Linjat atërore me prejardhje hune, avare dhe fise të tjera të Euroazisë.
Gjatë shekujve 3-7, dimë që në Ballkan u vendosën fise me prejardhje të ndryshme, prej të cilave pjesa më e madhe ishin fise gjemanike në fillim, dhe fise sllave më pas. Po në këtë periudhë pati edhe mbërritje të fiseve me prejardhje më lindore, nga zona e Euroazisë, mes të cilëve ishin hunët, avarët, etj. Nga studime shkencore të 2-3 viteve të fundit del se hunët kishin prejardhje nga një zonë e thellë e Azisë qendrore/lindore, me gjasë rreth Mongolisë së sotshme, kurse Avarët nga një zonë në perëndim të maleve Urale.
Teksa shtegtuan drejt Europës, këto fise jo vetëm përthithën popullsitë që nënshtruan, por edhe lanë trashëgimi gjenetike që e pikasim sot edhe në popuj të Ballkanit. Linjat kryesore që u vendosën me këto fise në Ballkan janë degë të haplogrupeve N, R1b-PH155, R1a-Z93 dhe Q, por mund të ketë edhe të tjera, ashtu si edhe këto halogrupe kanë disa degë të përhapura edhe më herët.
Te shqiptarët këto linja përbëjnë një pakicë shumë të vogël por megjithatë të dallueshme, deri tani rreth 0.5% e gjithë linjave atërore. Vendosja e tyre në Ballkan lidhet me shek.3-7, por nuk është e sigurtë nëse në trojet shqiptare mbërriten drejtpërdrejtë nga dyndjet e popujve nga Euroazia, apo fillimisht u vendosën në Europën qendrore dhe lindore dhe më pas zbritën më në jug bashkë me fiset gjermanike ose më vonë me fiset sllave.