Tregimet e historisë janë të mbushura me tregime mbi udhëheqës të mëdhenj që kanë lënë gjurmë në këtë botë, duke diktuar e ngjarjeve njerëzore përmes veprimeve, vendimeve dhe vizioneve të tyre. Nga pushtuesit që ndërtuan perandori të mëdha tek shtetarët që sollën paqe dhe stabilitet në kombet e tyre, këta udhëheqës të lashtë ishin arkitektët e kohës së tyre, duke lënë pas një trashëgimi që ka rezistuar për shekuj me radhë. Ja cilët janë 9 prej tyre:

1. Aleksandri i Madh, Mbreti i Maqedonisë

I lindur në vitin 356 Para Krishtit Aleksandri lindi nga Filipi II Mbreti i Maqedonisë dhe Olimpias, një princeshë nga Epiri. U ngjit në fron në moshën 20 vjeçare pas vrasjes së të atit. Krijoi një aleancë me mbretëritë e tjera greke, dhe nisi luftën ndaj armikut të vjetër të Greqisë, Persisë.

Gjatë 10 viteve të ardhshme, Aleksandri pushtoi pjesën më të madhe të botës së njohur. Pasi mundi persët dhe pushtoi kryeqytetin e tyre, Persepolis, nisi të realizonte ëndrrën e tij, një perandori kozmopolite që shtrihej nga lindja në perëndim. Por nuk e realizoi dot pasi vdiq në moshën 33-vjeçare nga një sëmundje misterioze. Gjithsesi mbretërimi i tij solli përhapjen e kulturës greke në mbarë botën. Sukseset e tij ndikuan në rrjedhën e filozofisë, shkencës dhe letërsisë për shekujt e ardhshëm.

2. Jul Çezari dhe vdekja e Republikës Romake

I lindur në vitin 100 Para Krishtit, Jul Cezari është një nga figurat më të famshme dhe më mendikim në historinë e lashtë romake. Ai luajti një rol kryesor në ngjarjet që çuan në rënien e Republikës Romake dhe lindjen e Perandorisë Romake. Çezari ishte para së gjithash një udhëheqës i madh ushtarak.

Karriera e tij përfshinte një seri fitoresh mahnitëse, si pushtimin e Galisë (Franca e sotme) dhe humbjen e armikut të tij, Pompeit (një udhëheqës ushtarak rival). Ai luajti një rol kyç në formimin e Triumviratit të Parë, një aleancë e fuqishme politike që përbëhej nga ai, Pompeudhe Krasi.

Kur aleanca u shpërbë, Çezari u kthye në Romë në vitin 44 dhe u bë një diktator i përjetshëm. Por sundimi i tij nuk zgjati shumë. Më 15 mars të po atij viti, u vra nga një grup senatorësh që kishin frikë se Çezari ishte bërë shumë i fuqishëm. Vdekja e tij e zhyti Romën në krizë. Pas një serie luftëra civile, në krye të perandorisë u ngjit Oktaviani (djali i birësuar i Çezarit).

3. August Çezari, Perandori i Parë i Romës

U ngjit në pushtet pas vrasjes së Jul Çezarit. Në luftërat civile që pasuan ai mundi rivalin e tij kryesor, Mark Antoni, dhe u bë sundimtari i padiskutueshëm i Romës. E konsolidoi pozitën e tij duke siguruar besnikërinë e ushtrisë, reformuar sistemin ligjor dhe vendosur një sistem klientësh që siguronte mbështetjen e elitave.

Këto reforma e bënë Romën një perandori e qëndrueshme dhe e begatë, të cilën bota nuk e kishte parë kurrë më parë. Augusti drejtoi një program të madh ndërtimesh që e transformuan qytetin e Romës në kryeqytetin kulturor të botës antike. Sistemi i tij i qeverisjes dhe i administratës u bë modeli për sundimin e perandorëve të mëvonshëm.

4. Qin Shi Huang, njeriu i parë që bashkoi Kinën

I lindur në vitin 259 Para Erës Sonë, Qin Shi Huang u ngjit në fronin e shtetit Qin në moshën 13-vjeçare, pas vdekjes së babait të tij. Ai nisi të konsolidonte pushtetin e tij duke i shtypur fraksionet rivale brenda mbretërisë dhe krijuar një burokraci të centralizuar. Më pas filloi të pushtojë 6 mbretëritë e tjera dhe u bë perandori i parë që bashkoi Kinën.

Ai shfuqizoi feudalizmin dhe i zëvendësoi zyrtarët që trashëgonin postin me ata që e fitonin atë sipas meritave. Më pas drejtoi një seri projektesh ambicioze si Muri i Madh i Kinës dhe një kanal që lidhte lumenjtë Jance dhe Perl. Po ashtu ndërtoi shumë rrugë, reformoi prerjen e monedhave dhe e rishpërndau tek fshatarët pjesën më të madhe të tokës së mbretërisë.

Por nga tjetër, ishte një lider brutal që shtypte me dhunë të gjitha format e mospajtimit. Ishte përgjegjës për djegien e librave, ekzekutimin e dijetarëve, dhe u bë gjithnjë e më i fiksuar pas mbajtjes së pushtetit. Pinte mërkur për të jetuar përgjithmonë, dhe ndërtoi ushtrinë e terrakotave me qëllim që t’i shërbente atij përgjithmonë.

5. Ashoka i Madh: Promovuesi i Paqes dhe tolerancës në Indi

Sundoi mbi Perandorinë Mauria në vitet 268-232 Para Krishtit. E nisi mbretërimin e tij me një periudhë brutale pushtimesh, që e zgjeruan territorin e Maurias në pjesën më të madhe të nën–kontinentit Indian. Ajo periudhë kulmoi me fitoren e tij në Betejës e Kalingas në vitin 261.

Por numri i madh i të vrarëve e nxiti Ashokan të reflektonte thellë. Ai përqafoi menjëherë Budizmin dhe hoqi dorë nga dhuna dhe agresioni. Zbatoi një sërë politikash që synonin promovimin e harmonisë sociale dhe kulturore si dhe mësimeve të Budës. Dekretet e tij përfshinin tolerancën ndaj feve të tjera, promovimin e mirëqenies sociale dhe vënien e theksit tek mos-përdorimi i dhunës dhe dhembshuria.

6. Kleopatra VII, faraonia e fundit e Egjiptit

E famshme për bukurinë dhe zgjuarsinë e saj në politikë, ajo sundoi në vitet 51-30 Para Krishtit. Mbretërimi i saj u karakterizua nga politika e saj e jashtme ambicioze, e cila u fokusua tek një aleance strategjike me Jul Çezarin e Romës. Të dy u takuan në vitin 48, u dashuruan dhe sollën në jetë një djalë, Çezarionin. Kur u vra Çezari, Kleopatra lidhi në aleancë me Mark Antonin. Por ky u mund nga Oktavian Augusti në vitin 30. Kleopatra dhe Antoni kryen vetëvrasje. Egjipti u pushtua nga Augusti dhe u shndërrua në një provincë të Romës.

7. Xhengiz Khan: Themeluesi i Perandorisë Mongole

Lindi në vitin 1162, dhe në fillim njihej me emrin Temuxhin. Më vonë u bë themeluesi i Perandorisë Mongole, perandorisë më të madhe që ka parë ndonjëherë bota. Këtë e arriti duke bashkuar disa fise mongole nën udhëheqjen e tij, dhe përmes pushtimeve që patën sukses falë strategjive të tij të shkëlqyera.

Nën drejtimin e tij, ushtria mongole u bë e famshme për shpejtësinë e rrufeshme, disiplinën e rreptë dhe brutalitetin. Por veç kësaj, ai ishte i njohur edhe për tolerancën e tij fetare dhe mbështetjen ndaj tregtisë. Kur vdiq në vitin 1227, perandoria u nda midis djemve dhe nipërve të tij. Perandoria e tij pati një ndikim të madh duke lehtësuar përhapjen e kulturës, fesë dhe teknologjisë në Azi dhe Evropë.

8. Hatshepsut, Faraonesha e dytë grua

Hatshepsut ishte gruaja, vajza dhe motra e një mbreti. Por Egjipti kishte ligje dhe tradita të rrepta që e ndalonin sundimin e grave. Ndaj për t’u ngjitur në front Hatshepsut përdori dinakërinë e saj politike, prejardhjen mbretërore dhe ndikimin fetar. Pasi mori pushtetin nisi zbatimin e projekteve të mëdha ndërtimore që synonin legjitimimin e sundimit të saj.

Asnjë sundimtar para saj, nuk zbatoi aq shumë projekte ndërtimore sa ajo. Për të paguar për to, riktheu rrugët e vjetra tregtare dhe kreu disa pushtime në shtetet fqinje.

9. Budica, mbretëresha luftëtare

Ishte mbretëresha e fisit kelt Iceni, e famshme për udhëheqjen e popullit të saj kundër romakëve. Kur vdiq bashkëshorti, ai dorëzoi mbretërinë e tij të vogël Romës me shpresënse ajo do t’i lejonte popullit të tij një formë pavarësie. Por romakët e shtypën brutalisht popullsinë kelte.

Kjo sjellje e frymëzoi Budicën të udhëheqë rebelimin e popullit të saj Iceni dhe fqinjëve të tyre kundër Romës. Ushtritë e saj pushtuan Kolçesterin dhe shkatërruan Legjionin XIX. Ushtria e saj përparoi duke plaçkitur vendbanimet romake, dhe duke i detyruan zyrtarët romakë të arratiseshin në Londinium (Londra e sotme). Fatkeqësisht, suksesi i saj ishte jetëshkurtër. Romakët u hakmorën në një betejë në periferi të Londrës. Budica refuzoi të tërhiqej. Ajo i udhëhoqi rebelët e saj në betejë dhe vdiq gjatë betejës ose diku më pas. / ancient origins – b.a.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here