Depërtimi i vrullshëm i osmanëve në Ballkan, rrezikoi zotërimet e sundimtarëve arbërorë, të cilët më 1389 u bashkuan me Koalicionin Ballkanik të komanduar nga princ Llazari. Koalicioni Ballkanik përbëhej nga sundimtarë arbërorë, kroatë, serbë, hungarezë, boshnjakë, rumun etj, të cilët bashkuan fuqitë e tyre kundër osmanëve të komanduar nga sulltan Muradi I.
Sundimtarët arbër që morrën pjesë në betejën e Kosovës në vitin 1389 ishin Teodor II Muzaka, Andrea Gropa, Dhimitër Jonima etj.
Beteja e Fushë Kosovës u humb nga Koalicioni, por të dyja ushtritë patën humbje të mëdha. Sulltan Muradi u vra nga kalorësi Millosh Kopili. Në këtë betejë humbi jetën dhe princi arbëror Teodor II Muzaka.
Gjon Muzaka në kronikën e tij shkruar më 1510, për këtë betejë thotë:
“Llazari, Despoti i Serbisë, Mbreti Marko i Bullgarisë dhe Teodor Muzaka, i linduri i dytë i familjes sonë, dhe zotërit e tjerë të Arbërisë u bashkuan dhe u nisën për betejë, të cilën të krishterët e humbën. Aty u vra Teodori i lartpërmendur, i cili kishte me vete një ushtri të madhe shqiptarësh.”
Njoftime mbi pjesmarrjen e shqiptarëve në këtë betejë ndeshen dhe në burimet bizantine. Me rëndësi është njoftimi që na jep Jeraksi, i cili shkruan në kronikën e vet “Mbi Perandorinë Turke”, se në betejën e Kosovës shkuan arkondë nga Arvanitia (domethënë nga Shqipëria) nga viset që quhen Dardania (Kosova), Misia, Himara, Epiri dhe më së fundi nga bregdeti i Adriatikut.
Jeraksi nuk është i vetmi kronist mesjetar që e quan Dardaninë pjesë të Shqipërisë, dokumente të shumta bëjnë të njejtën gjë. Tre muaj më vonë nga përleshja që ndodhi në Kosovë, në një letër të shkruar nga Philip Mesiere dhe të botuar nga S. Ljubiç, autori njofton se beteja ku mbeti i vrarë sulltan Murati I ishte zhvilluar në “viset e Arbërisë” (es partice d’Albanie).