Jahja Drancolli

Historianët në përgjithësi nuk janë të prirur që të reflektojnë në publik natyrën e profesionit të tyre. Ata më së shumti ndihen të lumtur nëpër arkiva, ndërkaq më së keqi kur thirren që të evaluojnë pretendimet e disiplines së tyre. Kur ata e bëjnë një gjë të tillë, zakonisht do të japin mendim mbi çështjet e metodës dhe teknikës shkencore. Ky konstatim është përqafuar pothuajse nga pjesa më e madhe e historianëve në shtete të përparuara botërore. Mirëpo, situata është tërësisht tjetër në shtetet e tranzicionit, sidomos të atyre që dolën nga lufta, ku Historia e Historisë ose Historiografia ka pasur ecejake tërësisht të tjera nga ato të shteteve të Bashkimit Europian, në të cilat tani këto shtete synojnë të inkuadrohën. Në këtë fazë të zhvillimit të shkencës së historisë, në pjesën më të madhe e shteteve të Ballkanit, sidomos të atyre që gjendën jashtë BE-së, ende është duke vazhduar tradita, që të ruhet primati i historisë politike, duke neglizhuar rëndësinë e disiplinave të tjera historike, si, historia shoqërore, historia ekonomike, historia e religjioneve, historia e kulturës, historia gojore, historia e shkencës, psiko-historia, e ndonjë hisitori tjetër. Kjo traditë shoqërohet edhe më pikëpamje historiografike nacionaliste, etnohistorike, dhe të ngjashme, me të cilat pikëpamje, shtetet e përparuara kanë kaluar shumë kohë më parë. Këtej, në pjesën më të madhe të shteteve ballkanike, shkenca e historisë bëhet fushë, që preferohet jo vetëm nga studiuesit e historisë, por edhe për studiues të shkencave johistorike, si dhe për amatorët e shkencës, të cilët gjithnjë e më shpesh shpalosin “të arritura”, që u gjasojnë vetëm miteve e legjendave duke kërkuar kishtu identitete historike sa më thellë kronologjikisht në histori, madje edhe deri te Adami dhe përtej tij. Te shqiptarët, për shembull, është bërë temë shumë e preferuar çështja pellazge, e cila u surviret madje edhe fëmijëve në shkolla të ulëta. Situata pothajse identike është edhe në Serbi, ku gjuha e moçme serbe identifikohet me gjuhën e kulturës parahistorike (neolitike) të “zbuluar” në Vinçë jo larg prej Beogradit; në Maqedoni, ndërkaq, Historia e Maqedonisë së Lashtë identifikohet me historinë e sllavëve, të cilët u vendosën në Maqedoninë e sotme përgjatë shekujve VI-XI. Fatkeqësisht, kjo “krijimtari historike” është duke dëpërtuar shumë më dendur dhe më shpejtë te lexuesi sesa shkrimet shkencore historike. Në këtë kontekst, edhe lexuesi ynë profesional-shkencor rrallë herë ka mundësi të hedh një vështrim në punime nga fusha e metodologjisë së shkencës së historisë, punime këto, që pjesa e madhe e historianëve “praktikë” në shtete të përparuara i lexojnë më ëndje, por edhe ata në të shumtën e rassteve nuk janë të gatshëm për të shkruar teori ose filozofi të historisë. Pjesa më e madhe e historianëve jo vetëm ballkanas merren kryesisht me hulumtime aplikative, dhe përherë ndjejnë mungesën e debateve nxitëse metodologjike në të cilën tregohen avantazhet dhe disavantazhet e çdo metode. Për shumicën ky “teoretizim” duket aq i ndryshëm nga puna e zakonshme e historianit sa që janë të prirur të sjellin në pikëpyetje arsyetimin e mbajtjes së diskutimeve të këtij lloji. Megjithatë, pa pyetje të vazhdueshme të vlerës dhe mundësive, si dhe njohjen e gabimeve dhe të metave të çdo qasjeje, jemi të ekspozuar, si profesion, asaj më të rrezikshmës: miratimit jokrik dhe të pakontrolluar të modeleve të huaja të hulumtimit ose mbajtjen e qasjeve të vjetëruara dhe burimeve të kufizuara. Njohja me shqyrtime metodologjike shkencore është një domosdoshmëri për çdo përparim jo vetëm të historiografisë sonë, por edhe të historiografisë së shteteve fqinjë dhe më gjerësishst!

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here