Dimensionet e panjohura të autorit të projektit historiko-politik “E vërteta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët”, viti 1879.

Tradita historishkruese shqiptare u institucionalizua me vendosjen e regjimit komunist, por mbyllja tërësisht e vendit ndaj informacionit dhe materialeve arkivore me të cilat ka lidhje historia e shqiptarëve, bën që edhe sot publikimi i dokumenteve të panjohura arkivore të ofrojë të dhëna të reja mbi shumë ngjarje historike apo protagonistë të tyre. Ndërkohë, për periudhën osmane, sot më shumë sesa punohet për ta ndriçuar, mbahet vetëm qëndrim skajshmërisht kritik, madje deri në refuzim të njohjes së saj. Kjo verbëri, më së shumti e natyrës ideologjike, mëton t’i shuajë historisë së shqiptarëve një periudhë gjashtëshekullore, brenda së cilës janë mbarsur shumë nga problemet me të cilat Shqipëria përballet madje edhe sot. Në këtë kuadër, arkivat osmanë jo rrallë hedhin dritë mbi aspekte krejt të panjohura të realitetit shqiptar gjatë periudhës së sundimit osman në viset shqiptare dhe, më gjerë, për realitetin euro-aziatik, ku kemi bërë pjesë nga mesi shek. XIV e deri në fillim të shek.XX. Jetëshkrimi i Pashko Vassës, nxjerrë nga Arkivi osman i Kryeministrisë (BOA: DH, SAID. 1/236), na jep mundësinë të njohim jo vetëm fakte të reja mbi jetën e këtij personaliteti, por, ç’është më e rëndësishmja, të njihemi edhe me dimensionet reale të personalitetit të këtij shqiptari, i vlerësuar nga shtetet dhe fuqitë politike më të mëdha të kohës. Pashko Vassa është personaliteti që i pari hartoi një projekt historiko-politik për nacionalizmin shqiptar, i titulluar “E vërteta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët”, botuar në vitin 1879. Është kjo vepër që i dha Pashko Vassës vlerësimin si ideologu i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Nga jetëshkrimi që po bëjmë të njohur, jo vetëm që mësojmë se ku gjendej Pashko Vassa vit pas  viti dhe nëpër çfarë ofiqesh kaloi karriera e tij në Perandorinë Osmane, por mësojmë se në prag të zhvillimeve politike ndërkombëtare që i paraprinë Lidhjes së Prizrenit, ai gjendej me ofiqin e këshilltarit në Kosovë. Të mos e fetishizojmë peshën dhe vlerën e një dokumenti të vetëm. Jemi të bindur se ai shënon veçse fillimin e procesit të një njohjeje më të plotë të personaliteteve shqiptare, që mbartën mbi supe peshën e hartimit të doktrinës së nacionalizmit dhe të organizimit në terren të veprimit politik të nacionalizmit shqiptar.

Dokumenti, Jetëshkrimi
Pashko Vassa efendi (në origjinal emri është shkruar në trajtën Pasko) është i biri i Hil [Mëhill] Vassës. Lindi në Shkodër, sipas kalendarit Hixhri në vitin 1241/1825.
Në shkollat e Venedikut dhe të Romës ka mësuar lëndët shkencore: gjeografi, histori, arithmetikë, ekonomi, filozofi dhe jurisprudencë.
Lexon e shkruan turqisht, frëngjisht, anglisht, italisht, greqisht dhe sllavisht. Flet shqip, bullgarisht dhe pak arabisht. Njohja e këtyre gjuhëve, sipas kohës kur i ka mësuar ato, është e dokumentuar me diplomat përkatëse.
Ka një vepër italisht për rrethimin e Venedikut dhe informacione [sqaruese] rreth kësaj ngjarjeje. Ka disa libra të shkruara frëngjisht, respektivisht një për zhvillimet politike në Bosnjë-Hercegovinë dhe problemet e pronësisë së tokës atje; një përmbledhje për zhvillimet në Malin e Zi; në lidhje me Shqipërinë ka një vepër për gjendjen e shqiptarëve; dhe një studim shkruar turqisht, që bën fjalë për të drejtën romake.
***
Në vitin 50, kur ishte vetëm 25 vjeç, u punësua pa pagesë në Zyrën e Përkthimit të Sarajit Perandorak. Një vit më pas, në vitin 1851, me një rrogë prej 500 groshësh, u emërua nëpunës përkthimi në zyrën e shëndetësisë.
Në vitin 1856 kaloi në Shkodër si përkthyes në shërbim të administratës lokale osmane me një pagë mujore prej 1.000 groshësh; më pas, rroga iu ngrit në 1.500 groshë dhe, gjatë kohës që shërbente në Shkodër, shkoi dhe erdhi nga Cetina me ofiqin e zyrtarit osman, që uroi kreun e Principatës së Malit të Zi, princ Nikollën, për shërim të shpejtë.
Në vitet 1860-1861, gjatë luftës me Malin e Zi, për herë të parë, u emërua anëtar i Këshillit të Luftës, me një rrogë mujore prej 1.500 groshësh dhe, me të njëjtën pagë mujore, përveç detyrës rutinë të përkthyesit, gjatë viteve 1861-1862, kur Shkëlqesia e Tij, [Ahmet] Xhevdet Pasha, u dërgua me mision special në Shqipëri, kreu edhe detyrën e përkthyesit [të tij personal] dhe detyrën e sekretarit në gjuhën frënge. Në përfundim të luftës [me Malin e Zi], për verifikimin e gjendjes së mosmarrëveshjeve kufitare [mes Malit të Zi dhe Perandorisë Osmane] shoqëroi gjeneral divizioni, Ali Pashën, dhe për një kohë, me dëshirën e tij, punoi në komisionin [përkatës] me shpenzime udhëtimi prej 5.000 groshësh.
Më pas, me një rrogë prej 2000 groshësh u caktua si përkthyes pranë divizionit ushtarak [osman] në Hercegovinë; kurse, në vitin 1863, me një pagë prej 3.000 groshësh, u emërua mes inspektorëve me kompetenca të jashtëzakonshme për Bosnjën dhe Hercegovinën dhe shërbeu në shpurën e Shkëlqesisë së tij, Zija Pashës, në këtë moment vali i Adanasë (Anadoll), dhe më pas shërbeu edhe për dy vjet me radhë pranë të lartpërmendurit, Shkëlqesisë së Tij, [Ahmet] Xhevdet Pashës.
Në muajin tetor 1863, me marrjen e gradës së rangut të tretë, vjen në Stamboll. Për një farë kohe punoi si stazhier në Zyrën e Korrespondencës me vendet e huaja.
Në vitin 1865, me një pagë mujore prej 2.000 groshësh, për herë të dytë, u emërua përkthyes në vilajetin e Shkodrës.
Në vitin 1866, me një pagë mujore prej 5.000 groshësh, u emërua në detyrën e zv.drejtorit për çështjet politike në vilajetin e Halepit/Siri. Në vitin 1868, me një rrogë prej 7.500 groshësh u emërua në detyrën e drejtorit të zyrës së lartpërmendur; kurse në muajin korrik të vitit 1868 iu akordua grada e dytë e klasit special, dhe, me një pagë prej 4.000 groshësh, caktohet në detyrën e kryesekretarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
Në muajin shtator 1869, merr gradën e parë të klasit të dytë, dhe, me një pagë prej 7.500 groshësh, emërohet anëtar i Gjykatës Penale dhe Civile, pranë Ministrisë së Drejtësisë. Në vitin 1875, me një rrogë mujore prej 4.000 groshësh, emërohet anëtar i Zyrës së Krimeve pranë Gjykatës së Apelit; dhe po gjatë vitit të lartpërmendur, me një rrogë mujore prej 12.500 groshësh, u emërua kryetar i Komisionit të Reformave në Hercegovinë dhe sërish brenda atij viti, me një pagë mujore prej 10.000 groshësh, u emërua nëpunës me cilësinë e anëtarit pranë Komisionit për Mbledhjen e Taksave, që vepron në Bullgari, komision që kryesohej nga i nderuari Sadullah Bej, aktualisht ambasador [i Perandorisë Osmane] në Berlin.
Në vitin 1876 u caktua nëpunës për borxhet pranë zyrës së ndihmës valiut të vilajetit të Manastirit.
Nisur nga vlerat dhe kapaciteti [i tij personal], në muajin gusht të vitit 1877, u emërua këshilltar në vilajetin e Kosovës, me pagë mujore prej 12.500 groshësh.
Në vitin 1878 emërohet komisar i rodopeve ballkanike me një dietë fikse prej 100 lirash dhe, brenda po këtij viti, me një pagë mujore prej 6.000 groshësh, u emërua anëtar i Këshillit të Shtetit, dhe më pas, si një detyrë shtesë dhe pa pagesë, iu dha drejtimi i zyrës së shtypit dhe botimeve.
Në muajin shtator të vitit 1879, me një rrogë prej 10.000 groshësh, është emëruar këshilltar në vilajetin e Edrenesë, ku gjendet edhe në këtë moment.
***
Në muajin gusht 1877, në përfundim të luftës me Malin e Zi, në kohën që shteti rus i akordoi shkëlqesisë së tij, Abdi Pashës, kordonin e madh të medaljes “Shën Stanisllas”; meqenëse [Pashko Vassa] ishte pjesë e shpurës së tij, atij iu dha po e njëjta medalje, por e klasit të tretë.
Nga të gjitha detyrat zyrtare ku ka shërbyer deri më tani, është liruar përmes kalimit nga një detyrë në tjetrën ose kur e ka përmbushur afatin e kohës [në atë detyrë]. Për tre vjet u lirua nga detyrat shtetërore dhe mbeti pa rrogë. Vetëm se largimi nga posti i anëtarit të Gjykatës së Apelit, sipas vetë atij, mbeti i panjohur. Gjatë kryerjes së shërbimeve të lartpërmendura [asnjëherë] nuk është fajësuar/ nuk është bërë përgjegjës për ndonjë gjë; asnjëherë për të nuk ka pasur ndonjë procedim ligjor.
Më 26 shkurt 1880
Rroga e të lartpërmendurit Vassa Pasha, në datën 13 mars 1880, përgjatë kohës së rregullimeve [administrative], u ul në 8.000 groshë dhe, më pas, si vlerësim për detyrat e ngarkuara, në 12 prill 1882 iu dha medalja “Mexhidije”, klasi i dytë; në 6 maj 1882 iu akordua medalja “Mexhidije” e rangut të lartë. Në 10 korrik 1883, me një pagë mujore prej 20.000 akçesh dhe me titullin vezir, u emërua mutasarrif i [distriktit të] Maleve të Libanit, emërim që u ratifikua në datën 10 maj 1883; në 24 maj 1883, iu akordua medalja “Mexhidije” e klasit të parë, dhe në 31 maj 1883 iu akordua medalja “Osmane”, klasi i dytë.
Në 24 shtator 1886, Vassa Pashës së lartpërmendur Madhëria e Tij, Papa, i dha medaljen e “Shën Gregorit”, klasi i parë.
Në 16 qershor 1887, [personit] të lartpërmendur shteti italian i dha medaljen “Corona d’Italia”, klasi i parë.
Në 13 maj 1889, pashait të lartpërmendur, duke iu ngritur rangu, iu akordua medalja e lartë “Osmane”, klasi i parë.
Në 11 shtator 1889, pashait të lartpërmendur shteti rus i dha medaljen “Shën Stanisllas”, klasi i parë.
Në 11 tetor 1887 iu akorduan medaljet më të larta në hierarkinë e medaljeve të arta dhe të argjendta [të shtetit osman].
Personi i lartpërmendur vdiq më 26 qershor 1892.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here