtime të ndryshme.
“Sukses më vete paraqet përkthimi i kryeveprës ‘Lahuta e Malcís’. Le të përmendim rrugës se ai ka përkthyer gjermanisht veprën 6 e plotë të poetit të madh grek Konstantin Kavafis, ashtu si dhe poezinë sorabe”, kishte thënë Ismajli.
Si njeri i përkushtuar në studimet e kulturës shqiptare, fillimisht kishte botuar veprën “Dictionary of Albanian Literature” (“Fjalori i letërsisë shqiptare”. “An Elusive Eagle Soars: Anthology of Modern Albanian Poetry” (“Një shqiponjë e arratisur fluturon: Antologji e poezisë bashkëkohore shqiptare”) më 1993, “Albanian Folktales and Legends (“Përralla dhe legjenda shqiptare”) më 1994, veprat poetike të Migjenit, Ali Podrimjes e Eqrem Bashës janë vetëm disa prej veprave letrare që nëpërmjet përkthimeve të Elsies kanë folur edhe në anglisht.
Me veprimtarinë e tij, studiuesi Elsie ishte bërë i pashkëputur nga shqiptarët. Në ditën e 18-të të tetorit 2017, peizazhi shumëngjyrësh, shkrepat e malësorët e kanë mirëpritur njëherë e përgjithmonë Elsien në Theth të Alpeve Shqiptare. Ai ishte nderur nga secili në Malësinë ku komunikimi nga shpati në shpat bëhet me zë fort të lartë, që jehon për ta dëgjuar të tjerët. Por këtë nderim për albanologun malësorët e kishin bërë duke thënë se janë të vetëdijshëm që ai ka çuar zërin e tyre dhe të të gjithë shqiptarëve nëpër raftet e bibliotekave gjithandej botës e dyerve të zyrave diplomatike në të katër anët, sepse, siç thoshte vetë ai, thelbi i punës së tij ishte të prezantonte shqiptarët, të prezantonte Shqipërinë, botën shqiptare, gjithë botës. “T’ia transmetoj botës së jashtme njohuritë që kam për këtë vend, që kjo botë të kuptojë se ç’është Shqipëria, kush janë shqiptarët, historia e tyre, kultura e tyre, pra fazat e ndryshme të jetës këtu. Dhe këtë e bëj që të bëhet e njohur pasi në fund Shqipëria mbetet një vend shumë i panjohur”, do të thoshte ai. Robert Elsie prehet përjetësisht në tokën shqiptare, midis shqiptarëve./koha.net