TESPIHET E IDRIZ SEFERIT
Dikur një plumb qëlloi Idriz Seferin,
Atë se zuri, zuri veç tespihet.
Tri kokra vrau dhe copra bëri perin,
Të tjerat u përhapën në korijet.
Dhe për çudi unë endem tutje kodrës
Në Kaçanik rreth Shkëmbit të Skifterit,
Se mbase gjej të fshehura prej kohës
Pak kokrra me sedef të Idriz Seferit.
Ndaj unë ato kërkoj, kur jam në rrugë,
Me një durim vërtet prej arkeologu.
Në trasten time marr me vete bukë
Se shpesh mundohem shkrepave si zogu.
Idriz Seferi numëronte kokrrat
Në perin e tespihëve fildishti:
Sa burra ranë e humbën nëpër kodrat
Sa kraharorë i la të zbrazur shpirti!
Idriz Seferi numëronte dertet
Me kokrrat më të lashta se sa koha;
Kujtonte lotët që në gjoks i derdhte
E ëma e tij, e bardhë e tij, Kosova…
Dhe ndaj më duhen domosdo tespihet,
Dhe po kërkoj në kodrat e korijet
Apo nën plisat ngritur nëpër ara.
Po ku ta dish si vete puna ime!…
Mos vallë i gjetën zogjtë, e larg i shpunë,
Me sqep i hodhën plot me ligjerime
Në Vjosë apo në Drin, a tej në Bunë!
Megjithatë sërish jam në gjurmime.
/Dritero Agolli/