‘The blue pale eye’ (Syri i zbehtë i kaltër) është tregim i hakmarrjes së babait për bijën e tij. Tregim rrënqethës se si privimi jo njerëzor nga dashuria prindore e shndërron njeriun (babain) në hakmarrës të paskrupullt. Babai, duke u paraqitur në rolin e detektivit, merr hak ndaj kadetëve që ia kanë dhunuar të bijën dhe për të cilën gjë ajo bën vetëvrasje. Në ngjarje (fiktive) që ndodhë në akademinë ushtarake ‘West Point’ përfshihet kadeti dhe poeti i famshëm amerikan, Edgar Allan Poe. Tregimi shfaqet me kthesa dhe i përdredhur në mënyrë gjeniale për temën e cila është e errët, e zbehtë dhe e ftoftë. Gjuha apo dialogjet janë sipërore. Christian Bale, në rolin kryesor, për të satën herë dëshmon se është aktor brilant.
‘Victoria and Abdul’ (Viktoria dhe Avdyli) është i bazuar në ngjarje të vërtetë. Fjala është për mbretëreshën angleze, e cila është perandore edhe e Indisë, dhe shërbëtorit të saj të mençur, Avdylit, i cili bëhët mik i ngushtë, mësues i orientalizmit dhe këshilltari më i bësueshëm i saj. Mënyra më e pabesueshme, por e vërtetë, e shoqërimit të ngushtë të dy njerëzve më të ndryshëm që mund të ekzistojnë. Afria e mbretëreshës me Avdylin shkakton shqetësime të mëdha në klasën sunduese britanike që atëherë ka qenë raciste në mënyrë institucionale. Klasë sunduese dhe aristokraci e mbyllur në vete dhe me qëndrim tejet nënçmues ndaj kolonive. Por, mbretëresha Viktoria, së paku në këtë film, nuk është e tillë. Është film historik më skenar, regji dhe aktrim të shkëlqyeshëm ku shihet ndikimi i shërbëtorit në fjalë në përmasa të mëdha ndaj mbretëreshës. Film tipik britanik ku nuk mungon as humori.