Nga Scotty Hendricks
Letërsia dhe filozofia, janë të mbushura me vizione të utopisë, të shkruara nga mendimtarë që i përkasin rrymave të ndryshme ideologjike. Disa prej tyre bazohen në sisteme alternative ekonomike; të tjerët i përshtaten një pikëpamje specifike të psikologjisë njerëzore; dhe të tjerë akoma shpresojnë të gjejnë harmoni me natyrën.
Si gati në çdo fushë tjetër të përpjekjeve intelektuale, të gjithë ata i detyrohen shumë Platonit, që e bëri i pari. Libri “Republika” i filozofit të Greqisë së Lashtë përmban skicën e parë të njohur mbi një shoqëri utopike. Pjesërisht një alegori, pjesërisht një propozim politikash legjitime, dhe pjesërisht kritikë e sistemeve ekzistuese, libri ofron shumë ide që flasin mbi një qytet ideal. Por për fat të keq siç do ta shohim së shpejti, askush nuk do të dëshironte të jetonte atje.
Utopia e parë
Shumica e letërsisë utopike fillon me përpjekjen për t’i dhënë përgjigje pyetjes “Çfarë është shoqëria ideale?”. “Republika” e Platonit fillon duke u përpjekur t’i përgjigjet pyetjes: “Çfarë është drejtësia dhe a është mirë që një person të jetë i drejtë?”. Kjo është një pyetje shumë e rëndësishme, dhe Platoni i përgjigjet asaj me analogji nëpërmjet personazhit të tij kryesor Sokratit.
Ai thotë se drejtësia në qytetin ideal, është e ngjashme me drejtësinë e një personi dhe duke e kuptuar drejtësinë në shkallën më të madhe dhe më të lehtë për t’u parë, ne mund ta kuptojmë atë në shkallën më të vogël. Qyteti, i quajtur Kalipolis, do të qeverisej nga mbretër-filozofë.
Të zgjedhur për mençurinë e tyre, këta sundimtarë do të arsimoheshin për 50 vjet përpara se të merrnin kontrollin e qytetit. Të udhëhequr nga kuptimi i tyre për të mirën, të drejtën dhe mënyrën se si ta arrinin atë, ata do ta çonin qytetin drejt paqes dhe prosperitetit.
Burrat dhe gratë do të trajtoheshin në mënyrë të barabartë, pasi Platoni nuk mund të gjejë asnjë arsye pse gratë mund të mos jenë në gjendje të bëjnë atë që bëjnë burrat brenda kufijve të arsyeshëm. Të gjithë fëmijëve do t’u jepej një arsim cilësor i përshtatshëm për talentet e tyre natyrore.
Dhe kjo fundit do të orientohej drejt krijimit të qytetit më të mirë të mundshëm, me lumturi, virtyte dhe një harmoni të niveleve të larta, ose të paktën siç e konceptoi Platoni. Qyteti do ta arrinte këtë gjë nëpërmjet një serie gjithnjë e më totalitare ligjesh dhe rregulloresh, që do të garantonin funksionin e tij, pa marrë shumë parasysh dëshirat e deklaruara të popullatës.
Ndërsa shumë nga specifikat janë lënë të padeklaruara, ajo që thuhet është e bollshme. Qyteti përmbante një sistem kastash të ngurtësuara, ku nuk lejoheshin ndryshime sociale të mundshme për të rriturit. Megjithatë, fëmijët e tyre mund të gradoheshin ose uleshin në detyrë në bazë të mënyrës se si paraqiteshin në shkollë.
Shtresa e gardianëve dhe e luftëtarëve që e sundonin dhe mbronin qytetin, do të ishte pa prona personale dhe private, duke jetuar në vendbanime komunale të financuara nga taksat e mbledhura nga shtresat e ulëta. Të gjithë sundimtarët do të zgjidheshin nga kjo klasë.
Ndërkohë familjet nuk do të ekzistonin më si njësi të vetme. Në vend të kësaj, fëmijët e lindur nga martesat e sanksionuara nga shteti do të rriteshin nga shteti. Krahas kësaj do të ishte në fuqi një sistem eugjenik që lejonte vrasjen e foshnjave që lindin nga “prindër inferiorë” ose kromozome “me defekt”.
Po ashtu, do të përdoreshin disa manipulime, për t’u siguruar që prindërit me cilësi më të ulëta të mos kontaminonin linjat e gjakut të njerëzve me cilësi më të lartë. Për të garantuar respektimin e së vërtetës, të gjithë poetët duhet të dëboheshin nga vendi.
Të gjitha veprat e kulturës, nga dramat deri tek tregimet që u tregohen fëmijëve para gjumit, do të miratoheshin nga pushtetarët. Natyrisht, këta sundimtarë janë të vetmit njerëz të aftë për të kuptuar “të vërtetën” në vend të imitimeve të saj surrogato.
Sistemi do të reziston falë një “gënjeshtre fisnike”, duke i siguruar njerëzit e thjeshtë se shpirtrat ndahen në disa kategori. Mbretërit filozofë kanë një shpirt të artë, ndihmësit dhe luftëtarët e tyre kanë një shpirt të argjendtë, ndërsa fermerët, punëtorët dhe mjeshtrit janë bërë metafizikisht prej bronzi dhe hekuri.
Gënjeshtra përfshin paralajmërimin se gjithçka do të shembet nëse në krye do të vihen njerëz të ndërtuar keq. Dhe ajo është e destinuar të dështojë, siç sugjeron Platoni për të gjitha regjimet politike. Tingëllon këndshëm, apo jo?
Filozofi Karl Poper, kundërshtimet e të cilit ndaj totalitarizmit janë shfaqur në disa nga librat e tij, mendonte se idetë e shfaqura në “Republika“ e Platonit ishin marrë shumë seriozisht. Me përkushtimin e tij ndaj idesë se inxhinieria sociale nuk është vetëm e mundur, por shpeshherë edhe e dëshirueshme, dhe se gjithçka është e lejuar për sa kohë që politika drejtohet drejt së mirës “objektive”, Poper sugjeron se libri i Platonit frymëzoi intelektualishtlëvizjet totalitare të shekullit XX-të.
Vetë Ajatollah Khomeini, themeluesi i Republikës Islamike të Iranit dhe udhëheqësi i Revolucionit Iranian, u frymëzua nga ky libër kur themeloi qeverinë e re iraniane, së bashku me mbretin-filozof. Se sa mirë funksionoi kjo gjë mbetet ende një subjekt debati.
Filozofi Bertrand Rasëll, një tjetër kritik i librit në fjalë, argumentoi se libri kishte predispozitë të merrej seriozisht si një shoqëri që mund të krijohej në Greqinë e lashtë. Ndërkohë çdo ide e utopisë – moderne apo e lashtë – do të bazohet tek supozimet për njerëzit, shoqëritë, drejtësinë dhe koncepte të tjera që dikush tjetër do t’i konsiderojë të diskutueshme.
Nga 2000 vite para kur Platoni shkroi librin tij, gjithçka që ai tha është shndërruar nga një libër i saktë në një vizion absurd. Rrjedhimisht, qyteti i tij i përsosur na duket sot monstruoz. Megjithatë, diskutimi i nxitur nga debati nëse Kalipolisi i Platonit është ideal, praktik apo edhe i mundshëm, e ka çuar përpara kuptimin tonë mbi etikën dhe filozofinë politike.
Tek e fundit, ne duhet të pyesim veten pse na pëlqejnë konceptet si liria dhe demokracia kur përballemi me një alternativë që supozohet se na ofron një shoqëri më të mirë. Si gjithmonë, ne mund t’i detyrohemi Platonit një falënderim, edhe pse në përgjithësi e refuzojmë filozofinë e tij. / Big Think – Bota.al