Kur njerëzit mendojnë për fjalën demokraci, mendja mund t’u shkojë tek tipat si Etërit Themelues, të veshur me pallto ndërsa qëndrojnë rreth një tavoline dhe nënshkruajnë dokumente. Ose të paktën për ata që jetojnë në SHBA Vendet e tjera kanë figurat e tyre demokratike, revolucionare ose të zgjedhur në mënyrë të ligjshme.

Ndërkohë, vende si Rusia kanë pasur vetëm 8 vite një traditë të dobët sundimi demokratik, gjatë viteve 1991-1999 pas shembjes së Bashkimit Sovjetik dhe para ngjitjes në krye të Vladimir Putinit. Po si ishte sundimi demokratik në formën e tij origjinale, rreth 2500 vjet më parë në Athinën e lashtë?

Qeverisja qytetare athinase i frymëzoi romakët, të cilët frymëzuan Rilindjen (veçanërisht në Firence), e cila frymëzoi nga ana e saj Iluminizmin Evropian, që na dha demokracinëmoderne. Dhe në fillim të gjithçkaje ishte Soloni, i quajtur ndonjëherë si “Babai Themelues” i demokracisë.

Në fakt, reformat nisën që në shekullin VII Para Erës Sonë me Drakonin, një ligjvënës i ashpër e brutal athinas, mbretërimi i të cilit i parapriu me rreth 30 vite atij të Solonit. Drakoni, emri i të cilit përdoret sot si një përcaktor, do të thotë “mizor” ose “i ashpër” jetoi në një epokë traditash brutale ku nuk kishte ligje të kodifikuara.

Ai ishte i pari që standardizoi dënimet për krime të ndryshme. Në shumë raste, edhe për krimet e lehta, dënimi ishte i njëjtë:me vdekje. Ai përfundoi në vitin 621 shkrimin e kodit të tij ligjor në vitin e fundit të Lojërave të 39-a Olimpike. Por nuk kaloi shumë kohë dhe njerëzit u shqetësuan me kodin shumë mizor dhe të tepruar të Drakonit, dhe zgjodhën dikë të ri në pozicionin e udhëheqësit, Solonin.

Informacioni mbi jetën e tij na vjen nga burime si Plutarku, historiani grek që jetoi rreth 700 vjet pas kohës së Solonit. Sipas të gjitha të dhënave Soloni ishte tregtar në vitet e rinisë dhe një lloj poeti udhëtues, një zakon që ai e ruajti në vitet e tij të mëvonshme.

Ai vlerësohej shumë nga bashkëqytetarët për urtësinë e tij, dhe kjo është arsyeja pse u zgjodh në postin qeveritar të Arkontit në vitin 594 Para Erës Sonë. Në atë kohë Athina ishte në mesin e një krize borxhesh për shkak të bujqësisë.

Shumica e njerëzve punonin tokat që u përkisnin atyre pak të pasurve aristokratë, dhe duhej të dorëzonin tek këta të fundit 1/6 e të korrave të tyre. Nëse nuk mundeshin, ata ose familja e tyre mund të shiteshin si skllevër. Prandaj një nga lëvizjet e para të Solonit si drejtues ishte anulimi i të gjithë borxhit.

Por ai nuk u ndal me kaq. Soloni ndaloi me ligj shitjen e çdo qytetari si skllav nëse ai nuk mund të paguante borxhet e tij në të ardhmen. Po ashtu liroi të gjithë njerëzit që ishin skllavëruar për shkak të borxheve. Më pas reformoi plotësisht sistemin ekonomik të Athinës, që edhe pse i vendosur në një mjedis shkëmbor kodrinor, ishte pothuajse tërësisht i varur nga bujqësia.

Soloni krijoi nivele të ndryshme të tatimit mbi pasurinë për nivele të ndryshme të prodhimit të ushqimit. Ai e lidhi postin politik me normat më të larta tatimore. Kjo lëvizje që i mbajti të pasurit të lumtur, dhe të varfrit të sigurt nga zemërimi i tyre. Një ndjenjë e tillë e nuancuar etike dhe drejtësie duket se ka qenë një karakteristikë e Solonit.

Siç shkruante ai vetë në vargjet poetike:

Masave të njerëzve u dhashë fuqinë që u duhej

As duke i degraduar, por as duke ua lëshuar shumë frerin

Për ata që tashmë zotëronin fuqi dhe pasuri të madhe

U kujdesa që të mos dëmtoheshin interesat e tyre

Qëndrova si një roje përpara të dyja palëve

Dhe pengova njërën që të triumfonte padrejtësisht mbi tjetrën.

Më pas Soloni hartoi një kod të plotë ligjor që përmbysi dënimet e ashpra të Drakonit, përveç rasteve të vrasjes. Ai vendosi rregulla në tregti, balancoi ekonominë athinase dhe krijoi ligje në lidhje me trashëgiminë dhe funeralet, tradhtinë bashkëshortore dhe vjedhjen, plagosjet dhe dëmtimet e pronës, dhe mbi proceset gjithëpërfshirëse demokratike të qeverisë athinase.

Ndër disa nga reformat e tjera të Solonit – që të gjitha bazuar në konceptet themelore të drejtësisë – ishin rishikimet e sistemit ushtarak dhe gjyqësor të Athinës. Ashtu si Greqia e sotme, Athina kërkonte shërbimin e detyrueshëm ushtarak të njerëzve të saj.

Por në një lëvizje tjetër revolucionare, Soloni i pengoi që të merrnin pjesë njerëzit me nivel më të ulët ekonomik. Kjo sepse personeli ushtarak duhej të paguante vetë për armaturën, armët dhe kuaj, por edhe sepse familjet e tyre do të shkatërroheshin financiarisht nëse do tëvdiste kryefamiljari.

Dy shtresat shoqërore më të pasura, mund të bëheshin kalorës sepse mund ta përballonin atë financiarisht. Por edhe në mesin e shtresave më të ulëta të ushtarakëve të kualifikuar, vetëm ata që ishin më të aftë mund t’i bashkoheshin ushtrisë. Madje edhe atëherë, thesari i shtetit mbulonte shpenzimet e tij dhe të familjes së tij gjatë kohës së luftës.

Në lidhje me sistemin gjyqësor, Soloni ngriti një gjykatë ankesash në një forum të hapur të quajtur Heliaia, ku anëtarët e të gjitha klasave – nga më të ulëtat tek ato më të lartat – mund të shprehnin në mënyrë të barabartë shqetësimet e tyre. Dhe në një vendim shumë të guximshëm, gjykata i lejoi njerëzit të akuzonin eprorët e tyre dhe anëtarët e qeverisë për krime të ndryshme.

Kjo asamble funksiononte si një organ përfundimtar, i ngjashëm me gjykatën supreme, dhe përbëhej nga 6001 anëtarë. Reformat e Solonit hodhën bazat për jetën civile dhe politike të Athinës, dhe çuan në Epokën e saj të Artë të viteve 480-404 Para Erës Sonë.

Në vitin 507 Para Erës Sonë, mbi 50 vjet pas vdekjes së Solonit, Athina ishte në rrugën e duhur për t’u bërë ajo që e kujton sot historia. Atë vit, politikani Kleisten përdori për herë të parë termin “demokratia” për të përshkruar sistemin e tij të veçantë të reformave. Kjo fjalë e re u formua nga kombinimi i fjalës “demos” (popull) me “kratos” (pushteti) për të krijuar termin demokraci“sundim nga populli”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here