Anëtari i rregullt i Druzhevstvo Srbie Slovesnosti nga Beogradi, Millan A. Simiq hartoi dhe vizatoi afro vitit 1851 një tabelë heraldike në të cilën u paraqitën të gjitha stemat a atyre krahinave ballkanike ku dikur kanë jetuar sllavët e Jugut. Simiqi ka qenë nën ndikimin e madh të Stematografisë së Zhefaroviqit prej kah i mori pothuaj të gjitha stemat, vetëm se tabelës së tij heraldike i dha një kompozicion plotësisht të ndryshëm e të ri. Kjo tabelë luajti rol pozitiv për shkak se përhapej njohja e stemave midis të gjithë sllavëve të Jugut e për shkak se qe shumëzuar në mënyrë litografike. E shumëzonte njëfarë piktori Milivoj Nenadoviq, e i njohur më mirë me ermin Mosha moleri dhe kah viti 1815 e shpërndante e e shiste nëpër Serbi, Bosnje, Maqedoni e Bullgari.[1] Kjo tabelë ka luajtur një rol të rëndësishëm në përhapjen e njohurisë heraldike midis sllavëve të Jugut. Ana negative e saj është se në të duken ambiciet politike të Serbisë për Maqedoninë dhe Bosnjen e pastaj edhe ndaj krahinave të tjera jugosllave, për shkak se tabela është punuar sipas Naçertanisë së Ilia Garashanit të vitit 1844, me të cilën u trasuan rrugët imperialiste të Serbisë së atëhershme,[2]
Tabela heraldike e Simiqit është vizatuar shumë bukur artistikisht dhe heraldikisht është e qëndrueshme. Ajo nuk është me ngjyra,por ngjyrat janë shënuar me vija heraldike. Më poshtë, nën tekst është shënuar se si janë dhënë ngjyrat. Tërë kompozicioni paraqet timpanon me friz të stolisur në mënyrë të pasur që qëndron në 11 shtylla. Në dhjetë shtyllat vertikalisht janë dhënë 61 stemë. Në këtë kompozicion stema shqiptare është dhënë bri nr. 23. Stema përfaqëson fortesë të bardhë me derë e dritare në fushë të kaltër. Mburoja ka formë franceze (fig.21).
Në përbërjen e koleksionit të dëgjuar J.Siebmacher’s grosses und allgemeines Wappenbuch in einer neçen, vollstanding geordneten und Reich vermehrten Auffage mit heraldichen und historish-genealogichen Erlauterungen, në vëllimin e katërt, pjesa e tretë, Friedrich Heyer botoi shumë stema me titull: Der Adel des Konigreichs Dalmatien nach archivallschen und anderen authendischen Quellen bearbeitet und gezeichnet von Carl Georg Friedrich Heyer von Rosenfeld Nurnberg 1873. Në këtë koleksion stemash gjenden edhe tri stema shqiptare. Edhe pse këto stema janë botuar vetëm kah fundi i shekullit XIX, si mund të shihet prej parashtrimit të deritanishëm, ato janë stema të vjetra që kanë hyrë në koleksionin e ri.
Stema që e shohim në figurën 22 gjendet në vëllimin e katërt, pjesa e tretë, në tabelën III, e teksti në faqet XXI dhe XXII. Mburoja ka formë katrore ose spanjolle, e fusha është vizatuar me vija horizontale,që do të thotë me ngjyrë të kaltër. Në vetë librin e Heyerit jepet përshkrimi i emblemëit dhe thuhet se ai përfaqëson një fortesë prej gurësh të gdhendur me derë të hapur dhe dy dritare që gjenden mbi të. Mbi dritare gjenden bedenë dhëmborë me tri kulla. Kulla e mesme është më e lartë. Kullat janë me bedenë dhe me nga një dritare. Mbi stemë gjendet vetëm një kurorë mbretërore e stolisur bukur. Mbi stemë shkruan në gjuhën gjermanishte: një stemë e shtetit shqiptar.[3]
Stema e dytë gjendet në vëllimin e katërt, pjesa e tretë, tabela III, e teksti në faqet XXI e XXII (fig.23) gjithashtu ka formë spanjollet të mburojës. Fusha e mburojës është mbushur me pikëza, që në heraldike shënojnë ngjyrën e verdhë e të gjelbër. Si emblemë këtu paraqitet luani që është i ngritur me këmbët e përparme dhe i tërbuar. Luani ka vija vertikale, që do të thotë ngjyrë të kuqe. Mbi mburojë është kurora mbretërore që e kanë të gjitha stemat territoriale. Mbi stemë shkruan në gjermanishte: stema e dytë e mbretërisë shqiptare.
Stema e tretë që gjendet në këtë koleksion të njohur, është stema e Kastriotëve (fig.24). Edhe kjo stemë ka formë spanjolle në mburojë. Fusha e mburojës është e bardhë. Si emblemë është një dorë, e ngjyruar kaltër që mban një pallë. Mbi mburojë gjendet kurora perandorake e stolisur bukur, e mbi kurorën shkruan: “Castriotto”. Kjo stemë gjendet në tabelën XXII, fq 34. Për këtë emblemë Ivan Bojniçiq shkruante: “Gjergj Kastrioti Skënderbeu mbante si fisnikët venedikas stemë me dorë të lakuar, e cila në pëllëmbë mban pallë të shtrembër”.[4] Do të thotë se ky emblemë është i vjetër i kohës kur ka pas jetuar Skënderbeu. Heyer jep edhe një shpjegim më të hollësishëm në lidhje me jetën e veprën e Kastriotit dhe thotë: “Gjergj Kastrioti lindur në vitin 1404, ishte djali më i vogël i knjaz Jovaniqit që vdiq në vitin 1432. I ati e dha bashkë me tre
vëllezërit e tij si peng te sulltan Murati II, i cili me shëndetin e tij të fuqishëm shpëtoi nga helmimi gradual, nga i cili vdiqën vëllezërit e tij. I edukuar si mysliman dhe i quajtur Skënderbe prej sulltanit, mori komandën mbi disa ushtri turke, ku u dallua për guxim. Pas vdekjes së t’et, sulltani e pushtoi shtetin e tij. Kastrioti e fshehu zemërimin e vet plot 10 vite. Por menjëherë, sa ju dha rasti, e pushtoi fortesën e Krujës, u shpall për sundimtar të Shqipërisë dhe për një kohë të gjatë i zmbrapsi në mënyrën më guximtare të gjitha
sulmet e turqve. Vdiq më 27 janar të vitit 1467. Në saj të guximit të tij kundër turqve, e fitoi titullin e fisnikut të nderit në Venedik, e pastaj edhe fisnikërinë e Lezinës (luan).[5] Qe shpjegimi pse edhe luani merret shpeshherë si stemë e Shqipërisë.
VAZHDON
[1] Novakovic, v. c. 134
[2] Шафарик, додатак о приложеним грбовима српски земал и владатела. Glasnik drustva Srpske slovenosti, IX, Bgd. 1857, 341.
[3] Heyer, v.c. 21.
[4] Dr. Ivan Bojnicic, Der Adel von Kroatien und Slavonien, Nurnberg, 1899, 84.
[5] Heyer, v. c. 34. Dizionari storico di tutte le venete patrizie famiglie, 1780, 48.