Paulin Z. Zefi, Lezhë
(Ky material është shkëputur nga studimet e mia për artin ushtarak të Heroit tonë Kombëtar. Mbi artin e tij ushtarak xhenjer, fillimisht kanë shkruar në mënyrë sintetike historianë ushtarakë seriozë, si: B.Guxholli, K.Cenolli, S.Isaku e Sh.Leka, dhe ndërsa ky studim, i bazuar kryesisht në burimet historike të shek.XV, XVI dhe XVII, paraqet një analizë përmbledhëse, sepse kam vendosur të publikoj vetëm materialin bazë).
● Gjergj Kastrioti-Skënderbeu i kushtoi një rëndësi të veçantë inxhinierisë ushtarake, e cila mund të përkufizohet lirshëm si art, shkencë dhe praktikë e projektimit dhe ndërtimit të veprave ushtarake dhe ruajtjes së linjave të transportit ushtarak dhe komunikimeve ushtarake. Në të gjitha betejat e zhvilluara prej tij, qofshin ato mësymëse apo mbrojtëse, në prita apo diversione janë zbatuar gjithmonë masa me karakter xhenier, të cilat ishin në përputhje me kushtet e atëhershme të vendit tonë. Ashtu si arti i tij ushtarak, edhe masat me karakter xhenier që praktikoi Heroi jonë Kombëtar ishin tërësisht origjinale dhe jo të kopjuara nga modelet që ishin praktikuar më parë nga udhëheqësit e tjerë ushtarakë, europianë apo aziatikë. Këto masa kishin për qëllim të krijonin kushte sa më të favorshme për ruajtjen dhe mbrojtjen e forcave të armatosura dhe të popullsisë, për realizimin e manovrës dhe vendosjes së shpejtë dhe të fshehtë të ushtrisë në fushën e betejës, për mashtrimin dhe çorientimin e forcave armike, duke ju dhënë goditje të befasishme, si dhe për të penguar në mënyrë të gjithanshme veprimet e armikut, duke i shkaktuar atij humbje sa më të mëdha. Përveç ndërtimit apo mirëmbajtjes së kështjellave dhe fortifikatave malore, ndërtimit të kampeve dhe pengesave fortifikuese, projektimit dhe ndërtimit të pajisjeve të mëdha luftarake, por edhe përkujdesjes ndaj rrugëve kryesore ku zakonisht marshonte ushtria arbëre, inxhinierët ushtarakë përgatisnin nga ana xheniere edhe drejtimet e mundshme të kalimit për forcat armike, duke kryer punime të ndryshme dhe sidomos duke vendosur gurëhedhës. Llojet e gurëhedhësve më të njohur gjatë Mesjetës ishin balistat e mëdha, mangoneli dhe trebusheti, por në literaturën ushtarake botërore ndeshim edhe një sistem gurëhedhësish që në artin botëror të fortifikimit njihet si “Gurëhedhësi arbër/shqiptar.” Ky mjet lufte është përdorur fillimisht në Krujë dhe ndahet në dy modele: gurëhedhësi që vihej në veprim mekanikisht dhe ai me lëndë shpërthyese. Ky lloj gurëhedhësi u bë mjaft i njohur gjatë Epokës së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, sepse ishte një mjet lufte me forcë goditëse dhe me efekt të madh psikologjik, duke shkaktuar dëme, rrëmujë e panik në formacionet armike. Po ashtu, një variant tjetër i “Gurëhedhësit arbër/shqiptar” ishte edhe ai që vendosej nga xhenierët arbër nëpër vende shkëmbore dhe të pjerrëta në drejtimet e mundshme të kalimit për forcat armike, i cili vihej në lëvizje mekanikisht dhe gurët binin vetë me shpejtësi sipas pjerrësisë së vendit. Këto të fundit ishin disa lloje strukturash mjaft komplekse, që përbëheshin nga mure të ndërtuara me trarë në vende me pjerrësi të mëdha, nën të cilat ishin të detyruar të kalonin forcat armike dhe në momentin kur turqit-osmanë kalonin poshtë tyre, ushtarët arbër hiqnin trarët dhe gurët binin mbi kolonën armike, duke ju shkaktuar dëme të konsiderueshme. Gurëhedhësi shqiptar/arbër, është përdorur me shumë efikasitet edhe në disa beteja që Gjergj Kastrioti-Skënderbeu i ka zhvilluar në terren fushor dhe sidomos gjatë Betejës së parë dhe të dytë të Vajkalit më 1465. Përdorimin e këtyre gurëhedhësve, ose siç njihen ndryshe si “Gurëhedhësit e Skënderbeut”, e dëshmon më së miri fakti, që në Fushën e Bulqizës gurët e hedhur prej ushtrisë arbëre nga mali i Katilit në afërsi të fshatit Vajkal gjenden edhe sot në një fushë të punuar dhe banorët vendas i quajnë “Gurët e Skënderbeut.
Duhet theksuar se përveç artit lindor, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu ka qenë i familjarizuar edhe me artin perëndimor të luftimit. Kjo gjë dëshmohet nga burime të shumta historike, por gjithashtu dihet se ai kishte në posedim një dorëshkrim të njohur si “Codex Scanderbeg”, dhuruar nga Alfonsi V i Aragonës më 1456. Në këtë dorëshkrim paraqiten edhe disa nga punimet e inxhinierit ushtarak gjerman, Konrad Kayser (1336-1405), që lidhen me kryeveprën e tij “Bellifortis (I fortë në luftë)”, i cili është manuali i parë i ilustruar plotësisht i teknologjisë ushtarake dhe që është përfunduar si vepër në vitin 1405. Ashtu si te “Bellifortis”, edhe te “Codex Scanderbeg” vihet re se janë paraqitur disa punime, që janë shumë të ngjashme me skicat e publikuara në veprat e autorëve klasikë romakë si: “Strategemata (dredhia/dinakëria luftarake – P.Z.)” e Sextus Iulius Frontius (40-103) dhe “De Re Militari (Në lidhje me çështjet ushtarake – P.Z.)” e Publius Flavius Vegetius Renatus (Më gjerësisht shih: Sesto Giulio Frontino, Stratagemi militari (Tradotti in lingua italiana et novamente mandati in luce da Marc’ Antonio Gandino), In Venetia apreso Bolognino Zaltiero, M.D.LXXIIII (1574); Flavius Vegetius Renatus,- De Re Militari, Lutetiæ opud Christianum Wechelum, sub scuto Basiliensi, Anno M.D.XXXII (1532). decimo Kalendas Septembres; Shih edhe C.Allmand,- The “De Re Militari” of Vegetius: The Reception, Transmission and Legacy of a Roman Text in the Middle Ages, Cambridge University Press, New York, 2011). Natyrisht që nuk mund të thuhet me siguri të plotë se Heroi jonë Kombëtar i zotëronte të gjitha këto pajisje luftarake që lidhen me artin e fortifikimit dhe teknikën e xhenios, të cilat përshkruhen në këtë dorëshkrim ku paraqiten një larmi modelesh me skica shumë të detajuara, sepse kushtet nuk ja mundësonin diçka të tillë, por sidoqoftë “Codex Scanderbeg” medoemos që duhet t’u ketë shërbyer inxhinierëve ushtarakë arbër për realizimin e disa prej këtyre pajisjeve. Në burimet e ndryshme historike, përveç topave, bombardave dhe shkallëve të gjata prej druri etj. që u përdorën nga ushtria arbëre për sulmet e zhvilluara kundër kështjellave, përmenden gjithashtu edhe disa pajisje të thjeshta dhe të lehta prej druri. Mjetet e rrethimit që kishin në përdorim luftëtarët arbër gjatë luftës për çlirimin e Sfetigradit në vitin 1449, ishin disa makina ushtarake në formë breshke, që M.Barleti i quan “breshkore”, të cilat ishin të thurura me drunjë dhe trarë të fuqishëm për të siguruar mbrojtjen e ushtarëve që ndodheshin brenda tyre nga goditjet e forcave armike në kohën kur sulmonin pranë mureve. Mburojat breshkore dhe pullazet prej druri, që u përdorën këtu ishin më të përshtatshme dhe lehtësisht të manovrueshme për terrenin malor dhe ua kalonin kullave të mëdha të lëvizshme, të cilat përveç se ishin të rënda dhe aspak të volitshme për afrim dhe mund të përdoreshin vetëm në terren fushor.
Shumë aktive kanë qenë gjithashtu edhe masat e zbulimit të ushtrisë së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut për të diktuar dhe më pas për të shembur llagëmet ose galeritë nëntokësore të hapura nga turqit osmanë gjatë tre rrethimeve të Krujës, në vitin 1450, 1466 dhe më 1467, në masivin shkëmbor mbi të cilin ndodhet kjo kështjellë. Në lidhje me masat dhe mjetet e përdorura nga luftëtarët e garnizonit të Krujës për zbulimin dhe shembjen e galerive nëntokësore të hapura prej forcave armike shkruajnë jo vetëm biografët bashkëkohës arbër, por edhe autorët e huaj. Historiani polak dhe biografi i Heroit tonë Kombëtar, M.Bielski, shkruan se “Natën, disa qindra qytetarë (krutanë) u shfaqën në heshtje dhe kapën rojet (turq), të cilët nga të rrahurat treguan çfarë po bëhej nën dhé. Shkuan shpejt në qytet dhe sajuan mbrojtjen, duke varur në mure enë prej tunxhi e bronzi, legena, zile, këmborë, që të tingëllonin kur të gërmohej. Nga zhurma e tingëllimi i tyre përcaktuan ku gërmohej. Atëherë filluan edhe ata nga ana e kundërt të hapnin galeri dhe kështu u prishën planet e turqve.” Natyrisht që masat dhe mjetet që u përdorën në shek. XV për zbulimin e gërmimeve nëntokësore mund të duken primitive, por duhet të kuptojmë se për atë kohë ishim shumë efektive. Për shembull, për zbulimin e galerive nëntokësore të hapura nga turqit-osmanë nën muret e Kostandinopojës në vitin 1453, bizantinët përdorën fuçitë prej druri të mbushura me ujë dhe si rezultat i goditjeve të minatorëve armiq nën tokë, vibrimet e shkaktuara transmetoheshin nëpërmjet shtresave të dheut, duke krijuar valëzime mbi sipërfaqen e ujit që ndodhej brenda fuçive të vendosura pranë bazës së strukturave murale. Shembulli më i spikatur është ai i datës 23 maj të vitit 1453, kur bizantinët kapën robër dhe torturuan dy oficerë turq, të cilët u treguan për vendndodhjen e të gjitha tuneleve turke që ishin gërmuar poshtë mureve të qytetit. Prandaj më 25 maj, pasi trupat e krishtera zbuluan tunelet, i shkatërruan ato me sulme të ashpra, që u zhvilluan nëpër galeritë nëntokësore dhe në fund përdorën “Zjarrin grek” për t’i shembur ato plotësisht. Të njëjtat masa dhe mjete që u përdorën nga arbërit në Krujë dhe bizantinët në Kostandinopojë (përjashto këtu “Zjarrin grek”, një teknologji që u zhduk së bashku me Perandorinë Bizantine) u përdorën me shumë sukses edhe nga austriakët gjatë mbrojtjes heroike të Vjenës për zbulimin e galerive nëntokësore gjatë rrethimit nga armata perandorake osmane e komanduar prej sulltan Sulejmanit I (1494-1566) në vitin 1529.
Masat e marra nga ushtria e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut për zbulimin dhe më pas shembjen e galerive nëntokësore të hapura nga turqit osmanë nën kështjellën e Krujës, në fakt nuk kanë ndonjë ndryshim të madh nga ato që përdorem sot dhe me sa duket, një pjesë e tyre janë përdorur për herë të parë pikërisht nga ushtria arbëre. Lufta kundër galerive nëntokësore, e cila në literaturën historike njihet si “Metoda e kundërgalerive”, konsiston në zbulimin e më pas në shkatërrimin e galerive të armikut, duke përdorur fillimisht lëndë djegëse dhe më pas ngarkesa të mëdha me barut ose lëndë të tjera plasëse (eksplozivë).
Kjo lloj metode është përdorur fillimisht gjatë Mesjetës së Vonë dhe krahas zhvillimit teknologjik ka vijuar për shekuj me radhë deri në Luftën e Dytë Botërore (1939-1945). Inxhinierët ushtarakë arbër, përveç projektimit dhe ndërtimit të veprave ushtarake apo ruajtjes së linjave të transportit ushtarak dhe komunikimeve ushtarake, ishin gjithashtu përgjegjës edhe për disa sektorë të logjistikës.
Lezhë, 25.03.2021.
Kan være et bilde av en eller flere personer, folk som står og monument
Paulin Zefi, historian, Lezhë

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here