Forcat ruse shënjestruan qytetin ukrainas Krivi Rih në një sulm me dron gjatë natës, duke plagosur të paktën një person dhe duke dëmtuar disa ndërtesa dhe automjete, thanë zyrtarët lokalë më 8 korrik. Një burrë 26-vjeçar u shtrua në spital “me lëndime mesatare”, shkroi në Telegram Oleksandr Vilkul, kreu i Këshillit të Mbrojtjes të qytetit.
“Shkatërrimi [i shkaktuar nga sulmi] është i konsiderueshëm,” tha Vilkul, duke shtuar se sulmet shkaktuan zjarr që “u shua menjëherë nga shpëtimtarët”. Dronët goditën një ndërmarrje bujqësore, “duke shkatërruar një nga ndërtesat e saj dhe duke dëmtuar rëndë një tjetër,” tha Vilkul. Shtatë kamionë u dëmtuan gjithashtu në sulm, tha zyrtari. Vilkul tha se situata ishte “nën kontroll” në Krivi Rih, një nga qytetet më të mëdha të provincës juglindore Dnipropetrovsk. “E gjithë infrastruktura e rëndësishme, transporti publik dhe institucionet sociale dhe mjekësore funksionojnë normalisht,” tha Vilkul.
Guvernatori rajonal i Dnipropetrovsk, Serhiy Lysak tha se zjarri shpërtheu në dy vende pas sulmit, duke shkatërruar disa depo, pajisje dhe automjete. “Zjarri përfshiu rreth 360 metra katrorë”, ka shkruar Lysak në një mesazh në Telegram. Sulmet e fundit ruse vijnë teksa Ukraina kërkon të vazhdojë me kundërsulmin e saj kundër pushtimit rus.
Shtetet e Bashkuara pritet të ofrojnë paketën e ardhshme të ndihmës ushtarake për Ukrainën që do të përfshijë municione thërrmuese, tha më 7 korrik këshilltari amerikan për sigurinë kombëtare, Jake Sullivan, përpara njoftimit zyrtar të Pentagonit./ballkaniweb