Jahja Drancolli

Nëpërmjet burimeve historike dhe kronikave të kohës, studiues të vëmendshëm kanë zbuluar njoftime të ndryshme dhe në këtë kontekst edhe njohuri të rëndësishme në historinë e tërmeteve. Sipas njoftimeve në fjalë, në vitin 518 një tërmet katastrofik do të godiste Provincën e Dardanisë. Siç njoftoi Marcellin Komesi (c. 480-c. 540), një kronist ilir i asaj kohe i lindur në rrethet e Shkupit, termeti kishte shkatërruar 24 qytete-kështjella sa hap e mbyll sytë. Midis tyre ishte edhe Shkupi (Scupi), metropoli i Provincës së Dardanisë. Në burimet relevante të kohës, ndër qendrat e shkatërruara përmendet edhe Ulpiana, e cila do të ristrukturohet tërësisht nga Justiniani I (527-565), perandor bizantin me origjinë dardane nga territori në fjalë. Që nga kjo kohë qyteti është quajt JUSTINIANA SECUNDA.

Teksti i Marcelin Komes në përkthim të lirë mbi tërmetin e Provincës së Dardanisë në vitin 518!

“Në Provincën e Dardanisë, njëzet e katër kështjella u shembën në të njëjtën kohë nga një tërmet i fortë. Prej tyre, dy u varrosën plotësisht së bashku me banorët e tyre, katër humbën gjysmën e ndërtesave të tyre së bashku me banorët, njëmbëdhjetë kishin një të tretën e shtëpive të tyre dhe po aq njerëz humbën, shtatë kishin një të katërtën e shtëpive së bashku me të gjithë banorët. Në fund, vendet fqinje u braktisën nga frika e shkatërrimit. Sepse metropoli i Scupit (pra, Shkupi si qendër e Dardanisë, J. D.) u shkatërrua plotësisht, megjithëse nuk humbi asnjë nga qytetarët e tij që ikën para armikut të tyre (qytetarët e Shkupit në ndërkohë, para termetit kishin braktisur qytetin duke ikur nga armiku, J. D.). Pjesa më e madhe e maleve të provincës u nda nga ky tërmet, gurët u shqyen nga masivet e tyre dhe pemët u shkulën. Nëpër një gjatësi prej tridhjetë milje toka u ça me një gjerësi prej dymbëdhjetë hapash dhe përgatiti një humnerë të thellë ku ranë shumë nga qytetarët që iknin nga rrënojat e kështjellave dhe shkëmbinjve, ose nga inkursionet e mëtejshme të armikut. Ndërsa, në një nga kështjellat e rajonit të Kanisës, që quhet Sarnonto, nga toka prej shtresave të saja të përvluara si prej një furre të djegur, shpërtheu një curril të vluar dhe të vazhdueshëm uji”!

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here