Nga Paul M. Sutter

Forca gravitacionale është më e dobëta nga 4 forcat e natyrës. Sfidimi i saj është i thjeshtë:mjafton të ngresh diçka në ajër. Por gjëja e bezdisshme në lidhje me gravitetin është se ajo është këmbëngulëse dhe ka një gamë të pafundme, e cila kërkon shumë përpjekje për t’u kapërcyer.

Graviteti është aq i dobët, saqë edhe nëse do të ishte 1 miliard herë më i fortë se sa është tani, do të ishte ende më i dobëti nga të gjitha forcat. E gjithë masa e Tokës po ju tërheq, por ju mund të arrini dhe të kapni një laps dhe të mposhtni të gjithë fuqinë gravitacionale.

Natyrisht, përfundimisht do të lodheni dhe do ta ulni për tokë lapsin, por ne kemi edhe metoda të tjera për të kapërcyer në mënyrë magjike forcën e gravitetit. Forca magnetike mund të mbajë përgjithmonë një objekt pezull ngjitur pas frigoriferit tuaj. Magnetët edhe më të fortë, duke përdorur superpërçuesit, mund të mbajnë në ajër të gjithë vagonët e trenave, duke mundësuar një transport super të shpejtë që “noton” mbi binarë.

Po ashtu nuk është aq e vështirë të sfidosh gravitetin dhe të kalosh në hapësirë. Tek e fundit, skaji i hapësirës është vetëm 100 kilometra larg nesh, dhe të çosh diçka aty nuk është gjëja më e vështirë për t’u bërë. Por graviteti e ka një superfuqi. Edhe në skajin e atmosferës dhe në fillimet e hapësirës, tërheqja gravitacionale e Tokës nuk është shumë më e dobët se ajo që është në sipërfaqen e planetit tonë.

Pra, nëse nuk vazhdoni të përshpejtoni, përfundimisht graviteti do t’ju tërheqë nga pas. Shumica e energjisë që ne përdorim në raketa, nuk harxhohet për të arritur në hapësirë, por për të qëndruar atje. Nëse dëshironi t’i shpëtoni plotësisht “kthetrave” gravitacionale të Tokës, duhet të arrini një shpejtësi prej të paktën 11.2 kilometrash në sekondë, që është rreth 33 herë më e madhe se sa shpejtësia e zërit.

Kur mbërrijmë në hapësirë, kemi disa metoda në dispozicion për të simuluar efektet e gravitetit. Dhe kjo është e rëndësishme, sepse një tërheqje e vazhdueshme gravitacionale është thelbësore për ruajtjen e shëndetit të trupit. Pa gravitet, zemrat tona dobësohen, kockat bëhen më të holla dhe dobësohet i gjithë sistemi ynë kardiovaskular.

Pa ushtrime të vazhdueshme fizike, astronautët që kalojnë shumë kohë në hapësirë me zero gravitet nuk mund të mbijetonin dot dhe të riktheheshin në Tokë. Inxhinierët kanë zhvilluar koncepte mbi habitatet hapësinore për të rikrijuar efektet e gravitetit.

Në vend se t’ju tërheqë një objekt i madh në Tokë, muri i një anije kozmike do të rrotullohej dhe do t’ju përplaste kundër murit përballe. Forca centrifugale do t’ju jepte saktësisht të njëjtën ndjesi të gravitetit që keni në planetin tonë, duke ju shpëtuar nga efektet shkatërruese të gravitetit zero.

Kjo teknologji është ende më shumë pjesë e fantashkencës. Por agjencitë hapësinore në mbarë botën, janë të interesuara të zhvillojnë habitate të tilla për misione afatgjata në hapësirë.

Duke folur për fantashkencën, shkrimtarëve të këtij zhanri iu pëlqen të krijojnë lloj-lloj pajisjesh që sfidojnë gravitetin, qoftë për të siguruar gravitetetin artificial për anijet e tyre apo për ta shtyrë anijen e tyre nëpër Univers. Për fat të keq, duket se këto lloj pajisje anti-gravitet do të mbeten në fushën e fantashkencës.

Sepse për t’i përdorur këto pajisje, do të duhet përdorimi i lëndës negative, e cila është një formë e materies me masë negative (të mos ngatërrohet me antimaterien, e cila është si materia normale, por me ngarkesë të kundërt). Ne nuk kemi vëzhguar ende ndonjë materie negative në Univers, dhe dyshojmë nëse mund të ekzistojë, sepse kjo do të rrëzonte konceptin tonë për ruajtjen e vrullit.

Megjithatë, në shkallët më të mëdha në hapësirë, ne tashmë po vërejmë një efekt anti-gravitet.

E kemi ditur që nga vëzhgimet e Edvin Habëll, rreth 100 vjet më parë, se Universi ynë po zgjerohet me kalimin e kohës, dhe se po rritet distanca mesatare midis galaktikave.

Por në fundin e viteve 1990, dy ekipe të pavarura astronomësh zbuluan diçka të jashtëzakonshme. Që Universi jo vetëm që po zgjerohet, por po ky zgjerim po përshpejtohet. Universi po zgjerohet çdo ditë e më shpejt. Emri që i kemi vëmë këtij fenomeni është energjia e errët, dhe duket se ajo është një forcë anti–gravitacionale që po e zmbraps të gjithë lëndën në univers.

Në fakt anti-graviteti nuk është edhe aq i çuditshëm në Teorinë e Përgjithshme të Relativitetit të Ajnshtajnit, që përmban grupin e ekuacioneve që përdorim për të kuptuar se si funksionon graviteti. Sipas kësaj teorie, çdo lloj tensioni krijon një efekt anti-gravitet. Por zakonisht ky efekt neutralizohet plotësisht nga graviteti normal dhe tërheqës që e njohim tashmë. / “Discover Magazine” – Bota.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here