Dokumentet nxjerrin në pah sesi regjimi komunist shqyrtonte me kujdes origjinën, biografinë dhe qëndrimin politik të punonjësve për të vendosur lejimin ose jo të tyre në punë. Nëse biografia ose qëndrimi politik rezultonte me probleme, njerëzit pushoheshin nga puna pavarësisht aftësive apo meritave të tyre dhe dërgoheshin në çelje kanalesh dhe punë të tjera të rënda. Mund të shpëtonin vetëm në ato raste kur ishin të domosdoshëm e të pazëvendësueshëm, por edhe atëherë duke u vendosur nën një kontroll të rreptë.
Studiuesi Xhafer Sadiku në librin e tij “Skenarë të Përgjakur”, botim i ISKK, ka sjellë materiale arkivore që flasin për masat që ka marrë udhëheqja e regjimit për të spastruar sektorë të ndryshëm nga ata që i konsideronte armiq në zonën e Përmetit, në bazë të disa vendimeve që u aplikuan në të gjithë Shqipërinë. Sipas autorit nëpunësit e specialistët që pushoheshin nga puna për “qëndrim armiqësor” karshi pushtetit, pajiseshin me një kartelë me bojë të verdhë.
“Dega e Fuqisë Punëtore e Kryeministrisë krijoi kartotekën dhe evidencën e elementit të pushuar për qëndrim armiqësor karshi pushtetit. Një kopje e kartelës me bojë të verdhë i përcillej kryeministrisë. Komitetet ekzekutive të rretheve duhet të bashkëpunonin me Degët e Brendshme dhe të merrnin mendimet e tyre”, shkruhet në dokumentet e Arkivit Qendror të Shtetit të vitit 1951, që Sadiku i ka cituar në librin e tij. Si rezultat, siç shkruan autorit, brenda një kohe të shkurtër, qindra vetë u përjashtuan nga puna.
“Më 22 maj 1951, me një qarkore tepër sekrete, udhëheqja e regjmit udhëzonte strukturat shtetërore se elementët me qëndrim të keq politik “më parë se të përjashtohen nga puna, i nënshtrohen një studimi të hollësishëm nga një komision i përbërë nga Shefi i Sigurimit të Rrethit, përgjegjësi për kuadro i Komitetit të Partisë”, shkruan Sadiku.
Ky komsion bënte klasifikimin e tyre duke i ndarë në tri kategori:
elementët që duheshin përjashtuar menjëherë nga puna
elementët që duheshin përjashtuar mbas një kohe nga puna (brenda tre muajve, brenda gjashtë muajve, brenda një viti)
elementë të pazëvendësueshëm, të cilët duhet të qëndrojnë në punë duke iu nënshtruar kontrollit të rreptë dhe special të partisë dhe të Sigurimit.
“Elementët me qëndrim të keq politik që përjashtoheshin nga puna lejoheshin të punonin vetëm në punë të thjeshta si: “çelje kanalesh, mbajtje gurësh, ndërtim rrugësh, prerje dru zjarri,…shkruhet në dosjen e AQSH, së cilës i është referuar studiuesi Sadiku.
Në shqyrtimin e punonjësit, sipas këtyre dokumenteve, merreshin parasysh:
origjina shoqërore
- e gjithë biografia e tij për të kaluarën e tij politike
- qëndrimi i tij politik në të tashmen
- si e kryen punën sot
- aftësia e tij tekniko-profesionale
Vendimi i përjashtimit nga puna nga ky komision kishte fuqi gjithëvepruese. Personi që përjashtohej nga organet shtetërore të një rrethi, nuk merrej në punë në asnjë rreth tjetër.
Byroja e Komitetit të Partisë të rrethit Përmet më 28 korrik 1951, cilësoi armiq 9 nëpunës me profesione të ndryshme: Fejzi Rakipin nga fshati Mokricë, Janaq Prokon nga Kaludhi, Dr.Avdyl Skëndulin nga Gjirokastra, Petro Rokon nga Zagoria, Paskal Gudën nga Novosela, Zenel Dajlanin nga Zhepova, Gogo Buxhukun dhe Koço Priftin nga Përmeti dhe Brahim Gosnishtin nga Gosnishti. Komisioni për pastrimin e elementëve të padëshiruar nga sektorët e ndryshëm të qendrave të punës propozoi për t’i larguar nga puna.
Pas një muaji, u përpilua një tjetër listë me elementë armiq për t’u pushuar nga puna, këtë herë nga Bashkimi i Kooperativave të rrethit.
“Më 28 gusht 1951, Bashkimi i Kooperativave të Rrethit Përmet i dërgonte Degës së Fuqisë Punëtore pranë Kryeministrisë një listë me emrat e Janaq Nastas Joanidhit, Tatul Lek Adhamidhit, Evanthi Aristotel Vasilit, Ilia Koli Papës, Taqo Konstandin Prillos, Apostol Llukan Bënjës, Gjeno Vasil Lamanit dhe Paskal Anastas Gudës, të pushuar nga puna për qëndrim të keq politik”. Shumica e tyre, spjegon Sadiku, ishin tregtarë të mesëm dhe punonin si shitës. Motivi i pushimit nga puna për pothuajse cilindo ishte se nuk e shikonin me sy të mirë pushtetin dhe se i mungonte besimi politik.
Pastrimi i sektorëve të punës nga elementët e padëshirueshëm nuk ishte një fushatë njëmujore. Përkundrazi ajo vazhdoi në kohë dhe përfshiu çdo sektor. Dokumentet tregojnë që më 15 nëntor 1952, Ministria e Arsimit u dërgoi komiteteve ekzekutive të rretheve një qarkore mbi pastrimin e kuadrit nga këta elementë. “Pasi studioi tërë kuadrin arsimor në rrethin e Përmetit, në fillim të janarit 1953, komiteti ekzekutiv i këshillit popullor të rrethit vendosi përjashtimin nga arsimi të Tahir Sinanit, Njazi Mastorit, Rudolf dhe Robert Dejlanës, Yzedin Shemes, Pulqeri Filipeut, Engjëll Dalanit dhe Halil Dyfekut. Motivi i largimit për secilin prej tyre ishte se nuk mund të rrisi brezin e ri me edukatën komuniste dhe të jetë arsimtar i republikës sonë popullore”.
Në vitet ’50, ishin formuar mësues të rinj nga familjet me biografi të mirë dhe mësuesit “armiq” ndryshe nga vitet e para të regjimit kur ishin të domosdoshëm, tashmë filluan t’i pushojnë nga puna, për të plotësuar hakmarrjen e komunistëve ndaj familjeve apo qëndrimit të tyre. Dhe kjo ndodhi shkallë-shkallë në çdo sektor me pushime apo me zhvendosje nga vendi i punës, në varësi të nevojave të shtetit, por jo të aftësive dhe meritave të profesionistëve.kujto.al