Nga: Luan Rama
Fisnikë dhe ushtarë nën flamujt e katolicizmit. Forca ushtarake e shqiptarëve në oborret e Perëndimit, pas pushtimit osman të atdheut të tyre. Maneshët, Muzakët dhe emra të tjerë që u tretën në mjegullën e historisë, por mbetën në librat e kohës.
Për historinë e stratiotëve shqiptarë është shkruar nga historianë të ndryshëm, veçanërisht për luftrat e Italisë në shekujt XVI-XVII, por bëmat e tyre i kaluan kufijtë e principatave italiane duke përfshirë dhe territoret e mbretërive të Francës, të Anglisë apo Gjermanisë së kohës së perandor Maksimilianit. Philippe de Commynes, (1447-1511), diplomat i njohur në Europë dhe këshilltar i mbretit të Francës, në kujtimet e tij shkruan për famën e stratiotëve: «Ata ishin shqiptarë nga Duras, (Durrësi) dhe shqiptaro-grekë që vinin nga Morea, që në atë kohë ishte nën zotërimin e venedikasve». Commynes i kishte parë ata në Venedik, kur 1500 stratiotë kishin zbarkuar në ishull dhe kishin bërë një paradë madhështore, pranë abacisë Saint-Nicolas. Atëherë stratiotët njësoheshin me “Cavalerie Albanoise» dhe Perëndimi kishte shumë nevojë për ta, pasi shpesh ishte kavaleria, ajo që vendoste fatin e betejave të mëdha. Ata ishin luftëtarë të armatosur gjer në dhëmbë, me kostume hekuri dhe me mansheta të gjata prej rrjete çeliku, që mbanin një heshtë me dy maja, të gjatë 3 metra, të cilën e përdornin me të dyja duart dhe që luftonin mbi kuaj gjithnjë në këmbë. Heshta e tyre quhej “zagayé”. Nga kronistët e kohës ata cilësoheshin “luftëtarë të tmerrshëm”. Stratiotët ishin në fakt një trupë mercenarësh, por tepër të krishterë dhe nuk dyshohet që në luftën kundër turqve, ky element fetar të ketë luajtur një rol të dorës së parë. Të detyruar të braktisnin trojet e tyre, në fillim ata luftuan në krah të Venedikut, kundër ushtrive të mbretit të Francës, ku siç shkruhet në tekstet e vjetra historike, “për çdo kokë francezi, ata paguheshin 1 dukat”. Sidoqoftë, më pas, lidhja me mbretërit francezë do të jetë e qëndrueshme, përgjatë më shumë se një shekulli.
Nën kurorën franceze
Mbreti i Francës, Henriku II, e forcoi kavalerinë e tij duke thirrur një numër të madh stratiotësh, për të cilët bëhet fjalë në dy urdhëresa mbretërore të viteve 1549 dhe 1553, ku përcaktohet numri i stratiotëve për çdo kompani, pagesa e tyre, etj. Në vitin 1552, Henriku II kishte 3000 kalorës të lehtë stratiotë, kompanitë e të cilëve komandoheshin nga senjorët më të njohur. Kavaleria e tij quhej atë kohë “Argoulets”, ndërsa stratiotët, francezët i quanin herë “Albanais” dhe herë “Estradiots”. Në shekullin e XVI, tri kavaleri ishin më me emër në gjithë Europën: së pari, stratiotët shqiptarë, së dyti kalorësit spanjollë “genetiaires” dhe, së treti, kalorësit gjermanë të quajtur “reîtres”. Madje në atë kohë, në Francë përdorej dhe shprehja “chevaucher comme un Albanais” (të kalërosh si një shqiptar). Edhe mbreti tjetër francez, Fransua I, një nga mbretërit më përparimtarë të Francës, futi në ushtrinë e tij shumë kalorës stratiotë. I biri i tij, i kishte afruar ata gjer në truprojen e tij, ndërsa Henriku IV dhe Luigji XIII i kishin në përbërje të ushtrive të tyre. Po kështu dhe Henri I de Montmorency, një nga dukët dhe mareshallët e njohur të Francës, truprojen e kishte vetëm me shqiptarë. Pikërisht këta shqiptarë që qëndruan në Francë dhe që i shërbyen Francës, përbëjnë dhe valën e parë të emigracionit shqiptar në tokën franke.
Në librin “Nobiliaire ou Armorial général de la Lorraine” historiani Ambroise Pelletier shkruan: “Andrea Maneshi, (André Manessy), kapiten “Albanois”, u fisnikërua nga Franca dhe u përjashtua nga të gjitha taksat, sipas shkresave të dorëzuara në Nancy nga oborri mbretëror më 24 nëntor të vitit 1599”. Në shkresë thuhet: “Fisnikërohet në sajë të shërbimeve që u ka bërë mbretërve dhe princërve të krishterë kundër turqve. Ka katër djem dhe veç një shtëpi në Ville-Neuve si dhe një shtëpi-fermë të trashëguar në Saint-Maixe. Familja Maneshi konsiderohet fisnike duke u përjashtuar nga taksat, sipas dhe shkresës së dërguar më 1580 nga perandori Karli V pjestarëve të familjes së tyre që janë tërhequr më pas në Coron dhe Lipare, ku kanë shkuar sipas kërkesës së Domentio Maneshit, i cilësuar gjithashtu “noble” (fisnik) sipas “Trésor des Chartres”, fl. 10, vers. Régistr. 1600”. Emblema është në fushë të kaltërt, me një palmë, në këmbë të së cilës gjendet një turk i vrarë dhe figura e një atleti të zhveshur me një brez gjethesh, duke mbajtur diçka të argjendtë të mbështetur mbi tokë. Mbi kokën e tij shihen tri yje, dy prej të cilëve janë vendosur mbi të tretin. Andrea Maneshi ka qenë padyshim babai i të krishterit Maneshi që banon në Nancy, i cili u bë gjykatës i mbretit në Goudreville në gusht 1623, meqë kishte dhënë dorëheqjen Philippe Maillot”. Po në këtë libër të vjetër jepen dhe të dhënat e tjera rreth familjes Manessy: “François de Manessy, përgjegjës i kalorësisë, u bë mjeshtër-këshilltar i Dhomës së Financës së Lorraine-s më 22 nëntor 1698. Fëmija i tij, Charles de Manessy, ishte gjykatës i mbretit dhe oficer i pyjeve të Chaligny-së. Nicolas-François de Manessy, senjor i Mage.” Në një dokument tjetër për François de Manessy shkruhet se është “d’une famille d’origine albanaise – 1719”.
Të tjerë pinjollë të kësaj familje ishin të shquar, kryesisht në zonën Merthe et Moselle, në Haute-Savoie, Nancy apo dhe në rajone të tjera të Francës, të shpërndarë gjatë shekujve, siç i gjeje ata dhe në Chambery, Annecy, Chaumont, Saint-Maurice-de-Rumilly etj, ku sipas regjistrave të lindjes, këta pinjollë të kësaj familje të madhe kanë jetuar në shekujt XVII-XVIII e më pas, gjer në ditët tona. Po kështu, Claude-Joseph de Manessy ishte senjor i Maxe, kapiten kalorësie dhe gjykatës i mbretit të Chaligny-së. Edhe nipi i tij, Charles-Christophe de Manessy, sipas librit “Les Lorrains et l’Empire të Alain Petiot”, ishte gjykatës, kapiten dhe shef i policisë së kontesë së Chaligny-së. Një tjetër personazh interesant në historinë e kishës ishte Antoine Gabriel de Manessy, prift dhe më pas superior i “Congregation des soeurs” (1740) e më vonë superior kanonik i katedrales së qytetit Toul, i cili u fsheh në Nancy në kohën e Revolucionit Francez, meqë ata u masakruan nga komitetet revolucionare. Ndërkohë në Lion, një pjestare e kësaj familje, edhe pse në moshën 63 vjeçare, ishte dënuar me vdekje nga Komiteti Revolucionar i qytetit sepse kishte strehuar ruajalistë, armiq të Revolucionit. Ish-superiori i katedrales, i cili konsiderohej si një shenjt, pasi feja në Francë u lejua më 1802, ai u rikthye në katedrale por po atë vit ai vdiq siç tregohet dhe në librin e shkruar për të (Vie de M. Antoine-Gabriel de Manessy, L’enfant, curé de Favieres, Diocèse de Nancy, Ed. Chez Hissette, Nancy, 1804). Fisniku i fundit, deri në kohën e shpërthimit të Revolucionit francez ishte Charles-François De Manessy, avokat i oborrit mbretëror e më pas kryetari mbretëror i bashkisë së qytetit të Nancy-së, nga viti 1783 deri në 1790. Ai kishte titullin “Messire”, sipas fisnikërisë franceze.
Roger de Bussy-Rabutin, një kalorës fisnik i famshëm francez dhe i afërt me mbretin Karl VIII, memorialist i njohur dhe libertin, në librin e tij “Les Mémoires de Messire Roger de Rabutin, comte de Bussy”, shkruan: “Kalorësia e lehtë u shfaq në Francë kur Karli VIII shkoi në Itali dhe kur një fisnik shqiptar i quajtur Gjergj Kastrioti (i mbiquajturi Skenderbeu i ri, nuk duhet ngatërruar me heroin kombëtar) u bashkua me të bashkë me 400 kalorës… Ata quheshin stratiotë. Gjergj Kastrioti kishte lënë dukën e Mantovës dhe u vu në shërbim të mbretit duke i kërkuar komandën e kalorësisë. Dhe mbreti pranoi…” Në radhët e kalorësisë franceze të Luigjit XII, të Fransua I e më pas, u shquan edhe dy stratiotë të tjerë shqiptarë: Teodor Maneshi dhe Teodor Bedenji. Maneshi kishte 200 kalorës stratiotë, shkruan Jean Serres në librin “Inventar i përgjithshëm i historisë së Francës”. Në një burim tjetër historik, shkruhet se Teodor Bedenji, nën kryesinë e dukës De Brissac, që luftonte atëherë në Hollandë, kishte qindra stratiotë shqiptarë. Në vitin 1556, kapitenin Teodor Bedenjin e gjejmë në shërbim të Henri I të Montmorency-së, që më vonë do të quhej Marechal Domville, i cili do të luftonte krah Henrit të Navarrës kundër mbretit Henrik III. Në një botim të vjetër, shkruhet se pikërisht në kështjellën ku banonte mareshalli Domville kishte vdekur aksidentalisht dhe një nga djemtë e kapitenit Bedenji “albanois”, Bernardini, i cili kishte rënë me gjithë kalë në greminë. Ai jetonte në zotërimet e mareshallit të Francës.
Në librin e tij “Shënime mbi Kavalerinë”, gjenerali de Warnery ka theksuar se “Mareshalli de Fleuranges, shkruante në kujtimet e tij se “Luigji XII, në ushtrinë që printe në Itali për të ndëshkuar revoltën e gjenovezëve, kishte me vete 2000 stratiotë”. Historiani Brantôme, në librin e tij Quinziesme Discours, duke i bërë lavde gjeneralit frëng De Frontailles-it, shton se “Mbreti i dha zotit De Fontrailles gradën e gjeneral-kolonelit të shqiptarëve, të cilët i kishte nën urdhërat e tij dhe se ishin ata që na sollën formën e kavalerisë së lehtë, e cila deri në atë kohë nuk çmohej dhe aq në Francë”. Edhe René II, duka i Lorenës, në luftën kundër Robert de la Marck-ut, zotit të Sedanit, i cili kërkonte të fuste nën pushtetin e tij dhe krahinën e Metz-it, ndër mercenarët që mblodhi në luftë kundër Robertit, (1493-1497), ishin dhe “Albanés”, shqiptarët. Mareshalli De Fleuranges në kujtimet e tij ka shkruar se Louis XII kur do të sulmonte Gjenovën që ishte rebeluar kundër tij, kishte 2000 stratiotë të udhëhequr nga Merkur Bua Shpata, (Mercurio Bua). Ai qëndroi në shërbim të Francës deri në mbretërimin e Henrikut IV.
Saga e lavdishme e familjes Muzaka
Sipas studiuesit të njohur të historisë së Greqisë dhe shqiptarëve të Greqisë Carl Hopf, në librin e tij “Kronika greko-romake”, shkruhet për të birin e Gjon Muzakës, Adrianin, i cili ishte kapiten i kalorësisë së lehtë në shërbim të mbretit francez. Ai kishte fillimthi nën komandën e tij një trupë prej 300 stratiotësh dhe me ta luftoi kundër anglezëve në veri të Francës. Por më pas mësohet se i helmuar, ai vdiq në Picardie, në vitin 1526. Por ndërkohë, vëllai i tij, i quajtur Konstantin, siç shkruan historiani Paolo Petta në librin e tij “Despotë të Epirit dhe të Maqedonisë”, ishte nga të paktët komandantë që e shpëtoi trupën e tij dhe në krye të tyre mori rrugët drejt Francës. Cilët ishin këta prijësa dhe cila ishte jeta e tyre? Vallë Konstandini mbeti përfundimisht në Francë? Ku vallë? Pranë oborrit mbretëror?… Petta përmend dhe një dorëshkrim ku shkruhet se Adriani ishte “një djalosh trup pakët, por shumë i gjallë e i gëzuar dhe falë këtyre vetive të tij që e bënin mjaft të pëlqyeshëm për damat, mundi të realizojë një martesë të suksesshme. Më vonë, pasi iu shterën pasuritë e së shoqes, morri nga Prosper Marc Anton Colonna komandën e një trupe prej 200 stratiotësh”.
Në “Kujtimet” e tij, Gjon Muzaka u kujtonte bijve të vet, por dhe historisë, se “kur u pushtua Shqipëria nga osmanët, ai shkoi në Napoli, tek mbreti Ferrante i Aragonës, ku ai e priti në oborrin e tij dhe i premtoi mjaft toka në Apicie”. Ai kujton gjithashtu se kur ikën në Napoli “biri i tij Theodhori ishte një vjeç e gjysëm, Adriani, një muajsh, ndërsa Konstandini lindi në Napoli”. Gjon Muzaka, i cili nuk pranoi të ndryshonte fenë, siç ia kërkoi sulltani, e përshkruan ikjen e tij dhe të familjes së tij në mënyrë romaneske… Ai iku fshehurazi natën, pa e parë kush, aty nga viti 1476, duke marrë një anije për t’u hedhur në brigjet e jugut të Italisë. “Gruaja ime dhe nëna juaj, Maria Dukagjini, ishte shtatzënë me Don Adrianin dhe në muajt e fundit të barrës u detyrua të ikë në Durrës, duke mos treguar se kush ishte dhe u strehua në shtëpinë e disa fisnikëve, miqve tanë, ku dhe solli në jetë Adrianin. Ai u çua në kishë të pagëzohej si një fëmijë i gjetur i ndonjë fshatari, aq sa dhe kumbarët nuk e dinin se biri i kujt ishte… Pas ndonjë muaji, fisnikët e mësipërm, bashkë me disa burra të mirë që ishin vasalët tanë, morën me qera një anije, ku hipën nënën bashkë me fëmijët dhe i shoqëruan ata shëndoshë e mirë deri në Pulje”.
Në vitin 1550, shumë vite më vonë, pas vdekjes së atit të tij Gjon Muzaka, Konstandini shtoi në këto memuare dhe shënime të tjera që i përkisnin familjes dhe se çfarë ndodhi më pas me ata, si dhe princat e tjerë ku flitet dhe për birin e Skënderbeut, Gjon Kastrioti dhe nënën e tij. Konstandini kishte lënë Francën shumë vite më vonë i ndihmuar nga familja e madhe gjenoveze Doria, aleatë të spanjollëve. “Ta dini se im vëlla Adriani, kishte një kalorësi të lehtë prej njëqind kalorësish në shërbim të mbretit të Francës dhe se paguhej mirë si në luftë ashtu dhe në paqe. Dhe ky i quajturi Zot Adrian Muzaka, vdiq në dhjetë të muajit maj, i helmuar nga ca zotërinj francezë që shërbenin në Monsinjori Vendôme, për t’i marrë vëndin dhe paratë dhe se ai kishte nën vete 12.000 këmbësorë. Të tjerë i morën kuajt dhe paratë. Ai ishte vendosur në qytetin e Biville-s që është në provincën e Picardie-s, ku i përmënduri mbret i kishte dhuruar një kështjellë me emrin Mundi, pranë Monrosë dhe Biville-s. Pra ai vdiq në dhjetë të muajit maj të vitit 1526”. Në “Histoire de la Maison Royale de France et des Grands officiers de la Couronne”, historianët Anselme de Sainte-Marie dhe A. de Sainte Rosalie (1733), shkruajnë për “Jean, senjor d’Estrées, kapiten i 150 shqiptarëve, të cilët i kishte patur më parë i ndjeri Adrien de Musarq de Pirotée”. (Adrian Muzaka i Epirit, L.R.)
Gjatë luftrave njëshekullore fetare, të cilat lanë gjurmë të mëdha në historinë e Francës, shkruhet dhe për një stratiot tjetër me famë të quajtur Thoma Frata, i cili ishte në shërbim të Dukës De Guise, aleat i Henrit të Navarrës, në luftë me Henrikun III, në atë kohë mbret i Francës. Duke shkuar në luftë, duka marshonte përpara dhe i sigurt sepse ishte i shoqëruar nga shumë afër prej 30 kalorësve fisnikë dhe 60 kalorësve shqiptarë. Pas tyre vinte ushtria dhe në fund artileria. Interesant është fakti që na sjell historiani Jean Rousset de Missy në librin e tij “Cérémonial diplomatique des cours de l’Europe”, i cili midis të tjerash tregon edhe rreth një kronike historike kur mbreti anglez Henry VIII erdhi për vizitë në Francë, në një ballo me maska të organizuar për nder të tij, “ai shoqërohej nga 12 senjorë të veshur si Albanois”.
Shqiptarët lanë gjurmë në historinë e qyteteve dhe të krahinave të ndryshme franceze ku u instaluan për një periudhë të gjatë kohe dhe shumë prej tyre përfundimisht. Historiani Charles d’Aigrefeuille, në librin e tij mbi historinë e qytetit Montpellier, shkruan se “më 1605 ishin atje dy vëllezër të quajtur Luquisses, të cilët premtuan se do të çlironin qytetet Leucate, Narbonne dhe Besiers. Thonë se ata ishin bijtë e një shqiptari të cilin “konetabli” Montmorency e çmonte shumë. Kështu pensionin e të atit, Montmorency ua jepte djemve të tij”. Kuptohet se kur dy vëllezër shqiptarë merrnin përsipër të çlironin qytete me emër si Leucate, Narbonne dhe Besiers në jug të Francës, kemi të bëjmë me personazhe të jashtëzakonshëm, të cilët duhej të udhëhiqnin si strategë të mëdhenj. Në librin “Historia e Luftrave Civile të Francës”, H. C. Davila dhe J. Baudoin, shkruajnë për një betejë të zhvilluar në Roche-Chalais ku kavalerinë e printe Merkur Bua dhe kapiteni Montigny me 2500 kalorës. Trupat e Henrit të Navarrës qëlluan me artileri dhe aty u plagos dhe Merkur Bua. Po në këtë libër, autorët shkruajnë se pas kësaj fitoreje, Henri i Navarrës marshoi të sulmonte drejt Parisit, ku qëndronte mbreti Henri III. “Ushtria e Henrit të Navarrës donte të shpartallonte kapitenin Frata, shqiptar, (Albanois), i cili bashkë me kapitenin Vins komandonin që të dy kalorësinë e lehtë…”
Në librin “Histoire Universelle”, J. A. de Thon shkruan për kalorësin Demetrio Albanois gjatë sulmit të mareshallit de Brissac në Vercueil. Po në këtë libër përmëndet dhe oficeri “albanois” Demetrio Capusamati…. Kapuzamati përmëndet dhe në një burim tjetër historik në “Collection des mémoires relatifs à l’histoire de France”, por kësaj rradhe i vëllai i tij Gjergji (Georges), i cili u printe 200 kalorësve shqiptarë.
Ishin shqiptarët ata që më 1525 shkuan në ndihmë të Antoine, duka i Lorraine-s, nipit të René d’Anjou-së. Në librin “Histoire de la Lorraine”, Augustin Calmet shkruan se “kapiteni i shqiptarëve de Beaulieu, me shqiptarët e tij nxitoi në ndihmë të Antoine, duka i Lorraine-s, duke përndjekur armiqtë”. Sigurisht, veç betejës së Marignane-s, ku stratiotët i dhanë fitoren mbretit Fransua I kundër gjermanëve, një nga betejat më të mëdha të stratiotëve shqiptarë ishte “Beteja e Coutra-s” ku shqiptarët pothuaj u shuan nën flamurin e katolicizmit. Që nga ajo kohë, kronikanët nuk flasin më për “Cavalerie Albanoise”, edhe pse stratiotët do t’i gjejmë sërrish në gardat mbretërore dhe trupat speciale, por ata tashmë ishin të pakët në numër gjersa më së fundi do të shuheshin në mjegullat e kohës. Pas betejës së Coutra-s, në botimet e tij (Kopshti shkëmbor i Evropës juglindore), Faik Konica na kujton se beteja e fundit e shqiptarëve heroikë në shërbim të Francës ishte ajo e Pavias në vitin 1590. “Jean d’Auton, – shkruante ai, – i përshkruan me hollësi mënyrat e luftimit të këtyre mercenarëve shqiptarë. Porsa jepej shenja nga Komandanti i Përgjithshëm, ata lëshoheshin mbi kuaj në mes të rradhëve të armikut, duke mbajtur heshta të gjata me një flamur të vogël në majë, jepnin një goditje të fuqishme dhe shkaktonin një panik në rradhët e kundërshtarit; pastaj i qëndronin besnik kodit të tyre të nderit dhe nuk harronin parimin sipas të cilit “koka e falur nuk pritet”. Sidoqoftë, kalorësit shqiptarë vazhdojnë dhe pas kësaj periudhe të qëndrojnë dhe të jetojnë në rajone të ndryshme të Francës, emrat e të cilëve i gjejmë aty këtu nëpër librat e historisë, në regjistrat e vjetër, etj. Në regjistrat e bashkisë së Parisit, të vitit 1586 është dhe një qarkore drejtuar banorëve të lokaliteteve në një largësi deri 20 lega nga Parisi, që të ndihmojnë kompaninë e një kapiteni të quajtur Gjon Shqiptari, Jean l’Albanois. Me kalimin e viteve, këta shqiptarë do të asimilohen gradualisht dhe pinjollët e tyre, brez pas brezi do të ruajnë veç kujtimin e rrënjëve të tyre shqiptare, apo mbiemrin Albanois.