Grupi i spiunëve, i cili udhëzohej nga shërbimi informativ i UDB-së, është infiltruar në vitet ’50 të shekullit të kaluar në gjigantin medial BBC, thonë dokumentet e fundit të zbuluara në Slloveni, shkruan gazeta britanike “The Sunday Times”.

Detyra e tyre ishte që të mbledhin informata për kolegët e tyre jugosllavë dhe britanikë, si dhe për disidentët e Jugosllavisë së atëhershme që ishin shpërngulur në Angli.

Njëri nga spiunët, shkruan gazeta britanike, ishte slloveni Mitja Mersol, i cili në UDB e kishte pseudonimin “Linguisti” Ai, në vitet ’70 të shekullit të kaluar, ka punuar si spiker në BBC, në edicionin në gjuhën sllovene, ndërsa sot është anëtar i parlamentit të Sllovenisë.

Sipas Juret Brankovicit, i cili për dokumentet foli në televizionin slloven Pop TV, UDB gjatë kësaj periudhe rregullisht ka marrë informacione nga spiunët e infiltruar në shërbimin publik britanik.

“Edhe pse BBC paraqet një shërbim apolitik, fjala është për një mekanizëm efikas të indoktrinimit britanik dhe të shërbimit të zbulimit”, thuhet në një dokumentet të UDB-së.

Dokumentet gjithashtu zbulojnë se Merson nga UDB-ja kishte kamerë speciale për t’i xhiruar dokumentet, ndërsa ishte i trajnuar për përdorimin e letrave të koduara.

Mersol ka raportuar dy herë në muaj, ndërsa është urdhëruar që informacionet në lidhje me grupin e emigrantëve politikë, të lidhur me “Aksionin e Mesdheut” – natyra e të cilëve nuk është e njohur – t’i dërgojë menjëherë.

Në dokumente thuhet se Mersol, i cili e kishte fituar besimin e kolegëve dhe të emigrantëve, ka raportuar për “konspiracionin kundër komunizmit”, por edhe për dashuritë e tyre, dhe se kush nga ta gjendet në listën e pagave të Scotland Yard-it.

Në një rast, “Linguisti” për pak sa nuk është dekonspiruar, pasi e ka dhënë raportin për darkën të cilën e ka shtruar jugosllavja 25 vjeçare, e punësuar në BBC. Gruaja e re, thuhet në raport, është afruar me njërin nga mysafirët, një emigrant djathtist, ndërsa kur pas kësaj arrestohen prindërit e saj në Beograd, ajo është ankuar te Marsoli dhe ka dyshuar tek ai.

Kjo ka detyruar shefat që t’i lusin kolegët në policinë e Beogradit që të mos i arrestojnë më prindërit e saj, nëse duan që agjenti i tyre të mos zbulohet.

Marsol, përkitazi me këto akuza, ka deklaruar se ka punuar ashtu që të “mos e dëmtoj askënd”.

“Njeriu në jetë bën shumë gjëra. Gjithkush gjykon për veprimet e veta, dhe unë nën atë që ka ndodhur para 40 viteve e kam bërë një vijë. Në atë kohë kemi jetuar në një shtet tjetër, me sistem tjetër dhe në rrethana tjera”, ka thënë ai.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here