Nga: Kastriot Dervishi
Në një informacion pa datë të Zbulimit Politik në të cilin është vendosur një shënim i Mehmet Shehut, thuhet se e kishin takuar Fan Nolin para një sesioni në OKB. E cilësonin “shumë të zgjuar dhe dinak”, por “njeri i lekut”. Shënohej se nuk fliste në shtyp pro regjimit komunist. Kërkohej të bëhej diçka, sepse kolonia shqiptare nuk e njihte 29 nëntorin si festë. Dyshohej se mund të ishte “agjent i amerikanëve”, por prova nuk kishin. Propozohej që regjimi mos ta sulmonte Nolin për gabimet që mund të ketë bërë; të mbante korrespondencë me udhëheqësit e Shqipërisë; Kisha të mbante korrespondencë dhe ta mbante në lidhje, të caktohej anëtar nderi i Lidhjes së Shkrimtarëve.
Në pranverë të vitit 1958, Fan Noli, duke parë se ishte në fund të jetës, i kërkoi përfaqësuesve jozyrtarë të qeverisë shqiptare të dërgonin dy klerikë të rinj për kishën e atjeshme, pasi pas vdekjes së tij ajo do të binte në dorë të Marko Lipës me ndikim grek. Duke analizuar çështjen, Zbulimi Politik i MPB-së arsyetonte do ishte mirë që të ftohej Noli në Shqipëri.
Në këtë kohë, në Tiranë vlerësonin se “Vatra” drejtohej nga “reaksionarët”: Qerim Panariti, Kristo Thanasi, Koli Koblara, Sadik Pepellashi, Muhamet Zagari, ndërsa Fan Noli qëndronte i heshtur para tyre.
Më 27 qershor 1958 punonjësit e misionit shqiptar në Nju-Jork raportonin se më 15 maj 1958 takuan Fan Nolin me rastin një meshe në kishën e atij qyteti. I folën keq për Qani Panaritin, por Noli as pohoi dhe as kundërshtoi. Nisur nga propozimet e paraqitura, me vendimin nr. 378, datë 26 tetor 1958, Byroja Politike e KQ të PPSh-së, vendosi që nëpërmjet Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, të thirrej Fan Noli “për festimet e 15-vjetorit të çlirimit të atdheut”. Noli nuk iu përgjigj ftesës.