“Autoritet turke e burgosen Hoxhë Vokën filluan ta akuzojnë, si njeri që dëshiron ta helmojë rininë dhe ta largojë atë nga rruga e fesë, duke e njollosur se “hoxha është prishur nga feja”, “është kaur” etj.,”

Said Najdeni, lindi në qytetin e Dibrës në vitin 1864, në familjen e Islam dhe Esma Najdenit. Ai ka hyrë në fondin e historisë sonë kombëtare si rilindës, patriot, atdhetar dhe veprimtar i shquar i çështjes kombëtare. Arsimin fillor dhe atë plotor Saidi e kreu me sukses në vendlindje në vitin 1882, inteligjenca dhe zgjuarsia që ai kishte bënë që babai i tij ta dërgonte të birin për ta shkolluar fillimisht në Edirne e më pas në Stamboll, ku Saidi përfundoi me sukses studimet e larta teologjike në medresenë e Hajdar Pashës.

Në vitin 1888, pas kryerjes së shkollimit në Stamboll, Saidi i frymëzuar me idealin kombëtar, u kthye në atdhe ku iu përvesh punës në shërbim të arsimit. Për këtë, që përpara se të kthehej ai mori me vete një sasi të madhe abetaresh të Shoqërisë së Stambollit me dëshirën e flaktë që të hapte në vendlindje shkollën e parë shqipe.[39] Dëshirë të cilën ai e realizoi në vitin 1893, por që pas një viti shkolla që ai hapi u mbyll. Kjo e detyroi Said Najdenin të kthehej në Stamboll, rrugës ai arrestohet bashkë me Hamdi Ohrin, një veprimtar tjetër dhe dënohet me 15 muaj burg. Pasi doli nga burgu, me qëllim që të njihej më nga afër me lëvizjen kombëtare ai vizitoi kolonitë shqiptare të Bukureshtit, Sofjes, Italisë, etj. Më 1899 ai mori pjesë si delegat në Kuvendin e Pejës, pas të cilit u burgos përsëri dhe u lirua me kusht që të mos shkonte më në Stamboll. Në vitet e luftës turko-greke kthehet në Dibër, ku duke ditur rrjedhojat e brendshme dhe të jashtme parashikoi shumë qartë përfundimin e kësaj lufte. Hoxhallarëve të Dibrës, ai u shpjegoi rrezikun dhe jua mbushi mendjen se duhej mësuar shqipja me alfabetin e vet, që kështu shqiptarët të zgjoheshin e të bëheshin gati për të mbrojtur interesat kombëtare. Kjo propogandë, zgjoi shumë shokë të tij e hoxhallarë të Dibrës, të cilët filluan ta mësonin dhe ta donin gjuhën amtare.

Në vitin 1900 ai hapi për herë të tretë shkollën shqipe në Dibër. Po në këtë vit në Sofje botoi “Abetare e gjuhesë shqip: nde të folë gegënisht” pa emër autori dhe “Fe-rrëfenjësja e myslimanëve”. Abetareja e Said Najdenit është hartuar me alfabetin e Stambollit, me të vetmin ndryshim se ajo i është përshtatur dialektit gegë, pjesë e së cilës ishte edhe popullsia e kësaj krahine. Alfabeti ka 36 shkronja të vendosur vertikalisht e horizontalisht bashkëngjitur me alfabetin e gjuhës frënge dhe greke. Në abetare janë vendosur ushtrime gramatikore si dhe pjesëza leximi në dialektin e Dibrës, Shkodrës, Tiranës, Elbasanit dhe në dialektin tosk. Said Najdeni i përket atij grupi klerikësh që mendonte se alfabeti më i përshtatshëm për shkrimin e gjuhës shqipe ishte alfabeti latin.

Si përfundim, për këtë figurë po perifrazojmë një thënie të Prof.Mahmud Hysës i cili shkruan se: “Saidi jetoi në kohën e Rilindjes, mendoi si rilindasit, veproi si rilindas, shkroi si rilindas dhe vdiq si rilindas”

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here