Rastësisht më ra rruga andej, por nuk kisha kohë të ngjitem deri tek lart. Edhe gërmadhë Kështjella e Artanës të ngjallë admirim. Admirimi bëhet edhe më i madh kur e lexon historinë e saj. Prapa atyre mureve, tani thjesht gërmadha, është lindur Martin Segoni, prelat i njohur i katolicizmit shqiptar dhe biografi i parë i Skënderbeut. Edhe shkrimtari e teologu bullgar Vladislav Gramatiku thuhet të ketë lindur aty.
Ndonëse serbët janë munduar ta serbizojnë gjithë historinë e saj, falë dokumenteve të Raguzës mësojmë për qindra familje shqiptare që jetonin e punonin aty gjatë shekujve 14 e 15.
Llesh Spani, nga familja Spani e Drishtit, ishte komandanti i fundit që udhëhoqi mbrojtjen e kësaj kështjelle para se ajo të binte në duart e osmanëve në verën e vitit 1455. Familja e tij ishte anëtare e Lidhjes së Lezhës. Kisha Saksone në lindje të kështjellës është po ashtu një histori në vete.
Ne kurrë nuk kemi ditur t’ia tregojmë botës këto histori, të vlefshme për të drejtat tona mbi këtë vend. Madje edhe pas luftës kemi vazhduar me të njëjtin avaz gati barbar, duke lejuar një kompani serbe t’i fus duart aty dhe, në emër gjoja të rikontruksionit, ta deformoj krejtësisht atë që kishte mbetur nga ngrehina mesjetare. Pastaj qahemi pse bota vazhdon ta dëgjoj kryesisht versionin serb të historisë.