Prof. dr. Naser FERRI

Arkeologu, historiani, gjeografi dhe albanologu Carl (Karl) Ludvig Patsch ishte lindur në Kowatsch të Çekisë në vitin 1865 kurse kishte vdekur në Vjenë më 21 shkurt 1945.

Nga opusi i pasur i Patschit dallohet libri “Ilirët” i cili ishte botuar në vitin 1923 në shtypshkronjen “Nikaj” të Tiranës drejtpërdrejt në gjuhën shqipe në përkthim të Karl Gurakuqit dhe në fakt ishte edhe libri i parë në gjuhën shqipe i kushtuar ekskluzivisht ilirëve.

Carl Patsch i cili kishte kontribuar në fushën e arkeologjisë, historisë, etnografisë e gjeografisë të shumë vendeve të Ballkanit dhe i cili kishte themeluar mjaft institucione kulturore në Ballkan, në mesin e të cilëve edhe Muzeun Kombëtar në Tiranë.

Në këtë vepër për herë të parë ishin prezantuar në gjuhën shqipe fiset ilire, shtrirja e tyre gjeografike, doket e zakonet, besimet religjioze dhe mjaft elemente të tjera relevante të kulturës së tyre autoktone

Vepra në fjalë është e ndarë në 8 nënkapituj dhe është e pajisur me 13 ilustrime.Autori fillon me trajtimin e ilirëve në përgjithësi për të cilët ai thotë se nuk formuan komb të posaçëm dhe u bashkuan vetëm njëherë për t’i rezistuar romakëve madje, për fat të keq, edhe atëherë jo të gjitha fiset. Në numër më të madh ose më të vogël ilirët kishin qenë prezent edhe në brigjet e Danubit, në pjesët italiane të Adriatikut, në Korfuz dhe në veriperëndim të Azisë së Vogël e ndoshta edhe në Sicili.

Sado që romakët kishin qenë të egër në luftë nga ana tjetër ata kishin qenë liberalë në raporte me popujt e nënshtruar në çdo aspekt, kështu që ilirët kishin mundësi ti ruanin elementet e kulturës së vet autoktone.

Në vitin 1923, kur kjo vepër u botua për herë të parë nuk dihej shumë lidhur me jetën shpirtërore të ilirëve.Megjithatë dihej se hyjnitë ilire kishin forma si edhe tek popujt tjerë të Evropës dhe se ilirët nuk kishin priftërinj por njerëzit e rendomtë që kishin njohuri të caktuara, kryenin flijimet dhe udhëheqnin ritet religjioze..Nga hyjnitë ilire Patschi veçon Medaurin, të cilin e paramendonin si kryetrim gjigand mbi një kali zjarrmor me hark e shigjeta në duar, i cili kishte shenjëtoren në Risinium, pastaj ai i pari i kishte zbuluar dhe publikuar monumentet epigrafike të kushtuara hyjit ilir Bind, i cili identifikohej me Neptunin romak dhe i cili kishte shenjëtoren afër Bihaqit mbi lumin Privilica ku u zbuluan një varg altarësh dhe ku këtij hyji i flijohëshin cjepët.Ilirët nderonin një varg perendeshash si Diana Kandaviensis(e fisit kandavi), Ika, Futossica(pa dyshim formë e gabuar e emrit të hyjneshës Iutossica), Latra, Sentona, hyji i luftës Armatus e të tjerë.Si duket ilirët shpesh flijonin njerëz të gjallë siç kishte qenë rasti, bie fjala, në kohën e sulmit të Lekës së Madh kundër ilirëve të jugut me ç’rast, për tu mëshiruar hyjnitë, ishin flijuan tre djem dhe tri vajza.

Sa i përket gjuhës ilire Patsch shpreh mendimin që ilirishtja kishte pasur dialekte si edhe gjuhët e tjera dhe se njoftimet lidhur me këtë i kemi nga fjalët ilire të cilat i shënuan autorët antikë siç është emri i birrës sabaja,pastaj nga emrat e vendeve që mbaronin me prapashtesa të ndryshme siç ishin –ona: Emona, Albona, Flanona, Promona, Scardona, Narona, -este: Tergeste, Bigeste, -ntum: Dalluntum, Salluntum, Tarentum.

Ndihmesë për njohjen e gjuhës ilire janë edhe oronimet dhe hidronimet:Dravus (Drava), Savus(Sava), Drinus(Drina), Drilo(Drini) të cilët edhe të latinizuara i kanë ruajtur elementet origjinale deri në kohët moderne, pastaj emrat vetanake Verso, Bato, Dasto, Pino e të ngjashme.

Elementet karakteristike të gjuhës ilirishte mjaft mirë dëshmohen në një mbishkrim që u zbulua në Lisiçiqi afër Konjicit në Bosnjë, në tekstin e të cilit paraqitet një “j” e posaçme si dhe një shkronjë frymore që nuk është e njëjtë as me “s” e as me “z”.

Patsch shpreh mendimin që në Iliri gjatë antikës ilirishtja ishte përdorur krahas gjuhës latine, por me kohë ilirët kishin pranuar mjaft ndikime të gjuhës latine si edhe popujt e tjerë.Sipas Patschit gjuha mikste iliro-romake ishte folur në Dalmaci dhe ai kishte konstatuar që kjo gjuhë ishte ruajtur deri në fund të shekullit 19 kur në vitin 1898 kishte vdekur Anton Udina-Burbur, sherbëtor i kishës në ishullin Veglia në Dalmaci, i cili kishte qene njeriu i fundit i cili e kishte njohur dhe folur këtë gjuhë.

Një ekzemplar i botimit origjinal i këtij libri gjendet ne Biblioteken Kombetare e Universitare të Kosovës në Prishtinë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here