Disa anëtarë të ekipit që xhironin vazhdimin e filmit “Gladiator 2” në Marok janë plagosur në një incident që ndodhi gjatë xhirimeve, derisa ishte duke u zhvilluar një skenë me manovrime.
Kompania e prodhimit të filmit “Paramount Pictures” tha se të lënduarit janë jashtë rrezikut për jetë.
Anëtarët e ekipit janë “të gjithë në gjendje të qëndrueshme dhe vazhdojnë të marrin trajtim”, thuhet në deklaratë.
Në fillim të kësaj jave, The Sun raportoi se kishte pasur një shpërthim dhe se gjashtë persona shkuan në spital.
Në një deklaratë, një zëdhënës i Paramount Pictures tha: “Ekipet e sigurisë dhe të shërbimeve mjekësore vepruan shpejt në mënyrë që ata që u prekën të marrin menjëherë kujdesin e nevojshëm”.
Tutje, u tha se do të merren të gjitha masat e nevojshme për të rifilluar xhirimet e filmit pas këtij incidenti, shkruan BBC./Klankosova.tv.