Historiani Hasan Bello zbuloi për ‘Opinion’ se kush është i penduari i parë i drejtësisë shqiptare. Bëhet fjalë për Beqir Valterin, i cili tentoi të vriste Ahmet Zogun. Sipas Bellos, i penduari më i rëndësishëm i drejtësisë asokohe ka qenë Idriz Jazo. Dëshmitë e tij zbuluan në vitin 1932 organizatën e fshehtë të Vlorës.
“Faktikisht meqë hapim këtë çështjen e Shkurtit të ’24. I penduari i parë në Shqipëri është Beqir Valteri. Nëse ne dëgjojmë sot ‘il pendito’ në media, i penduari i parë i drejtësisë shqiptare është Beqir Valteri. Pas këtij atentati ai zbërthehet në polici, tregon që mua më kanë nxitur, më ka stërvitur Avni Rustemi, kemi bërë qitje në filan vend me pushkë.
Ndërsa i penduari i dytë më i rëndësishëm pastaj në historinë e Shqipërisë është Idriz Jazo që është organizata e fshehtë e Vlorës. Kriminel ishte ai. E kërkonte policia. Nga frika fillon dhe tregon shokët dhe zbulohet organizata e fshehtë e Vlorës, 40 veta. I penduari i parë është Beqiri, por më i rëndësishmi sa i përket anës sasiore, numrit të të arrestuarve është Idriz Jazo, në ’32”, u shpreh Bello.
Sipas historianit, ndaj Ahmet Zogut janë dokumentuar 11-15 atentate.