Ishte 15 Janari i vitit 1975 kur bota shqiptare mësoi se Profesor Ernest Koliqi kishte ndërruar jetë, ndërkohë që njoftohej gjithashtu se varrimi i të ndjerit do bëhej me 18 Janar, 1975 në Kishën e Shën Piut X në Piazza della Balduina, në Romë, ku prehen edhe prindërit e tij dhe bashkshortja. Në ceremoninë e varrimit kishin shkuar personalitete të njohura politike dhe akademike, kolegë e miq nga të gjitha anët e Italisë, arbëreshë e shqiptarë të ardhur nga të gjitha anët e botës, miq nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga një numër vendesh të Evropës Perëndimore dhe nga Turqia

Nga Frank SHKRELI

Unë kam pasë fatin e mirë ta njoh Profesor Koliqin gjatë qëndrimit tim si refugjat në Romë, para se të vendosesha në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dhe deri sa ndërroi jetë me 15 Janar, 1975, shkëmbenim letra dy tre herë në vjet. Në një letër që Profesor Koliqi më kishte dërguar në vitin 1972, pas një përpjekjeje amatore nga ana ime për të botuar një fletushkë kushtuar rinisë në mërgim, ai më shkruante ndër të tjera: “I dashtuni Fran, më kanë ra në dorë si letra e jote ashtu edhe Nr. 1 i periodikut, “Rinija Shqyptare në Mërgim”. Gëzohem pikë më së pari që je mirë, që përpiqesh të ndjekish studimet, e në fund, për botimin kushtue masës së re që larg prej Atdheut ka shumë nevojë t’ushqehet me shkrime të shëndoshta shqipe. Të lumtë! Ashtë nji fillesë plot premtime. Mbaj mend veç nji fjalë të moçme: ‘Trimi i mirë me shokë shumë’. Avit moshatarë sa ma shumë që mundesh. Në ashtë se kjo fletore do të merret edhe me letërsi, mos harro auktorët që regjimi komunist i ka përjashtue nga historia e letërsisë shqipe…”. Ishte ky amaneti i tij.

Përveç respektit të madh që kam për Ernest Koliqin, është edhe ky amanet pra që më detyron të mos e harroj dhe ta kujtoj atë, nga koha në kohë, në mënyrën teme më modeste, si njërin prej të mëdhenjve të Kombit, por të përjashtuar nga regjimi komunist shqiptar. Unë nuk kam përgatitjen as nuk jam i denjë të vlerësoj veprën dhe kontributet e shumta të Ernest Koliqit, por amanetin për të mos e harruar atë si një autor të përjashtruar nga letërsia shqipe prej regjimit komunist dhe nga mbeturinat e atij regjimi deri në ditët e sotme – përpiqem me modesti ta çoj në vend, nga hera në here amanetin e ti, për të mos harruar.

Një tjetër i madh i letrave shqipe, Karl Gurakuqi, bashkpuntor i ngusht i tij, e ka vlerësuar kontributin prej shkrimtari të Ernest Koliqin kështu: “Nuk janë shumë shkrimtarët tonë, emni i të cilëve të njihet aq mirë në shtresat letrare shqipe sa ai i Koliqit. Janë 40 vjet që papremas e shohim emnin e tij në çfaqje kulturore gjithëfarësh, në botime, në fletore e revista të ndryshme, disa prej të cilave janë themelue prej tij vet, në botime që janë të paracaktueme që të zënë nji vend të dukshëm, dashtë e padashtë, në historinë e letrave tona.” Si Ministër i Arsimit në vitin 1939, Ernest Koliqi mbledh pothuaj të gjithë studiuesit dhe shkrimtarët më të dalluar të vendit për të filluar botimin e librave për shkollat e mesme e fillore. Mjafton të përmendet dy-vëllimshi “Shkrimtarët Shqiptarë”, vëllimet “Bota Shqiptare”, “Rreze Drite” dhe “Te Praku i Jetës”, e sidomos mbledhja e folklorit, përmbledhur në “Visaret e Kombit”, të cilat me ardhjen e Koliqit në atë detyrë, arritën gjithsej 14 vëllime, një vepër kjo me shumë vlerë deri në ditët tona, sipas ekspertëve që i dinë këto punë shumë më mirë se unë.

Karjera e Profesor Koliqit prej më shumë se 40-vjetësh është tepër e larmishme dhe voluminoze në letërsi, publicistikë, poezi e përkthime, për t’u përmendur këtu në hollësi. Por me këtë rast të përvjetorit të kalimit të tij në amshim më 15 Janar, 1975 – për të çuar në vend amanetin – dëshiroj të kujtoj Profesor Koliqin, për një rol tepër të rëndësishëm që ai ka luajtur në historinë e Kombit shqiptar, një rol ky që as sot nuk i njihet atij sa duhet në historiografinë neokomuniste shqiptare. Nuk më kujtohet që gjatë bisedave të kufizuara që kam pasur me të, të fliste për këtë aktivitet aq të rëndësishëm të jetës së tij dhe të arsimit mbarëkombëtar shqiptar, por të bashkëpunëtorë dhe bashkëkohës të tij, por edhe të tjerë më vonë, pas shembjes së komunizmit, nuk kanë munguar të theksojnë këtë kontribut historik të tij – hapjen e qindra shkollave shqipe dhe dërgimin e qindra mësuesve në Kosovë dhe anë e mbanë trojeve shqiptare.

Ndërsa Tahir Zajmi,i lindur në Gjakovë dhe një tjetër bashkëkohës i Koliqit dhe sekretar i Bajram Currit dhe njëri prej themeluesve dhe drejtuesve të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, në një shkrim në vitin 1972, ka vlerësuar kështu rolin e Ernest Koliqit në përhapjen e arsimit në Kosovë dhe në trojet shqiptare: ”Fitim i madh për Kosovë kje hapja dhe funksionimi i shkollave shqipe të cilat qyshë atëherë veprojnë e lulëzojnë të kërthensta dhe me një ritëm të shpejt dhe të pandalshëm i falin Kombit pionerë të rijë që do të jenë garancia më e shëndosh dhe uzdaja e së ardhmes së Atdheut. E merita kryesore e kësaj veprimtarie patriotike të qeverisë shqiptare, pa dyshim i përket Ministrit të Arsimit të asaj kohe, Profesor Ernest Koliqit, i cili me vullnetin dhe me shpirtin prej idealisti, nuk kurseu energjitë e tij dhe as mjetet shtetënore që kishte në dispozicion për ta pajisur sa më mirë aparatin arsimuer në viset e çlirueme, me elementë të shëndoshë që i dhanë hov e gjallëni shkollës shqipe. E sot, për fatin e bardhë të Kombit, ashtë formue atje një rini dinamike e cila në çdo fushë aktiviteti kombëtar e shtetënor po përgatitet e po forcohet për ta lumnue fatin e vendit në të ardhmen. Pra, me shumë arsye Ernest koliqi zen një vend të naltë ndër zemrat e dashamirëve të Kosovës e njëherit edhe në historinë e përpjekjeve për lartësimin kulturor të saj”.

Me rastin e vdekjes së Profesor Koliqit, Dr. Ago Agaj nga Vlora me origjinë, edhe ky një shërbestar i Shqipërisë Etnike dhe njëri prej të pareve në Kosovë në vitin 1941, kishte kujtuar rolin e Koliqit në hapjen e shkollave shqipe: “Në hidhërimin tonë nuk duhet të harrojmë se Aji qe fatbardhë në jetë e në vdekje. Shumë njerëz janë përpjekur me zell për një qëllim të lartë e të mirë, por pak janë ata që patën fatin të shohën farën e mbjellë gjatë jetës përhera duke u rritur e përparuar. Ernest Koliqi e pati ketë fat. Dardanët në Kosovë e Maqedhoni, farën që mbolli Ky, e kultivuan me zell të madh e zotësi të pashoqe dhe arritën në një shkallë arsimi e cila gëzon e krenon të gjitha zemërat shqiptare kudo që janë dhe – natyrisht, atë të Ernestit, ca më shumë. Ai ishte një ndër më të mirët që kemi pasur gjer më sot, veçse ai mbillte ushqim për shpirt e mendje të Kombit”.

Ndërsa një prej adhuruesve i ditëve tona i Ernest Koliqit, në një postim në faqen e tij të internetit këto ditë, Z. Flamur Gashi, Këshilltari për Çështjet e Rajonit i Presidentit të Republikës së Shqipërisë, SH. T. Z. Ilir Meta, kujton burrërisht Ernest Koliqin, “Në mirënjohje të thellë dhe kujtim të atij që mundësoi hapjen e shkollave shqipe në Kosovë dhe trojet e tjera shqiptare”. Z. Gashi shënon më tej se, “Në vitin shkollor 1941-1942 u hapën 173 shkolla fillore, 3 të mesme dhe disa gjimnaze të ulëta. Ndërsa në nëntor të vitit 1941 u hap Shkolla Normale e Prishtinës”. Këshilltari i Presidentit për Çështjet e Rajonit flet me shifra duke theksuar se, “Në fillim, në këtë mision u angazhuan 80 mësues. Ky numër më vonë arriti në 264, ndërsa në vitin 1943-44, ky numër u rrit në 400…ndërsa këtë vit shkollor e ndiqnin mbi 25 mijë nxënës”, nënvijon Z. Gashi. Këto shkolla, shkruan ai në portalin e tij, “U bënë vatra të diturisë dhe atdhedashurisë”, ndërkohë që Ernest Koliqi, për këtë mision të jashtëzakonshëm kishte ngarkuar intelektualin dhe pedagogun gjirokastrit, Ali Hashorva, kujton Flamur Gashi, duke thënë se, “Ishte ky mision arsimor, atdhetar e vizionar që mishëronte programin e madh të rilindjes Kombëtare, përhapjen e diturisë e përparimit, zgjimin dhe ngritjen e ndërgjegjes kombëtare”, përfundon Këshilltari i Presidentit Ilir Meta, në kujtimin që i kushton në faqen e tij të internetit, Ernest Koliqit, në përvjetorin e vdekjes së tij më 15 Janar, 1975.

Megjithëse, zyrtarisht i përjashtuar dhe i harruar nga historiografia dhe letërsia shqipe nga regjimi komunist e deri diku mund të thuhet deri në ditët e sotëme, Profesor Ernest Koliqi ishte i vetdijshëm për efektet pozitive afatgjata të punës së tij të palodhëshme dhe veprës së tij patriotike në dobi të Kombit të vet – por edhe i lënduar për mos njohjen e këtij kontributi nga bashk atdhetarët e vet. Në një letër që Koliqi i ka dërguar mikut të vet, Karl Gurakuqit e datës 3 dhjetor, 1960, me rastin e Ditës së Pavarësisës së Shqipërisë: “Karl i dashtun, të falem nderit për fjalët që më drejton me rasën e 28 Nandorit dhe për urimet që më ban. Ti ma parë se unë, mandej unë pak ma vonë, jemi përpjekë, me mendje të ndritun e pa mburrje qesharake, si disa, për nji zhvillim shpirtnuer të popullit shqiptar. Në vend të nji shpërblimi të merituem mbas djersës e mundit të derdhun, patme shpifje, të shame e përçmime. Në fund edhe mbetme pa Atdhe, për të cilin lodhem trutë e pësuem ngashrim shpirtit. Ani: puna që kryejmë e ka shpërblimin në vetvete dhe në kuptimin e disa dashamirëvet të pakët. S’pres kurrgja të mirë nga masa e shqiptarëvet të sotshëm, por shpresoj se trashëgimia letrare qi lam pas vehtes ka me u njoftë si tharm rilindje, breznive t’ardhshme”, ka shkruar Koliqi.Unë, dhe shpresoj të gjithë ata “dashamirës të paktë” të tij, të cilëve iu referohej Koliqi në letrën dërguar mikut të tij Karl Gurakuqit, e kujtojmë sot këtë burrë të madh të Kombit, me bindje të plotë se vepra e tij patriotike dhe e bashkpuntorëve të tij në Kosovë në vitet 1941-1944, ka shërbyer – gjatë dekadave të vështira që pasuan në Kosovë dhe në trojet shqiptare pas Luftës së dytë botërore – si “tharm rilindjeje” që çoi, më në fund, në atë që sot e njohim si Republika e Kosovës, shtet i lirë, i pavarur dhe demokratik./konica.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here