Petro Nini Luarasi u lind më 22 prill 1865 në Luaras të Kolonjës dhe vdiq më 17 gusht 1911.

Ai ishte prift, shkrimtar, mësues. Petro punoi si drejtor dhe mësues i shkollës së parë shqipe të motrave Gjerazi në Korçë më 1887. Në vitin 1904, emigroi në SHBA ku qëndroi disa vite si anëtar aktiv i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.

Luarasi ishte delegat në Kongresin e Manastirit që sanksionoi krijimin e alfabetit shqip më 1908. Për atdhetarizëm, mësimin e gjuhës shqipe dhe veprimtari shoqërore, Petro Nini u përndoq si nga turqit e rinj, ashtu edhe nga Patriarku Ekumenik ortodoks i Konstandinopojës.

Përparimi i shkollës shqipe të Negovanit, veprimtaria e tij për themelimin e një komiteti për bashkimin e gjithë çetave në Shqipërinë jugore dhe sidomos libri ”Mallkimi i shkronjave shqipe dhe çpërfolja e shqiptarit”, që goditi rëndë politikën shoviniste te klerit grek në Shqipëri, bënë që më 17 gusht 1911 agjentë e dhespotit të Korçës Joakim ta helmonin, të shpallnin se vdiq nga kolera dhe të tentonin për t’ia djegur edhe kufomën me gëlqere. Ai vdiq si martir i gjuhës shqipe duke mos e gëzuar shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë.

Ish-presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi më 13 janar 2012 i akordoi Petro Nini Luarasit urdhrin “Nderi i Kombit” me motivacionin: “Figurë e shquar e kombit, një nga veprimtarët e ndritur të Rilindjes Kombëtare, luftëtar i paepur për zgjimin, emancipimin dhe prosperimin e kombit shqiptar, për çlirimin nga zgjedha osmane dhe formimin e shtetit komb të shqiptarëve, luftëtarit të madh të krijimit të arsimit kombëtar si një nga shtyllat e çështjes kombëtare, vepër për të cilën dha edhe jetën.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here