Nga: Dorian Koçi

Tabloja historike, si gjini në artet figurative, daton hershëm në pikturën shqiptare me autor Spiro Xegën, por zhvillimin e vërtetë e mori në mesin e shekullit të kaluar. Sigurisht që tablotë nga koha e luftës partizane reflektonin këndvështrimet ideologjike të “Njeriut të Ri” që “kalitej në flakët e revolucionit” të supozuar që kish ndodhur, por kishte tablo si “Gjyqi i kryengritësve në Sinjë” (1978) që pasqyron një detaj të luftës civile nëse mund ta quajmë kështu midis fisnikërisë së vjetër shqiptare të kryesuar nga Oxhaku i Vlorajve ndaj një oxhaku të ri, atij të Vrionasve që mbështeste reformat centralizuese të Tanzimatit pas rënies tragjike të Ali Pashë Tepelenës dhe fundit të autonomisë de facto të territoreve shqiptare. Po kush ishin Vrionasit?

Oxhaku i Vrionasve

Konsulli francez Pouqeuville pranë oborrit të Ali Pashë Tepelenës, në veprën e vet, e portretizon Omer bej Vrionin, si pasardhës të Paleologëve, princërve të sprasmë të Myzeqesë, të cilët kishin ndërruar fenë në fillim të shekullit XVI. Ibrahim Pasha Vlora e pat syrgjynosur dhe ia pat zaptuar pronat atij. Gjatë periudhës së mërgimit në Egjipt, Vrioni ishte shquar në betejën e Abu-Mënefit, kundër anglezëve dhe më vonë i martuar me një princeshë të ve mamluke, kishte lënë Egjiptin dhe shërbimet ndaj Mehmet Ali Pashës dhe ishte futur në shërbim të Ali Pasha Tepelenës. 196 -Puoqueville. F (2011). Ali Tepelena. K&B: Tiranë.

Gjithsesi, studiuesi Vexhi Buharaja, e hedh poshtë këtë pretendim, duke theksuar se fakti që Çelë Ibrahimi, bir i parë i Islam Beut, kryegjyshit historik të kësaj familje, ka pasë ndërtuar në fshatin Virjon (sot Ullinjas) në rrethinën e Beratit, një krua që gjer para disa vjetësh mbante, siç na thotë një shënim që kemi gjetur ne, një mbishkrim me datë 1097 (1685/1686), e bën të kotë orvatjen për të kërkuar vendlindjen origjinare të Vrionasve, jashtë fshatit të mësipërm, Virjonit, emri i të cilit u përdor si llagap për familjen, por në trajtën Vrion. 197 -Buharaja. V (1968) Konferenca e Parë e Studimeve Albanologjike. Tiranë: 8 nëntori, faqe 82.

Omer Vrioni ishte në krye të operacioneve ushtarake, që u ndërmorën ndaj Ibrahim Pashë Vlorës dhe Pashallëkut të Beratit në 1809, ku rezultoi i suksesshëm me pushtimin e Kështjellës së Beratit dhe kryekomandant i trupave të Ali Pashës, kur ky i fundit u shpall fermanli-jashtë ligjit. Për një kohë të gjatë ai gëzoi besimin e Pashait Tepelenas, besim që në momentet e fundit, ashtu si dhe pjesa kryesore e aristrokracisë toske e shpërdoroi, pasi iu bashkëngjit ushtrisë perandorake pa rezistencë dhe iu kundërvu Ali Pashë Tepelenës. Natyrshëm lind pyetja: përse kjo pabesi e madhe e krerëve shqiptarë?

Së pari, një rol të rëndësishëm në këtë kundërvënie të tyre me Ali Pasha Tepelenën, luajti centralizmi i tepërt i pushtetit nga ana e Pashait Tepelenas, që dhe u vinte fre ambicieve të tyre feudale dhe së dyti, një lloj solidariteti fetar me osmanët i bënte më të ndjeshëm ndaj një Fatve të lëshuar nga Sheh Ul Islami dhe Sulltani si Kalif i botës myslimane.

Siç dihet, në ekspeditën ushtarake, që organizoi Stambolli kundër Pashallëkut të Janinë, në qershor të vitit 1820, morën pjesë edhe mjaft feudalë derebej të shpronësuar dikur nga Ali Pashë Tepelena, të cilët llogarisnin, që me shembjen e tij, të rifitonin pronat e dikush derebellëket e humbura dhe të rimëkëmbnin pushtetin e tyre partikularist, që ai ua kishte rrafshuar. 198-Lito. Z (2003). Shqipëria dhe Tanzimati. Tiranë: Toena, faqe 44.

Mes tyre ishte dhe Omer Vrioni, që pushtetin me marrjen e kështjellës së Beratit nuk e kishte gëzuar, pasi Ali Pasha Tepelena kishte emëruar djalin e tij Myftarin si sanxhakbej dhe në këtë mënyrë vet Ali Pasha kishte kontribuar në rritjen e pakënaqësisë së Omer Vrionit ndaj tij. Gjithsesi, Porta e Lartë dhe Sulltan Mahmudi II, kishin si synim jo vetëm të shtypnin Pashallëkun e Janinës, por të rivendosnin administratën centraliste perandorake duke i dhënë fund njëherë e përgjithmonë pushtetit partikularist të feudalëve shqiptarë. 

Mesa duket këtë synim të Sulltan Mahmudit II, Ali Pasha e kishte kuptuar, ndaj u drejtohet në këngë anëtarëve të divanit dhe xhogajdurëve se “do më kujtoni kur t’u shajë Hasan Vrioni”. Në këtë varg autori popullor pohon një të vërtetë historike, pasi në një raport të Konsullatës franceze në Janinë, më 1842, shkruhet se Omer Vrioni, me anë të ndikimit të tij mbi shqiptarët kontribuoi në humbjen e Ali Pashë Tepelenës. “Rënia dhe vdekja e Ali Pashës kishte kurorëzuar përpjekjet e oxhakut të Vrionasve të Beratit dhe politika e Portës së Lartë e kishte mundësuar Omer Pashën, të parin e tyre, të trashëgonte pjesërisht fuqinë e tiranit të vjetër”. 199-Ligor Mile, faqe 215, Vrionasit.

Gjithsesi, ashtu si thuhet dhe në dokument, Porta e Lartë në kuadër të politikës së saj, nuk lejoi që oxhaku i Vrionasve të fitonte të njëjtin pushtet politik partikularist si të Pashait Tepelenas, por e përkrahu të fitonte pushtet ekonomik në Shqipërinë e Jugut. Vezir Omer Pasha e pozicionoi nga pikëpamja politike e shoqërore familjen Vrioni, ndërsa fuqia ekonomike filloi me Kareman Vrionin, djalin e dytë të Omer Pashës, i cili pas shpalljes së Reformave të Tanzimatit, u bë mytesarif i Beratit. Kareman Vrioni bleu shumë prona nga familja Alltuni e Vloraj, të sekuestruara nga shteti në vitet 20 të shekullit XIX, si pasojë e pjesëmarrjes aktive të këtyre familjeve në lëvizjet e kryengritjet anti tanzimatiste. Më vonë ai bleu dhe pjesën e ortakut të vet Emin Pasha, serasqerit të Rumelisë, me kushte shumë të leverdishme. 200 -Guga. M (2005). Vrionasit ndryshe. Tiranë: EMAL, faqe 26). Fuqia e familjes u përqëndrua më së shumti në Berat dhe në qytetin e ri që krijuan, në Fier, duke shërbyer në këtë lloj mënyre si një kundërpeshë ndaj familjes Vlora, sepse Janina, që pas rrëzimit të Ali Pasha Tepelenës, nuk iu dha më asnjë oxhaku shqiptar për ta administruar.

Gjyqi i kryengritësve në Sinjë” (1978) 

Në tablo, pasqyrohen dy bejlerë Vrionas, të zënë rob pas shpartallimit të forcave të tyre në betejën e Greshicës që zgjati për tre ditë me radhë. Beteja u zhvillua në 1847 dhe forcat osmane të kryesuara nga Isuf Vrioni dhe vëllai i tij, pasi kishin shëtitur fshat më fshat në Mallakastër për të vënë në zbatim reformat e Tanzimati që ishin ndërprerë pas kryengritjes së vitit 1839, hasën në rezistencën e forcave kryengritëse shqiptare që kryesoheshin nga Rrapo Hekali.

Autori Vilson Kilica ka përjetësuar në telajo një nga momentet më domethënëse të kryengritjes antiosmane dhe anti tanzimatiste të Shqipërisë së Jugut të udhëhequr nga Zenel Gjoleka në Labëri dhe Rrapo Hekali në Mallakastër në vitin 1847.  Rreth e përqark,në formë harku,  me një kolorit të pasur ngjyrash pasqyrohen fshatarë lebër e mallakstriotë, që japin verdiktin për tradhëtinë. Ngjyrat, vendi dhe veshjet presupozohet të pasqyrojnë epokën. Bejlerët Vrionas janë pasqyruar me veshje orientale, çallmë e kaftan që zyrtarët otomanë mbanin përpara reformave në ushtri të quajtur “Nizam el Xhedid”, reformës ushtarake të ndërmarrë nga Sulltan Selimi III në 1807 dhe të ndjekur nga Sulltan Mahmudi II, në 1825 pas shkatërrimit të urdhrit të jenicerëve.

Që prej 1825, ushtria otomane u kthye në një ushtri të rregullt kazerme dhe nuk mbante më çallma por kapele si ushtritë evropiane. Vizatimi i çallmës mbi kryet e beut vrionas ndoshta është aty për të bërë qartë dallimin me luftëtarët lebër e mallakastritotë që mbajnë qylafët e tyre. Bie në sy kontrasti në veshje ku luftëtarët shqiptarë janë të pasqyruar me kolorite të larmishme të kostumeve të tyre popullore, ku shquan fustanella e bardhë, karekteristikë për Shqipërinë e Jugut. Në fakt, një varg i një kënge popullore të kësaj periudhe na rrëfen se fustanellat e luftëtarëve shqiptarë nuk ishin kaq ceremoniale sa në tablo. Vargjet “Gjoleka në Shurr të Kuçe/fustanin mbi gju hajduçe”, rrëfejnë se kohët e vështira të kryengritjeve nuk të lejonin për të mbajtur veshje ceremoniale të tilla. Sigurisht që për këto detaje historike që nuk i përngjajnë realitetit  nuk është përgjegjës vetëm piktori Kilica, por edhe historiografia shqiptare e kohës.

Lëvizjet dhe kryengritjet e viteve 1833, 1839 dhe 1847 në jug të Shqipërisë, historiografia shqiptare i pasqyronte si lëvizje kryengritëse fshatare të prirë nga krerë të fshatarësisë së mesme si Tafil Buzi, Zenel Gjoleka, Hodo Nivica dhe Çelo Picari, kur në fakt ato ishin të organizuar nga Vlorajt dhe Delvinajt që pas rënies së Ali Pashë Tepelenës kishin shpresuar ta zëvendësonin atë në qeverisjen e Shqipërisë. Këtë gjë e dinin shumë mirë dhe autoritetet osmane që bash për këtë arsye i kishin internuar shumicën e krerëve shqiptarë dhe të familjes Vlora. Gjyqi i Sinjës kryesohej nga Rrapo Hekali, udhëheqësi i kryengritësve mallakastriotë që kundërshtonin në emër të parisë shqiptare zbatimin e reformave të Tanzimatit që prekte drejtë për së drejtë interesat e fisnikërisë dhe popullsisë shqiptare.

Konflikti ishte i egër midis Vrionasve, besnikë të Perandorisë që po fitonin influencë dhe pasuri në Shqipërinë e Jugut dhe oxhaqeve tradicionalë shqiptarë si Vlorajt dhe Delvinajt. Në Sinjë gjyqi i kryesuar nga Rrapo Hekali kreu si veprim egzekutimin e Vrionasve si për të treguar se jo vetëm reformat nuk do të zbatoheshin por dhe autoriteti i familjes Vrioni nuk do të pranohej në krahinë. Këtë egzekutim oxhaku i ri i Vrionasve nuk e fali, dhe kur u kap rob Rrapo Hekali në 1847, në përfundim të kryengritjes si na dëshmojnë gojëdhënat e Labërisë të sjella nga Ago Agaj në librin e tij “Lufta e Vlorës”, për ta ofenduar e mbathën me patkoj në duar e këmbë para se ta vrisnin. Detaje të tilla të egra të trajtimit të kundërshtarëve kanë lënë gjurmë në kulturën politike në rajon.

Në vitin 1978, vit në të cilin është përfunduar tabloja nga Kilica, në vitin e vetmisë së madhe në prag të prishjes me Kinën, ideologjia zyrtare dukej se tërthorazi ka influencuar mbi autorin. Vendi sapo ka dalë nga gjyqet e famshme të tradhëtisë së lartë të ushtarakëve, të ashtëquajtura sabotime në ekonomi dhe gabimeve në ideologji në vitet 1974-1975. Atmosfera e këtyre gjyqeve të kujtonte atmosferën e gjyqeve partizane të revokuara kaq shpesh në historinë komuniste të Shqipërisë, ku shpesh herë viktimat ishin dënuar pa faj. Fill pas ngjarjeve, Vrionasit gjetën paqe me familjet e tjera feudale shqiptare dhe hynë në marrëdhenie miqësie përmes krushqive me to. Ata luajtën një rol të rëndësishëm në historinë e Shqipërisë ku vlejmë të përmendim Mehmet Ali Pashë Vrionin, djalin e Jusuf (Isuf) Vrionit të vrarë në Sinjë, si bashkëorganizator i Lidhjes së Prizrenit dhe shoqërues i Abdyl Frashërit në udhëtimin diplomatik të ndërmarrë në 1879 për të njohur të drejtat e kombësisë shqiptare. Demonizimi i Vrionasve filloi që pas luftës së dytë botërore kur komunistët erdhën në fuqi dhe ata u konsideruan një familje latifondiste dhe kundërshtare e regjimit. Në vitin 1946 eshtrat e Iljaz Vrionit, djalit të Mehmet Pashë Vrionit, ish kryeministër i Shqipërisë u hodhën në Osum dhe djali i tij, përkthyesi i talentuar dhe një nga figurat emblematike të kulturës shqiptare, Jusuf Vrioni u arrestua dhe u dënua me 15 vjet burg.

Gjithsesi, tabloja Gjyqi i kryengritësve në Sinjë” (1978), pavarësisht rrethanave dhe kundërvënieve kur u krijua, mbetet domethënëse  për kohën kur është pikturuar dhe mesazhet që përcjell. Ajo duhet studiuar dhe shpjeguar nga kuratorët e artit që në fakt duhet të studiojnë më tepër historinë e personazheve dhe ngjarjeve historike që referohen kur bëhet fjalë për tablo historike. Konteksti historik, shpesh herë bën diferencën…

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here