Marin Mema- Sanxhaku i Pazarit të ri, sot pjesë e Serbisë, shumë pranë vetes mban disa rrënoja të vjetra që në plan të parë nuk do të përbënin ndonjë sensacion për cilindo turist që do të kalonte, por ndryshe në fakt do të ndodhte nëse do të njihej identiteti i kahershëm i tyre. Referuar historiografisë serbe këto rrënoja janë gjurmët e mbetura të kryeqytetit të Rrashkës, që njihet si një shtet mesjetar nga ku më pas u formësua Serbia. Ajo çfarë dihet më tej lidhet me vitet e themelimit të këtij qyteti që daton mes shekujve VIII dhe IX si dhe pozicionimi i tij mes rrugëve lidhëse tregtare të kohës.Por a duan të thonë më shumë këto rrënoja?

Ajo çfarë një syri edhe jo fort të stërvitur do t’i bënte përshtypje, lidhet pikërisht me faktin se përse pjesa më e rëndësishme e rrënojave ndodhet në gjendje vërtet mjerane. Aq më shumë nëse konsiderojmë faktin se bëhet fjalë për një qytet të klasifikuar si pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s. Padyshim një arsye më shumë që thellon pikëpyetjet për këtë lënie pas dore ka të bëjë me lidhjen që ndërkohë i bëhet këtyre rrënojave si selia e parë ku pretendon se ka edhe themelet vetë Serbia. Rruga nuk shkon në pjesën e sipërme ku ndodhet bërthama e qytetit dhe reklamimi bëhet vetëm për rrënojat më të parëndësishme të këtij siti e që ndodhen në krah të rrugës jo larg qytetit të Pazarit të ri. Përse vallë reklamohen disa ndërtesa pa vlerë të ndërtuara në mesjetë jashtë rrethimit të vjetër të qytetit , ndërsa pjesa më e hershme e tij është lënë në harresë?Çdo gjë ndodh për një arsye… Sikurse është faktuar nga arkeologë me peshë, pas gërmimeve në kala, rezulton se muret e identifikuar datojnë shumë shekuj para se të nisnin dyndjet sllave dhe e njëjta situatë qëndron edhe për kishat brenda rrethimit të sipërm. Ndonëse është pothuajse e pamundur të arrish tek rrënojat për t’i vizituar, pamjet nga ajri e sjellin të qartë panoramën e një siti arkeologjik që dergjet fatkeq, ndoshta për pasojë të asaj që përfaqësonte në të vërtetë. Për fat të mirë ajo çfarë është dëshmuar nga Prokopi i Çezaresë, një prej historianëve më seriozë të periudhës së Bizantit, saktëson se ky sit arkeologjik siç kane treguar edhe gërmimet e pezulluara që prej s’dihet se kur ka themele që i përkasin qytetit ilir të Arsës. Kjo pra me sa duket përbën shkakun e braktisjes, lënies në hije dhe trajtimit aspak me interes të këtij siti.

Strategjia për të promovuar vetëm pjesën e poshtme ose më të parëndësishmen ka si synim zhdukjen e gjurmëve të lashta që ndodhen majë kodrës, e që zbardhin të vërtetat e këtij qytetërimi, duke i mbajtur të fshehta edhe për turistët. Gjithçka që mund të shkruhej më tej do të ishte e kotë, kur nuk tregohet siç duhet shkencërisht, duke e kthyer të gjithë situatën në qesharake teksa mohohet dhe i zihet fryma Arsës për të evidentuar “gabimisht” Rrashkën…/Tirana Today

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here