Zhdukja e artizanatit dhe e veglave të vjetra për përpunimin e plisit, kapelës tradicionale shqiptare, e ndërlikon fushatën për futjen e plisit në Listën e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të UNESCO-s.

Dyqani në këndin ku punonte dhe ruante veglat tradicionale të punës 85-vjeçari Nijazi Kasapi, tashmë është shndërruar në një ndërtesë moderne.

Kasapi mësoi të bënte plisin, kapelën tradicionale shqiptare, në moshën 12-vjeçare. Tani, profesioni i tij si plisbërës pothuajse është zhdukur.

 Ndërsa kërkesa për kapelat tradicionale të bardha ka rënë, po kështu ka rënë edhe interesi për të mësuar se si t’i përgatitet. Në vend që t’ia dorëzonte veglat e tij një anëtari të familjes, siç bëri babai i tij me të, Kasapi ia dorëzoi veglat e tij të punimit të plisit në Muzeut të Pejës.

85-vjeçari tha se është i mërzitur që i kanë prishur shtëpinë për të ndërtuar ndërtesa dhe se nuk ka më mundësi të mbajë në shtëpi veglat e vjetra të punës.

Ka mundësi që plisi dhe veglat e vjetra të punës të bëhen një artefakt i ruajtur vetëm brenda katër mureve të muzeut. Brezat e ardhshëm mund të mos e njohin kapelën e bardhë si pjesë të pandashme të kulturës shqiptare. Shqiptarët e moshuar refuzuan të hiqnin plisin nga koka e tyre, edhe kur kjo i bëri ata shënjestër të persekutimit etnik.

Kasapi kishte vënë plisin e tij në një manekin të veshur me rroba kombëtare në buzë të katit të dytë të muzeut.

“Ai plis ishte i imi. Kur erdha [në muze], pashë që kjo [manekini] ka një plis të bardhë të ri. E hoqa atë dhe e vendosa timin që t’i përshtatej më mirë” – ka rrëfyer Nijazi Kasapi në një intervistë për Prishtina Insight.

Fillimisht në punëtorinë e tij në qendër të Pejës në vitet e 80-ta, pastaj në shtëpinë e tij në periferi të qytetit në vitet e 90-ta, veglat e tij bënë rrugëtimin e fundit për në Muzeun e Pejës.

Zejtari i vjetër pejan, Kasapi, ka thënë se ka vendosur t’i dorëzojë veglat e tij muzeut, sepse kishte frikë se mos i dëmtonte koha dhe njerëzit.

Qeleshepunuesi pejan, Nijazi Kasapi duke treguar për veglat e vjetra të punimit të plisit të cilat i ka dorëzuar në Muzeun e Pejës. Fotografia: Antigonë Isufi/BIRN

“Sa më shkojnë dëmë ma mirë ruhen në muze, ruhen e herë do kur dikush  i sheh. Kam pas shumë mjete të punës, por tash kur më është rrëzuar shtëpia m’i kanë marrë… ni takmak që punohet, ma kanë marrë ni rroshe, m’i kanë marrë do fërkuesa, qato janë mangu. Nuk e di kush i ka marrë, tu rrëzu shtëpinë gjithkush hynte…” – ka rrëfyer Kasapi.

Në ditët e sotme rinia është e fokusuar më së shumti në profesione që nuk kanë të bëjnë fare me zanatet dhe trashëgiminë. Kasapi tha se plisi krijohet shumë rrallë, vetëm për të mos u harruar.

“Unë kam qenë 12 vjeçar kur ia kam nisë me u marrë me përpunimin e plisit. Se baba u nda me vllazën e duhej unë me i ndihmu. Se ky zanati jonë ësshtë vështirë me u punu. Duhet bile dy vetë me qenë, se shkon procesi si zinxhir” – shpjegoi ai.

Kasapit i pëlqente të krijonte plisin tradicional, veçanërisht kur njerëzit ishin të interesuar t’i blinin ato. Tani, vullneti i tij ka rënë për shkak të rënies së interesit.

“Nuk kam mendu me vazhdu traditën, se këto zejet e vjetra krejt janë ka mbesin. Askush më nuk po e bënë plisin e bardhë. Ka mbet veç për ndonjë zijafet, a për naj dasmë a shyhret, ceremoni, se kërkush nuk e bënë më” – ka rrëfyer Kasapi.

Ai ka frikë se tradita e punimit të plisit do të zhduket, por ai ende ka shpresë se teknologjia moderne mund ta mbajë gjallë plisin.

“Punimi i plisit me kohë po lihet se tash është vetëm një zanatli që e mban këtë zanat në Pejë, Afrimi. Ai po merret me t dhe është i vetmi. Ish kanë keq me u harru se kjo është simbol me qindra vjet  i shqiptarhanes” – shtoi 85 vjeçari.

Nga Japonia, duke lobuar për Kosovën në UNESCO

Jetesa në një kontinent tjetër nuk e ka penguar Mithat (Micky) Haxhiislamin të kontribuojë dhe të promovojë kulturën dhe trashëgiminë shqiptare.

Edhe pse ka studiuar për stomatologji dhe ka biznes në Japoni, Haxhiislami me origjinë nga Peja ka bërë vazhdimisht fushata virtuale për përfshirjen e plisit në UNESCO.

Së fundmi ka nisur sërish fushata virtuale #plisineUNESCO.

Çdo ditë në Facebook marr tre-katër njoftime nga Haxhiislami që publikon foto të vjetra dhe bën thirrje për njohjen e kulturës shqiptare.

“Prandaj për mua kjo gjë nuk është aspak e vështirë dhe e bëj me kënaqësi dhe krenari” – ka thënë Haxhiislami në një intervistë për Prishtina Insight.

Për më shumë se dymbëdhjetë vjet, ai ka shpenzuar 30-60 minuta çdo ditë duke ndarë këtë promovim dixhital.

Duke jetuar në Japoni, një vend që vlerëson trashëgiminë kulturore, për 20 vjet, Micky thotë se është më tej i frymëzuar për të bërë të njëjtën gjë për kombin e tij.

Rutina e harresës së historisë u promovua nga regjimet komuniste në Shqipëri dhe Jugosllavi. Sipas Haxhiislamit, kësaj praktike duhet t’i jepet fund.

Haxhiislami filloi lobimin përmes rrjeteve sociale për plisin vitin e kaluar. Ndërsa për xhubletën, një veshje tradicionale shqiptare që disa muaj më parë u regjistrua në UNESCO, ai loboi çdo ditë për pesë vjet.

Ai beson se do të duhet kohë që plisi të futet në Listën e Trashëgimisë Jomateriale të UNESCO-s në nevojë për mbrojtje urgjente, por shpreson jo aq sa koha që i është dashur xhubletës.

Micky thotë se institucionet e Kosovës dhe Shqipërisë nuk kanë kontribuar sa duhet për të ruajtur plisin si trashëgimi kulturore.

“Është për keqardhje që Kosova ende nuk ka arritur të bëhet anëtare e UNESCO-s, sepse kjo sigurisht po e vështirëson situatën më shumë, mirëpo shpresoj se qeveria shqiptare do të veproj njëjtë dhe për plisin sic veproj për Xhubletën, Kcimin e bjeshkës me tupan te Tropojës, Ritualin e lashtë te shtegtimit të bagëtive, Kcimin e Logut, etj” – tha ai.

Avancimi i mjeteve të punës për krijimin e plisit jo vetëm që zvogëlon autenticitetin, por edhe e bën të pamundur aplikimin e tij në UNESCO, sepse organizata i njeh vetëm ato zeje me të cilat punohen duke përdorur metoda tradicionale, sipas Haxhiislamit.

Veglat e vjetra të punimit të plisit të cilat Nijazi Kasapi ia ka dhuruar Muzeut të Pejës. Fotografia: Antigonë Isufi/BIRN

Punimi i plisit është mjaft i vështirë dhe merr 14 faza. Çdo fazë duhet të dokumentohet me përpikëri në mënyrë që të përgatitet një dosje e duhur për aplikimin në UNESCO.

“Do të ishte mëkat i madh nëse punimi me metoda tradicionale i plisit do të zhdukej plotësisht. Kjo kurrë nuk do të na falej. Mos të harrojmë që plisi në kuadrin e veshjeve tona ka një rëndësi jashtëzakonisht të madhe, qoftë si funksion por edhe si simbol kombëtar” – tha Haxhiislami.

Dëshira e tij kryesore është që institucionet e Kosovës të shpenzojnë më shumë për trajnimin e plis-bërësve në mënyrë që ata t’u shërbejnë gjeneratave të reja dhe të ndajnë kulturën shqiptare me të huajt që vijnë për të vizituar Kosovën.

Pranimi i plisit në UNESCO si artizanat i mbrojtur do të sillte përfitime financiare nga kjo organizatë, gjë që do të ishte motivim i mirë për të rinjt për të vazhduar këtë traditë mijëravjeçare, shpjegon Haxhiislami.

Edhe pse kanë mbetur vetëm disa familje që e kanë ruajtur dhe trashëguar zanatin e punimit të plisit, por për sa kohë që ekzistojnë ende plisi ka mundësi të pranohet nga UNESCO si një artizanat i mbrojtur kulturore, thotë ai. Por dora institucionale është jashtë dorës së tij.

“Sigurisht që vullneti i dy qeverive nuk është aspak i mjaftueshëm për momentin, por besoj se kjo gjë do të ndërron nëse ne të gjithë bëjmë më shumë presion, që ato të miren me këtë gjë urgjentisht” – tha ai.

Sipas tij, pa ndihmë financiare është e vështirë të bëhet diçka. Këtu një rol efektiv mund të luajnë edhe shoqatat e ndryshme shqiptare në mbarë botën.

Në mënyrë që plisi të kthehet në modë, Haxhiislami propozon organizimin e “Ditës Kombëtare të Plisit”. Për të promovuar veshjen e plisit, Garda Kombëtare e Nderit, përfaqësues të bizneseve në panairet botërore dhe të tjerë do të vishnin plisin.

Ky artikull fillimisht është publikuar në Prishtina Insight.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here