Sot kalendari historik është duke shënuar 92-vjetorin e tragjedisë së quajtur Milan Šufflay, një albanolog i madh që ishte bërë pengesë e madhe për realizimin e projekteve madhore antishqiptare, jo vetëm nga strukturat mbretërore jugosllave, por edhe më vonë nga shteti komunist i Jugosllavisë!
Natën e 18/19 shkurtit 1931, Milan Shufflay u vra në Zagreb, i përgatitur nga regjimi i mbretit Aleksandër I Karagjorgjeviq, një atentat që pati një jehonë të madhe në opinionin europian dhe atë botëror. Lidhur me këtë vrasje është i njohur reagimi i shkencëtarëve dhe personaliteteve të shquara të kulturës, si Albert Einstein, Heinrich Mann e shumë të tjerë, të cilët i dërguan një letër Lidhjes Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut në Paris. Sipas letrës, kërkohet dënimi për vrasje, si dhe për ushtrimin e diktaturës nga strukturat mbretërore të Jugosllavisë.
Šufflay ishte një nga ithtarët kryesorë të idesë së ndarjes së qytetërimeve sipas “Linjës së Teodosit” nga viti 395. Ndërsa në botën shkencore ai u bë i njohur për veprat e tij kapitale në fushën e albanologjisë: “Acta et diplomata Res Albaniae mediae aetatis illustrantia, I-II ”(“ Akte dhe diploma që ilustrojnë ngjarjet në Arbërinë mesjetare”, në bashkëpunim me L. Thalloczy dhe K. Jireçek, Vjenë: 1913-1918); “Biologjia e popullit shqiptar” (München, 1916); “Gjendja e kishave në Arbërinë paraturke: Zona ortodokse e depërtimit në digat katolike”, (Zagreb-Budapest: 1915/16); “Kufijtë e Arbërisë në Mesjetë” (Mynih-Leipzig: 1916); “Qytetet dhe fortifikimet e Arbërisë, kryesisht gjatë mesjetës” (Vjenë-Leipzig: 19241924), “Serbët dhe shqiptarët” (Beograd-Ljubljanë: 1925), “Statuta et ordinationes capituli ecclesiae cathedralis Drivastensis”; “Fatet politike të Temës së Durrësit” (Zagreb: 1915); romani historik “Alba Limi” kushtuar princit arbër, Kastandin Balsha (1920), dhe shumë shkrime e ese të kësaj natyre.
Me këtë opus të pasur albanologjik të bazuar vetëm në burime historike të dorës së parë, Milan Šufflay ishte bërë pengesë e madhe për realizimin e projekteve madhore antishqiptare, jo vetëm nga strukturat mbretërore jugosllave, por edhe më vonë nga shteti komunist i Jugosllavisë, i cili synonte zbrazjen e territoreve shqiptare bazuar në dëshmitë teoriko-shkencore-historike se shqiptarët janë të pranishëm në territore jashtë Shqipërisë politike vetëm nga fillimi i shek. XVII! /Trungu & InforCulture.info